E nderuara familja Nuhiu,
Të nderuar bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë të luftës çlirimtare.
Me dhimbje të madhe morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj dhe shokut e bashkëveprimtarit tonë, Hajrush Nuhiu.
Familja Nuhiu dhe i gjithë fshati Gosponicë, ka kalur nëpër shumë sfida në rrugëtimin e çlirimit të atëdheut! Si e tillë, kjo familje iu ka nënshtruar plojës së politikave gjenocidale të Serbisë që nga viti 1942 e deri në vitin 1999. Fshati Gosponicë ka dhënë shumë veprimtarë dhe luftëtarë në të gjitha proceset e veprimtarisë politike dhe të luftës çlirimtare shqiptare në vazhdimësi.
Hajrush Nuhiu ishte nga ata veprimtarët, që për asnjë moment nuk kurseu angazhimin e tij si vazhdues i përpjekjeve atdhetare të trashëguar nga familja e tij e madhe. Ai përgjatë gjithë jetës së tij ka dhënë një kontribut të madh në mbështetje të luftës çlirimtare shqiptare, si në Kosovë ashtu dhe në Kosovën Lindore.
Andaj, Hajrush Nuhiu, sot u nda nga ne fizikisht, por puna dhe vepra e tij do të kujtohet gjithmonë.
Ne shokët dhe bashkëveprimtarët e Hajrushit i shprehim ngushëllime familjes dhe të gjithë shokëve e bashkëveprimtarëve që e njohën dhe vepruan me të.
Lavdi jetës dhe veprimtarisë së Hajrush Nuhiut!
Respekt të pafund familjes së nderuar Nuhiu!
Në emër të të gjithë bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve:
Mustafë Shaqiri-Shpëtimi, Ish komandat i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe Komandant i Zonës Operative të Preshevës.
11 Shtator 2023