“Përse na duhet Historia jonë e kaluar?” – lexojmë jo rrallë në mediet tona, mendimet e disa politikanëve të moderuar, të disa “analistëve” apo “opinionistëve”. “Përveç luftërave dhe gjakderdhjeve (të kota – sipas tyre) nuk na afron gjë tjetër. Duke u shkëputur “nga e kaluara” ne shkëputemi nga burimi i “nacionalizmave ballkanike”, shkaktare të konflikteve të shumta, edhe në ditët e sotme. Po, ku qëndron vlera e shkrimit dhe studimit të Historisë sonë të shkuar? Senatori i Republikës romake dhe autor i librave historikë, Gaio Sallustio Crispo, ju bënte thirrje bashkëkohësve të tij, se shkrimi i Historisë është po aq i rëndësishëm për qytetërimin romak, sa edhe veprat e njerëzve. Mbas më se njëzet shekujsh, profesori i Universitetit “Sapienza” të Romës, Pietro Skoppola pohon: “Historia është raporti i përhershëm midis së sotmes dhe të kaluarës sonë. Ne kërkojmë tek e kaluara, shpjegimin e problemeve që kemi, kërkojmë ndërgjegjen e asaj që jemi sot”. >>>
Pra nuk mund të kemi “një të sotme” të suksesshme, pa njohur “dritën e së vërtetës historike” siç vërente bashkohësi i Sallustios, Ciceroni. Ja përse, botimi i një libri të ri mbi historinë e popullit tonë, siç është vepra studimore e Nuri Dragoit “Shqipëria dhe Greqia”, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për shoqërinë e sotme shqiptare. Duke qënë një popull, që për pesë dekada ju nënshtruam një periudhe diktatoriale, gjatë së cilës u izoluam edhe nga e kaluara e jonë historike, nuk mundëm të ndërtonim një të ardhme të denjë për vete dhe pasardhësit tanë. Edhe njëzet vjet “demokraci”, nuk na bënë të ndihemi “europianë”, të gëzojmë mirqënje ekonomike dhe as të shkëputemi nga bishti i klasifikimeve ballkanike dhe më gjërë. Pa lexuar Historinë tonë (100% dhe jo me një mesatare të mjeruar 3% , siç formohet brezi ynë i ri, në arsimin parauniversitar) pa i njohur të gjitha ngjarjet, pa zbuluar shkaqet dhe pasojat e rrjedhura prej tyre, nuk do të mundemi asnjëherë të mbrojmë interesat kombëtare dhe ekonomike, për të ndërtuar ardhmërinë tonë.
Ngjarjet e ndodhura mbas viteve 90, që na kanë lënë “pa gojë” për veprimet e hapura antikombëtare, të pasqyruara edhe në këtë libër, dëshmojnë se ashtu si në të kaluarën, Kombi Shqiptar vazhdon të jetë i rrezikuar. Autori, nëpërmjet fakteve të dites, paraqet rrugët e shumta (psikologjike, fetare, ekonomike dhe politike), nëpërmjet të cilave po realizohet “pa u vënë re” dhe “paqësisht”, tkurrja dhe tjetërsimi i trevave shqiptare. Në këto kushte, intelektualët patriotë dhe të gjithë ata që e ndjejnë veten shqiptarë, kërkojnë të bëjnë diçka, secili në mënyrën e tij, me mundësitë e tij, ashtu siç veproi dhe autori i kësaj vepre historike “Shqipëria dhe Greqia”. “Arësyet që më nxitën për të shkruar këtë libër – shprehet autori, Nuri Dragoi – kanë të bëjnë me detyrimin qytetar për të ruajtur të paprekur identitetin e kombit…” Asgjë, në jetën e njeriut nuk vjen falas, por fitohet, qoftë edhe me çmimin e sakrificës. Historia, “tregon se nuk ekziston ndonjë vlerë (nga rendi politik, tek drejtesia sociale) që nuk lind nga lufta dhe që nuk përcaktohet nga një luftë”. (f98 E.M.) Të gjitha arritjet që ne i shikojmë në “familjen europiane”, janë rrjedhojë e luftës së popujve të tyre dhe përuljes para mësimeve të historisë së tyre. Vetëm me mjetet e shumta që ka lufta, për të mbrojtur qënësinë tonë kombëtare, mund të ndërtojmë të ardhmen tonë si shqiptarë, jo “të vetshpallur”, por me ADN’në tonë pellazgjike.
“Me heshtjen konjukturale shqiptare, brezat që po vijnë, e që do të vijnë në Shqipëri, nuk do të na e falin” shprehet autori, Nuri Dragoi. Në këtë libër të ri, në vijim të shumë botimeve të suksesshme historike shqiptare të viteve të fundit, shtrohet problemi thelbësor i shkencës sonë historike: Krijimi i veprave historike mbi baza shkencore, të çliruar nga çdo lloj diktati: politik, ideollogjik dhe fetar. “Historia, – vëren P.Scoppola – për shumë kohë ka qënë histori e klasave drejtuese, historia e të fuqishmëve”. Edhe në kohën e sotme, interesat politike dhe ekonomike të forcave në pushtet, ndikojnë fuqishëm në botimet historike, sidomos në vëndet ku demokracia është akoma në fillesat e saj. Në këto kushte, ka historianë, që mbahen me rrogën e shtetit, dhe nuk e gëzojnë lirinë krijuese të historianëve të pavarur ekonomikisht.
Gjithashtu, kemi edhe historianë që me vetëdije, botojnë e përkthejnë libra historikë, në mbështetje të politikave të ditës dhe rrjedhimisht bëjnë seleksionimin e fakteve historike, duke vënë në plan të parë, fakte të dorës së dytë dhe të tretë dhe fshehjes së fakteve më të rëndësishme, apo keq-interpretimin e tyre. Në raste të tilla kemi të bëjmë me botime pseudohistorike. Siç shprehet filozofi francez Emmanuel Mounier, ashtu sikundër duhet të çlirohet e vërteta historike nga çdo kufizim dhe dhunim për interesa ideologjike dhe politike, po kështu edhe shkruesit e historisë duhet të jenë njerëz të lirë, sepse “Historia e shpalos ende vlerën në fushën e pergjithësimit, ndërkohë që vëndi i saj i vërtetë është zëmra e gjallë tek personi.” Në librin “Shqipëria dhe Greqia”, kjo metodë bazohet tek vlerat njerëzore të autorit, qëndrimi besnik dhe i pavarur i tij, ndaj fakteve historike. Ky libër, zgjeron njohuritë e brezave të rinj për historinë e popullit të tyre, do të risë formimin e intelektualëve që udheheqin opinonin shoqëror, e sidomos merr një rëndësi të veçantë për punën e shtetit shqiptar, në hartimin e programeve politike dhe ekonomike të tij.
Libri “Shqipëria dhe Greqia” është një kronikë ndër shekuj, e përpjekjeve dhe luftës së pandërprerë të Geqisë, për të zhdukur popullsinë arbërore dhe tjetërsimin e trojeve të saj. Në këtë mision, që ka qënë prioritet i të gjitha kohërave e fqinjëve tanë, ata kanë shfrytëzuar të gjitha situatat që kanë ndodhur në Ballkan dhe në kontinentin europian. Kjo është e vërteta historike e cila mbështetet tek dokumentat dhe jo tek ligjerimet politike. Materialet e sjella nga autori, dëshmojnë se populli arbëror, deri në shekullin e XX, ka patur vetëm një vënd në Librin e Historisë Europiane: atë të viktimës. Fqinjët e tij, kanë patur vetëm një rol në Librin e Historisë Ballkanike, atë të agresorit! Njarja më e rëndësishme dhe më e dhimshme në historinë e popullit tonë, është copëtimi dhe rëmbimi i truallit kombëtar arbëror. Të thuash se janë shkëputur pjesë nga trevat arbërore, është një fakt, që jo rrallë ka ndodhur edhe në historinë popujve të tjerë të kontinentit tonë. Por, të japësh një pasqyrë me shifra, të gllabërimit të pjesës më të madhe, duke lënë copëzën (28.748 km²), që formon shtetin shqipëtar është një rast unik në historinë europiane.
Një nga aktet e kësaj grabitjeje, qe Marrëveshja midis Fuqive të Mëdha dhe shteteve ballkanike e fundit të shk.XIX. “Kongresi i Berlinit ( 13qershor-13korrik 1878 ) u mbajt pikërisht për të harmonizuar, interesat e ortodoksisë dhe katolicizmit, duke e shndërruar Shqipërinë etnike, atë kohë me rreth 114.728 km², në gjah të Rusisë…” (f150-51 N.D). Detyrën për të nënshtruar shqiptarët që rëmbyen armët kundër kësaj kasaphane, gjashtë Fuqitë e Mëdha eipuropane ja caktuan Turqisë, që nuk e kurseu gjakun e banorëve autokton, për të kënaqur orekset e Sërbise, Malit të Zi dhe Greqisë. Këto shtete europiane, i mbështetën komshinjtë tanë, që kryen krime masive, duke i furnizuar me armatime, oficerë dhe forca ushtarake.
