Familjarët kërkojnë realizimin e projektit të Nusret Pllanës dhe ekipit tij për Obeliskun e 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës

Familjarët kërkojnë realizimin e projektit të Nusret Pllanës dhe ekipit tij për Obeliskun e 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës

Familjarët e 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës kanë reaguar rreth ngritjes së Memorialit – Obeliskut, në kujtim të fëmijëve shqiptarë të vrarë nga pushtuesi serb nga viti 1981 deri në vitin 1999, duke thënë se ka më shumë se tri vjet që kanë filluar punët për ngritjen e obeliskut. Familjarët e fëmijëve të vrarë nga Serbia kërkuan që t’i hapet rrugë projektit të Nusret Pllanës dhe ekipit tij.

Lexoni më poshtë njoftimin e  plotë të familjarëve:

Ka më shumë se tri vjet që kanë filluar punët për ngritjen e Memorialit – 0beliskut, në kujtim të fëmijëve shqiptarë të vrarë nga pushtuesi serb nga viti 1981 deri në vitin 1999, kur përfundon Lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kur Obelisku, projekti i të cilit është punuar nga njerëz profesional, krejt papritur, si të dalë nga dheu, pas tri vjetësh, del ndonjë zë i vetmuar, që jo vetëm konteston punën e bërë, por edhe kërkon që projekte të tilla, të jenë edhe me konkurse ndërkombëtare, por edhe me punën e Asociacionit së arkitektëve të Kosovës, të cilëve më në fund, ju doli zëri.

Prandaj, Arianit Bytyçit dhe grupit të tij, ju bie ndërmend se u dashka një konkurs ndërkombëtar, pas shumë vjetësh të angazhimit të ekipit profesional për ngritjen e obeliskut në kujtim të fëmijëve shqiptarë të vrarë, dhe, sa duket, duan me çdo kusht të zvarritet, siç ka ndodhur përherë, por edhe të ndërrohen bartësit e projektit përmes, edhe të lojërave gjoja për një konkurs  ndërkombëtar, se edhe ndërkombëtarizohet çështja e masakrave serbe në Kosovë, thuajse bota nuk i paska mësuar ende masakrat që janë bërë mbi popullatën shqiptare. Po pse atëherë ndërhyri NATO-ja?!

Kur njeriu i dëgjon këto dhe deklarime të ngjashme, i pyesim se ku ishin deri sot, që nuk paskan bërë asnjë konkurs ndërkombëtar? I pyesim, athua me cilin konkurs ndërkombëtar, është ngritur New Born-i, apo ndonjë memorial tjetër, apo edhe ai i Kompleksit të Jasharajve?! Tashti, krejt natyrshëm shtrohet pyetja, pse pikërisht ky projekt, vjen e bëhet pengesë pa e  shpallur edhe një konkurs ndërkombëtar, për Arianitin dhe ndonjë si ai?! Po ashtu, ku paskan qenë deri tashti të këtillët, që 21 vjet ?!! Më tutje, ku paskan qenë deri tashti, Arianiti dhe të tjerët, si ai, që nuk u paska rënë ndërmend të kërkojnë konkurs ndërkombëtar, qoftë edhe vetëm për New Born-in?!

Konkurs ndërkombëtar për memorialin e sakrificës së fëmijëve të Kosovës

Si të kuptohet kjo, apo ndoshta sërish duan që njerëzve, me plagë ende të hapura për fëmijët e tyre të vrarë, me varr e pa varr, t'ua shuajnë shpresën për mundësinë e përkujtimit të fëmijëve të tyre, në një Obelisk s’i ky, që përveç të tjerash e ka edhe anën profesionale brenda?! Andaj, i bëjmë thirrje Arianitit edhe të tillëve si ai, që të mos thirren më në kauzën tonë, se gjoja është në të mirën e Kosovës, por t’i hapin rrugë projektit të Nusret Pllanës dhe ekipit tij, gjë që punën shumëvjeçare ta kurorëzojnë sa më shpejt. Me këtë rast, edhe dhembja e baballarëve dhe nënave, familjarëve dhe njerëzve të tjerë, do të jetë më e lehtësuar.

Në fund, në emër të familjarëve të 1432 fëmijëve të vrarë nga regjimi barbar serb, ju bëjmë thirrje  arkitektëve, medieve, si dhe opinionit publik, të mos bien pre e thirrjeve të një zëri të vetmuar, qoftë edhe arkitekt, i cili sa po shihet, merret me memorialet dhe konkurset ndërkombëtare për Obeliskun e fëmijëve të vrarë, vetëm për të qenë në qendër të vëmendjes, ose edhe për të gjetur mundësi të përvetësimit të projektit për nevoja dhe ambicie personale.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …