Në një deklaratë publike të familjes së ish kryetarit Ibrahim Rugova. Lidhur me akuzat e Gjykatës Speciale kundër kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kundër kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, thuhet: Si familje e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës, me shqetësim të madh po i përcjellim zhvillimet e fundit në Kosovë, të cilat lidhen me pretendimet për Aktakuzë të mundshme, të Prokurorisë së Specializuar, ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit. Në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit, liderit të Serbisë dhe arkitektit të gjitha krimeve dhe të tragjedive në Kosovë, në Tribunalin e Hagës për krime të luftës, Presidenti i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova, në cilësinë e dëshmitarit, midis tjerash pati deklaruar:
‘Kam punuar dhe kam besuar për zgjidhje paqësore (të çështjes së Kosovës) për më shumë se dhjetë vjet, por pastaj është shfaqur opsioni tjetër, në mungesë të rezultateve. UÇK, siç kam theksuar, erdhi në shprehje si përgjigje ndaj dhunës së ushtruar në Kosovë për një periudhë të gjatë. Kjo ka qenë një organizatë e përbërë nga qytetarët që u përgjigjën ndaj dhunës, me qëllimin e fitimit të lirisë së popullit. Ky ishte synimi i tyre, thuhet mes tjerash në deklaratën e familjes Rugova.