Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: A mund të përmirësohet gjendja në arsim me idetë e atyre që e kanë sjellë këtu ku është!?

 U bë kohë e gjatë që jemi duke dëgjuar gjithologë, analista e sindikalista të gjithëdijshëm teksa vajtojnë e me përvuajtje konstatojnë se arsimi është në gjendje të mjerueshme. I madh e i vogël, burra e gra, pozitë e opozitë, mësimdhënës, nxënës e prind deklarojnë me dhembshuri e protestë se gjendja në arsim është aq e keqe sa s’ka ku shkon më keq! Gjithashtu ka afër 20 vite që kryeministra, ministra të arsimit e depuetet, i kemi dëgjuar të gjithë duke thënë: arsimi është prioritet! Mirë shumë por nëse diçka është me të vërtetë prioritet për 20 vjet, a do të kishte nevojë për të qenë prioritet për kaq vjet!? Po nëse të gjithëve do të na dhimbtë në shpirt gjendja në arsim, ashtu sikur paraqitemi, sidomos para medieve, a do të ishte arsimi në këtë gjendje!? Nuk e besoj por arsimi është këtu ku është sepse nuk besoj se me mendje e zemër e kemi pas ndonjëherë arsimin prioritet! Askush, pavarësisht se të gjithë kemi shfaqur para tjerëve brengosje e shqetësim për gjendjen jo të mirë në këtë fushë shumë të rëndësishme. Fundja e fundit, po të ishim njëmend të brengosur e të shqetësuar, sikur hiqemi para të tjerëve, a do të ishte arsimi këtu ku është!? Nuk e besoj. Nuk do të thotë se në Kosovë nuk ka asnjë njeri që e do arsimin dhe edukimin me mendje e zemër por janë pak dhe për pasojë edhe efektet janë të vogla.

   Nuk pajtohem aspak me ata që besojnë se fajtor është vetëm faktori mësimdhënës sepse konsideroj se janë shumtë faktorët që kanë ndikuar në tatëpjetën e arsimit dhe nuk mjafton një shkrim për t’i listuar të gjithë por disa mund të përmendën.

  Së pari, është folur gjerë e gjatë për nevojën për reformimin e arsimit në Kosovë. Dhe këtu jemi pajtuar të gjithë por nuk mjafton vetëm konstatimi për ta ndryshuar gjendjen por edhe veprimi. Dhe kur kujton veprimet e ndërmarra dhe akterët që qëndrojnë mbrapa tyre, nuk ka se si të mos vijnë në mendje një varg i pyetjeve:

     A mund të bëjnë reforma në arsim njerëzit e pareformuar!? Ose pyetja tjetër: A mund të kenë rezultate të duhura trajnimet e bëra në arsim nga njerëzit jo kompetent!? E ka raste që student të moshës 20 vjeçare ju mbajnë trajnime mësimdhënësve me një përvojë punë prej 30 e 40 vjeçare!!! Ose a mund ta përmirësojmë gjendjen në arsim me ide të kuadrove të cilat nuk i qëndrojnë dot as kritikës së një gjimnazisti mesatar!? Dhe çka është më e keqja, kur ndonjë ekspert që hiqet ekspert e shkuar ekspertit e ballafaqon me ide absurde që kanë dhënë me i realizuar, kur e sheh se nuk ia bën më dot avokatin idesë për të cilën fol me pasion, fillon të argumentoj në stilin: Epo kështu na kanë thënë miqtë ndërkombëtar!? Dhe nëse i thua: po si mund të jetë mik ndërkombëtar dikush që të jep ide të cilat e dëmtojnë rënd arsimin!?, kalon në absurditet edhe më të madh: shumë po filozofon ti, duke shtuar më tutje: dikujt duhet me i besu. (!)

   Janë të shumta absurditetet që e shoqërojnë arsimin, absurditete që nuk kapërdihen dot. Një nga to është edhe mënyra e vlerësimit!

   Këta reformuesit e arsimit tonë, kanë paraparë që vlerësimi i nxënësve të bëhet në tri perioda. Për ta kuptuar më lehtë se sa absurde është kjo, po analizojmë vetëm vlerësimin e maturantëve. Perioda e parë, përfshin vlerësimin e njohurive të nxënësve për një hark kohorë prej katër muajve ndërsa perioda e tretë afër një muaj. Dhe këta reformatorët e arsimit, notën që merr nxënësi për njohurit mësimore që mësohen për katër muaj e kanë baras vlerësuar me notën që merr nxënësi për njohurit që merr për rreth një muaj!? Pra një nxënës që nuk merr notë pozitive në periodën e parë e as në të dytën ndërsa në periodën e tretë merr notën 3, është i barabartë me një nxënës që në të tria periodat merr notën 2!!! Dhe mandej nxënësi mund të rezonoj kështu: pse të mësoj shtatë muaj me radhë për një notë 2 kur mund të mësoj vetëm një muaj për një notë 3 dhe mandej barazohem me një nxënës që është angazhuar për afër 7 muaj me radhë për një notë pozitive, 2!? Se kjo mënyrë e vlerësimit është absurde, demotivuese dhe jo objektive, e kupton edhe një gjimnazist mesatar por ja që këtë mënyrë të vlerësimit e kanë paraparë dhe miratuar reformatorët tanë dhe është kaluar në heshtje nga të gjithë. E nëse e shfaq këtë shqetësim në ndonjë trajnim apo seminar, ekspertët tonë të mëdhenj ta “mbyllin” gojën duke theksuar: Kështu miqtë tanë ndërkombëtar na kanë thënë!!!

   Por absurditetet nuk përfundojnë këtu! Ka kohë që nëpër shkolla të Kosovës ka zyrtar për cilësi në arsim. Dhe në dukje, kjo është shumë mirë pasi nga emërtimi krijohet përshtypja se kemi t’bëjmë me kuadro që janë të përgatitura për rritjen e cilësisë në arsim. Mirë shumë por përse në këto pozita të mos jenë pedagogët por mësimdhënës të fushave tjera dhe që ndërrohen çdo tri katër vjet. Mandej nëse ka ndonjë kriter se të çfarë fushave janë këto kuadro, si u bë që me një shkollë zyrtar për cilësi në arsim janë të një fushe tjetër, në shkollën tjetër, të një fushe krejt tjetër, dhe vështirë t’i gjesh dy zyrtar të tillë që kanë të njëjtin fakultet! Dhe kur kujton të gjitha këto, normal se të vjen pyetja: a ma kompetent për pozitën e zyrtarit për cilësi në arsim mund të jetë një pedagog mesatar apo një kuadër mesatar i një fushe tjetër!? Sipas reformatorëve të mëdhenj të arsimit tonë i bije që çdo kush që kryen një fakultet, është edhe pedagog prandaj s’kemi nevojë për praninë e tyre nëpër shkolla hiq!!!

   Një fakt tjetër shqetësues është edhe heqja e orës së kujdestarisë!? Kur kujton këtë, nuk ka se si të mos vije në mendje pyetja: Një mësimdhënës që është kujdestar, a mund te realizoj 100 % plan programin në klasën e tij!? E themi këtë sepse çdo javë ai do të humb rreth gjysmë ore mësimore duke u marrë me probleme ose çështje që kanë të bëjnë me detyrat e kujdestarisë. Dhe normalisht se çdo mësimdhënës është para dilemës: Ta bëjë kujdestarin e mirë apo mësimdhënësin e mirë!? Por ja super ekspertët tonë nuk kanë kohë të merren me vogëlsira të tilla, sikur janë orët e kujdestarisë. Kanë punë më të mëdha ata se sa hallet e nxënësve dhe kujdestarëve të tyre. Këto janë vogëlsira për kokat e tyre të mëdha.

   Por çka është më e keqja kur analizon njeriu se kush diskuton sot për arsim!? Janë të shumta lajmet që tregojnë se si mësimdhënësit gjatë fushatave zgjedhore braktisin orët e mësimet dhe angazhohen me mish e shpirt që të fitoj partia së cilës i përkasin. Mandej të njëjtit mbajnë fjalime të zjarrta nëpër fushata për përmirësimin e gjendjes në arsim, punë e madhe që derisa ata mbajnë fjalime nëpër sheshe, teatro e qytete, nxënësit shëtisin korridoreve të shkollës për shkak të mungesës së mësimdhënësit që bën fushatë për parti! Dhe kulmi i absurditetit është kur prind e këtyre nxënësve ju duartrokasin fjalimeve të këtyre mësimdhënësve, në ju thënçin mësimdhënës, kah flasin me dhembshuri e zjarr për arsim!!!

     Jo rrallë herë kemi dëgjuar edhe diskutimet për vlerësimin e mësimdhënësve, diskutim në të cilin pjesëmarrësit janë të ndarë në pro dhe kontra kësaj ideje.

   Idenë për vlerësimin e mësimdhënësve zakonisht e mbështesin ata që mendojnë se fajtor i vetëm për gjendjen e keqe në arsim janë arsimtarët ndërsa kundër kësaj ideje janë drejtuesit e Sindikatës së Bashkuar për Arsim. Shkencë dhe Kulturë.

   Ja po e marrim se u mbajt vlerësimi dhe nga analizimi i të dhënave, rezulton se fajtor për prapambetjen e nxënësve në mësim janë arsimtarët. Por si t’i përgjigjemi pyetjes tjetër: a kanë këtu hise edhe mësimdhënësit dhe trajnerët e arsimtarëve!? A duhet edhe ata t’i nënshtrohen testit vlerësues dhe kush duhet ta bëjë këtë!? Ata edhe mund të përgjigjen: Epo ne i kemi ofruar njohurit dhe nuk ju kemi faj studentëve që nuk i kanë zotëruar ato mësime ama këtë argumentim mandej nuk mund t’ua mohojmë arsimtarëve.

   Dhe për fund. Jo rrallë herë na ka rastisë që nëpër debate, po ata që trajtojnë çështje të politikës, shëndetësisë, ekonomisë, të merren edhe me çështje të arsimit! Dhe këtyre gjithologëve tonë ju dalin përball dy gjithologët e SBASHK-ut!, që për çdo çështje të arsimit, nga rreth 25 mijë mësimdhënës, nuk ka asnjë tjetër që din sa këta dy! Mbase edhe janë tejet të zgjuar sepse kanë kryer shumë trajnime dhe jo do ku do por nga ato që duhet të jesh i denjë për të marr pjesë në to sepse ato nuk mbahen do ku do por në Durrës, në hotel “Bonita”. Ndokush mund të mendoj se kanë kryer pak trajnime ama e ka gabim. Para pak viteve, vetëm gjatë një harku kohor për rreth një muaj, tri herë i kam takuar krye sindikalistët duke kryer trajnime në këtë hotel, gjatë sezonës verore kur nata për një person kushtonte afër 30 euro.

   Po a ka zgjidhje arsimi, a ka ndonjë shtegdalje nga gjendja ku jemi katandisur!?

Ka zgjidhje por atë çdo kush duhet ta kërkoj te vetvetja! Mësimdhënësi të reflektoj a ishte në nivel të detyrës dhe t’i nxis e inkurajoj nxënësit që çdo vërejtje që kanë për te, ta paraqesin te kujdestari apo drejtori. Edhe prindërit ta bëjnë të njëjtën gjë – të mos ankohen e mallkojnë 24 orë të tjerët e vet të mos bëjnë asgjë për fëmijët e tyre por t’ lënë anash sportin në tv e serialet e të lexojnë dhe të bëhen shembull për fëmijët. E sa për trajnime e inspektor, përgjigjja më e mirë mund të jetë një tregim që e kam dëgjuar vite më parë. Tregohet se inspektorët e arsimit shkojnë për ta inspektuar një mësues në një zonë të thellë malore. Ndonëse nuk kishte trajnime të shumta e as tituj akademik, mësuesi mahnit inspektorët me mënyrën e tij të shpjegimit. Pasi dalin nga ora, inspektorët e mësimit e ndalojnë këtë mësues dhe e pyesin: do na tregosh se ku je mësuar të japësh kaq mirë mësim. Në çfarë metoda, teknika e literaturë je bazuar!?

   Në ato që i kemi lexuar krejt, edhe unë e edhe ju!, ua kthen mësuesi me habi.

Jo jo, kjo nuk është e mundur assesi sepse ora jote mësimore ishte për mrekulli por po shihet se ti ke përdor diçka por nuk po e ndan me ne!

  Ah, po, tani mu kujtua. Është e vërtetë që unë përdor diçka ama ja që  jo me ju por nuk mund ta ndaj me askënd. Unë e përdori metodën e mendjes dhe zemrës.

  Pse, përse është fjala, na e shpjego edhe pak- e nxisin inspektorët.

Po, inspektor të nderuar. Unë kam 1 mijë e 100 halle derisa hyjë në shkollë ama posa e marr ditarin, me krejt mendjen dhe zemrën time nisem për në orë!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …