Falë donatorëve po kompletohen shkollat me kabinete të informatikës

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka mbajtur sot, mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, ku drejtorët e drejtorive kanë raportuar për aktivitetet e tyre gjatë javës së kaluar dhe planifikimet për javën në vijim. Në këtë mbledhje, u njoftua se falë disa donatorëve, po vazhdohet kompletimi i kabineteve të informatikës në disa shkolla të Komunës së Malishevës.

Drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Avdi Morina, ka njoftuar, se Kryqi i Kuq, ka kompletuar me kompjuter, kabinetin e informatikës në sh.f.m.u. “Imer Krasniqi” në Carrallukës, ndërsa shumë shpejt pritet të kompletohen kabinetet e informatikës edhe në tri shkollat e fshatit Drenoc, pasi një organizatë holandeze, e ka premtuar këtë donacion. Me këtë rast, drejtori Morina, i ka falënderuar të gjithë donatorët për këtë përkrahje.

Sa i përket investimeve kapitale dhe realizimit të këtyre projekteve, Kryetari i Komunës, Ragip Begaj, ka kërkuar nga drejtoritë përkatëse, që të shtohet intensitet i punimeve dhe të përfundojnë projektet, para përfundimit të vitit, ashtu siç kanë qenë të planifikuara.

Por drejtorët e drejtorive përkatëse, kanë njoftuar se projektet janë duke vazhduar sipas planifikimeve dhe vetëm në tri projekte, ka ngecje, për shkak të pengesave nga pronarët e tokave, në dy kanalizime të ujërave atmosferik dhe në rrethojën e QKMF-së. Përndryshe, të gjitha projektet tjera, janë duke vazhduar, si në ndërtimin e shkollave, rrugëve kanalizimeve, pastaj ndërtimi i stallave, kurse disa projekte, pritet të fillojnë ditët në vijim, siç janë subvencionet në bujqësi.

Edhe sa i përket përgatitjeve për sezonin dimëror, janë duke u bërë përgatitjet, sidomos në furnizimin me dru për ngrohje, e që pritet të filloj furnizimi gjatë kësaj jave,  si dhe furnizimi me lëndë tjera djegëse në institucione shkollore dhe institucione tjera.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …