Si të gjithë reaksionarët e tjerë në botë, ashtu edhe ballistët tanë, të emigruar në Itali e gjetkë, kanë marrë ofensivën, në mos me armë, po të paktën me penë dhe me propagandë. Si duket, besojnë seriozisht që për së shpejti do të kërcasë një luftë ruso-amerikane, e cila do t’i shpjerë nga syrgjyni në Tiranë. Shpresat e tyre më duken fare të kota. Ballistët tanë kanë vdekur moralisht, edhe nuk mund të ngjallen më. Nga ana tjetër, lufta nga e cila kanë shpresë të ngjallen nuk mund të ngjajë aq shpejt sa t’u hyjë në punë.
Nuk ka shqiptarë aq budalla sa të mos dinë që ballistët tanë vdiqën një herë e mirë, posa falimentoi politika e tyre. Bashkëpunuan me fashistët italianë dhe me nazistët gjermanë me shpresën që do të fitonin luftën tok me ta. Me këtë taktikë jo vetëm vranë veten, por për pak e vranë edhe Shqipërinë, të cilën e nxinë para botës si pro italiane dhe pro gjermane. Si e këtillë, Shqipëria do të ishte copëtuar pa dyshim. Desh perëndia, dolën në shesh partizanët me Enver Hoxhën në krye dhe jo vetëm e nxorën Shqipërinë nga hendeku i vdekjes, po e vunë në radhën e të gjallëve pranë shteteve aleate.
Guverna e Enver Hoshës jo vetëm që e shpëtoi Shqipërinë nga vdekja, po tani i vë themelet të patundura shtetit me reformat dhe me veprat konstruktive. Këto vepra mund t’i bëjnë vetëm një guvernë homogjene, e qëndrueshme, me një program të caktuar përparimtar. Ballistët tanë janë një grup heterogjen dhe nuk kanë asnjë program fare. Nuk mundin të organizojnë askurrë një guvernë të qëndrueshme, dhe ca më pak të hedhin themelet e një shteti dhe të bëjnë reforma. Sikur të ngjante e pangjara dhe ballistët tanë të kishin qëndruar në fuqi pas disfatës gjermane, përfundimi do të ishte një anarki e plotë, më e keqe se ajo e Greqisë, e cila do ta shpinte Shqipërinë ose në një diktaturë reaksionare ose në copëtimin final. S’ka shqiptar në Shqipëri e jashtë Shqipërisë aq budalla sa të mos i kuptojë këto gjëra elementare. Pra, s’ka shqiptar me pesë para mend që t’i përkrahë ballistët që ta shpien Shqipërinë në buzë të varrit për një herë të dytë.
Atëherë mbetet vetëm një shpresë për ballistët tanë. Amerika bën një yrysh, e sheshon Rusinë me pesë a gjashtë bomba brenda në tri a katër javë, dhe me një yrysh tjetër ballistët tanë kthehen në Tiranë me triumf. Kjo është ëndrra e gjithë reaksionarëve të botës, dhe nuk çuditem aspak që edhe ballistët tanë shohin natë e ditë këtë ëndërr. Do të bëjnë mirë të zgjohen, të heqin dorë nga ëndrrat, edhe t’i shihnin faktet. Vetëm strategët e kafeneve mund të besojnë se një luftë ruse-amerikane mund të marrë funt në tri a katër javë. Strategët e zanatit janë të mendjes që një luftë e atillë do të zgjatet më tepër se çdo luftë tjetër, napoleoniane a hitleriane, dhe nuk dihet se kush do të dalë i gjallë nga kjo katastrofë. Pra, këshilla që u pëshpëritin në vesh politikanëve është: urtë e butë e plot tigani. Se tani për tani as Amerika, as Rusia nuk mund t’i përvishen një lufte të gjallë. Përpara se të mejtohen për një luftë të re, popujt e botës duhet të mbledhin veten nga lufta e vjetër, e cila posa mbaroi dje. Për këtë çështje duhen të paktën nja pesëmbëdhjetë a njëzetë vjet.
Po atëherëë ç’kuptim kanë deklaratat e Trumanit? Përgjigjja është dhënë nga ata që diç dinë se ç’ngjan prapa perdes. Këtu po kopjojmë nja tri si për mostër: 1. Profkë për të fituar votat e reaksionarëve amerikanë; 2. Manovër diplomatike, e cila nis në Greqi dhe në Turqi, po pastaj mbaron kudo gjetkë; 3. Një meze e vogël për fabrikat amerikane që të bëjnë topa dhe xhephane për evazonët dhe për anadollakët. Ka edhe të tjera hipoteza pak a shumë të bazuara dhe logjike si këto. Po sidoqoftë, asnjë prej këtyre nuk parashikon seriozisht një luftë mitologjike, e cila kërcet nesër dhe mbaron pasnesër për të plotësuar ëndrrën fantastike të reaksionarëve të botës dhe të ballistëve tanë.
Vijmë në konkluzionin: ballistët tanë ranë si shahitë të luftës fashiste, dhe nuk kanë asnjë shpresë që të ngjallen si lugatë nga ndonjë luftë e afërme reaksionare. Pra, mos u varni torbën, po u tregoni vendin, dhe vendi i tyre është në varret e fashizmës. Nga ana tjetër, guverna e Enver Hoxhës e rrëmbeu Shqipërinë nga thonjtë e vdekjes me sakrifica heroike në periudhën e luftës. Tani vepron dhe triumfon me reforma dhe me punë konstruktive. Ka përpara një të pritme të shkëlqyer se periudha e paqes do të zgjatet të paktën nja pesëmbëdhjetë a njëzet vjet. Pra meriton përkrahjen e patundur të çdo shqiptari të mirë, që dëshiron të mirën e atdheut.
(Botuar në “Dielli” (Boston), 1947, 26 mars, nr. 5767.)