Fatmir Graiçevci: Bota nuk është e keqe nga fuqia e njerëzve të këqij, por nga mos reagimi me kohë i njerëzve të mirë

Bota nuk është e keqe për shkak të fuqisë së njerëzve të këqij por për shkak të mos reagimit me kohë ndaj tyre nga njerëzit e mirë. Ky mbase mund të jetë redaktimi më i mirë i shkrimit të pastorit, Martin Nimeller, në të cilin ai paraqiti pikëpamjen e tij se si erdhi deri te fuqizimi i nazizmit. Duke shfaqur mendimet e tij se çka bëri të mundur pushtimin e shoqërisë nga nazizmi, ai në mes tjerash shprehet: Në Gjermani nazistët së pari u nisën kundër komunistëve dhe unë heshta sepse nuk isha komunist. Pastaj ata u sulën kundër hebrenjve dhe unë përsëri heshta sepse nuk isha hebre. Pas tyre, nazistët u sulën kundër sindikalistëve dhe unë heshta sërish sepse nuk isha sindikalist. Mandej kundër katolikëve por unë heshta sepse isha protestant. Pastaj kundër meje por deri atëherë askush nuk kishte mbetur për të protestuar për mua.


 


Konsideroj se ata që duhet me së shumti të reflektojnë mbi këtë shkrim të pastorit, Martin Numeller, janë të obsesionuarit tonë pas karriges. Këta, alfa dhe omega e të cilëve është pushteti, duhet të reflektojnë njëherë e mirë se kujt duhet t’i adresohen kur flasin për pastërtinë e luftës çlirimtare. Këta që dërdëllisin e belbëzojnë para zyrtarëve dhe drejtuesve të misioneve të dështuara ndërkombëtare nuk duhet t’i adresohen qytetarëve liridashës të Kosovës dhe t’iu flasin atyre për pastërtinë e luftës çlirimtare, por të dëshmojnë se nuk do të qëndrojnë më indiferent ndaj përpjekjeve të pandërprera për kriminalizimin e saj. Mosreagimi me kohë, mosreagimi adekuat, i fuqishëm dhe i mirë organizuar ndaj përpjekjeve të vazhdueshme për damkosjen e luftës së pastër të UÇK-së po bënë që aksionet për kriminalizimin e saj të vazhdojnë tani e 14 vite ashtu sikur bëri e po bënë edhe Serbia, që nga koha kur drejtohej nga kryekrimineli i Ballkan, Sllobodan Millosheviqi. Fushatat e shumta të cilat me apo pa vetëdija janë ndihmuar edhe nga disa medie dhe gazetarë shqiptarë kanë bërë dhe po bëjnë që vërteta e luftës për çlirim të mbulohet me të pavërteta, njollosje dhe shpifje të përgatitura nga Beogradi zyrtar.


 


Nëse analizojmë propagandën kundër frymëzuesve, projektuesve dhe drejtuesve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, eprorëve e ushtarëve të saj dhe numrin e arrestimit të tyre, shqiptimet e dënimeve dhe paralajmërimet për dhjetëra arrestime të tjera, krijohet përshtypja se populli i Kosovës ka qenë viktimë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e jo viktimë e ushtrisë dhe policisë së Serbisë. Askush nuk e vë në pikëpyetje se krijimi i një perceptimi të tillë të luftës në Kosovë është i gabuar dhe i shërben Serbisë dhe shërbëtorëve të saj, por janë me mijëra pikëpyetje se a kemi bërë sa duhet për të afirmuar luftën tonë çlirimtare dhe ndriçimin e krimeve monstruoze që ka bërë ushtria dhe policia e Serbisë kundër popullit shqiptar!!!???


 


   Për fat të keq ne sikur jemi mjaftuar me afirmimin brenda opinionin shqiptar të luftës çlirimtare dhe jemi treguar moskokëçarës për perceptimin e gabuar që është ndërtuar për këtë luftë nga medie, OJQ të ndryshme, organizata, misione dhe gazetarë të caktuar. Dhe më e keqja është se ky opinion i gabuar po përforcohet edhe më tutje me arrestimet që po bëhen ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po arrestohen dhe burgosen me pretekst të krimeve të luftës ndërsa ata që vranë, masakruan, dhunuan mijëra dhjetëra mijëra shqiptarë përfshirë gra, pleq, vajza e fëmijë shëtisin lirshëm nëpër Serbi ku trajtohen si heronj të luftës.


 


Por më e keqja është se pjesa dërmuese e klasës politike të Kosovës më shumë preokupohet se çfarë marrëdhënie do të krijojë me drejtues të misioneve të dështuara ndërkombëtare dhe drejtues të tyre se sa si të krijoj marrëdhënie më të mira me qytetarin e Kosovës. Kjo ka bërë që ata më shumë t’ia keni frikën drejtuesve të këtyre misioneve ndërkombëtare dhe t’iu japin atyre përgjegjësi se sa qytetarëve të tyre, votat e të cilëve e kanë rritur peshën e tyre para faktorit ndërkombëtar. Kjo mbase shpjegon më së miri marrëzinë e tyre kur provojnë t’i bindin qytetarët se arrestimet, burgosjet dhe dënimet e qindra pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantëve të zonave të luftës të dalluara për qëndresë kundër forcave vrastare serbe nuk është fushatë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por kundër individëve të caktuar. Kjo thjesht është një demagogji ose shembulli tipik për të kuptuar fjalën demagogji, sepse  e dinë shumë mirë se asnjë popull nuk qëndron indiferent kur sulmohen dhe cenohen vlerat e tij më të larta sikur është për popullin shqiptar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Që nga përfundimi i luftës çlirimtare e deri më tani po thuaja se janë arrestuar e dënuar të gjithë komandantët e zonave të luftës, janë arrestuar e dënuar me dhjetëra eprorë të shquar, janë arrestuar e dënuar me qindra pjesëtarë të përkushtuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe janë paralajmëruar qindra arrestime të tjera dhe të thuash se këto arrestime janë të drejtuara kundër individëve të caktuar e jo kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila gjatë luftës numëronte rreth 20 mijë pjesëtar, është më shumë se marrëzi.


 


 Ka dekada që drejtues të partive politike të Kosovës dhe opinion bërës me kontributin e tyre, me ose pa vetëdije, kanë bërë që në Kosovë të ndërtohet qytetari me tip personaliteti që psikologu amerikan, Julian Roter e quante “personalitet me vend kontroll të jashtëm”. Individët që kanë personalitet të tillë besojnë se gjithçka varet nga faktorët e jashtëm dhe se asgjë nuk varet nga angazhimi i tyre, nga faktori i brendshëm. Është interesant se hulumtimet e më pastajme i vërtetuan studimet e Xhulian Roterit. Qytetarët me personalitet të vend kontrollit të jashtëm nuk merrnin pjesë nëpër demonstratat për avancimin e pozitës së zezakëve apo në lëvizjet feministe sepse besonin se angazhimi i tyre është i kotë dhe se çdo gjë varej nga faktori i jashtëm. Sipas këtij modeli të personalitetit është krijuar edhe mendësia në Kosovë se asgjë nuk varet nga angazhimi i qytetarëve të saj, por çdo gjë varet nga faktori i jashtëm. Ndërtimi i personalitetit të tillë ka bërë që qytetari ta humbë vetëbesimin dhe të bëhet i varur nga faktorët e jashtëm e në kontekst të zhvillimeve në Kosovë të besoj se asgjë nuk mund të bëhet për t’i dalë përballë fushatës kundër ish drejtuesve dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarët e së cilës i karakterizon personaliteti me vend-kontroll të brendshëm. Vlen të theksohet se ishin dhe janë qytetarët me personalitet të tillë që bënë historinë dhe që i dolën përballë së keqes qoftë gjatë luftës qoftë gjatë paqes.


 


Duket se këta tipa të personalitetit i ka njohur edhe një nga gjeneralët më të shquar të njerëzimit, Napoleon Bonaparta. Ai kishte arritur të konstatonte shekuj më parë se bota vuan shumë, jo nga dhuna e njerëzve të këqij,  por nga heshtja  e njerëzve të mirë e që ‘përkthyer’ në gjuhën e psikologut, Xhulian Roter, i bije që në një vend me shoqëri që dominohet nga individë me personalitet me vendkontroll të jashtëm, mund të bësh çfarë të duash. E pyetja që duhet shtruar sot është a mund të quhet njeri i mirë ai që heshtë përballë së keqes dhe të përkujtojmë se e keqja i ngjanë topit të borës. Ai mund të jetë larg dhe ne të mos ia kemi frikën rrotullimit të tij për shkak të largësisë dhe të vogëlsisë por nëse nuk i dilet me kohë përpara ai pas pak shndërrohet në ortekë dhe rrënon çdo gjë që gjendet përpara. Ose si shkruante, pastori, Martin Nimeller, kur shkruante se si erdhi deri te pushtimi i shoqërisë nga nazizmi: Në Gjermani nazistët së pari u nisën kundër komunistëve dhe unë heshta sepse nuk isha komunist. Pastaj ata u sulën kundër hebrenjve dhe unë përsëri heshta sepse nuk isha hebre. Pas tyre, nazistët u sulën kundër sindikalistëve dhe unë heshta sërish sepse nuk isha sindikalist. Mandej kundër katolikëve por unë heshta sepse isha protestant. Pastaj kundër meje por deri atëherë askush nuk kishte mbetur për të protestuar për mua. Dhe për fund do shtuar edhe këtë se parandalimi i së keqes kushton dhe kërkon shumë më pak energji se sa luftimi i saj.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …