Janë të shumta datat që përkujtojnë ngjarje të rëndësishme që kanë lënë gjurmë të përhershme në kujtesën kombëtare dhe që janë qenësore për përcaktimin e këtij identiteti. Sot të gjithë pajtohemi se data që ka këtë rol për kombin shqiptar është 28 Nëntori. Por kjo datë është shumë më shumë se kaq sepse ajo përveç përcaktimit të identitetit të kombëtar, ajo mbartë edhe një mesazh tejet të fuqishëm por që nuk e kuptojnë dot miopët, injorantët, përçarësit, ish- puthadorët e djeshëm dhe të sotëm dhe soji i ultë disa i njerëzve!
28 nëntori është datë e shumëfishtë kombëtare dhe shënon të arriturat më të mëdha të kombit që i përkujtojmë të gjithë me krenari por që për fat të keq jo të gjithë reflektojmë për porosinë e kësaj date. Porosia është se bashkimi bënë fuçinë e fuçia të bënë të pamposhtur, të dinjitetshëm dhe krenar që asnjë komb nuk mund të të sundoj, sado i madh që të jetë, madje edhe nëse ka krijuar perandori.
Shekuj më parë, nën udhëheqjen e kryetrimit Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, filloi epoka më e lavdishme e kombit shqiptar, ajo e luftës kundër një perandorie gjigante dhe të pamposhtur- Perandorisë Osmane. Kryengritja e një populli të vogël kundër një Perandorie gjigante dhe të pamposhtur mund të duket edhe çmenduri nëse merret parasysh fakti se atë nuk kishte arritur ta sfidojë asnjë fuçi ushtarake e kohës, ndonëse ishin bërë përpjekje të shumta. Gjysmë shekulli më parë, në qershor të vitit 1389, ishte bërë një përpjekje e tillë në fushën e Kosovës ku ishte zhvilluar beteja e ashpër në mes të kësaj Perandorie në fuqizim e sipër në njërën anë dhe ushtrive të krishtera në anën tjetër, të cilat ishin mundur keqas nga ushtria osmane.
Gjysmë shekulli më vonë, më 28 nëntor të vitit 1443, kur kjo Perandori ishte fuqizuar dhe konsoliduar edhe më shumë, një popull i vogël por i bashkuar nën udhëheqjen e kryetrimit Skënderbe, ngriti krye kundër kësaj perandorie dhe e dëboi nga trojet e tyre të cilat i mbajtën të pa pushtuara për afër tri dekada. Gjatë kësaj kohe, shqiptarët e bashkuar dhe të udhëhequr nga Skënderbeu mundën me dhjetëra herë ushtrinë e pamposhtur të Perandorisë Osmane dhe detyruan gjeneralët dhe sulltanët më të shquar të saj të kthehen kokulur nga kishin ardhur kokëlartë dhe me shumë pompozitet. Kokulur dhe i turpëruar ishte kthyer edhe Sulltan Mehmeti – Fatihu ( Pushtuesi ). Nofkën Pushtuesi, sulltan Mehmeti e kishte marrë pasi ai njihej me pushtimet e shumta që kishte bërë, përfshirë edhe pushtimin e kryeqendrës së Perandorisë Bizantine – Kostandinopojës – Stambollit të sotëm por që ishte detyruar të tërhiqej kokulur dhe i turpëruar nga Shqipëria të cilën nuk arrinte ta pushtonte dot edhe pse ia kishte mësyrë me 150 mijë ushtarë të cilët u mundën nga rreth 15 mijë ushtarë shqiptarë, të bashkuar që bënin luftë të pa kompromis që populli shqiptar të jetoi i lirë, i pavarur dhe dinjitetshëm në vendin e tij.
Sfida dhe fitorja e betejave ndaj një Perandori të fuqishme dhe drejtuesve të saj është një fakt që nuk të le të qetë por të nxitë të mendosh dhe të gjesh përgjigje se si ia doli një popull i vogël i udhëhequr nga një komandant të sfidoj një perandori dhe sulltanin që për shkak të pushtimeve të shumta kishte marrë noftën “Fatihu- Pushtuesi”!? Historianët, ushtarakët, strategët, politikanët, filozofët, sociologët dhe ekspertë të fushave të shumta mund të evidentojnë faktor të shumtë por faktor vendimtar ka qenë bashkimi i kombit rreth një ideali të përbashkët – te jetuarit në liri, të pavarur dhe me dinjitet! Nuk duhet harruar se populli shqiptar gjatë asaj kohe herë pas here ishte i detyruar të luftoj edhe kundër Venedikut dhe për rreth 3 dekada ia doli mbanë që të jetoj i lirë, i pavarur dhe me dinjitet përball sulmeve të fuqishme dhe të pandërprera që vinin nga lindja prej Perandorisë Osmane dhe sulmeve të befasishme prapa shpine që i vinin nga perëndimi prej Venedikut.
Askush nuk mund ta kontestoj autoritetin që gëzonte Skënderbeu te prijësit e principatave shqiptare të kohës, mendjemprehtësinë e krye diplomatit, Pal Engjëlli, mençurinë e Lekë Dukagjinit, trimërinë dhe fuçinë e Mojsi Golemit dhe cilësitë tjera të prijësve tjerë shqiptarë, por vështirë se këta do të përmendeshin dhe lartësoheshin edhe sot sikur të mos ishin të bashkuar rreth idealeve më të larta njerëzore, luftës së pa kompromis për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar. Nuk është vetëm 28 nëntori i vitit 1443 që na tregon se të bashkuar të pamundurën mund ta bëjmë të mundur por janë edhe 28 nëntorët e tjerë, sikur është ai i vitit 1912 dhe i vitit 1997 kur doli publikisht në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila sfidoi haptazi një ndër ushtritë më të fuqishme të Evropës dhe ju dërgoi porosi mendje robëruarve se ajo ka vendosur që të luftojë kundër kësaj ushtrie pushtuese deri sa ta dëbojë nga Kosova. Edhe atëherë një sfidë tillë, shumë kujt iu duk çmenduri ( ! )por historia na mësoi edhe njëherë se bashkimi bënë të pamundurën dhe mrekulli dhe se një komb i bashkuar në luftën për idealet më të larta njerëzore mund ta fiton luftën edhe kundër fuqive shumë herë më të mëdha.
Por athua a kemi nxjerr mësime ne nga historia dhe porositë e saj!? Nëse dikur të bashkuar sfiduam perandori pse të mos provojmë sërish të bashkohemi dhe faktorizohemi!? Ish të dashuruarit e djeshëm në shtetin shqiptar vrasës – Jugosllavi dhe kombin jugosllav dhe ata të sotshëm në kombin imagjinar kosovar, i tmerron ideja e bashkimit të kombit shqiptar në një shtet të vetëm!!! Ata reagojnë me histeri ndaj zërave për bashkim dhe belbëzojnë se këtë nuk e lejon Evropa e Amerika, ashtu si belbëzonin të tmerruar se lufta e armatosur kundër Serbisë do të na e humb përkrahjen e Amerikës dhe Evropës, por që kurrë nuk pyesnin se ç‘na duhet respekti dhe miqësia e atyre që na duan vetëm nëse pranojmë të jetojmë të poshtëruar, robëruar e skllavëruar! Fundja, nuk të duhet miqësia dhe përkrahja e asnjë kombi e vendi për të qëndruar i robëruar dhe se të kërkosh ndihmë për të qëndruar i robëruar është marrëzi e shkuar marrëzisë. Vitet e luftës çlirimtare dëshmuan të kundërtën, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe forcat liridashëse, demokratike e përparimtare çmojnë dhe ndihmojnë popujt liridashës dhe vihen në anën e tyre dhe ju ndihmojnë në luftën çlirimtare sikur veproi edhe populli ynë shumë herë duke ndihmuar kombet e ndryshme në luftën e tyre për liri dhe pavarësi.
Duket se fuçinë e bashkimit e njohin të gjithë pushtuesit dhe nuk është e rastësishme strategjia e tyre “përçaj e sundo” por këtë nuk arrijnë ta kuptojnë dot mendje robëruarit, poltronët e servilët e të huajve. Kjo ndodhë, sepse mendje-robërit e tillë janë edukuar në frymën e vasalitetit e jo me frymën liridashëse dhe për pasojë nuk e durojnë dot jetën në liri! Nuk është për të u habitur me sojin e këtyre qenieve por me hapësirën që ju krijohet për të përhapur idetë e tyre, edukatën e tyre dhe histerinë kundër idesë së bashkimit të kombit shqiptar në një shtet të vetëm, ashtu sikur jetojnë vendet dhe kombet më të përparuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania e vende të tjera.
Kësaj kategorie të “analistëve” mendje robëruar do të ishte mirë të ju bëhej pyetja se a do të kishte kombi gjerman fuçinë që ka sot po të ishte i ndarë në pesë shtete dhe se a do të ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës superfuqi nëse do të ishin të ndarë në 52 shtete? Atyre që thonë se bashkimi i kombit shqiptar në një shtet të vetëm do të paraqiste rrezik shteteve të rajonit më së mirë ju është përgjigjur mendjendrituri, liridashësi dhe vizionari, Ukshin Hoti kur thoshte se nëse nuk paraqet rrezik bashkimi i kombit gjerman, i cili dekada më parë shkaktoj luftë botërore, pse na paraqitka rrezik bashkimi i kombit shqiptar, që nuk ka synime ekspansioniste!? Dhe për fund duhet shtuar se vendet fqinje nuk shqetësohen se bashkimi i kombit shqiptar do të pasohej me luftë ekspansioniste por se ato nuk do të munden më të ushtrojnë ndikimin e deritashëm në kombin shqiptar sepse Shqipëria natyrale do të ishte faktor vendimtar në Ballkan.
Asnjë popull dhe asnjë vend nuk do të donte të ketë për mik një popull të shkërmoqur, të poshtëruar, të përçarë e të defaktorizuar por një popull dhe shtet të zhvilluar e që luan rol dhe është faktor vendimtar në rajonin e tij.
Historia na ka mësuar shumë herë që faktorizimi vjen nga bashkimi e këtë nuk mund ta bëjë askush nëse nuk duam ne sikur që nuk mund ta ndaloj askush nëse duam ne. Edhe Hyji në librat e shenjt porositë: “Ne nuk e ndryshojmë gjendjen e një populli nëse ai nuk e ndryshon vetveten”. Por këtë porosi nuk mund ta kuptojnë miopët, injorantët, mendje-robërërit, puthadorët dhe soji i tyre që ndryshimet i presin nga të tjerët dhe jo nga vetvetja.
Derisa të lejojmë që politikën të na e bëjnë të tillët apo të ndikuarit nga mendësia e tillë, pritjet për ndryshime të mëdha pozitive dhe faktorizim maksimal të kombit shqiptar janë të kota. Është marrëzi të presësh bërjen e lirisë nga mercenarët, pacifistët, servilët, miopët e poltronët e të huajve.