Që prej kur ka lindur kuptimi i lirisë, është e njohur thënia se ajo ka çmimin më të lartë. Populli shqiptar e ka provuar këtë sentencë universale, gjatë gjithë historisë, duke e paguar lirinë-e tij me gjakun e me sakrificat e bijve më të mirë. Ky fakt u dëshmua edhe në luftën e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, gjatë viteve l 998-1999. Akti heroik i sakrificës sublime të Komandantit Legjendar Adem Jashari, ishte prologu i një qëndrese mitologjike, pa të cilën nuk do të vinte liria e Kosovës. Pra, në altarin e saj, me vetëmohim absolut ranë bijtë e bijat e devotshme të Kosovës, duke ia falur jetën e tyre të ardhmes së saj, brezave që do të vijnë dhe diellit që do ta rrezatojë. Në këtë ceremoni të shenjtë nuk kishte as short, as rend dhe as përjashtim: kalaja e lirisë kërkonte theror. Dhe theror në muret e saj u bënë edhe shumë bij të vetëm të nënave, si Astrit Suli nga Berati, Sokol Sopi nga Prishtina, Skerdilajd Llagami nga Tirana, Mujdin Aliu nga Poroj i Tetovës, Faruk Elezi nga Gjurgjeviku i Vogël i Klinës …
Dëshmori Faruk Elezi ka lindur më 1 qershor të vitit 1977, në Gjurgjevik të Vogël. Babai, Kameri dhe nëna Resmia, e kishin vëllain e vetëm të katër vajzave të tyre, Fatmires, Florës, Dafinës dhe Dorinës. Kjo rrethanë bën që Faruku të jetë në epiqendër të dashurisë, jo vetëm të prindërve e të motrave, por edhe të gjithë rrethit familjar. Tani, dhembjen për Farukun e lehtëson vëllai nga babai, Bekimi.
Farukut i përket fati t’i takojë një brezi të rritur e të kalitur nën zezonat e sundimit të egër neofashist serb, ku jeta nuk kishte kuptim as vlerë. Në këto kushte, shkollën fillore e mbaron në Klinë. Shkollën e mesme e vijoi në shkollat e improvizuara në shtëpitë private, meqenëse në atë kohë sistemi i arsimit në gjuhën shqipe në Kosovë ishte përjashtuar nga jeta legale. Pas përfundimit të shkollës së mesme, regjistrohet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. Në universitet, vendin e vet e gjeti në mesin e studentëve të përkushtuar e të angazhuar për format e një dinamike të re të lëvizjes kombëtare, e cila u artikulua nga Unioni i Pavarur i Studentëve, në Tetor të vitit 1997, përmes protestave masive kundër politikës së tipit segregacionist dhe politikës pacifiste që i përmbahej këtij segregacioni. Këto protesta, krahas robërisë, përbuzën edhe politikën e pacifizmit nënshtrues, si formën më të degjeneruar të ndërgjegjes kombëtare, duke ia bërë me dije pjesës së robëruar të popullit shqiptar se për të fituar lirinë, janë të ligjshme të gjitha format e luftës çlirimtare, e lufta e armatosur është mamia më e sigurt e revolucioneve kombëtare.
Faruku ishte pjesëmarrës aktiv i këtyre protestave, të cilat u bënë preludi i ngjarjeve të mëdha historike, të cilat do të pasojnë me luftën çlirimtare të organizuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vetëm disa muaj më vonë.
Këto protesta përshpejtuan krijimin e rrethanave për shpërthimin e luftës çlirimtare dhe për legalizimin e UÇK -së, e cila tashmë kishte disa kohë që po kryente aksione të armatosura kundër pushtuesit, në vende të ndryshme të Kosovës.
Dalja e parë publike e përfaqësuesve të UÇK-së, në Llaushë të Skënderajt, më 28 nëntor të vitit 1997, si dhe ngjarjet e një dite më parë në Rezallë, ku forcat e motorizuara serbe përjetuan ballafaqimin e parë, por edhe zbrapsjen e parë .nga njësitet e UÇK-së, të komanduara nga komandanti legjendar Adem Jashari, e impresionuan së tepërmi Farukun. Prandaj, do të varet vetëm nga faktori i kohës dhe i organizimit, kur ai do të kyçet në radhët e UÇK-së. Ky çast arriti sapo në trevën e tij u formua njësiti me numrin 192, nën udhëheqjen e luftëtarit të njohur Alush Agushi. Ky luftëtar kishte gjetur te Faruku djaloshin e përgatitur fizikisht e shpirtërisht për t’i dalur zot atdheut dhe në shtëpinë e tij, bazën e sigurt të UÇK-së, ku do të bëhej organizimi dhe do të grumbullohej armatimi për front.
Meqenëse Gjyrgjeviku i Vogël shtrihej në zonën ndërmjet Drenicës me Dukagjinit, Faruku kishte mundësi të dyfishta për të përcjellur rrjedhat e organizimit e të luftës e cila, në fund të marsit të vitit 1998 u përhap edhe në zonën e Dukagjinit. Prandaj, në Shtabin e Shqiponjës (ish-Jabllanicë e Dushkajës) dhe në pika të tjera të Zonës së Dukagjinit, ai do të njohë luftëtarët Agim Zeneli e Myrtë Zeneli (dëshmorë), Hazir Morina, Lahi Brahimaj, Ismet Kelmendi e të tjerë, ndërsa me trimërinë dhe cilësinë e tij prej luftëtari do të shquhet në shumë beteja të zhvilluara në fshatrat e kësaj zone, si në Shqiponjë, Gllogjan, Baballoq e vende të tjera. Njëkohësisht me Farukun, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por në Zonën Operative të Drenicës do të radhitet edhe bashkëluftëtari, më vonë dhëndri i tij, Ilir Morina, i cili nën komandën e legjendës së UÇK-së, dëshmorit Mujë Krasniqi.
Shkathtësitë luftarake të Farukut i njohën bashkëluftëtarët e tij, komandanti Alush Agushi, xhaxhai Ibra, Nikë Frroku, Jashar Elezi e të tjerë, edhe në frontet e Këpuzit, Grabanicës, Qeskovës e të fshatrave të tjera të komunës së Klinës, fronte të hapura në pranverën e vitit 1998. Maji i këtij viti u karakterizua me ofensiva të njëpasnjëshme të forcave serbe mbi këto fshatra. Ofensiva të ashpra u ndërmorën edhe më 17 e 18 maj 1998 kundër fshatit Grabanicë, e që do të vazhdojë edhe më 21 maj.
Njësitet e UÇK -së, duke përfshirë edhe Njësinë Speciale, ku bënte pjesë Faruku, militarëve serbë iu kundërpërgjigjën me vendosmërinë sallamoniane për lirinë e Kosovës. Këtë vendosmëri e dëshmoi me sakrificën sublime edhe dëshmori i kombit, biri i Kosovës e i UÇK-së, Faruk Elezi, më 21 maj 1998, në Grabanicë. Atë e godet rëndë arma serbe, por krismat e armëve të UÇK-së nuk pushojnë. Luftën e vazhdojnë bashkëluftëtarët e tij, Ibra, Jashari, Nika … Nikë Frroku e tërheq trupin e dëshmorit Faruk Elezi nga vendi i rënies. Bashkëluftëtarët, atë ditë e përcjellin me ceremoni të nderimit ushtarak për në shtëpinë e përjetshme, me themele në Shqiponjë (ish-Jabllanicë e Dushkajës. Tani e tutje, mbi një vit më pas, deri më 9 qershor të vitit 1999, luftës çlirimtare dhe UÇK-së i jep fuqi emri dhe hiri i tij.
Vargu i betejave të lavdishme të UÇK-së do t’ia shtojë qiellit shqiptar të lirisë edhe shumë yje si Faruku, shokë të tij të armës e të idealit.
Më 25 gusht të vitit 1999, trupi i dëshmorit Faruk Elezi, në shenjë nderimi për gjurmët dhe kujtimet e pashlyeshme që kishte lënë gjatë një periudhe të shkurtër por heroike në frontet e zonës operative tëDukagjinit, u rivarros në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan, ku prehen edhe Luani, Shkëlzeni, Bekimi, Bedriu, Agimi, Myrta e shumë feniksë të tjerë të lirisë.
Rënia e dëshmorit Faruk Elezi për idealin që e kishin formësuar e kalitur brezat e njëpasnjëshëm të popullit shqiptar, ishte akt i vazhdimit të rrugës që e kishin ndjekur edhe babë e gjysh i tij. Babagjyshi i tij, Murati, duke qenë nip i vatrës së trimit kombëtar nga Drenica, Kamer Loshi, nuk mund të mos trashëgonte ndjenja atdhetare, me të cilat do ta edukojë e pajisë edhe të birin e vetëm, Farukun.
Sot, dëshmori Faruk Elezi, i përjetësuar në lapidarë mermeri, jeton i gjallë në kujtesën e popullit shqiptar, jo vetëm të Gjyrgjevikut e të Dukagjinit, por të mbarë Kosovës e të Shqipërisë etnike. Sot, me zërin e tij të ëmbël flasin reliktet që ruajnë kujtimin për të, në dhomën – muze ku bën roje flamuri kombëtar. Në këtë muze janë ekspozuar fotografitë e dëshmorit nga jeta civile e ushtarake, fletore shënimesh, veshmbathje, uniforma e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e gjësende të tjera. Për kujtim të tij, ruhet edhe biçikleta që e kishte ngarë ai. (N. M.)