I nderuari zotëri Kryeprokuror z. Aleksander Lumezi, nëpërmjet kësaj kërkese publike, kërkojmë nga ju të hetoni ecurinë e procesit të zhvendosjes – shpronësimit të fshatit Shipitullë nga Korporata Elektroenergjetike e Kosovës (KEK), përkatësisht Kompaninë vlerësuese “RePlan” ku përfaqësues i saj është z. Vigan Behluli (Tel:049/622-617). Korporata Elektroenergjetike e Kosovës (KEK) në Dhjetor të vitit 2014 e ka shpallur si datë përfundimtare kur do të incizohet pasuria e përgjithshme e banoreve. Ndërsa kompania e përzgjedhur nga KEK-u “Replan” me përfaqësues z. Vigan Behluli ka kërkuar me ngulm nga Qeveria e Kosovës që ta miratoj datën 15. 07. 2015 si datë përfundimtare kur do të incizohet pasuria e përgjithshme e banoreve e ashtuquajtur si datë e prerjes, duke zgjatur afatin për gjysmë viti.
Gjatë kësaj kohe kanë vërshuar ndërtimet spekulative nga njerëz jo-banor të fshatit dhe jo banues të lagjes sonë. Ku shumica prej tyre janë shtëpi njëkatëshe dhe sipas vlerësuesit në këtë rast z. Vigan Behluli – Replan, është vlerësuar një shtëpi e ndërtuar në ketë kohë në vlerë shumë me të lartë se sa një shtëpi e banueshme dhe e ndërtuar prej vitesh. Dyshimet tona të forta janë se Kompania “Replan” ka bërë vlerësimin e shtëpive banuese si ne vijim: Një shtëpi njëkatëshe e pabanuar (100 m2), e cila është ndërtuar gjatë vitit 2015 është vlerësuar 24000 EUR përderisa një shtëpi e banuar dhe dykatëshe (200 m2) e ndërtuar para vitit 2010, është vlerësuar vetëm 30000 EUR.
Duke u bazuar në rastet e cekura më lartë, dyshimet tona se kompania “Replan” është kompani manipulatore dhe e korruptuar sepse qysh me rastin e përfitimit të tenderit nga KEK-u për vlerësimin e pronave tona ka qenë kompania e vetme që ka ofertuar dhe është përzgjedh nga KEK-u duke shkelur kështu edhe ligjet dhe rregullat e prokurimit vendor, gjë që kjo bën të shtohen dyshimet tona të bazuara se kjo kompani nuk ka të bëjë aspak me çështjet profesionale por që është duke punuar vetëm për interesa të caktuar dhe assesi jo për banoret e lagjes sonë. Ndërsa sipas KEK-ut e cila ka përzgjedh kompaninë në fjalë, pati thëne se kompania e përzgjedhur do të bëjë vlerësimin sipas standardeve ndërkombëtare dhe kornizës për politikat e zhvendosjes, ku do ta zbatoj në plotni ketë kornizë dokument të cilin nuk e ka përfill fare, por nuk e ka bërë as vlerësimin minimal sipas standardit vendor.
I nderuari z. Kryeprokuror në lidhje me këtë kërkesë tonën, ne gjatë ditëve në vijim do ti njoftojmë Presidentin e Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, Kryeministrin z. Isa Mustafa, Kryeparlamentarin z. Kadri Veseli dhe Ministrat e linjave gjegjëse. Po ashtu ju njoftojmë se ne nga tani e tutje shkëpusim çdo bashkëpunim me KEK-un deri se e ka të nënkontraktuar kompaninë “Replan” për vlerësimin e pronave tona. Mbesim me shpresë se kjo kërkesë dhe halli i yni do të trajtohet me urgjence nga ana juaj.