Fatbardha Demi: Agresioni psikologjik nën gunën e nacionalizmit

(“Nëse ka burrë ose grua të krishterë që do të më japë fjalën se nuk do të flasë më shqip në shtëpinë e tij, të ngrihet e të ma thotë, sepse unë do ia fal të gjitha mëkatet që ka bërë që nga dita e lindjes.Më mirë të keni një shkollë greke në fshatin tuaj, se sa të keni përrenj e lumenj!” – Shënjtori grek Kozma Etoliani).

Thirrjet naziste si “Dhoma gazi për shqiptarët!” janë bërë një dukuri tashmë e zakonshme në rrugët dhe ngjarjet e ndryshme në Maqedoni. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen me Danimarkën në shkurt të 2013, të të ashtuquajturve “tifoza” maqedonas, që nuk i shqetësuan aspak qeveritarët e këtij shteti multietnik.

Por këto thirrje të përseritura anti-shqiptare, nuk trazuan as qetësinë e Zv/kryeministres së Maqedonisë Teuta Arifi, as të Presidentit Nishani apo Kryeparlamentares Jozefina Topalli, që u takuan në Tiranë duke shprehur kenaqësinë për “forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vëndeve, të cilat përbëjnë një shembull të bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë për rajonin e Ballkanit.” Të dy njoftimet (çfarë rastësie!) ndodhën në të njejtën datë, të gazetës “Bota Sot” 07.02.2013. Pra, siç thuhet :“Qentë (tifoza) le të lehin, karvani (i miqësisë ndëretnike i Ballkanit) të ecë përpara!”

Ky karvan nuk e ndal ecjen edhe kur digjen flamurët shqiptarë, kur rrihen barbarisht fëmijët, kur mohohen të drejtat e shpallura në Kushtetutën e vëndeve ku jetojnë, për barazi politike, ekonomike, arsimore dhe kryhet çkombëtarizimi dhe pastrimi etnik. Por papritmas, në qiellin pa re të marrdhënieve “të shkëlqyera” ndërshtetrore ballkanase, në Konferencën e Mynihut gjëmoi rrufeja e “albanofobisë” në rajon.

Çfarë tha dhe çfarë nuk tha Kryeministri Berisha në Mynih?

Ajo që tha Sali Berisha në Konferencen “Mbi sigurinë dhe stabilitetin në Europën Jug-Lindore dhe Kaukaz” nuk ishte e paditur. Që Kombi shqiptar padrejtësisht ishte copëtuar në pesë shtete është fakt historik i njohur dhe qëndron jashtë agjendave politike dhe Konventave europiane, si veprim historik i së kaluarës. Ajo që nuk tha Kryeministri ynë, ishin FAKTET konkrete dhe të kryera në mes të ditës të shteteve fqinjë, të udhëhequra nga ideollogjia raciste dhe pushtuese. Kjo veprimtari, dënohet dhe është e përfshirë në Konventa të ndryshme europiane mbi sovranitetin shtetëror, të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, çfaqjeve dhe veprimtarisë raciste. Në nivelin europian, si një nga objektivat parësorë të bashkëpunimit juridik dhe policor, është parandalimi dhe luftimi i racizmit e i ksenofobisë dhe për këtë qëllim funksionon edhe një Institucion – “Osservatorio europeo per i fenomeni di razzismo e xenofobia”. (‘European Monitoring Centre on Racism and Xenophobia’ – EUMC) sostituito e trasformato, nel 2007, dall’ Agenzia dell’UE per i diritti fondamentali’) (1)

Por që të lëvizin këto ingranazhe ndërkombëtare, si në çdo çështje të thjeshtë administrative, duhet të ketë një ANKESË, e faktuar nga pala e dëmtuar dhe ë bëhet INFORMIMI i opinionit ndërkombëtar me anën e masmedias.

Nuk mund të mos u jemi mirënjohës, kontributit patriotik të Diasporës dhe shoqatave shqiptare brënda vendit, që i kanë bërë të njohura Organizmave ndërkombëtare verimtarinë e fqinjëve kundër interesave jetike të Kombit Shqipëtar. Por vetë Shteti ynë, që është nënshkrues i shumë Konventave dhe anëtar në Organizmat ndërkombëtare ka heshtur.

Albanofobia dhe veprime që cënojnë sovranitetin e Shtetit dhe dinjitetin e një popullsie kombëtare, pik së pari duhej të ishte problem madhor i brëndshëm, pra i vetë Qeverisë sonë. Si shpjegohet që nuk kemi parë asnjë seancë parlamentare ku të trajtohen ngjarjet e ndodhura, ndërkohë që ëndrat vorio – epirote, “diskriminimi” i minoritarëve grekë e sërbë, i veprimtarisë “kriminale” të shqipëtarëve të Kosovës, zhurmojnë në parlamentet e shteteve fqinj, po edhe në Instancat më të larta ndërkombëtare ?

Thirrjet naziste në Maqedoni se “shqipëtari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe veprimtari të tjera (që do të shtjellohen më poshtë) janë dukuri, që në shkencën e historisë, psikologjisë dhe teorisë ushtarake, emërtohen “luftë ose agresion psikologjik” dhe në formë më zyrtare “operacione psikollogjike”.

 

Përdorimi i “armës” psikologjike është i njohur që në lashtësi

Por studimi shkencor, e ka zanafillën në fillimin e shk.20. Historiani dhe psikoanalisti anglez J.F.C.Fuller qe i pari që përdori shprehjen “operacione psikologjike”. Më 1920 ai parashikoi se një luftë psikologjike, me kohë, mund të zëvëndësonte luftën tradicionale. Sipas studiuesve të fushës ushtarake, në kohë paqje, kur veprimet luftarake janë të pamundura, “operacionet psikologjike” përbëjnë armën e vetme vepruese.(2) Në praktikën ushtarake të shteteve, që mbas Luftës së Dytë Botërore ka organizma të posaçme që merren me operacionet psikologjike, me synimin e sigurisë së vendit të tyre apo të suksesit të qëllimeve gjeopolitike mbi një vend tjetër.

A mbrohet Shteti dhe popullsia shqiptare nga kjo “armë” që specialistët e përcaktojnë “vrasëse pa ndotur duart”? Fillimisht duhet kuptuar se ç’përfaqëson “lufta psikologjike”, ç’mjete përdor dhe pasojat e saj. Me qënëse është një veprimtari që kryhet si brënda shoqërisë, ashtu edhe në botën kriminale dhe ushtarake, mjetet e dhunës psikologjike trajtohen hollësisht nga psikologët dhe specialistët e ushtrisë.

“Lufta psikologjike qëndron në përdorimin e propagandës dhe veprimeve të tjera psikologjike me qëllimin kryesor: të ndikojë në mendimet, ndjenjat, sjelljen dhe veprimet mbi grupet e armiqve (shqipëtarëve në rastin tonë-shën im) në mënyre të tillë, që të ndihmojë arritjen e synimeve nacionale” (3)

Mjeti kryesor i propagandës është FJALA. Por a mundet fjalët të dëmtojnë e të shkatërojnë njeriun? Sipas studiuesve, përdorimi i propagandës mashtruese është i dëmshëm për formimin e lirë dhe natyral të mendimit personal e të publikut, dhe dëmi pasqyrohet si tek vetë njeriu ashtu edhe tek shoqëria (4) Shëmbulli më i fundit i një agresioni psikologjik të paramenduar me hollësi, ka qenë intervista e deputetit të Parlamentit grek, Kristo Papas (me një biografi fashiste shumë interesante) në janar 2013. Si u realizua lufta psikologjike, nga deputeti grek?

Së pari: Përfaqësuesi zyrtar grek, paturpësisht shpalosi fakte anti-shkencore historike

“Për fat të keq popullsitë në veri të Greqisë janë popullsi që përbëhen nga grekë të cilët ndërruan besimin, ndërruan dhe përfituan një ndërgjegje të rreme kombëtare… Përsa i përket prejardhjes së fisit shqiptar nëse do të mundeshim ta quanim fis shqiptar, sepse siç u thashë është një konglamerat popullsish të cilët janë tërësisht me prejardhje greke, pavarësisht se mund të kenë humbur ndërgjegjen e tyre kombëtare… nëse dikush do ta lexojë dhe kuptojë vërtetë historinë nuk ekziston Shqipëria. Në fakt nuk është Vorio-Epiri Grek, në fakt gjithë Shqipëria duhet të jetë një Provincë greke”.

Së dyti: Biseda u zhvillua brënda territorit të Shqipërisë dhe jo në Greqi, siç do të ishte e natyrshme për ideollogjinë që ndjek ky shtet. I bërë në mes të Kryeqytetit shqipëtar, shprehu guximin për të kaluar nga fjalët në vepra, siç kërcënoi qartas gjatë ligjërimit “patriotik” helenist. “Historia vazhdon me të drejtën e më të fortit…Të jeni të sigurt se si parti dhe si grekë kemi gjithmonë në mendje zgjidhjen për çështjen e Vorio-Epirit…një Epir që është grek dhe një pjesë e tij në këto momente ndodhet në duar të huaja, në duart e shtetit shqiptar… ministri i Jashtëm na ka pohuar se Vorio-Epiri është në zemrat tona” Këtë kërcënim, nuk mund ta quajmë “personal” te K.Papasit, me qënëse Parlamenti apo ndonjë personalitet shtetëror grek, nuk e ka dënuar. Ky agresion psikologjik, afro 23 vjeçar i Shtetit helen mbi minoritarët dhe pseudo-minoritarët grekë, (në shkëmbim të vizave, “pensioneve”,bursave shkollore etj) ka nxitur veprimtari kundra sovranitetit te Shqipërisë për Autonominë e Vorio Epirit, dhe urrejtjen ndaj shqipëtarëve. (4)

Së treti: Duke njohur gjëndjen e ushtrisë shqipëtare, ku ushtarakët nuk marin dot as pagat e misioneve të NATO-s dhe duke ditur se dora e ligjit nuk i arrin qytetarët , përfaqësuesit fetarë dhe shtetëror të fqinjëve, deputeti grek kërcënoi drejtpërdrejt shqipëtarët dhe Qeverinë, për të krijuar ndjenjën e FRIKËS për sigurinë e tij dhe të sovranitetit të vëndit tonë: “Ta dini se forcat e armatosura greke janë shumë herë më të fuqishme se forcat e armatosura të Shqipërisë…Zgjidhja e vetme për çështjen e Vorio-Epirit formulohet: Liri në Vorio-Epir. Nëse kjo nënkupton dhe ushtrinë greke në Vorio-Epir atëherë edhe ushtria greke do të jetë në Vorio-Epir…

Së katërti: Tundja para syve të “Ligjit të Luftës” ngjall tek shqipëtarët mosbesimin në marrëdhëniet dhe marrëveshjet midis dy shteteve dhe qënies në NATO. “Dua t’ju them se ekziston edhe ligji i luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ligji i luftës nuk shfuqizohet me një deklaratë të Papulias, apo me një deklaratë të ministrit të Jashtëm. Ligji i luftës votohet në Parlament dhe nuk është shfuqizuar zyrtarisht dhe si rrjedhojë jemi në gjendje lufte”. Ajo që synoi deputeti grek, ishte t’iu ngjallte shqipëtarëve ndjenjën disfatiste “se gjithshka është e humbur”, me qëllimi për t’iu hequr dëshirën e organizimit për kundër-veprim.

Së pesti: Deputeti grek, synoi të krijojë ndjenjën e inferioritetit dhe të mosvlerësimit të vetvetes, duke goditur shtetin, simbolet, figurat historike, krenarinë dhe ndjenjat kombëtare : “Keni ndërtuar një shtet fallco. Keni vjedhur heronj, ngjyra dhe flamunj dhe përpiqeni të vërtetoni se jeni shtet. Për fat të keq nuk jeni shtet… Ndërgjegja shqiptare, ndërgjegjësimi kombëtar shqiptar është një fenomen, i cili u shfaq në fillimet apo nga fundi i shekullit të 19, madje nëse doni u shfaq në fillimet e shekullit të 20 …U mbështetët si popull në gjurmë të huaja, të vjedhura, nuk keni gjurmën tuaj. Edhe Heroi juaj Kombëtar është Jorgjo Kastriotis, një feudal grek i helenizmit mesjetar… popullsive tuaja në rrugëtimin historik treguan se nuk dinë të mbajnë as besën, dhe arritja e tyre luftarake e vetme dhe më e madhe është plaçkitja”.

