Faruk Beqiri u lind më 22 janar 1977 në fshatin Ceceli të vushtrrisë. Të parët e tij kishin ardhur nga fshati Kaqanuell. Kjo familje dallohej për atdhedashuri. Gjyshi i tij asnjëherë nuk u pajtua me robërues in e vendit. Ai kishte bashkëpunim me trimat shaljanë, e sidomos me Ahmet Selacin. Edhe pas luftës së Dytë Botërore ai nuk u pajtua me okupatorin dhe aktivitetin e tij atdhetar e zhvillonte në radhët e NDSH-së, për të cilin aktivitet bie në burg. Qe burgosur dhe dënuar me pesë vjet burg, të cilin e vuajti në çelitë e burgut të Nishit dhe Borit në Serbi, por edhe pas daljes nga burgu vazhdoi veprimtarinë e tij atdhetare ilegale. Prindi i dëshmorit të kombit Faruk Beqiri, Nazmiu, ishte minator në minierën e Artanës (ish – Novobërdës) dhe çdo herë ishte në ballë të protestave të organizuara nga minatorët.
Nazmiu ishte i martuar me Hasimen dhe patën katër djem e dy vajza: Farukun, Fidonin, Ilirin, Mentorin, Eminen dhe Albinën. Nga të gjithë fëmijët, Faruku dallohej me urtësi. Ishte fjalëpakë, i dëgjueshëm dhe mjaft i vëmendshëm. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Ceceli, në Shkollën Fillore “Hivzi Sylejmani”, sot “Rexhep Musa”, ku ishte njëri ndër nxënësit më të dalluar në shkollë. Edhe në shkollën e mesme, në Gjimnazin e Vushtrrisë, ishte ndër nxënësit më të mirë dhe prijës e organizator i shumë aktiviteteve shkollore. Ishte në ballë të protestave dhe demonstratave që organizoheshin në atë kohë kundër krimeve, gjenocidit e terrorizimit të popullit e sidomos të rinisë shqiptare, arsimit shqip, arsimtarëve etj.
Faruku ekzekutonte për mrekulli në çifteli e po ashtu vizatonte mirë. Atij i interesonte edhe historia kombëtare ku kishte dëshirë të dinte çdo gjë për heronjtë kombëtarë të të gjitha kohërave. Këtë e kërkonte nga më të vjetrit që t’i flisnin për trimat e kombit. Ishte edhe koleksionues i denjë i portreteve të atdhetarëve, figurave më të shquara të historisë sonë kombëtare.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, gjendja ekonomike e familjes si e shumë familjeve shqiptare u keqësua pasi që sikur punëtorët tjerë shqiptarë edhe babai Nazmiu, ishte përzënë nga puna nga masat e dhunshme të okupatorit. Edhe pse me dëshirë të madhe u regjistrua në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, u detyrua të kërkojë punë për të përmirësuar sadopak gjendjen e familjes dhe kështu në vitin 1993 shkoi në Ulqin, ku gjen punë dhe punon deri në fund të vitit 1997.
Gjatë kohës së qëndrimit me punë në Ulqin, kalon ilegalisht në Shqipëri, ku do të fillojë veprimtarinë atdhetare. Faruku kështu lidhet edhe me ilegale n patriotike shqiptare që punonte dhe përgatitej për çlirimin përfundimtar nga okupatori shekullor.
Faruku ishte i frymëzuar nga gjyshi i tij, Sadriu, por edhe kishte traditë të rezistencës kombëtare me pushkë në dorë për lirinë e atdheut.
Pa hezituar iu përgjigj zërit të atdheut duke u kthyer në vendlindje, ku tanimë UÇK -ja kishte dalur sheshazi në Drenicë.
Edhe në rajonin e Shalës, nga mesi i prillit 1998, disa luftëtarë të ardhur nga frontet e Drenicës, me urdhrin e komandantit Rrahman Rama, shtrinë celulat e para të UÇK -së.
Më 30 qershor 1998 formohet Brigada “Mehë Uka ” e ZaSH në Zabërgjë për t’u zgjeruar më vonë edhe në Bajgorë, Bare, Ceceli e në mjedise të tjera. Më pas u formuan batalione dhe njësite të tjera, për t’u shtrirë kështu pothuajse në gjithë territorin e Mitrovicës dhe të Vushtrrisë.
Më 4 korrik 1998, në Ceceli, arrijnë disa eprorë të UÇK -së dhe mbajnë një tubim në shkollën e fshatit, me ç’rast dorëzohet edhe një sasi e armatimit të cilën e kishin ruajtur për këto ditë fshatarët, edhe përkundër dhunës së ushtruar mbi ta nga okupatori, për ta dorëzuar. Kështu këtë ditë u formua Batalioni i Katërt i UÇK -së, ku në këtë tubim vullnetarisht u lajmëruan mbi 60 vullnetarë për t’u anëtarësuar në radhët e UÇK-së.
Pikërisht këtë ditë, me 4 korrik 1998, Batalionit të Katërt të UÇK-së iu bashkua edhe Faruk Beqiri, i cili për këtë qëllim kohë më parë ishte kthyer nga puna në Ulqin. Ai edhe më parë kishte pasur kontakte me pjesëtarët e UÇK-së dhe kishte shprehur dëshirën që të radhitet në radhët e tyre. Më parç, kushëririt të tij, Bajram Beqirit, i kishte thënë që ta anëtarësonte në UÇK e ta dërgonte në front aty ku luftohet dhëmbë për dhëmb me armikun. Në ditët në vazhdim, Faruku bashkë me shumë shokë kreu ushtrimet e nevojshme ushtarake në kuadër të Batalionit të Katërt “Rexhep Musa” të Brigadës 141 “Mehe Uka” që përfshinte shumë fshatra të Vushtrrisë dhe fshatrave rrëzë Shalës. Popullata e kësaj ane, luftëtarët e lirisë i përkrahte në çdo mënyrë, si me bukë, armatim e mjete tjera dhe çdo gjë që u nevojitej.
Edhe gjyshi i Farukut, Sadriu kur në oborrin e shkollës së Cecelisë kishte parë ushtarët e lirisë, ishte gëzuar pa masë, e po ashtu edhe për nipin e tij që ishte pjesëtar i UÇK-së, sepse edhe ai gjatë tërë jetës së tij i kishte ndenjur okupatorit karshi dhe ishte marrë me aktivitete ilegale bashkë me trimat e kohës. Dhe ishte shumë i entuziazmuar kur kishte parë me sytë e tij çlirimtarët e atdheut të robëruar, që kaherë e kishte pasur këtë dëshirë që t’i shohë me sytë e tij.
Të gjithë shokët dhe eprorët e tij ishin të kënaqur me sjelljen dhe punën e Farukut, si ushtar shembullor i cili edhe paraqitej vullnetar si në front, punë tjera por edhe në sjelljen e armëve nga Shqipëria. Ishte i dalluar në çdo aksion që merrte pjesë, ngase ai kishte trimërinë, mençurinë dhe besnikërinë. Ai mori pjesë në shumë beteja të zhvilluara në Shalë kundër okupatorit shekullor. Kështu ai u dallua në betejat e që u zhvilluan në Ashlan, Rahovë, Mazhiq, Majdan, në Kutllovc kur u bë sulmi mbi bazën ushtarake serbe e në shumë luftime të tjera.
Meqë dallohej në luftime, eprorët e tij, më 1 tetor 1998 e dërgojnë në njësitin special, i cili njësit kudo që paraqitej nevoja ishte aty për ta luftuar armikun dhe në çdo vend korrte suksese. Faruku kishte shok të pandarë Arsim Muzaqin, me të cilin nuk u nda deri në rënien heroike. Me trimat e njësisë speciale krenohej Brigada 141 “Mehë Uka” e ZOSH. Ky nisit ua futi tmerrin okupatorit edhe me rastin e zënies rob të tetë ushtarëve të okupatorit.
Në kohën kur nuk kishte luftime Faruku kthehej edhe në familje bashkë me shokët e tij, por edhe atë kohë ata e shfrytëzonin për të bërë plane për aksione të reja kundër armikut.
Një natë para vitit të Ri 1999, Faruku bashkë me shokët e tij sulmoi forcat armike që ishin në Motelin “Vicianum” të Vushtrrisë, duke mos i lënë të festojnë dhe i bëri pikë e pesë.
Në fillim të vitit 1999, në një pritë të organizuar nga forcat e okupatorit, vritet komandanti i logjistikës për Shalë Xhevat Jusufi dhe plagoset zëvendëskomandanti i ZOSH Zymer Halimi. Edhe përkundër dhembjes për ta, trimat u mobilizuan dhe pa u hutuar vazhduan rrugën e lirisë duke korrur rezultate të reja në aksionet e ardhshme.
Faruku, si edhe shokët e tij të njësisë speciale, kishte njohuri e përgatitje profesionale për përdorimin e armëve dhe aftësi për aksione të ndryshme ushtarake. Pas vrasjes së Xhevat Jusufit dhe plagosjes së Zymer Halimit, komandant i njësitit emërohet Shemsi Ahmeti.
Për Farukun janë të shumtë shokët e luftës që rrëfejnë sot për trimërinë, artin luftarak dhe kontributin e madh që dha në luftën për lirinë e Kosovës. Zymer Halimi thotë se me Farukun janë njohur pas ofensivës së 15 shtatorit të vitit 1998, atëherë kur u parashtrua nevoja për rikonsolidimin e radhëve të UÇK-së, me ç’rast u formua edhe njësiti special, pjesëtar i së cilës u bë edhe Faruku bashkë me Arsim Muzaqin, që ishin shokë të pandarë. Ata ishin të dalluar në këtë njësit, si gjatë përgatitjeve teorike, ashtu edhe në zbatimin praktik të aksioneve që ndërmerreshin nga ky njësit.
Aftësitë e tij të fituara gjatë stërvitjeve Faruku bashkë me shokët e njësitit i demonstruan edhe me rastin e një manifestimi të mbajtur për nderë të 28 Nëntorit 1998, Ditës së Flamurit Kombëtar, që u mbajt në oborrin e shkollës së Bajgorës, ku përveç ushtarëve të lirisë prezantonin edhe shumë fshatarë të Shalës, nxënës, studentë, gazetarë, oficerë të UÇK-së nga Shala e zona të tjera. Të gjithë të pranishmit në këtë manifestim ishin të befasuar me demonstrimin me armë dhe aftësitë e fituara për artin e luftës të këtyre djemve të lirisë.
Me 25 shkurt 1999, forcat e armikut me një makineri moderne ushtarake kishin bërë përgatitjet për ta sulmuar Artakollin përreth Qyqavicës. Të parët që i dolën përballë pushtuesit në këtë betejë ishin Faruk Beqiri dhe Arsim Muzaqi. Në këtë vijë të frontit, Faruku me shokë qëndroi 24 ditë.
Njëri ndër aksionet më të suksesshme ku mori pjesë Faruk Beqiri duhet përmendur edhe atë të 21 prillit 1999, kur u sulmua kazerma ushtarake serbe në Kutllovc, ku njëri nga ata që u futën në brendi të kazermës ishte edhe Faruk Beqiri. Sulmi ishte mjaft i suksesshëm ku armikut përpos humbjeve në njerëz iu mor në kazermë edhe një sasi e konsiderueshme e armatimit dhe municioni kalibrash të ndryshëm, si dhe një sasi e miellit që në këtë kohë ndihej mungesa e tij për popullatën.
Në prill 1999, si në gjithë Kosovën edhe në Shalë filluan betejat e pareshtura ku armiku sulmonte me të gjitha forcat kurse ushtarët trima të UÇK -së mbronin vendin pa u lëkundur për asnjë çast. Edhe në Shalë në këtë kohë u zhvilluan luftime të ashpra në një vijë të gjatë të frontit.
Armiku në vijën e frontit Trepçali – Shkëmbi i Bletës – Melenicë – Lagja e Cenajve – Kodra e Majdanit, sulmonte për çdo ditë me këmbësori dhe artileri të rëndë pozicionet e UÇK-së në disa drejtime, si nga Kutllovci, Trepça, Rahova. Këto sulme nuk pushuan që nga mesi i prillit deri më 29 prill 1999.
Mirëpo, edhe përkundër të gjitha këtyre sulmeve, djemtë e shqipes qëndronin të pathyeshëm në pozicionet e tyre, duke mos lejuar depërtimin e armikut tek popullata dhe në zonën e përgjegjësisë së
Brigadës 141 “Mehë Uka”.