Mirëpo, siç thotë populli ynë: “oreksi vjen duke ngrënë”. Kështu në përgjigjje të kërkesave gjithëmonë në rritje të fqinjëve tanë ortodoksë, Fuqitë e Mëdha europiane (me “të drejtën e më të fortit” siç shprehej Bismarku), në Konferencën e Ambasadorëve (dhjetor 1912 – gusht1913) aprovuan hartën ballkanike, ku Sërbia përsëri “u rrit me 39.000 km² , duke i marrë Shqipërisë 1.290.000 banorë, ose 55% te banorëve të saj. Mali i Zi u rrit me 7.000 km² dhe mori 260.000 banorë, duke dyfishuar popullsinë e vet. Greqia u rrit me 51.300 km², duke marrë edhe 1.624.000 banorë.” (f 182 N.D.) Kjo grabitje u arit vetem duke shkelur mbi kufomat e banorëve autoktone shqiptrë. Në emër të palës shqiptare, amerikani C.T.Erikson në vitin 1919 përpara Komitetit të Mardhënive me Jashtë të ShBA-së, theksoi: ”Bota e qytetruar duhet të kërkojë falje për zhdukjet masive të fshatrave shqiptare, në prag të Luftës së I Botërore… Kjo u pasua me një propagandë të tmerrshme, e cila ka favorizuar diskriminimin e popullit shqiptar duke nxitur urrejtjen …”(f231 N.D.)
Intelektualit i shquar dhe besimtari Gjergj Fishta, duke përjetuar këto grabitje “në mes të ditës” shpërthen me një zëmërim të fuqishem: “Uh Europë, ti kurva e motit/ Qi i rae mohit besës Zotit/ Po a kta, a sheji i Gjytetniis (pse kjo është shënjë e qytetrimit? -shën im)/ Me daa (nda) tokën e Shqypniis/ Për me majtë (majmur) klysht e Rusis?…” (f183 N.D.) “ Kufijtë aktualë të shtetit të Shqipërisë, janë më të paarsyeshmit dhe më arbitrarët që mund të ishin” (f203 N.D.) – shprehet në librin e tij (Shqipëria 1930) akademiku italian, Antonio Baldacci.
Në tekstet e sotme shkollore historike (zyrtare), duke dhënë një pasqyrë të zbehtë dhe të pjesëshme të ngjarjeve, mungesa e shifrave, duke mos dhënë shkakun, se përse këtyre gjashtë Fuqive të Mëdha, “ju hypi në kokë” të ndihmojne synimet shoveniste të fqinjëve tanë, në kurriz të trevave shqiptare, i lihet rruga e lirë përcaktimeve dhe qëndrimeve,jo realiste. Herë – herë, në median tonë ndeshim mendime, që akuzojnë si shkaktarë të luftrave të përgjakshme ballkanike; si agresorin ashtu edhe viktimën, siç ishin arbëroret. Këta “analistë” apo “opionionistë” zbulojnë se, fajtori na qënkesh vetem një: Nazionalizmat e shteteve ballkanike! Këta analfabetë të historisë (gjë që është shumë e dallueshme në shkrimet e tyre), fillojnë të lëshojnë vrerë për anakronizmin në ditët e sotme të “nacionalizmit romantik të Rilindasve”, “ndjenjës tashmë jashtë mode, të kombëtarisë-shqiptarizmit”. Arirhet deri aty sa, gazetari dhe botuesi i gazetës “Agon”, Frok Cupi, në shkrimin e tij të datës 28. 04. 2009 na zbulon se “nacionalizmi shqiptar, (qënka – shën im) një idiotsi e jona !” Të habit fakti, se këto lloj përfundimesh “studimore psikollogjike dhe historike” të këtij soji, nuk kane asgjë të përbashkët me shkencën e vërtetë të këtyre fushave. «Kombi – thekson filozofi E.Mounier – edukon dhe zhvillon njeriun racional, pasuron njeriun social përmes kompleksitetit të mjediseve që i afron dhe e projekton drejt një bote ku mund të shprehë të gjitha mundësitë e tij …Ndjenja kombëtare është ende një ndihmë e fortë kundër egoizmit jetësor të individit dhe familjeve, kundër mësymjes së shtetit dhe skllavërimit të interesave ekonomike kozmopolite…Kombi është një element integrues i jetës sonë shpirtërore » (f135 E.M.)
Këta “europianistë” që ju a vret veshin “shqiptaria” dhe “ndjenja kombëtare”, nxitojnë të tregojnë elemente të përbashkëta folklorike të kulturës ballkanike, si dëshmues të marrdhënieve paqësore historike që kemi patur me fqinjët tanë. Sigurisht edhe kjo dukuri, ka një shpjegim historik që është larg tezës së pretenduar në shkrimet e tyre. Veprimtaria e këtyre intelektualëve, bashkombas tanë, është po aq e dëmshme sa dhe përpjekjet e atyre që duan ta zhdukin kombin shqiptar. Kjo është një luftë në kushtet e bashkjetesës europiane, e asgjesimit me mjete psikollogjike. Filozofi francez E.Mounier vëren se “Teknikat moderne të poshtërimit, lehtësite që sjellin paratë, nënshtrimi borgjez dhe friksimet partizane janë më vrastare se sa armët e zjarrit” (f99 E.M.) Veprimtaria e këtyre “pseudo-intelektualëve”, “pseudo-minoritarëve”, “pseudo-politikanëve”, dhe “pseudo-perfaqësuesve të shtetit shqiptar” na jepen në librin e Nuri Dragoit, ashtu siç ka ndodhur para syve të popullit, të pasqyruara në median e shkruar dhe botimet e ndryshme.
Në veprën “Shqipëria dhe Greqia” nuk kemi thjesht rënditjen e fakteve të ndodhura, por i bëhet skaneri i ngjarjeve që kanë kaluar shqiptarët, në mënyrë që lexuesi të bëjë lidhjen me ngjarjet e diteve te sotme. Historiani P.Scoppola, përcakton se “Historia ka funksionin e katarsisit, ka qëllimin e çlirimit nga mundësia e përsëritjes”. Nga ky “katarsis” i së shkuarës dhe i së tashmes, që realizohet në veprën e Nuri Dragoit, vërehet se në sjelljen e shtetit grek, si ndaj shtetit dhe popullsisë shqiptare, si ndaj përligjjes së veprimeve të tij, tek Fuqitë e Mëdha dhe Institucionet e tyre, ka mbisunduar MASHTRIMI. Mashtrimi më i paturp dhe më kriminal, ka qënë ay i Marrëveshjes meTurqinë, për këmbimin e popullsisë. Ky mashtrim djallëzor, racist dhe i dhunshëm, që u thurr dhe u zbatua nga dy skenaristë dhe aktorë: shteti dhe Kisha Ortodokse greke, la pas një lum të pareshtur gjaku.
Greqia, siç vërehet nga materialet historike, ka qënë nxënësja më e zellshme në “mësimin” e Historisë, por për fat të keq, nga ngjarjet më të erëta të saj. Metoda që përdori, për të realizuar mashtrimin e këmbimit të popullsisë turke, me atë greke (në fakt për të shkulur shqiptarët nga trojet e tyre) qe ajo e inkuizicionit të egër mesjetar të shekullit XI. Urdhëri i ditës, me të cilën komanda e lartë ushtarake greke vuri në zbatim, nga vitin 1853 deri në mesin e shk.XX, për të realizuar largimin e shqiptarëve ishte: “Përpara, me kryqin në njerën dorë dhe në tjetrën thikën, në mënyrë që të pushtojmë çdo ditë nga një vend!” (f156 N.D.) Nën parullën “Ja vdekje, ja Greqi! ”filloi zhdukja fizike masive e shqiptarëve. U masakruan, më 1913, 62 njerëz nga paria çame duke i mashtruar me nevojën e një takimi për të bërë marrëveshje. Vetëm në dy prefektura të Shqipërisë (më 1915), të Korçës dhe Gjirokastrës u dogjën 250 fshatra; dhjetra të tjera u plaçkiten dhe mijra shqiptarë u vranë. Në Tobol, Luadh e Cair, “u dogjën të gjallë, në shtëpitë e tyre, dhjetra dhe qindra familjarë; burra, gra, fëmije e pleq…Teqetë, ose vëndet e shenjta islame, u rrënuan tërësisht prej grekëve” (f 192 N.D.)
“Më 25 shkurt 1914, në Kuqar të Përmetit ushtria greke theri gjithë fëmijet, ndërsa burrat i mbylli në kishën e Kosinës, ku i vrau në mënyrë barbare…(Në fshatin Peshtan) foshnjat ulërinin duke kërkuar prindërit. Ushtarët i mblodhën dhe i çuan në një shtëpi, ku ishte një pus e ku i merrnin me radhe, u prisnin kokat dhe i hidhnin brënda. Ndërkohë, gratë pasi i përdhunuan, i vranë me bajoneta…Në Panarit andartët therën 275 vetë” (f199 N.D.) Në fshatin Kodër, pranë Tepelenës (1918) mbasi mblodhën 230 burra, gra dhe fëmije “oficerat greke ju dhanë urdhër ushtarëve të hapnin zjarr mbi ta me mitraloza. U vranë të gjithë; ua prenë kokat dhe i varën në muret e kishës” (f216 N.D.) Lista e krimeve greke mbi populatën shqiptare, nuk ka kufij kohorë. Këto krime, ndërthureshin me një politike shoveniste antishqiptare, në arenën ndërkombëtare. Me të drejtë gazetari Jorgo Meksi, në vitet 1930 shkruante “mund të thuhet se kudo, që ka një komplot kundër interesave shqiptare, je i sigurt se do t’i gjesh grekët” (f19 N.D)
A duhet të flasim sot për krimet e bëra nga shteti grek, në kohën kur dëshirojmë t’i bashkohemi familjes europiane? Dënimi i krimeve të së kaluarës, është garancia e një bashkjetese paqësore, në të ardhmen. Pendesa, është elementi thelbësor për pastrimin e shpirtit- predikon edhe feja. Mbas mëse dhjetë shekujsh, Vatikani u kërkoi falje njerëzimit, për krimet e kryera në periudhën e inkuizicionit. Shtetet, që gjatë Luftës së Dytë Botërore ngjyen duart me gjakun e të pafajshmëve, gjithashtu kërkuan falje dhe dëmshpërblyen, për të shënuar nisjen e një rruge të re, me vëndet e këtyre popujve. Shteti francez, ka ngritur një përmendore kushtuar heqjes së skllaverisë, për të përkujtuar fatin e zi të atyre viktimave, të shndëruar në skllevër të Kontinentit Afrikan, si rrjedhoje e politikës kolonialiste të Francës. Shteti grek, dhe sot e kësaj dite refuzon të pranojë këtë faqe të zezë të historisë së tij. Edhe kreu i Kishës Autoqefale Shqiptare, greku Janollatos, refuzon t’iu beje përshpirtje mijra viktimave çame, por edhe të jugut të Shqipërisë, prej ushtrive të udhëhequra edhe nga përfaqësues të Kishës ortodokse greke apo të frymëzuar dhe bekuar prej tyre, dhe të pendohet për rafshimin dhe shkatrimin e dhjetra objekteve te kultit si xhami, kisha dhe teqe, të popullsisë shqiptare. Pa njohur dhe kërkuar falje popullsisë shqiptare, për krimet e bëra në të dyja krahët e kufirit, pa i dëmshpërblyer për atë rënim ekonomik, dhe pa ju kthyer të gjitha të drejtat e mohuara popullsisë çame dhe shqiptare , fantazma e synimeve shoveniste greke, nuk do të zhduket kurrë nga marrëdhëniet midis dy shteteve. Kujtimi i krimeve të së kaluarës, shprehet historiani P.Scoppola “është një detyrim kundrejt viktimave, pa përjashtuar asnjë. Është një detyrim edhe kundrejt të rinjve, sepse mësojnë që paqja, e çliruar nga paragjykimet është bashkeudhetare e tolerancës dhe respektit për çdo jetë njerëzore, është e vetmja shpresë e mbijetesës, për shoqërinë njerëzore”.Duke kujtuar viktimat “ju kthejmë atyre dinjitetin e dhunuar edhe nga haresa, që na bën, në fund të fundit, bashkëpunëtorë konspirative (te fshehte-shën im) të vrasjes së tyre.”
Duke lexuar librin e Nuri Dragoit “Shqipëria dhe Greqia”, të bie në sy, se shumë veprime në marredhënien midis dy shteteve tona, mbas viteve 90, pothuaj nuk kanë ndryshuar nga ato të ndodhura në fundshekullin e XIX dhe gjysmës së parë të shk. XX:
· Ashtu si në të kaluarën, shteti grek të gjitha ndërhyrjet ndaj shtetit shqiptar, i justifikon me “mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek”, tezë e papërligjur nga realiteti, ndërkohë që nuk njeh asnjë të drejtë popullsisë shqiptare brënda kufijve të tij.
· Percaktimi i etnisë “turke” ju kërkohej shqiptarëve mbi bazën e vetdeklarimit të “lirë” nën presionin e favoreve dhe terrorit. Sot kërkohet regjistrimi i popullsisë (për të ditur se sa greke ka në Shqipëri) po me anën e deshirës së “lirë”për të zgjedhur kombësinë nën presionin e pensionit grek, të vizave, favoreve, punësimit dhe frikës së “fshesës” policore.
· Ashtu si në të kaluarën, zhvillohet luftë ndaj gjuhës shqipe dhe ndërohen emrat e njerëzve dhe (me gojë) emërtimet e fshatrave.
· Ashtu si në të kaluarën, edhe mbas viteve 90, janë kryer akte që prekin sovranitetin e Shqipërise (si në rastin e vrasjeve në posten e Peshkëpise, ndërtimit të shkollave, varrezave dhe nxjerrjen e eshtrve të shtetasve shqiptarë, etj) duke shkelur, pa ju hyre gjëmbi në këmbe, sovranitetin e Shqipërisë.
· Ashtu si në të kaluarën, edhe sot, dy shtyllat për çkombetarizimin e shqiptarëve janë shkollat dhe kishat, ku me gjith biblën e përkthyer në gjuhën shqipe nga Noli, mesha bëhet në greqisht.
· Ashtu si në të kaluarën, edhe sot, “bamirsitë” dhe shoqatat apo klubet “kulturore” , janë mjete mbështetëse për aritjen e qëllimeve politike dhe ekonomike.
· Po përsëriten edhe në ditet e sotme kërkesat “legjitime” për autonomi të “vëndbanimeve historike greke”në trevat shqiptare.
· Ashtu si në të kaluarën, ëndra për helenizimin e popujve të tjerë, sundon në politikën greke të ditës. Kjo “kryqëzate” e nisur që në periudhën bizantine, vazhdon edhe sot, jo vetëm me shqipfolsit në trojet e tyre, por edhe me shqipfolesit e mbetur në Pakistan nga ushtria e Aleksandrit të Madh. “Mësues vullnetarë” të paguar nga Athina, kanë shkuar nëpër fshatra, për të përmirsuar jetesën kalashëve. Duke ndërtuar shkolla, ujë-sjellsa dhe ambulanca, po përpiqen të përligjin ndihmën, për “ helenet” të mbetur nga ushtria e Aleksandrit te Madh, heroit “grek” të lashtësisë dhe për t’iu rimësuar gjuhën e “të parëve”- greqishten.
· Ripërngjalljen e kufomës së sajuar të “Vorio-Epirit”.
· Ashtu si në të kaluarën, Kisha dhe shteti grek, janë motori që vë në lëvizje këtë “kryqëzatë”.
· Ashtu si në të kaluarën, shteti grek në shtëpinë e tij, nuk realizon asnjë nga detyrimet që nga ana e tij, ja kërkon shtetit shqiptar, duke vazhduar praktikën e tij të vjetër të “mos -reciprocitetit” në marredhënie me fqinjin e tij verior.
· Si në asnjë kohë nga e kaluara, shteti shqiptar i ka lënë rrugën e lirë (bile ka mbështetur) veprimet në dëm të interesave ekonomike, politike dhe kombëtare të popullit që përfaqëson. Rasti më flagrant, qe nënshkrimi i Marrëveshjes për kufijtë detarë dhe pranimit të regjistrimit të popullsisë mbi bazën e “vet-deklarimit të kombësisë” me deshirën e lirë të qytetarëve. Etj.
“Shqipëria dhe Greqia” është një botim që përmbledh vlera të mëdha, për formimin e brezit të ri, për emancipimin qytetar dhe kombëtar, të intelektualëve dhe politik-bërësve shqipëtarë. Gjithashtu është një kontribut human dhe shkencor historik, për shoqërinë, historiografinë dhe politik-bërësit grekë, për të shkulur “atë paragjykim që akoma mbijeton-siç vëren historiani P.Scoppola – në shpirtrat e një shumice dhe që është në themel të çfaqjeve të dhunshme të përditshme, të luftrave ,të terrorizmit.”
Burimet:
E. M – Emmanuel Mounier “Personalizmi” 2000
N. D – Nuri Dragoi “Shqiperia dhe Greqia”2009 P. Scoppola – Pietro Scoppola “La verità storica” (E verteta historike) (dt 9.12.1997- internet)