Psikologia Cinzia Sintini pohon se “Dhuna psikologjike është një veprimtari shkatëruese e armiqësore që mund të kryhet në një formë të hapur ose të fshehtë. Çvlerësimi i gjithçkaje që një person bën apo mendon, për atë që interesohet apo në atë që beson…Ai qe i nënshtrohet dhunës psikologjike ndodhet ne një gjendje stresi të vazhdueshëm (5)

Së gjashti: Shprehu diktatin grek dhe mospërfilljen e institucioneve të Shtetit, si një realitet që duhet pranuar nga shqipëtarët. “Nga ana e palës greke u shtrua çështja…që thotë se Greqia do të paraqesë në mënyrë të njëanshme në OKB hartat e kufinjve detarë me vendet fqinjë…Greqia i konsideron se këto janë kufinjtë e saj”.

Biseda mbyllet me thirrjen luftarake: “Vëllezër guxim, nuk ju kemi harruar. Jeni dhe jemi grekë dhe Vorio-Epiri është grek dhe do të bëhet sërish grek!”,që ushtoi edhe më 10 prill 1994, në afërsi të fshatit Peshkëpi (Gjirokastër) ku u vranë nga grekët ushtari 20 vjeçar Arsen Gjini, kapitenin Fatmir Sali Shehu dhe u plagosën shumë të tjerë.

Pëfaqësuesi i Shtetit grek, e mbylli me sukses “luftën” e tij, sepse nuk pati si objekt sulmi psikologjik vetëm minoritarët dhe pseudo-minoritarët, siç ka bërë lirshëm që pas 90-ës, por nëpërmjet kanalit satelitor News24 , të gjithë shqipëtarët në Botë. Kujt i vlejti monologu nostalgjiko-fashist, mbi bazën e një historie të sajuar, i përfaqësuesit të Parlamentit grek? Vetëm mbështetjes së hapur të Shtetit grek për veprimet e minoritarëve në postet zyrtare, siç qe rasti i Spiro Kserës, ish Prefektit të Gjirokastrës, i cili në përvjetorin e Traktatit famëkeq të Korfuzit deklaroi se ndihej “Prefekt i Vorio-Epirit (“Shekulli” 1.01.2009), ish Kryebashkjakut të Himares Vasil Bollano dhe së fudmi partisë “Mega”, që kërkojnë autonominë e sajesës politike të Vorioepirit. Por mbi të gjitha, për një çfaqje kriminale të ALBANOFOBISË.

Albanofobia nuk ekzizton ajo është një krijesë e shekullit të kaluar!

Kështu u shpreh deputeti A.A. i PS në News24 “Sali Berisha foli për Albanofobi, është injorancë dhe qesharake, sepse kush ka fobi ndaj nesh?” (18.02. 2013, ballkanWeb) Na lind dyshimi në se këto pohime të përfaqësuesit të Kuvëndit, pa kaluar as muaji kur në të njejtin kanal kolegu grek fyejti, mashtroi dhe i kërcënoi shqipëtarët dhe shtetin e tyre, vijnë nga verbësia apo synimi i mbulimit të kësaj veprimtarije armiqësore?

Albanofobia sikurse ksenofobia, sjelljet raciste, dhuna psikologjike, propaganda, dhe agresioni psikologjik, krahas shumë formave të tjera të ndikimit psiqik, përfshihen në strategjinë më të përdorur në kohët moderne – të LUFTËS psikologjike.

