Fatmir Brajshori

Fatmir Brajshori: Pergamenë e gjallë kushtuar Heroit të heshtur!

Të bësh një jetëshkrim, për një njeri, e që zakonisht pas vetes subjekti duhet të ketë një veprimtari që lë gjurmë, një sukses që mbahet mend apo edhe një krijimtari që rrallë harrohet, s’pari duhet të kesh njohuri të bollshme për atë emër e mbiemër, për të cilin autori merr një barrë shumë të rëndë, e që është: “ta bësh për të tjerët, që asnjëherë se kanë njohur, si njeriun e tyre më të afërt dhe më të njohur… ” Të bësh një jetëshkrim për një personalitet kohe, për një veprimtar kohe dhe një shok, nuk do të thotë që autori do ta transformojë zhvillimin shpirtëror të një njeriu, por ai nëpërmjet fakteve dhe dokumentave, do të zhvillojë edhe intelektin mendor të personit fizik, e në rastin tonë, me këtë rast, kur kemi të bëjmë me “Heroin e heshtur”, edhe zhvillimin e tij atdhetar, karshi kërkesave tona kombëtare, në hapërim me kohën…

“Shkrimi i jetës” për një veprimtar të çështjes sonë kombëtare, të rrëfyer nga autori Agim Sylejmani, i cili po ashtu ka qenë në kompozim të notave të njëjta me Sadik Bujën, zakonishtë deri sa nuk e realizon idenë fillestare për bërjen e librit dhe deri sa nuk e shkruan në formën përfundimtare, për heroin e heshtur, jetëshkrimin për të, barra është shumë e madhe, dhe  kjo gjë të bëhet  fiksim ose më mirë të themi detyrim.…

Në fakt,  të shkruash një “monografi” ose “biografi” (kuptoni: shkrim i jetës), zakonishtë lënda është jo trilluese, e vërtetë, e ndodhur dhe e  përjetuar dhe për këtë gjë,  derisa nuk e mbaron, të bëhet fiksuese…

Në raste të tilla, mënyra më e vështirë  është se si ta mposhtësh fiksimin dhe që të mos ndodhë e kundërta që fiksioni të të mposhtë ty…

Autori,  qysh në dorëshkrim sa e kishte veprën, kur e mora për ta lexuar, e kuptova që ishte liruar nga fiksimi se “duhet ta bëj domosdo dhe dosido një monografi për një shok të idealeve të së kaluarës!”

Të “shkruash një shkrim jete për një personalitet jo të njohur për masën”, privilegjin e ka vetëm ai që e njeh mirë atë dhe Agim Sylejmani, në libër, shohim se e ka njohur mirë Sadikun, të cilit i referohet dhe në këtë mënyrë, libri na del më i ngrohtë, më i gjallë e më real…

Një interpretim i jetëshkrimit të një personaliteti është bindës për aq sa mund të jetë  të lexuarit “sensitiv”…

Për ata që ishin, në Pentagramin e njëjtë, me Sadik Bujën, dikur, interpretimi i fakteve të mbledhura, që i bën autori, është edhe bindës po aq sa edhe sensitiv, për vetë faktin që: lexuesi i sotshëm është përjetues dhe bashkëkohanik, i kohërave të vet heroit tonë, në librin me titull “Pergamenë e Gjallë!”

Kur e mora librin në dorëshkrim për ta lexuar, akoma të pabotuar, me kohë isha i nxënë dhe Agimit i thash: “Ma dërgo se pastaj pas ca ditësh e kam një javë të lirë dhe do ta lexoj, e pastaj të jap një mendim!”

Ai ma dërgoi.

Por kureshtja më shtynte që ca faqe t’i vështroj, ashtu për shpejt e shpejt…

Por, siç ndodhë zakonisht me “Jetëshkrimet” ose “Monografitë”, kur fillon për ta lexuar, që në faqet e para, ti pastaj e di që nuk mund të ndahesh pa e lexuar të tërën…

Kjo ndodhë ngaqë “Biografitë” ose lexohen me një frymë ose s’lexohen fare, ngaqë ndodhitë janë të lidhura njëra pas tjetrës, siç janë të renditura ditët e javës…

Dhe kjo gjë më ndodhi edhe mua…

E fillova për një faqe kureshtjeje dhe pastaj s’u ndala gjerë në  faqen e fundit të librit…

Ajo që dua të ndaj me ju, janë dy momente për mua shumë interesante që përmban libri… Në fakt, secila faqe ka dramaticitetin e vet mbrenda përmbrenda librit, por që të mos ua bë interpretimin e tërë librit, se pastaj s’e lexoni më, me ju po dua të ndaj dy momente shumë interesante…

Momenti i parë ka të bëjë me vështirësitë që ka hasur autori i librit, për të mbledhur dokumentacionin e nevojshëm, siç ndodhë zakonisht kur bashkëkohanikët janë akoma gjallë, dhe të cilët, as nuk punojnë gjë për heroin apo heronjtë dhe kur ti fillon të punosh, nuk të ndihmojnë, por përkundrazi, e bëjnë të kundërtën: të pengojnë!

Dhe momenti i dytë ka t’bëjë me një aksion të Sadikut në fshatin e tij gjatë vitit 1981…

Episodi i parë që më bëri përshtypje gjatë leximit të librit ishte:

“Autori, me këtë rast Agim Sylejmani, kërkon lëndën e parë për librin, pra dëshmi të kohës, dokumente të shkruara, të faktografuara dhe dokumentuara siç e kërkon edhe natyra e librit.

Në vitin 2015, ky i drejtohet një shkolle s’bashku me vajzën e “Pergamenës së gjallë” (Sadik Buja), Fitoren, ku kërkojnë një dokument të shkollës, me të cilën donin edhe në mënyrë të dokumentuar, të vërtetonin, që ai kishte qenë nxënës në atë shkollë… Pra, njëri kërkonte dëshmi për shokun, teksa vajza dëshmin për babain!

Por, autoritetet e kësaj shkolle, në mënyrë arrogante dhe jo njerëzore, as që kishin marrë mundin per të shkuar në arkivin e shkollës, për t’hulumtuar, gjurmuar dhe dokumentin t’ia dorëzonin (edhe kopje s’paku) autorit, por edhe vajzës së Sadikut…

Sikur kjo gjë t’i kishte ndodhë autorit të librit, Agim Sylejmanit, ta zëmë para 15 viteve, një sjellje të tillë s’do ta kuptoja, por sot, 17 vite më vonë, e kuptoj tërësisht, ngaqë nuk ka institucion publik në Kosovë ku neotitistët nuk janë në vende udhëheqëse…

Episodi tjetër që dua ta ndaj me ju nga libri, e që është i një natyre krejt tjetër fare, me t’parin, ka të bëjë  me vitin 1981…

Pas demonstratave të vitit 1981, klasa politike e borgjezisë së atëhershme të Kosovës, sahanlëpirësit e asaj kohe (sepse edhe koha e sotshme i ka të vetët) nuk linin Institucion, fshat e qytet, e që nuk shkonin, për gjoja sqarimin e masave për karakterin, sipas tyre armiqësor të demonstratave…

Në fshatin e Sadikut, i dërguar nga Komiteti shkon njëfarë Rifat Dragaqina, shërbëtor i pushtetit, për të informuar, sipas porosive, fshatarët për karakterin e demonstratave… Sadiku e kupton këtë gjë dhe merr revolen e tij të markes “Beretta”, e fut në brez dhe shkon në atë mbledhje, ku haptas u kundërvihet shërbëtorëve të pushtetit, mbron kërkesat e drejta të demonstrueve, e mbron kërkesën e Republikës dhe i detyron komitetlinjtë të largohen të turpëruar nga fshati….

Të shkruash për dëshmorët e kombit nuk është një gjë e thjeshtë, e lehtë dhe pa përgjegjësi, përkundrazi, është barrë e rëndë, jo e lehtë për t’u shkruar dhe përgjegjësia është, në krahasim me gjinit e tjera letrare, shumë më e madhe.

Agim Sylejmani këtë gjë e bën me përkushtim… Duke lexuar monografinë të titulluar “Pergamenë e gjallë” kushtuar të përndjekurit politik, të burgosurit politik, veprimtarit të çështjes kombëtare Sadik Buja, autori heronjtë e heshtur, me këtë rast Sadikun, e bën më të afërt dhe simbol të një gjenerate së cilës i takonte edhe vet autori…

Duke respektuar të djeshmen e lavdishme, ne u tregojmë atyre që po vijnë, pra, gjeneratës së re që, heroi i heshtur është edhe simbol i dukshëm, që ndez zemrat e lexuesve për ideale të larta.

Agim Sylejmani me këtë monografi për Sadik Bujën drodhi letargjinë  e ndjenjës kombëtare, sikurse që po pasuron, si s’ka më mirë, bibliotekat tona me libra kushtuar atyre, të cilët, neve të gjallëve e bashkëkohanikëve të tyre, na i dedikuan lirinë.

Duke lexuar monografinë dhe duke njohur shumicën e personazheve, mënyra e kompozimit të monografisë  nga autori, më bëri përshtypje pozitive, mënyra se si flet ai me ato personazhe: herë me emra ilegal, të kohës që bartnin, e herë duke komunikuar me emra real me po ato personazhe të njejta…

Edhe monografia është një element i formës letrare, ngaqë subjekt nuk kanë vetëm veprat e gjinis epike, epiko-lirike e dramatike, siç mund të jenë tregimi, novela, romani, poema, komedia, drama, skica etj. por edhe monografia, e sidomos ajo për personalitete të fushave të ndryshme, e kanë personazhin kryesor mbrenda si çdo vepër tjetër letrare…

Monografinë për heroin e heshtur, e pasqyron tërësia e ngjarjeve, që lidhen me subjektin kryesor dhe me këtë rast Sadik Bujën, – si personazhin kryesor të monografisë, megjithëse herë pas herë na paraqiten edhe … ca personazhe të tjera, të cilat asgjë nuk janë më të parëndësishëm,  se subjekti kryesor në këtë libër, siç është edhe vet autori i veprës dhe bashkëveprimtari i “Pergamenës së gjallë” Agim Sylejmani.

Agimi, siç duket zanatin e bërjeve të monografive, e ka përvetsuar si është më së miri ngaqë duke e lexuar atë, ne shohim që ai ringjallë kujtimin, trimërinë, bujarinë, nderin edhe besën tradicionale të kombit tonë mbarë.

Tashti kur lexon një “biografi”, të një personaliteti, ti nuk mund të jesh kritiku por në variantin më të mirë, do të duhej të ishe një lexues i mirë…

Kur lexojmë vepra të zhanreve të ndryshme (poezi, prozë, roman.. e sidomos dramë) kritiku ndonjëherë edhe mundet të mohojë origjinalitetin e veprës teksa tek monografitë s’mundet ta bëjë ngaqë në njërën anë, kemi kryefjalën, e që në këtë rast  është Sadik Buja dhe treguesin që e bë autori i librit Agim Sylejmani…

Çdo njeri, sipas Foksit, ka një histori të dyfishtë: sociale e personale, e të cilët janë në unitet të plotë, ngaqë e dyta, pra personalja, kushtëzohet nga kjo e para, socialja. Tek Sadiku shohim heroin të cilin ne shqiptarët e kemi takuar në çdo epokë: pra, është në kohën e revolucionaritetit, një i ri në konflikt, me shoqërinë e padrejtë, pushtuese edhe injoruese, dhe, në fund HEROI I DEZILUZIONUAR ose i mundur nga ajo, siç është edhe fundi i heroit tonë në libër.

Pra, ngjyrat plot delikate pa nuanca romantike, në fëmijërinë dhe rininë e “Pergamenës së gjallë”, ku vend gjatë tërë jetës së tij, kishin zënë ngjyrimet e forta, shpesh herë tragjike e të rënda, që autori na i transmeton përmes një sugjestioni, të fuqishëm, në gjendje të vazhdueshme ankthi, kllapie, alarmi, kërcënim e lëngim, i dhimbshëm, zemëratë mërie kundër të gjitha padrejtësive, poshtërsive dhe kurtheve që bienin aso kohe mbi vegjëlinë…

Kam përshtypjen që zhanret e lulëzuara të shekullit nëntëmbëdhjetë, poezia dhe romani, sot në shekullin tonë, nuk po e kanë lulëzimin, e dikurshëm, teksa mendoj që sot, këtë lulëzim është duke e përjetuar Biografia, Monografia ose më së miri t’i themi “Jetë-shkrimi” dhe këtë jo vetëm tek ne por tek të gjithë…

Sot “Monografitë” janë bërë një dyzim i narratives dhe i përshkrimit, ngaqë jetëshkrimi mund të bëhet edhe në formë ditari, në një kapitull dhe herë-herë si ligjeratë profetike, në kapitullin tjetër…

A, vepra e Sadik Bujës dhe e Sadikëve të tjerë, e të  cilët janë “heronjë të heshtur” ose “heronjë jo të zhurmshëm”, është profetike….

E, detyra e jonë  është të përkulemi para këtyre veprave profetike, e të mos gjunjëzohemi para këtyre të zhurmëshve, sot, që veprat i kanë heretike!

Autorit të  librit monografik me titull “Pergamenë e gjallë” Agim Sylejmanit, i dëshiroj që edhe më tutje penda e tij të mos pushojë dhe të na sjell akoma libra të llojit të tillë siç është “Monografia”!

  Zürih, më 5 Nëntor 2016

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …