Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: A kanë disa nga deputetët e Kuvendit njohuri për moral sa kanë disa gjimnazistë mesatarë!?

Ndonëse në shikim të parë, pyetja mund te duket cinike, nga ajo çfarë kanë bërë 10 vite disa deputet me gllabërim të parasë publike dhe me arsyetimet perfide të mëtejme, këto veprime bëjnë që të  parashtrohet kjo  pyetje.

Gjimnazistët mes tjerash marrin  edhe pak njohuri nga pikëpamjet e filozofit, Imanuel Kant.

Kur ai flet për moralin, na tregon për disa rregulla të arta që do të na bënin të jetojmë në mënyrë të moralshme. Një nga ato rregulla është edhe kjo:

Jeto sipas asaj rregulle ose parimi për të cilin do te dëshirojë të bëhet parim për çdo njeri!

Ja që këtë parim të Kantit e dinë çdo gjimnazist mesatar por ja që nuk na e paskan ditë deputetët e Kuvendit të Kosovës në krye të të cilit është një filozof dhe e dijë që e njehë mirë etiken kantiane!

Ama po duket që ta studiosh filozofinë nuk do të thotë që të ngulësh këmbë edhe ta zbatosh atë!!! S’besoj se ua ka ndaluar Kushtetuta e as miqtë tonë ndërkombëtarë qe ta ndryshojnë atë rregullore nga e cila krijon përfitime të paarsyeshme e të pamoralshme!!!

E kanë vrarë ndonjëherë mendjen këta deputetë grykës se çfarë do të bëhej me shtetin tonë e buxhetin e tij nëse parimi i tyre, në i thënçin parim – merr sa të mundesh më shumë nga buxheti i shtetit- do të bëhej norme për çdo qytetar të Kosovës!? Çka nëse çdo qytetar do të merrte nga shtetit aq sa marrin deputetët- kompensime për derivate, kompensime për telefon, kompensime për mëditje në komisione, kompensime për vizita jashtë shtetit, çmime më të lira për kafe, çmime më të lira për ushqim, llaptop dhuratë e shumë përfitime tjera,…. çfarë do të ndodhte me këtë vend!? Normal që do të bankrotonte!!!

Po ai gjesti që dhjetëra muaj përfiton qindra euro në muaj vetëm për shpenzime të udhëtimit dhe mandej kur kjo bëhet lajm dhe fal medieve merr dhenë- çfarë bëjnë këta deputetç hipokritë – që natën bëjnë atë që kritikojnë ditën!? Të ballafaquar me pakënaqësinë dhe kritika qytetare e mbase edhe nga votuesit e vet, dalin para medieve me pompozitet e me kokën lart dhe deklarojnë zëshëm se nuk do i marrin eurot e dy muajve të fundit! Mirë shumë por nëse nuk i keni merituar kompensimin e dy muajve të fundit, a do të  thotë se të dhjetëra muajve tjerë i kanë merituar dhe a duhet t i kthejnë ato!? Kjo mbetet të shihet sepse të gjithë e dimë që nëse nuk e kanë merituar kompensimin e dy muajve të fundit, nuk i kanë merituar as kompensimet prej mijëra eurove të dhjetëra muajve të tjerë!?

   Nuk përfundon krejt e keqja në mos kthimin e kompensimit të dhjetëra muajve të tjerë por nga sjellja e këtyre deputetëve zhvatës e kuptojmë se këta gllabërues të parasë publike as kompensimet e dy muajve të fundit nuk janë duke i kthyer në mënyrë të njerëzishme por janë duke i keqpërdorë sërish!!! A është e moralshme që me këto lekë që e pranojnë se nuk i meritojnë, të bëjnë auto reklamë për ta paraqitur veten si humanist duke i dhënë donacione për aktivitete humanitare!? A është e njerëzishme ta paraqitësh veten si bamirës me të holla për të cilat e pranon se nuk i ke merituar!? Populli ynë ka një këshillë të mirë për të na udhëzuar se si duhet t’bëjmë mirë e ajo këshillë na mëson se kur ndihmojmë, as dora e djathtë nuk duhet ta dijë se çfarë dha e majta dhe anasjelltas! Por ja që këta deputet nuk zbatojnë as moralin popullor ani pse kanë kërkuar vota për të qenë përfaqësues të vullnetit të tij!

Po si u bë që asnjë nga këta deputet nuk i kthej mjetet e dhjetëra muajve tjerë!? Nëse e kanë ndje se nuk i kanë merituar për këta dy muaj, a do te thotë se ata dhjetëra muajt tjerë i kanë merituar!?

Sipas logjikes se tyre të deritashme – Po!

Njerëzit me të këqinj janë ata qe mundohen me i la mëkatet me lot dhe me kërkim falje të shtirur! Të tillët vazhdojnë me vepra të liga dhe sa here iu publikohen ose ua thua ne sy – serish mjaftohen me kërkim falje dhe përlotje e vajtim!!!

Mbase mendimtari francez, Zhan Zhak Ruso, kishte të drejt kur shfaqte brengen se a është e mundur që në demokraci të realizohet vërtetë vullneti i popullit!?

Dhe këtë shqetësim të tij e argumentonte nëpërmjet kësaj pyetje që parashtron në librin e tij të famshëm ” Kontrata shoqërore ” ( Kontrata sociale ):

A është e mundur që vullneti i popullit të përfaqësohet dhe të mos tjetërsohet!?

Dhe këta deputet gllabërues te parasë publike na e dëshmuan se këta zotohen se do ta përfaqësojnë vullnetin e votuesve të tyre por mandej e tjetërsojnë këtë vullnet posa te ju jepet mundësia e parë – në vend se të angazhohen për mirëqenien e votuesve te tyre – sikur janë zotuar, këta angazhohen ekskluzivisht për mirëqenien personale, të familjes dhe farefisit të tyre!!

Këtë na e kane dëshmuar sa e sa herë, qoftë deputetë të tillë të pozitës apo ata të opozitës. Se a kanë moral apo jo këtë mund ta dimë nga reagimi kur takohen me qytetarët dhe votuesit e tyre!!!

Të shohim se si do të reagojnë, të skuqur e me kokën ul apo përkundrazi, krenar e me kokën lart!?

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …