Familja Gërvalla që jeton në Kosovë, Shqipëri dhe diasporë përmes një letre ka shprehur shqetësimin ndaj incidentit të ditës së djeshme që i ka ndodhur Donika Gërvallës. Në letër thuhet se struktura klanore e Isa Mustafës “jo vetëm që ka nëpërkëmbur dinjitetin njerëzor të vajzës sonë, por është edhe një sulm i rëndë kundër fjalës dhe mendimit të lirë, të cilat janë vlera themelore dhe universale të një shoqërie demokratike”. “Bija jonë mbrëmë po insistonte të merrte pjesë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, si kryetare e degës së kësaj partie në Gjermani. Elementë të klanit të Mustafës, duke e ditur qëndrimin e Donikës për t’ia kthyer dinjitetin kombëtar kësaj partie, ashtu si e kishte në kohën e dr. Ibrahim Rugovës, jo vetëm që nuk e kanë lënë të marrë pjesë në mbledhje, por fizikisht, duke e tërhequr zvarrë, nuk e kanë lënë të hyjë në sallë”, thuhet në reagimin e familjes Gërvalla.
