Luftëtari i Shqipërisë Etnike, Kadri Beba u lind në vitin 1878 në lagjen Graiçevci të fshatit Ribar i Madh afër Lypjanit. Në kohën e Mbretërisë serbe, kroate, sllovene ka qenë i përndjekur familjarisht nga regjimi. Në vitin 1937 është dënuar për aktivitete kundër regjimit dhe në vuajtje të dënimit është dërguar në Pozhegë të Uzhicës, në Serbi. Në pranverë të viti 1941 ka përkrahur depërtimin e forcave italo-shqiptare në Kosovë dhe në viset shqiptare, të cilat nga vitit 1918 i kishte mbajtur nën pushtim Jugosllavia monarkike. Ilaz Agushi, ministër i Kosovës në Qeverinë e Tiranës, e kishte emëruar kryetar të komunës së Lypjanit. Gjatë periudhës prej vitit 1941 e deri në fillim të fund të vitit 1944 ka mbajtur kontakte me krerët më të lartë të kohës. Ka kontribuar në dërgimin e forcave vullnetare për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë Etnike, sidomos në Frontin e Prapashticës ku kishte caktuar, kushëririn e tij Salih Rexha komandant të njësive të rrethit të Lypjanit. Në vitin 1944 ishte në radhët e Nacional-demokratikes shqiptare, së bashku me Ajet Gërgurin, Gjon Serreçin, Arif Shalën, Ibrahim Lutfiun, Azem Jashanicën, e shumë të tjerë. Ka marrë pjesë në Kongresin e Lypovicës më 25 korrik të vitit 1946, dhe në luftimet në Hoqë të Prizrenit më 8 gusht. Duke qenë se forcat partizane komuniste ia mbanin në burg të gjithë meshkujt e familjes, duke e kushtëzuar me dorëzimin e tij, ai pranon të sakrifikohet për familjen dhe arrestohet në prill të vitit 1947. Më 26 dhjetor të atij viti Gjykata Supreme e Serbisë mori vendimin definitiv për pushkatimin e Kadri Bebë Ribarit. Dënohet me vdekje pushkatim si kundërshtar i regjimit komunist jugosllav dhe ishte ekzekutuar në lagjen Taukbahqe të Prishtinës, vend i cili më vonë u quajt “Strelishte” vend-pushkatim. Nuk janë gjetur eshtrat as i dihet varri.
Janë të rralla personalitetet që gjatë gjithë jetës janë angazhuar për komb e vatan, duke mos kursyer as djersën, as gjakun, as familjen e as jetën, deri në frymën e fundit, e cila ju ndërpre nga plumbat vrastar, pas torturave çnjerëzore në burgjet e regjimeve pushtuese, sikur ishte ai titist –rankoviqist.
Një ndër këto personalitete, lirisht mund të themi se është edhe Kadri Beba. I lindur në fshatin Ribar i Madh, gjatë viteve të rezistencës së armatosur për çlirim dhe bashkim kombëtar, në vitin 1878. I brumosur në një ambient familjare ku kultivohej dashuria për komb e atdhe, ai angazhohet në aktivitete sfiduese ndaj Mbretërisë Serbo – Kroato – Sllovene, me djalin e axhës së tij, Sali Rexha, që njëri tjetrin gjithmonë e quanin, vëlla. Të motivuar nga edukata familjare dhe i mllefosur dhe revoltuar nga tregimet e të shpërngulurve nga Kosova lindore, së bashku me djalin e axhës, Sali Rexha, kujdesen që bashkëkombësit e tyre të dëbuar dhunshëm nga Kosova Lindore, të vendosen e rehabilitohen në territorin afër Ribarit të Madh, që tani quhet Ribar i Vogël. Për shkak të pjesëmarrjes në aktivitetet që kishin për qëllim sfidimin e Mbretërisë Serbo – Kroato – Sllovene, gjatë kohës kur Kosova qëndronte e sunduar nga kjo mbretëri, pas përndjekjes së tij nga xhandarmëria e kohës dhe keqtrajtimit të familjarëve, për ta kursyer familjen nga represaliet e mëtejme, ai pranon të ballafaqohet i paarmatosur me regjimin dhe dënohet me burg ndërsa kushëriri i tij, Sali Rexha vazhdon jetën, herë gjysmë ilegale e herë në ilegalitet të plotë, deri në rënien në prit në pabesi dhe vrasjen në rrethana misterioze, së bashku me djalin e tij, Rexhep Sali Rexha, më 24 dhjetor, të vitit 1949.
Pushteti i mbretërisë serbo – kroato – sllovene, nuk ishte mjaftuar vetëm me burgosjen e Kadri Bebës dhe përndjekjen e Sali Rexhes por kishte konfiskuar një pronë të tyre prej dhjetëra hektarë tokë ( mal, ara e livadhe ) dhe në to kishte vendosur kolonë malazezë. Ishin vitet kur Akademia Serbe e Shkencave kishte filluar ta realizoj projektin e saj të radhës e cila parashihte konfiskimin e pasurive të familjeve të mëdha e të pasura shqiptare dhe të shquara për rezistencë të armatosur me qëllim që të tillat ta lëshonin Kosovën dhe që të mos kishte rezistencë gjatë kolonizimit të Kosovës me serb e malazez.
Pas daljes nga burgu, Kadri Beba me ndihmën e djalit të axhës, Sali Rexha, rivendos lidhjet me grupet e rezistencës së armatosur, sikur ishte kryetrimi i Drenicës, Azem Bejt Galica, kryetrimi i Reçakut, Ilaz Reçaku dhe liridashës të tjerë me të cilët bashkërendojnë aktivitetet. Ndërkohë, angazhohet edhe në aksionin për faljen e gjaqeve pasi me kohë kishte vërejtur se ishte kjo një plagë e rëndë e kombit dhe vatanit, mos shërimi i së cilës do të shkaktonte shumë vështirësi në organizmin e luftës së armatosur. Krahas këtyre angazhimeve, ai kishte kultivuar në familje traditën e punës me përkushtim dhe seriozitet të jashtëzakonshëm. Kjo kishte bërë që në dy familjet që numëronin afër 80 anëtarë, të mbizotërojë rregulli, puna e disiplina dhe fal këtyre, Kadri Beba e Sali Rexha, ia dalin që të krijojnë një pasuri tejet të madhe për kohën. Ndërkohë, nga kolonët serb e malazez, i blejnë pronat e tyre, që ua kishte konfiskuar pushteti anti shqiptar i mbretërisë serbo – kroato – sllovene. Krahas posedimit të dhjetëra hektarëve ara, male e livadhe, Kadri Beba e Sali Rexha ia kishin dal të ndërtojnë dy kulla të mëdha, të cilat posedonin nga një odë, ku zjarri nuk shuhej kurrë dhe nga një ahur të posaçëm për kafshët e mysafirëve që ia mësynin kullave të tyre, kohë e pa kohë, qoftë për strehim gjatë rrugëtimit, për ndonjë ndihmë apo pleqnim të ndonjë ngatërrese apo vrasje.
Angazhimi i tyre i shumë anshëm, pjesëmarrja në luftë të armatosur, burgosja, mikë pritja, besa e bujaria, angazhimi në aksionin për faljen e gjaqeve dhe shuarjen e ngatërresave por edhe në shpërndarjen e literaturës së pakt në gjuhën shqipe për kohën, kishte bërë që kontributi i tyre të shihej me admirim nga patriot të kohës. Me të kapitulluar të mbretërisë serbo –kroato – sllovene gjatë Luftës së Dytë Botërore, atdhetarë dhe nacionalistët shqiptarë kërkojnë nga Kadri Beba që të bëhet kryetar i Komunës së Lypjanit ndërsa nga djali i axhës së tij, Sali Rexha, komandant i njësive vullnetare. Familjarët tregojnë se fillimisht, të dytë e marrin me rezervë këtë ofertë pasi konsideronin se iku një pushtues e erdhi një tjetër por pasi e sheshojnë dhe analizojnë mirë e mirë gjendjen në të cilën gjendej populli shqiptar, pranojnë detyrën pasi me të drejtë vlerësojnë se për shqiptarët ishin krijuar rrethana tejet të favorshme për faktorizim, fuqizim dhe bashkim kombëtar. Me ta marr detyrën, Kadri Beba e Sali Rexha fillojnë të bashkëpunojnë me atdhetar të dëshmuar dhe taban liridashës e kombëtar dhe që kishin qëndruar vertikalisht gjatë gjithë kohës, pavarësisht sfidave me të cilat ishin ballafaquar gjatë mbretërisë serbo – kroato – sllovene. Që Kadri Beba e Sali Rexha kishin piketuar tej mase mirë bashkëpunëtorët e tyre, dëshmohet gjatë e pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sepse të gjithë ata ishin dënuar me dënime kapitale – dënim me vdekje – pushkatim ose dënim të rëndë me 10, 15 e 20 vite burg si armiq të Jugosllavisë.
Vrasjet dhe dhunimet në Blinajë dhe luftimet kundër partizanëve në këtë kompleks malor
Pak vite pasi Kadri Beba e Sali Rexha marrin detyrën ta drejtojnë komunën e Lypjanit, i pari në detyrën e kryetarit ndërsa i dyti në detyrën e komandantit të vullnetarëve shqiptar, blloku antifashist fiton terren dhe kjo ishte reflektuar edhe në zvogëlimin e pranisë së forcave gjermane e italiane në Kosovë. Reduktimi i tyre ishte pasur me shtimin e aradhave partizane e çetave çetnike të cilat tinëzisht ndërmerrnin inkursione terroriste kundër popullatës shqiptare. Akte të tilla barbare ishin realizuar edhe në kompleksin e Blinajës, duke vrarë e therur barbarisht, të rinj e të reja, burra e gra, pleq e fëmijë. Kulmi i zemëratës ishte shkaktuar nga vrasja e disa anëtarëve të një familjeje nga Dobraja e Madhe dhe shenjat e dhunës barbare në trupin e pajetë të një vajze rreth moshës 10-vjeçare. Ky akt barbar, kishte nxitur dëshirat për hakmarrja të popullatës kundër kriminelëve që po vrisnin e dhunonin shqiptar të paarmatosur gjatë kalimit të tyre nëpër kompleksin pyjor Blinaja. Kjo kishte bërë që të bëheshin vëzhgime e kontrolle nga forcat vullnetare shqiptare nëpër hyrje daljet e kompleksin Blinaja me qëllim që të identifikoheshin gjurmët e krimineleve shqiptar vrasës. Pas disa përpjekjeve, gjurmët e tyre i identifikon, Rifat Rexha ( vëllau i Sali Rexhës ) me disa bashkë vendas të Ribarit të Madh por me të kuptuar se janë identifikuar, grupi i partizanëve prej 12 anëtarëve, vrasin Rifat Rexhen për ta pamundësuar identifikimin e vend ndodhjes së tyre por lajmi përhapet me furi se në Blinajë është vrarë, Rifati, vëllai i Sali Rexhës. I rryer nëpër sfida e prita dhe përvoja shumë vjeçare në rezistencë të armatosur, si dhe njohja tepër e mirë e kompleksit pyjor të Blinajës, ku kishte jetuar shumë vite gjatë jetës në ilegalitet të thellë, bëjnë që Sali Rexha shumë shpejt ta identifikojë vend ndodhjen e partizaneve. Me të lokalizuar të vendndodhjes së tyre, ai vendos me një shpejtësi të jashtëzakonshme vullnetarët e tij rreth e qark këtij grupi shqiptar vrasës, mandej shtrëngon më shumë rrethimin duke zvogëluar hapësirën manovruese të tyre, që duket se kishte realizuar edhe shumë vrasje tjera paraprake. Kjo bën që ata të dorëzohen dhe fillojnë diskutimet se si të veprohet me këta partizanë të dorëzuar për të cilët besohej se janë autor të vrasjeve të shumta të mistershme në Blinajë. Derisa diskutohet dhe jepen ide që ky grup i partizanëve t’i dorëzohet Banush Sedllarit, pasi grupi ishte zënë në territorin që binte nën administrimin e Shalës ( ish Sedllarit ), familjar të shumë shqiptarëve të martirizuar dhe miq të Rifat Rexhës, të mllefosur nga vrasja e më të dashurve të tyre, zbrazin mllefin e tyre dhe vrasin të 12 partizanët.
Shtimi i aradheve partizane kishte bërë që të ketë sërish mësymje të madhe të çetave çetnike në njërën anë dhe partizanëve në anën tjetër kundër popullit shqiptar jashtë Shqipërisë londineze. Kadri Beba dhe Sali Rexha, sërish drejtohen drejt fronteve të luftës në Kosovën lindore dhe përgjatë kufirit në fshatin Prapashticë, ku shquhen për zhdërvjelltësinë e tyre në luftime si dhe në trimëri e guxim. Bashkëluftëtarët e tyre tregojnë se nga lufta shumë vjeçare, ata kishin mësuar se zakonisht hapja e hendeqeve bëhej pranë lisave të mëdhenj. Duke u nisur nga ky fakt, me qëllim të befasimit të armikut, Kadri Beba e Sali Rexha urdhërojnë që hapja e hendeqeve krahas lisave të mëdhenj të bëhet edhe në lëndina por të kamuflohen që të mos vërehen. Ata kishin urdhëruar që një pjesë e ushtarëve, ata që nuk kishin shumë përvojë në luftime ose që ishin djem dëshiri, të vendoseshin në trashet pranë lisave dhe pas disa goditjeve me armë, të simulojnë sikur janë thyer dhe po ikin mbrapa në panik, ndërsa ushtarët nëpër trashet e pavërejtshme nga distanca, të mos reagojnë derisa aradhat partizane të ofroheshin shumë afër tyre dhe të mos mund të shpëtonin nga rrezja e armëve të forcave liridashëse shqiptare. Kjo strategji kishte dhënë efekte të jashtëzakonshme duke rritur moralin e forcave shqiptare në njërën anë dhe duke ulur moralin e forcave shqiptar vrasëse në anën tjetër. Ishte kjo strategji që kishte thyer keqas shumë herë mësymjet e aradheve partizane, ndonëse kishin epërsi të dukshme si në numër ashtu edhe në teknikë luftarake e municion. Krahas angazhimeve në luftime të drejtpërdrejta, Kadri Beba e Sali Rexha kishin paralajmëruar se nëse nuk luftohet sot me vetmohim në kufirin e Kosovës Lindore, nesër do të jemi të detyruar të luftojmë te pragu i shtëpive tona, në brendi të Kosovës, profeci e vërtetuar gjysmë shekulli më vonë, gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Me të kapitulluar të Gjermanisë dhe fuqizimit të regjimit të titist – rankoviqist, vrasja 1 12 partizanëve në Blinajë, iu atribuohet Kadri Bebës dhe Sali Rexhës, dhe tani mbi ta, përveç organizimit të rezistencës së armatosur, rëndon edhe vrasja e 12 partizanëve, ndonëse i pari as që ishte në vendin e ngjarjes ndërsa i dyti nuk godiste e as vriste njerëzit duarlidhur. Vitet kalojnë e luftimet bëhen gjithnjë e më të pabarabarta. Luftëtarët e lirisë përveç që kishin përball numrin gjithnjë e më të madh të partizanëve e bashkëpunëtorëve të tyre, tani po përballeshin edhe me shërbimin sekret OZN-na të cilit ia kishin shitur shpirtin edhe disa shqipfolës. Por pavarësisht sfidave gjithnjë e në rritje, dimrave të ashpër, gjurmimit këmba këmbës nëpër malet anekënd Kosovës, Kadri Beba e Sali Rexha, nuk jepen por vazhdojnë të forcojnë lidhjet e bashkëpunim me bashkëluftëtar e idealist të paepur, Ajet Gërgurin e Gjon Serreçin, Adem Gllavicën e Sadri Duhlen ( Sadri Qatani ), Azem Jashanicën e Osman Bunjakun, Azem Oranën e Hoxhë Avdinë ( Arif Shalën ) e qindra e mijëra bashkëluftëtar e bashkëveprimtar të tjerë që kishin vënë gjithçka në shërbim të kombit e atdheut dhe po luftonin për ta mbajtur gjallë zjarrin e lirisë deri në frymën e fundit.
Nën rrethana tejet të vështira, në njërën anë sulmeve të pareshtura nga aradhet partizane e në anën tjetër, shërbimit sekret të njohur si OZN-a, e cila sa vinte e rekrutonte sa më shumë spiunë në mesin e tyre edhe shqipfolës, Kadri Beba dhe Sali Rexha, marrin përsipër një pjesë të konsiderueshme të barrës për ta organizuar dhe mbajtur një takim të përbashkët të të gjitha grupeve që po zhvillonin rezistencë të armatosur anekënd trojeve të pushtuara nga Jugosllavia. Ndërkohë, edhe këta nuk kishin qëndruar duarkryq por nga bashkëpunëtor të shumtë, merrnin informtata dhe të dhëna për t’i përcjellë lëvizjet e aradheve partizane dhe të argatëve shqipfolës të OZN-ës dhe të njoftoheshin paraprakisht për planet e tyre. Kjo kishte dhënë rezultate të jashtëzakonshme, sidomos shmangies së ballafaqimit me forcat partizane nëpër vendbanime shqiptare dhe ballafaqimit me ta nëpër male e bjeshkë ku mund të luftohej pa frikën se do të pësojnë civilë shqiptar nga hakmarrja e partizanëve të Titos e Rankoviqit. Në mesin e atyre që njoftonin forcat liridashëse për lëvizjet dhe planet e aradheve partizane ishte Arif Shala, i njohur në popull si Hoxhë Avdia. Ai ka kontributin më të madh për dezinformimin e shërbimit sekret serb. Ai kishte dezinforumuar OZN-na dhe partizanët se anëtarët dhe drejtuesit e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare kanë planifikuar që kah fundi i korrikut ta mbajnë një Kuvend në malet e Kozmaqit, ndonëse vendimi ishte marr që ky kuvend të mbahej në Blinajë ( ish- Lipovicë ). Plani i dezinformimit kishte funksionuar dhe dhënë rezultate të jashtëzakonshme pasi forcat të shumta partizane dhe bashkëpunëtor të OZN-ës ishin koncentruar rreth e përqark Kozmaqit dhe rrugëve e rrugicave që dërgonin atje ndërkohë që në Blinajë kishin filluar të vinin delegacione e grupe të shumta të armatosura për të marr pjesë në Kongresin e Blinajës. Kongresi kishte zhvilluar punimet nën vëzhgim të rreptë dhe kontroll rigoroze nga luftëtar të sprovuar të NDSH, nën organizimin e Sali Rexhes dhe Osman Bunjakut, të cilët në të gjitha hyrjet daljet e rrugëve të këtij kompleksi kishin vendosur ushtar të sprovuar e të dëshmuar për besnikëri e sy çelësi. Më 25 korrik të vitit 1946, mbahet Kuvendi i Blinajës i njohur në kujtesën popullore me emërtimin “Kongresi i Lipovicës” ku morën pjesë qindra delegatë nga grupe anekënd Kosovës dhe analizojnë gjendjen aktuale në Kosovës dhe vendimet që duhet marrë, duke marrë parasysh situatën e krijuar dhe rrethanat e reja.