Radio Kosova e Lirë u jetësua pikërisht në kohën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, tanimë po bënte hapin e fundit për çlirimin e Kosovës. Por ky hap i fundit kërkonte edhe zgjerimin dhe intesifikimin e gjithanshëm në kuadër të luftës çlirimtare.
Ngjarjet që zhvilloheshin ishin shumë dinamike dhe shumë dimensionale: qendrat ndërkombëtare të vendosjes, përkundër që tanimë kishin vendosur kontaktet me përfaqësuesit e UÇK-së, ishin të interesuar deri në imtësi për karakterin e luftës çlirimtare në Kosovë; Mediat e ndryshme të instrumentalizuara nga politika antiperëndimore, propagandonin deri në atë nivel sa që luftën çlirimtare e propagandonin sikur ka karkater fetar; Organizatat ndërkombëtare me karakter humanitar, kishin nevojë për informim sa më objektiv dhe të shpejtë mbi gjendjen e të zhvendosurve civilë shqiptarë brenda territorit të Kosovës; Opinioni i brendshëm, i bombarduar nga deziformatat (lufta speciale), ishte krejtësisht në panikë dhe pre e propagandës së orkestruar.
Kështu që u vlerësua se ishte e domosdoshme themelimi i institucioneve informuese në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat duhej të ishin me kredibilitet të lartë, objektivë e në shërbim të së vërtetës së kauzës çlirimtare. Pra, atëkohë u themeluan dy institucione informuese: Radio Kosova e Lirë dhe Kosova Press. Jetësimi i të parës, për nga ana teknike ishte më e ndërlikuar për shkaqe që kishte të bënte me frekuenca.
E dyta, e shkruar, dhe ndonëse parimisht jetësimi i saj jo që ishte i lehtë por teknologjia ishte ajo që krijonte më shumë lehtësira. Pra, ishte koha kur në kuadër të luftës kërkohej që veprimtaria mos të kufizohej vetëm në planin ushtarak, por të ngriten kapacitetet për të zgjeruar fushëveprimin e luftës duke shfrytëzuar kështu të gjitha mjetet e luftës që u përgjigjen forcave çlirimtare nga njëra anë, ndërkaq në të njëjtën kohë t’i kundërpërgjigjen në mënyrën e duhur makinerisë propagandistike të forcave shtetërore serbe.
Pra, ishte koha kur një nga detyrat imediate dhe shumë të rëndësishme ishte lidhja dhe vendosja e komunikimit midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosvës dhe opinionit të gjerë, qoftë ai i brendshëm, apo ndërkombëtar. Kështu lindi dhe Radio Kosova e Lirë! Andaj, në këtë përvjetor të lindjes së Radio Kosova e Lirë, jam i bindur se kur historianët e ardhshëm të shkruajnë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një kapitull i ndritshëm do të jetë për rolin dhe kontributin e Radio Kosova e Lirë.
E them këtë sepse në një periudhë kohore, atëherë kur lufta kishte marrë përmasa gjithpopullore, Radio Kosva e Lire u bë, padyshim, zëri i vetëm dhe më i rëndësishëm, që përmes valëve të saj raportonte në kohë reale zhvillimet luftarake anekënd Kosovës. Si e tillë, Radio Kosova e Lirë luajti një rol të rëndësishëm në rritjen e moralit të luftëtarëve, duke inkurajuar brezin e ri në masivizimin dhe mobilizimin e përgjithshëm në luftën çlirimtare. Radio Kosova e Lirë, pati rol kyç në demaskimin e krimeve që bënin forcat shtetërore serbe mbi popullsinë civile shqiptare. Duke u mbështetur në këto shtylla, sot Radio Kosova e Lirë vazhdon të jetë objektivisht një referencë e pakrahasueshme e kujtesës historike kombëtare.