Sipas studiuesve, në këtë veprimtari shkatërruese, bashkë-punojnë specialistë dhe personalitete të fushave të ndryshme shkencore. Shprehje e këtij bashkëpunimi janë “punimet shkencore” mbi origjinën dhe historinë e Kombit arbër, si në rastin e Enciklopedisë Maqedonase (17 shtator 2009). Sipas akademikut B. Ristovski ajo paraqet fakte “shkencore” për shqiptarët e ardhur pas shk16 në Maqedoni. Se ata u nxitën nga Ali Pash Tepelena dhe “me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase duke i detyruar të shpërngulen, për rrjedhojë vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë. (Gazeta “Koha”18.09.2009) Edhe në librat sërbe të historisë, hartuesit e tyre dëshmojnë se shqipëtarët kanë kryer “genocid” ndaj popullit serb, me qëllim që t’i largonin serbët nga Kosova. Ata përshkruhen si plaçkitës të kishave, ndërsa në të vetmin vend ku përmenden ilirët, ata quhen “grabitqarë” (« Shekulli » online 30.09.2010). Akademikët serb si historiani Gjuretiq, arrijnë kaq larg me fantashkencën e tyre historike, sa të pohojne se: “Mbi 80% të shqiptarëve të sotëm, nga burimet relevante historike, janë me origjinë serbe dhe janë po ata serbë të islamizuar pas Betejës së Kosovës(1389).(6)

Studiuesi Peter Prifti pohon se: “Grekët i shohin shqiptarët si vllehë, d.m.th. pa rrënjë, pa shtëpi, pa tokën e tyre, sikur ata nuk ekzistojnë si popull me kombësinë e vet…Thonë se shqiptarët nuk ekzistojnë fare.” (7)

Këto studime “shkencore” bëjnë pjesë në luftën psikologjike për të krijuar bindjen se shqipëtarët nuk janë autokton, karakterizohen historikisht nga një karakter kriminal dhe vihet në dyshim qënia e tyre historike, siç u shpreh edhe deputeti grek. (shiko “Racizmi historik, dëshmi e mëndësisë ideollogjike dhe politike e së kaluarës dhe nxitës konfliktesh në të ardhmen”).

I gjithë ky arsenal luftë-nxitës psikologjik, i drejtuar kundër shqiptarëve, nuk është dënuar asnjëherë nga organet kompetente të Shtetit dhe nuk është bërë i njohur Organizmave Ndërkombëtare prej tij, megjithëse përbën shkakun kryesor të urrejtjes ndëretnike në Ballkan. Albanologu i njohur kroat, Milan Shufllai që në vitin 1913 në librin e tij “Acta et Diplomata res Albaniae mediae actatis illustrantia” vëren se, të gjitha informacionet për këtë vend e për këtë komb (shqipëtarët-shën im), na i japin vetëm armiqtë e Shqipërisë (!) (8) Mënyra më e përhapur e agresionit psikologjik është trazimi i fakteve të vërteta me ato të sajuara, për arritjen e bindjeve negative për ngjarjet, heronjtë apo idealet që udhëhoqën periudha të ndryshme të Historisë sonë. (më hollësisht në “Riciklimin e tezave anti-shqipëtare të shk19 në masmedian shqip-shkruese”).

William Nichols (drejtor i “This week magazine”) pohonte se “Zëvëndesimi qoftë edhe i një fjale, mund të ndihmojë për të ndryshuar rrugën e Historisë.(9) Në këtë drejtim, kanë dhënë kontributin e tyre në median elektronike dhe shtypin e përditshëm, sidomos disa autorë minoritarë brënda vendit, por edhe autorë të huaj (studimi për Skëndërbeun sllav e Oliver Shmidit etj), që kanë ngjallur revoltën e studiuesve dhe të lexuesve shqipëtarë.

Përfaqësuesi i fesë ortodokse sërbe Amfilochio Radoviç ka thënë:

“Cila është mënyra më e mirë për ta larguar nga historia dhe për të goditur shpirtërisht një njeri apo një popull? Duke vrarë tek ay çdo kujtesë historike dhe të shkatërosh, dëshmitarët që i rikujtojnë këtë memorje”. Kjo strategji e luftës psikologjike e fqinjëve tanë mbi tekstet mësimore shqiptare të historisë, u vu në jetë që pas 90-ës, ku një nga rastet më tipike qe e ashtuquajtura nismë për rishikimin e teksteve të Historisë “në përputhje me standardet e konventave të Këshillit të Europës dhe UNESKO-s”, siç u pretendua nga ana e Greqisë, e ndjekur më vonë edhe nga shtetet e tjera.

Fillimisht, më 4 prill të vitit 1998 u nënshkrua Marrëveshja “Mbi bashkëpunimin kulturor midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë” ku u kërkua (ne pikën 1.3.5) të shqyrtohej mundësia e futjes së greqishtes si gjuhët fakultative në shkollat e mesme shqiptare, por jo të gjuhës shqipe në shkollat greke.

Në 3 prill 2003, u rifirmos në Athinë, protokolli “Mbi bashkëpunimin kulturor midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë”. Në kuader të kësaj marrëveshjeje, më 28 tetor 2004 , Ministrja greke e Arsimit Marjeta Janku, jep një intervistë për stacionin televiziv grek NET, ku pohon se : “do të hiqen nga librat e historisë, kryesisht të palës shqiptare, pasaktësitë dhe ngjarje të cilat helmojnë marrëdhëniet dypalëshe… ”. Kjo deklarate u bë vetëm pak ditë pas kthimit nga një vizitë e Ministres me presidentin grek Stefanopulos në Shqipëri, i cili nuk haroi të zinte në gojë Vorio Epirin gjatë një mitingu në Dropull të Gjirokastrës.

Me gjithë akuzën e Ministres Janku, për frymëzimin e nxënësve shqipëtarë me idenë “e Shqipërisë së Madhe”, siç dëshmojnë historianët shqipëtarë, janë tekstet e historisë së Shtetit helen, ku studiuesit grekë vazhdojnë të përfshijnë brenda kufirit të Greqisë, shumë vise që janë zyrtarisht në Shqipëri. Ky fakt vazhdon t’iu mësohet nxënësve grekë, (por edhe femijëve të emigrantëve shqipëtarë-shën im) sot e kësaj dite, dhe në tekstet e tyre përmëndet shpesh termi “Vorioepir”. (10) Rrjedhojë e këtij agresioni psikologjik në tekstet shkollore, është dobësimi i misionit të shkencës historike shqipëtare në edukimin kombëtar të brezit të ri, duke i lene pre të çdo sulmi anti-kombëtar mediatik dhe fallcifikimeve historike.

Luftë shkatrimtarëve !

Ky qe kushtrimi i shkrimtarit të shquar Viktor Hygo, për të ngritur popullin francez, në mbrojtje të monumenteve historike nga kriminaliteti. Në atë kohë, romancierit të shquar as do t’i shkonte ndërment se kjo veprimtari, mund të përdorej edhe si “armë” për qëllime gjeopolitike dhe mjet i rëndësishëm në programin e luftës psikologjike. Zhdukja e dëshmive mbi origjinën, autoktoninë dhe vlerat e larta të kulturës sonë historike, që ushqen krenarinë kombëtare, i hap rrugën çkombëtarizimit dhe krijon kushte për shpalosjen e tezave raciste si një popull pa histori, barbar dhe nomad. Në Kosovë, masakrimit prej ushtrisë së Milosheviçit, ju nënshtrua jo vetëm popullsia, por edhe çdo arkiv dhe objekt kulturor e historik i shqiptarëve. Ky krim i ushtrisë serbe në kohën e luftës, kish filluar me kohë në ish Jugosllavi, me anën e tjetërsimit të trashëgimisë materiale shqipëtare, me çertifikatat “historike” te akademikëve sërb. Studiuesi Jahja Draçolli dëshmon se “Gjatë viteve 1956, 1968, 1986 dhe 1993, del se, nga fondi i gjithëmbarshëm i monumenteve të kultit, afro 2/3 evidencohen në kuadër të monumenteve të kultit ortodoks serb, përkatësisht janë regjistruar 22 manastire dhe 110 kisha të ritit ortodoks serb, 25 xhami, 29 monumente të kultit të ritit bizantin, të cilat u përvetësuan nga serbët apo mbi rrënojat e tyre u ngritën kisha e manastire serbe, që nga shekulli XIII e deri në ditët e sotme. (11)

Rati më i freskët i shkatërimit të dëshmive historike të vazhdimësisë iliro-shqiptare në Shtetin tjetër fqinj, në Maqedoni ishte ay i Kalasë së Shkupit ku së fundmi janë zbuluar shumë objekte që dëshmojnë se kjo treve është banuar nga fise ilire. Arkeologët maqedonas, (rast i paparë për këtë shkencë) po gërmojnë me buldozerë dhe pa lejuar asnjë specialist të kombësisë shqipëtare. Në Shqipëri, kjo veprimtari është në aktivitet të plotë, dhe siç thotë populli ”një rrugë e dy punë”, ka përfitim si politik edhe financiar. Sipas dëshmisë së Pr. Gjergj Fishtes kemi “vjedhjet e ikonave dhe ikonostaseve nga kishat, po ashtu (janë zhdukur) objektet arkeologjike nga depot e muzeumeve, deri edhe Epitafin e Gllavinicës, nga ambientet e Muzeut Kombëtar. Vetëm monedha të statusit arkeologjik të nxjerra nga nëntoka e Shqipërisë identifikohen mbi dy milion copë… vandalizmi i pikturës murale në Kishën e Valshit në Shpat etj. Kësaj veprimtarije kriminale i shtohen nisma ku qeveria propagandon projekte për ndërtime të reja brenda hapësirës së Akropolit të Kalasë së Lezhës. Janë kryer një numër i restaurimeve të kishave shqiptare, duke i shkatëruar elementet autoktone dhe origjinale të tyre dhe duke lënë të paprekura vetëm elementet bizantine dhe greke. Me këtë i është shkaktuar një dëm i pallogaritshëm trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar”. (12)

Deri këtu kanë arritur forcat e ushtrisë greke në vitin 1941, në luftën për çlirimin e Vorio-Epirit. Kështu ju përgjigjen pyetjes për kryqin lapidar, të ngritur matanë qafës së Kërrabës. Aty nuk kishte dhe nuk ka, as manastir, as kishë, as “ushtarë grekë të rënë në luftën kundër fashizmit”. Atëherë pse duhej të ngrihej ai kryq aty? Pra, kryqi atje, siç quhet në fjalorin ushtarak eshte nje “pikë ose kuotë e kapur në luftë”.(13)

Një tjetër kryq i përmasave të mëdha, në fshatin e Boboshticës (Korçë) betoni i të cilit u trazua me kockat e banorëve vëndës, u ngrit vetëm për një ushtar të gjendur në mal nga fshatarët dhe i varosur prej tyre. Ngritja e kryqeve në të gjithë Jugun dhe të varrezave “të dëshmorëve grek” është një mjet tjetër i luftës psikollogjike kundër shqipëtarëve dhe një “mesazh” për të ardhmen që synohet. Tani çdo udhëtar apo banor i zonave ku ngrihen këto përmendore, do të përkujtojë jo luftën e italianëve me grekët, por krimet që bëri ushtria greke në gjithë jugun e Shqipërisë si ay në Panarit të Kolonjës ku u masakruan 400 fëmijë gra dhe pleq nga andrantët grek (14) duke ja kaluar edhe mizorive të serbëve të fillim shk20 “të cilët rrënuan kulm e themel, dhjetra e dhjetra fshatra të Gollobordës”. Mit’hat Frashëri shprehet se “rrënimet e turqve e të serbëve do të na duken lojra, krahasuar me ato të grekëve, të cilët asgjesuan më shumë se 300 fshatra të lulëzuara ne Jug” (15)

Sipas psikologëve, krijimi i kushteve që e risjellin në memorjen kolektive krimet e së kaluarës, shkaktojnë ripërjetimin e tyre, pra një traum të re psiqike për popullsinë. Për këtë synim psikologjik , dëshmon këmbëngulja për kërkim të eshtrave të “dëshmorëve të atdheut ” në 696 pika në territorin shqipëtar nga ana e shtetit grek. Kjo kërkesë (urdhëresë) diktohet edhe kur banorët të indinjuar pohojnë se: “Ne e dimë historinë që mbart fshati dhe gjithë zona. Unë vetë jam i moshuar, dhe di që në asnjë oborr apo rrugë të këtij fshati nuk ka varre të tilla. (Sitki Qyldedi nga fshati Hormovë) (16)

Në vend të ngritjes së memorialeve të viktimave civile shqipëtare të masakrave të fqinjëve tanë, Shteti shqiptar merr persipër të ngrejë edhe varreza të tjera (10 mijë m²) në tokën tonë, të paguaj shpronësimet dhe t’i përkujtojë çdo vit.(17) Si kundër-përgjigje të këtij nënshtrimi anti-kombëtar të Shtetit shqipëtar, Greqija as që ka ndërmënd të lejojë ndonjë përkujtimore të genocidit të saj mbi popullsinë civile të Çamërise, dhe Sërbia, me dhunë ushtarake shkatëron Lapidarin e ushtarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, të dëshmorëve të rënë në luftë kundër skllaverisë së një shteti racist.

