leoni

Fatma Zyberi: Si rashë pa ndjenja në teatrin “Efes” në Turqi pasi këndova 3 herë rresht

Fatma Zyberi: Si rashë pa ndjenja në teatrin “Efes” në Turqi pasi këndova 3 herë rresht

Albert Z. ZHOLI:  Këngëtarja , Fatma  Zyberi

-Si këndova këngë turke në Turqi në vitin 1987

-E pabesueshme hapa festivalin me këngën e “Ninos”, që në Turqi ishte harruar

30 mijë spektatorë menduan se isha turke

Sa herë dëgjoj këngët e Fatma Zyberit ndiej një relaksim të pazakontë. Një zë i shtruar, i bukur, melodioz që të hyn direkt e në gjak. Një zë femëror, që  krahasohet me ndriçimin yjor. Në vitin 2004 (dhjetor) me këngëtaren e mirënjohur Fatma Zyberi pata bërë një intervistë. Por midis të tjerave ajo më tregoi një ngjarje që unë nuk e përfshiva të detajuar për botim. Rastësisht, këto ditë duke rrëmuar në sirtarët e mi për një regjistrim kasete gjeta dhe kasetën e intervistës së Fatmës. U gëzova. Kisha kohë që e mendoja si ta ripunoja atë pjesë të rrallë të jetës së saj, por edhe të këngës shqiptare. Lashë çdo punë dhe e hodha nga e para. Ishte një moment magjik. Moment që e lartësojnë imazhin e këngës dhe të artistëve shqiptarë kudo në botë.

Folklori ynë dhe familja e këngës Zyberi

Ka vite që sërish në Shqipëri kënga popullore ka marrë vendin që i takon. Kënga popullore është një thesar i çmuar i popullit tonë. Folklori ynë nga jugu në veri është tepër i larmishëm. Për këngën e bukur popullore kanë pasur nevojë dhe kanë nevojë brezat, sepse jeta nuk mund të ndahet nga kënga, mbasi vetë jeta është një këngë. Po të rrëmosh në minierën e këngës popullore, në galerinë e saj të pafund, gjen vazhdimisht mineral të pasur dhe të pastër, ku kanë depërtuar në mënyrë të fuqishme syri i mprehtë dhe fjala e zgjedhur e mençurisë popullore. Kënga popullore ka dhe një traditë dhe kjo traditë shpesh herë transmetohet në breza familjesh, ku në këtë rast kënga përcillet në mënyrë më dinjitoze. Dhe nga tradita familjare e këngës popullore mund të veçohet ajo e familjes Zyberi, ku Fatma ndoshta e ka përcjellë këtë trashëgimi denjësisht. E vogël në shtat, por me një zë melodioz, me dëshirë dhe kurajo, e rreptë me vetveten dhe e sinqertë me
kolegët, me një temperament që të imponon respekt, në bisedë herë e ngurtë dhe e padeshifrueshme dhe herë e papërmbajtshme si deti në tallaz dimëror, ajo mbetet një këngëtare e respektuar që, me këngën e saj, të çarmatos, duke të veshur me kostumin e një relaksioni shpirtëror.

Një rast i rrallë në jetën artistike të Fatmës

Në vitet 1970 zëri i Fatmës do ishte i pranishëm nëçdo familje shqiptare. Ai zëi ngrohtë dhe melodios pritej me padurim. Por fama e saj i kaloi kufijtë shqiptarë….Ja se çfarë më tregon ajo në intervistë: “Ishte viti 1987. Ansambli “Migjeni”, do të shkonte në një festival të vendeve evropiane në Turqi. Në datën 19 prill, në mbrëmje kur erdhi babi në shtëpi, ndryshonte nga herët e tjera. E njoh mirë babanë tim kur kishte ndonjë sihariq për të thënë. E shihja dhe më shihte. Po më linte në ankth. Duke qëndruar përballë, ai tundi kokën disa herë, pastaj hapi krahët dhe më rrëmbeu në krahë. Do shkosh me ansamblin “Migjeni” në një turne në Turqi, më tha duke lotuar nga gëzimi. I mbështetur në kraharorin e tij, nuk dija se çfarë të bëja nga gëzimi. Ndenja e mbështetur ashtu disa minuta, sa të hiqja emocionet, të cilat po më turbullonin shikimin. Ishte e natyrshme. Unë sapo kisha mbushur 17 vjeç dhe tashmë po më hapej një rrugë e re në botën e bukur, por të vështirë të këngës. Ishte një vlerësim i madh për mua. Pas disa ditë provash, më 29 prill u nisëm për në Turqi”.

Të dilje jashtë shtetit në kohën e diktaturës

Të paktë ishin ata që dilnin jashtë shtetit në kohën e diktaturës. Këngëtarët dhe valltarët ishin më me fat. Një ndër to ishte dhe Fatma. Ja si shprehet ajo: “Isha shumë kureshtare ta shihja atë, Turqinë: shtet, i cili lakohej shumë në vendin tonë. Festivali do të zhvillohej në amfiteatrin e lashtë “Efes”. Ishte një amfiteatër i mrekullueshëm. Edhe pse datonte shekuj para Krishtit, ai kishte një akustikë të përsosur. I gjithë amfiteatri ishte i gurtë. Po aq i bukur sa Butrinti, por shumë herë më i madh. Kapaciteti i tij ishte 30 mijë vende. Pas festivalit, trupa nga shumë vende të Evropës do të bënin turne në qytete të ndryshme të Turqisë”.

Kur përgatiteshin për shfaqje

Një vend që e mrekulloi artisten. E shohçdo gjë me habi. Befasohej dhe lumturohej. “Në festival nuk lejohej që trupat e huaja të këndonin turqisht, por vetëm në gjuhën e vendit të tyre. Këngë turke mund të këndoheshin vetëm kur të bëheshin turnetë. Nga ansambli ynë ishim caktuar unë dhe Hysni Zela, që të këndonim turqisht. Mua më kishin dhënë të këndoja një këngë të vjetër turke që fliste për dashurinë e dy të rinjve. “Nino-Nino” titullohej kënga. Festivali do të hapej më 1 maj. Në të hyrë të amfiteatrit ishte ndërtuar një ambient i veçantë, ku të gjithë trupat zhvillonin provat. Unë më shumë merresha me këngën turke., pasi ato shqiptare i kisha mësuar në mënyrë perfekte. Rrija në një kënd të veçantë dhe përsërisja dhjetëra herë këngën. E ndieja se sa herë e këndoja kisha përmirësime. Pas 15-20 provash e ndjeva se e kisha përvetësuar mirë dhe nuk e mbaja letrën në dorë. Klarinetisti i trupës tonë ishte i mrekullueshëm. Klarineta e tij qante bashkë me këngën. (se e tillë ishte dhe kënga). Për një çast pamë se rreth nesh ishin mbledhur edhe trupat e tjera artistike dhe dëgjonin këngën dhe tingujt e klarinetës. Dikush po na e bënte me dorë përsëriteni dhe njëherë. Klarinetisti filloi: më pas dhe unë. Ishim në harmoni. Pas këngës na duartrokitën gjithë trupat që ishin mbledhur. Në atë kohë na afrohen dy persona. Njëri ishte prezantuesi i Festivalit, tjetri kryetari i jurisë. Të dy ishin turq. Hajdeni me ne na thanë. Ne i ndoqëm. Në një sallë të veçantë ata na pyetën për këngën, nga ishim dhe të tjera. Ne u kthenim përgjigje, ata habiteshin. Kjo këngë kaq e bukur thuajse ishte harruar në Turqi. Ajo këngë që dikur ishte më e preferuara. Na lanë disa minuta vetëm pastaj u kthyen me dy të tjerë. Duke biseduar dhe me përkthyesin ata thanë se festivali do të hapej me këngën time “Nino-Nino”. S’po u besoja veshëve. Ashtu u bë duke u thyer
rregullat e festivalit”-rrëfen ajo.

Dita e shfaqjes

Data 1 maj 1987, ora 12-00. Hapet Festivali Efesit në Turqi. Temperatura shënonte 39 gradë. Temperaturën e trupit e rrisnin dhe kostumet e rënda popullore. Amfiteatri ishte mbushur plot. Disa minuta para fillimit prezantuesi më thotë edhe disa hollësi të tjera mbi përmbajtjen e këngës. Tashmë kënga ishte brenda meje me të gjitha detajet. Kështu mund ta përcillja më ngrohtë dhe më të plotë brenda spektatorit. Pa njohur brendinë e tekstit emocioni i këngës zbehet. Teksti bënte fjalë për dy të rinj Ninon (vajzën) dhe të dashurin e saj. Ata duheshin qysh në bankat e shkollës. Dashuroheshin marrëzisht. Pas shkolle i dashuri shkon ushtar. Ai gjatë ushtrisë i kishte dërguar disa letra , por prej saj nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Pas ushtrisë ai kthehet në qytetin e lindjes dhe i afrohet shtëpisë së Ninos. Ja, befas ajo del në çardak. E shikon, tund kokën, loton dhe largohet. As dorën nuk mund ta tundë. Ata kanë sekte të ndryshme fetare dhe prindërit e Ninos, që e kishin marrë vesh lidhjen, e kishin ndaluar kategorikisht këtë lidhje. Dhe i dashuri dilte çdo ditë në rrugicë që të shihte Ninon. Ninua dilte në çardak, mbushte sytë me lot dhe largohej… Kjo këngë kishte vite pa u kënduar në Turqi, ndaj dhe organizatorët ngulën këmbë të këndohej e para dhe e plotë.

Në skenë

Dola në skenë. Kisha shumë vapë, plus ethet e emocioneve të hapjes. Filloi klarineta. Pa prezantim. Tingujt e saj më futën në jetën e Ninos. Sa të mrekullueshëm ishin ata tinguj. Bashkë me tingujt e klarinetës filloi dhe kënga ime. Bashkë me mua filluan të këndojnë të gjithë. Amfiteatri dukej sikur mori flakë. Të gjithë këndonin me zë koke duke tundur duart në ajër dhe mbyllur sytë. Lotët ishin të pranishëm kudo, edhe tek unë. Isha duke përfunduar këngën. Afrohet prezantuesi. Ai jo më kot e kishte lënë prezantimin në fund të këngës. Duartrokitjet dhe thirrjet ishin pa fund. Prezantuesi përsërit disa herë të heshtet. Ja një moment: ai respektohet. Dhe ai thotë: Këngën “Nino” e këndoi këngëtarja (pauz, të gjithë prisnin), shqiptare ( e thekson këtë), Fatma Zyberi. Në fillim një uuuuuuuuuuaaa, habie. Pastaj të gjithë në këmbë duke thirrur Fatma, Nino. Unë rashë pa ndjenja në tokë. Më morën dhe më freskuan në një sallë aty afër. Fatma, Fatma dëgjoheshin thirrjet për minuta të tëra. Prezantuesi nuk mund të fliste. Pasi erdha në vete dola prapë në skenë. Thirrjet erdhën dhe më të furishme. E këndova këngën dhe dy herë të tjera. Ishin momente të papërsëritshme. Pas shfaqjes më afrohet ambasadori shqiptar në Turqi, Ylvi Lulo. Ai, pasi më përqafoi duke lotuar më thotë se do të më takojë Kryetari i Bashkisë së qytetit.

Takimi dhe ofertat

Isha ende mes emocionesh dhe tronditjesh. Hera e parë që dilja jashtë. E re, papërvojë dhe me një sukses të tillë. Thuajse ishim ende në skenë, kur më afrohet Kryetari i Bashkisë dhe mes lotëve të sinqertë më thotë: “Bija ime. Më ke befasuar. Ndaj po të bëj dy oferta, së pari të kërkoj dorën për tim bir, së dyti të mundësoj punësim në ansamblin e qytetit tonë”. Sigurisht me shumë mirënjohje unë i refuzova. Ai nuk mund ta besonte këtë refuzim. Traditat mbeten tradita.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …