Falënderim nga zemra, për të gjithë ata mijëra dashamirë që shprehen dhembje për gjendjen dhe sëmundjen time

Njoftimin për sëmundjen time, në faqen e Radios-Kosova e Lirë, ditë më parë,  e bëra jo rastësisht, por nga sinqeriteti, sepse nuk banon  në qenien time frika nga vdekja. Sa e sa herë në jetë jam ballafaquar me atë dhe e kam mundur. Ajo do të më mund një ditë, sikur e mund çdo njeri, çdo qenie të gjallë, sepse është fundi logjik i të jetuarit. I përmbahem një këshille të urtë të Sokratit që thotë:  Frika më e pa vend në jetën e njeriut,  është ajo nga vdekja, sepse asaj nuk i ik dot.

Me rastin e publikimit të njoftimit, në faqen e Radios dhe të shpërndarë nëpër rrjetet sociale, lidhur me sëmundjen time,  nuk kam menduar, as kam pritur një përkrahje të tillë bashkë me dhembje e shqetësim të  mijëra të njohurve, miqve e dashamirëve. Kjo e papritur më na ngjallur emocione aq  të  thella, deri edhe  të papërballueshme….

Tani edhe më shumë po bindem se Njeriu  për Njeriun, kurdoherë ka qenë, është dhe  do të jetë, Njeri.

E papritur më erdhi kjo përkrahje kaq e madhe, sidomos  në adresën e bijës sime, Arbanës, në formë  shprehjeje  shprese për shërim,   e cila më jep forcë  e qëndresë, më shumë se barnat që i konsumoj për ditë. Ju falënderoj me krejt qenien për respektin dhe mbështetjen tuaj të pazëvendësueshme.

Asgjë në jetë nuk po e zëvendësuaka  dashurinë e sinqertë të njeriut për njeriun, në çdo situatë, në çdo rrethanë,  veçmas në rastet e sëmundjeve, si kjo me të cilën po ballafaqohem.

Më keni falur ditë gëzimi e përdëllimi shpirtëror.

Vetëm ata që janë në gjendjen time e kuptojnë se sa e fuqishme dhe e pazëvendësueshme është kjo përkrahje, vëllazërore, miqësore, njerëzore, në kohën kur aq shumë i duhet njeriut…

Iu kam përmbajtur gjatë gjithë jetës sime thënies së mençur të Dostojevskit i cili ka thënë  se “Jeta është luftë dhe kur lufta mbaron, jeta vdes.

Unë po luftoj me sëmundjen dhe kërkoj nga të gjithë të sëmurët ta bëjnë këtë luftë, edhe pse mjaft kam jetuar, nuk do të dorëzohem, sepse jam nga ata që vdekjes i thonë, plaç!!!

Njerëzit e të gjitha qeniet në këtë botë, përditë  një palë lindin e një palë tjetër vdesin. Por procesi i jetës është i pavdekshëm, i përjetshëm.

Andaj, u dëshiroj çdo të mirë në jetë!

Ju falënderoj nga zemra e nga thellësia e shpirtit!

 

Ahmet Qeriqi

  1. 9. 2023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Sot, ishin vizitë në Radion Kosova e Lirë, Tefta Cami, Izmina Haxhiaj, Dhurata Fida Bardoniqi dhe Zirako Sela

Sot, vizituan Radion Kosova e Lirë, Tefta Cami, Izmina Haxhiaj, Dhurata Fida-Bardoniqi dhe Zirako Sela

Sot, në një vizitë të veçantë në Radion Kosova e Lirë,” ishin të pranishme ish-ministrja …