LETËR E HAPUR
Për: Shefin e Misionit të EULEX-it, z. Gabriele Meucci
Përfaqësuesit të zyrës së BE-së në Kosovë, z. Samuel Žbohar
Kryeprokurorin e Shtetit, z. Aleksandër Lumezi
Të nderuar zotërinj,
Ditë më parë në Kishnarekë të Drenasit u rrethua një pjesë e lagjes sonë, iu thyen dyert e oborrit dhe u bastis shtëpia e Azem Sylës, familjarit tonë. Ne ishim të befasuar me këtë ndërhyrje, sa brutale aq edhe spektakulare dhe jemi të habitur se si mund të trajtohet në këtë mënyrë familja e Azem Sylës dhe vetë ai. Skena të ngjashme kemi parë para çlirimit të Kosovës, kur rrethohej lagjja jonë dhe arrestoheshin djemtë tanë, në mesin e të cilëve edhe Azem Syla.
Pa dashur që të ndërhyjmë në punë të drejtësisë, nuk mund të mos shtrojmë pyetjen: Pse rrethohet e kontrollohet në këtë mënyrë familja e Azem Sylës, si të ishte terrorist? Pse arrestohet kështu Azem Syla, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kur dihet se ai në çdo kohë ka qenë bashkëpunues me drejtësinë, siç u vërtetua edhe kësaj radhe, kur dha dorëheqje nga postet shtetërore dhe u dorëzua vetë në organet përkatëse. Ai bashkëpunoi edhe para disa viteve kur ndaj tij pati një skenar të ngjashëm, por që s’doli gjë prej tij dhe Azem Syla u shpall i pafajshëm nga akuzat e një procesi të quajtur “Bllaca 1”, e po ashtu doli i pafajshëm edhe nga një gjykim që iu bë në Zvicër.
Duke u marrë dhe duke u trajtuar kështu Azem Syla, me spektakle të njëpasnjëshme arrestimesh, iu hap porta disa mediumeve, portaleve e analistëve të papërgjegjshëm që, para se të argumentohej qoftë edhe një “dëshmi” për Azem Sylën, filluan të shkruajnë e të flasin për të si për një të dënuar, duke i ngjitur atij lloj-lloj epitetesh fyese e denigruese. Azem Syla, veprimtari i lëvizjes kombëtare të Kosovës, ish-i burgosuri politik, ish-Komandanti i UÇK-së, pjesëtar i delegacionit të Kosovës në Rambuje, ish-deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, duhej trajtuar më dinjitetshëm.
Ne bashkë familjarët e tij jemi të shqetësuar për trajtimin e Azemit deri këtu dhe eventualisht edhe në të ardhmen, për më tepër, në qoftë se vazhdojnë të merren parasysh denoncimet e njerëzve të papërgjegjshëm, shumë të dyshimtë dhe qëllimkëqij, siç ka ndodhur edhe më parë, siç është Bllaca.
Ne pjesëtarët e familjes Syla jemi të sigurt në pastërtinë e Azem Sylës. Kërkojmë që drejtësia të shqyrtojë profesionalisht dyshimet dhe të veprojë në mënyrë korrekte dhe të paanshme ndaj tij. Deri në vërtetimin e së vërtetës, apelojmë që Azem Syla të lirohet nga burgu dhe të mbrohet në liri