Operacionet psikologjike ju interesojnë forcave të armatosura në kohë lufte, konfliktesh dhe të paqes Kështu pohon Marco Cannavicci (psikiater, kriminalog, Drejtor i sektorit të Psikologjisë ushtarake Difesan, Romë) duke sqaruar, se “për konflikt nënkuptojmë një rrezik ndaj sigurimit shtetëror, jo gjithmonë ushtarak, por që përfshin fushën politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore”.(18) Me qënëse “agresioni psikologjik”, që sipas specialistëve është një mjet lufte në kohë të paqes, ai nuk zihet kurrë në gojë nga politikanët tanë dhe sidomos ata europianë. Kjo veprimtari e hapur anti-kombëtare ndaj shqiptarëve, fshihet nën gunën folklorike të “nacionalizmave ballkanike”, që fut në një thes, si xhelatin edhe viktimën, dhe lejon vijimin e saj në emër të luftimit të “ekstremizmit nacional”.

Fatbardha Demi – 22. 03. 2013

Bibliografia:

1- Xenofobia , Wikipedia, l’enciclopedia libera

2- Marco Costa – 2006 – History Le operazioni psicologiche (Psicologia militare. Elementi di psicologia per gli appartenenti … – Page 378 – Résultats Google Recherche de Livres books.google.fr/books?isbn=8846479661

3- Phil Taylor. Glossary of Relevant Terms & Acronyms PROPAGANDA AND PSYCHOLOGICAL WARFARE STUDIES University of Leeds UK. University of Leeds UK, 1987. URL – Wikipedia “Lufta psikologjike”

4- minoritarët ekstremistë grek me aktivitetet e tyre … – Tribuna Shqiptare tribunashqiptare.net/?p=4968

5- Cinzia Sintini psicologa-psicoterapeuta (Senza sporcarsi le mani – Linea Rosa Ravenna – 0544. 216. 316 www.linearosa.it/sezioni/…/senza_sporcarsi.htm)

6- “Kosova Sot” Serbët në Shqipëri dhe “Serbia deri në Tokio” 31 Janar 2013, Fahri Xharra

7- Prof. Peter Prifti “Greqia, 695 fshatra shqiptare”09/02/2013 -Revista Drini online

8- “Arkivat botërore për problemin shqiptar” (Albanofobia në shekuj) Përmblodhi Agim Doçi

9- Quando la guerra si fa con le parole – AgoraVox Italia www.agoravox.it › Tribuna Libera

10- Shekulli 30/10/2004 marrë në Forumin Shpirti i shqipëtarit «Alba Soul»

11- Jahja Drançolli: Monumentet e Kultit Katolik Gjatë Mesjetës në Kosovë www.revistadrini.com/…/jahja-drancolli-monume..

12- Dëmi i pariparueshëm mbi trashëgiminë kulturore* | Shekulli Online www.shekulli.com.al/web/p.php?id=16911…

13- G.SH/BalkanWeb 28 Nëntor 2010 Pano Hallko “Kryqi si veprim hipotekimi”

14- “Si u masakruan 400 fëmijë gra e pleq në Panarit nga grekë”17/06/2011 Julian Xhelili “Telegraf”

15- f.59 Mit’hat Frasheri “Shqiptaret”, Zenit Edition 2005

16- « Gazeta shqiptare »“Nuk ka varreza greke, mos hapni konflikte me banorët” 13/02/2013

17-“Varrezat e ushtarëve grekë, Mbrojtja do paguajë truallin” Gusht 19th, 2011″Panorama”

18- (f 383) Psicologia militare. Elementi di psicologia per gli appartenenti…-Page 378-Résultats Google Recherche de Livres books.google.fr/books?isbn=8846479661Marco Costa – 2006- History)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …