Faruk Vesel Dogani (1.6.1968 – 9.4.1999)

Faruk Vesel Dogani (1.6.1968 – 9.4.1999)

Faruk Vesel Dogani. u lind më 12 qershor 1968 në Kaçanik. Rrjedh nga një familje punëtore dhe me tradita patriotike. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Kaçanik. Qysh në moshën e rinisë në shpirt i ndjeu padrejtësitë, që barbarët serbë i bënin popullit shqiptar dhe kurrë përjetë nuk u pajtua me këtë.
Si gjimnazist, mori pjesë në demonstatat e vitit 1981, ndërsa shërbimin ushtarak në ish-Jugosllavi e kreu në vitin 1987, por kurrë nuk u pajtua me politikën e atij shteti, sepse ky shtet bënte shkeljen e të drejtave elementare të kombit shqiptar. Pasi u kthye nga shërbimi ushtarak u punësua në “Sharr” të Kaçanikut. Ishte i afërt me të gjithë punëtorët, i sjellshëm me të gjithë kolegët e punës. Punoi deri në vendosjen e masave të dhunshme më 1992. Më vonë, deri më 1998, punoi në shitoren e pavarur tregtare. Ishte pjesëmarrës dhe shumë aktiv edhe në demonstratat e viteve 1989, 1990 e 1992. Në Kosovë Lufta çlirimtare tashmë kishte filluar në Drenicë. Ajo u përhap me të shpejtë edhe në Kaçanik.
Faruku me zemër e me shpirt ishte në uniformën e UÇK-së për çlirimin e atdheut. Kontaktet e para me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i vendosi në gusht të 1998. Për herë të parë ishte vendosur në pikën e luftës në “Puset e Nikës”, më 26 shkurt 1999. Deri në këtë ditë ai ka ndihmuar furnizimin me armë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ka bërë përgatitjet ushtarake për luftë. Bashkëluftëtarët e ngushtë të Farukut kanë qenë: Fadil Çaka, Nehat Çaka, Rrustem Dema, Muhamet Zeneli, Nexhat Zeneli, Afrim Dema, Kadri Trena etj. Ishte pjesëmarrës në Betejën e Pustenikut, Gajres, Ivajës si dhe betejën e Rakocit, ku edhe ra heroikisht. Më 9 prill 1999 forcat serbe ndërmorën një ofensivë të ashpër në Rakoc dhe Lagje të Re.
Këtë luftë e karakterizon edhe një çështje tjetër, sepse luftoi për të shpëtuar popullatën civile, e cila tani nga veprimet gjenocidale të armikut kishte qenë e detyruar të largohej nga shtëpitë e tyre. Kur kemi parasysh rrethanat e krijuara, se duhej të luftohej në një vend ku është plot fëmijë, gra e njerëz të paarmatosur, merret me mend se sa vështirë është të luftohet. Me synim parandalimin e hyrjes së forcave okupatore në lagjen e qytetit, ku popullata civile ishte më e koncentruar, luftëtarët e UÇK-së në hyrje të qytetit të Kaçanikut sulmuan rrufeshëm kolonën armike të motorizuar, paaftësuan një autoblindë, dhe një kamion me ushtarë, të cilin e shkatërruan tërësisht.
Formacionet ushtarake të UÇK-së, ku ishte i sistemuar edhe ushtari Faruk Dogani, krahas obligimit të përgjithshëm për mbrojtjen e popullatës civile, po zbatonin edhe urdhrin aktual të Shtabit të Përgjithshëm. Koncentrimet e UÇK-së në qytet u shtuan edhe me Batalionin e Dytë e me njësi të tjera të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, zhvillohej një luftë e ashpër, ku në këtë luftë bie heroikisht Faruk Dogani me bashkëluftëtarët e tij: Avdurrahim Shehu, Nevzat Çallaku, Shefket Fera, Nexhmush Fera, Kjani Bela, Adem Rakoci, Daut Rakoci, Mukadeze Lika – Muhaxheri, Emsale Frangu, Jehona Raka, Lumnije Raka, Reshat Shehu, Ilir Zharku, Kadri Trena, Muhamet Zeneli, Nehat Çaka, Fadil Çaka e Nexhmush Elezi. Po në këtë betejë nga popullata civile ranë këta martirë: Xhemajl Brodi, Zijadin Frangu, Nebih Topojani, Xhili Rexha, Hamide Rexha, Nerzike Dogani, Mine Gashi, Tefik Nallbani, Menduh Nallbani, Maksut Nallbani, Nebih Livoreka, Osman Livoreka, Hamide Shehu, Gyli Raka, Ekrem Raka, Haxhi Livoreka, Bajrush Axhami, Jonuz Bajra dhe Murat Raka. Forcat serbe i kishin varrosur në një varr masiv në vorrezat e Kaçanikut. Pas luftës u bë rivarrimi i tij dhe i bashkëluftëtarëve në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik me nderime ushtarake të organizuara nga komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Në njëvjetorin e rënies heroike të dëshmorit Faruk Dogani, dhe në nderim dhe përkujtim të tij dhe bashkëluftarëve, u zbulua pllaka përkujtimore në vendin Rakoc të komunës së Kaçanikut.
Dëshmori i kombit, Faruk Dogani ishte shembull i luftëtarit të devotshëm, që nuk dorëzohej para asnjë vështirësie. Ai ishte shembull i njeriut të sakrificës i gatshëm për të dhënë gjithçka për lirinë e atdheut. Familja e tij është nderuar me mirënjohje të shumta si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Ministria e Mbrojtjes, Komanda e ZON-ës, Komanda e Brigadës dhe Komanda e Zonës së 6-të e TMK-së si dhe strukturat komunale të Kaçanikut. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …