Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri ka pritur në një takim biznesmenin nga Norvegjia, Mexhid Merovci dhe bashkëpunëtorin e tij, Januz Peterqoi, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për t’ia ndërtuar shtëpinë e banimit familjes sodiku nga Zhabari.
Në takim kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i komunës, Safet Kamberi dhe drejtori i Integrimeve dhe i Mirëqenës Sociale, Qazim Nimani.
Biznesmeni Merovci i tha kryetarit Bahtiri se e kishte prekur shumë rasti i familjares së Sadikut, Sadijes, e cila nga plagët që kishte marrë duke u larguar nga Kosova gjatë luftës ka mbetur invalid në karrocë, andaj ai dhe bashkëkombësit tjerë kanë vendosur që të grumbullojnë para për t’ia siguruar kësaj familje strehimin, duke i ndërtuar një shtëpi të re.
“Gjendja e kësaj familje dhe sidomos gjendja shëndetësore e Sadijes na ka prekur shumë të gjithëve. Me qëllim që sado pak të ia lehtësojmë jetën asaj dhe familjes, ne u organizuam she morëm vendim që asaj t’ia ndërtojmë shtëpinë dhe këtë do ta realizojmë”, tha ai.
“Synimi ynë kryesor është që tu dalim në ndihmë familjeve me nevoja të veçanta, por për shkak të vështirësive buxhetore që ka komuna vazhdimisht, nuk kemi arritur t’i zgjedhim të gjitha problemet e këtilla. Mirëpo, falë ndihmës së donatorëve, siq jeni ju në këtë rast, kemi arritur të zbusim këtë problematikë, duke ua zgjedhur problemet e banimit një numri të konsiderueshëm të familjeve”, kryetari Bahtiri.
Kjo nuk është hera e parë që biznesmeni Mervoci dhe bashkëpunëtorët e tij në mënyrë të organizuar ndërtojnë shtëpi për familjet në nevojë në Kosovë. Ata që kur kanë filluar iniciativën për t’i ndihmuar njerëzit me kushte të rënda ekonomike, e që tani bëhen gjashtë vjet, kanë ndërtuar gjithsej 65 shtëpi në vendet e ndryshme të Kosovës.
Marrëveshja në mes të komunës dhe biznesmenëve nga Norvegjia, për ndërtimin e shtëpisë për familjen Sadiku nga Zhabari i Epërmë i Mitrovicës, pritet të nënshkruhet të hënën.