Kështu, prilli 1999, si edhe në vende të tjera edhe në Shalë, shënon kulmi-nocionin e qëndresës dhe heroizmit të djemve të lirisë.
Ishte 25 prilli 1999, ditë me shi dhe me luftime të ashpra në Malin e Majdanit, ku njësiti special nuk lejonte depërtimin e forcave armike.
Faruku me shokë qëndronte palëkundshëm në pozicione. Ai nga tri-katër orë qëndronte në të njëjtin vend, duke sulmuar armikun. Ishte mjegulla e dendur, ajo që e kishte penguar Farukun që të shohë dhe qëllojë armikun që ishte afruar, por të shkrepurat e armëve të tyre ishin më të rralla. Njëra nga ato shkrepje e qëlloi Farukun, i cili bëri dy-tri rrotullime në ajër dhe ra në tokën e shenjtë, jo larg istikamit. Plagët e tij ishin të rënda dhe vdekjeprurëse. Ashtu i plagosur ai tërhiqej dhe shokët e tij tërheqjen e ndihmonin me zjarr kundër armikut. Këmbënguljet e armikut ishin që Farukun dhe shokët e tij t’i zë të gjallë, ndërsa këta përballeshin në këto momente me mungesë të municionit. Ishin në pozitë shumë të vështirë, Faruku i plagosur dhe dy shokët e tij, Fatmiri e Miftari. Derisa Fatmiri ndihmonte tërheqjen e të plagosurit, Miftari i mbronte me zjarr. Erdhi momenti kur mbeti pa fishekë dhe forcat armike ishin shumë afër dhe derisa Miftari bënte gati granatën e dorës, lëshoi një zë dhe si vetëtima aty erdhën Basriu dhe Eseti, të cilët filluan shkrepjen mbi armikun. Arritën edhe komandant Shemi dhe luftëtarë të tjerë. Farukun e palgosur nga atye nisën për në Spitalin ushtarak në Bajgorë, e prej aty e transferuan për në spitalin ushtarak në Potok të ZOLL-it. Edhe pas plagosjes së tij, më 25 prill 1999, në betejën e ashpër të zhvilluar në Majdan, ai mbahej i fortë. Të nesërmen kur ranë dëshmor Rrustem Hyseni, Arsim Muzaqi, Enver Musa, Shemsi Istrefi, Xhemajl Haxha, komandant Shemi, Ahmeti, Farkun plagët e marra e kishin rënduar shumë dhe gjaku i rridhte pa ndal. Që nga 22 prilli në Betejën e Majdanit e deri më 29 prill ranë heroikisht komandant Shemsi Ahmeti, Rrustem Hyseni, Xhemajl Haxha, Ahmet Haxha, Asllan Cimili, Enver Musa, Shemsi Istrefi etj., ndërsa qenë plagosur përpos Farukut, HamzëBehrami, Ismail Istrefi, Mustafë Ibishi, Bajram Peci etj. E dërguan për shërim në spitalin e UÇK -së të ZOLL në Potok e më pas në atë të Sllakofcit. Edhe përkundër përpjekjeve të mjekëve ai më 2 maj 1999 shkoi në përjetësi, ndërsa u varros në vendlindje me nderime ushtarake. Rivarroset me 30 gusht 1999, në Varrezat e Dëshmorëve të kombit në Bletajë, ku bashkë me dëshmorë të tjerë, sot pushon i qetë.
Rënien e Faruk Beqirit dhe të shokëve të tjerë, komandant Shemsi Ahmetit, Arsim Muzaqit, Rrustem Hysenit, Enver Musës, Shemsi Istrefit në Malin e Majdanit shokët e luftës e përjetuan rëndë, sepse kjo ishte një humbje e madhe për njësitin special, Brigadën në tërësi, ZOSH dhe UÇK-së. Familja e dëshmorit Faruk Nazmi Beqiri është dekoruar me mirënjohje dhe dekorata të shumta, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK -së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, SHP i UÇK -së ZOSH, Kuvendi Komunal i Vushtrrisë etj. Ndërsa emrin e tij e bart kazerma ushtarake e Brigadës 343 në Vushtrri. (M. K.)