leoni

Fatmir Graiçevci: Disa “akademikë” dërdëllisin, shajnë e fyejnë çlirimtarët e Kosovës

Afër një shekull e gjysmë më parë, filozofi i shquar, Fridrih Niçe ( 1844 – 1900), paralajmëronte se nuk mund të ketë të ardhme përparimtare asnjë shoqëri nëse lejon që për moralin e saj të flasin të pa moralshmit, për vizionin – miopët, për trimërinë- frikacakët, për lirinë – mendje-robërit, për lirinë e fjalës – memecët, e kështu me radhë. Kur lexon shkrimet me sharje, fyerje, dërdëllisje dhe veprimet e disa akademikë tanë, të bëhet sikur Niçeja ju është drejtuar sojit të tyre, të cilët janë me bollëk, sikur është Kraja, Islami, Daci e bashkëmendimtarë dhe bashkëveprimtar të kastës së tyre të kohës së Jugosllavisë së cilës i shërbyen me shumë besnikëri por që ia kthyen shpinën pasi u hodhën si paçavure nga drejtuesit e saj sepse kishin gjetur një kastë edhe më besnike se ata, kastë së cilës i printe Rrahman Morina.

  

Kur lexon disa nga shkrimet e akademikëve tanë, të vije keq për gjendjen e tyre shpirtërore e fajtorë për këtë jemi të gjithë ne që i paskemi harruar këta akademik dhe që nuk po i trajtojmë sikur janë trajtuar në kohën e Jugosllavisë, kur njerëzit ishin t’i detyruar t’i duatrokisnin asaj që duhej urrejtur, të admironin atë që duhej mallkuar, të përqafonin atë që duhej pështyrë, të lartësonin atë që duhej përbuzur, e kështu me radhë. Kjo është koha kur Mehmet Kraja, Makr Krasniqi e akademikë të tillë anekënd Jugosllavisë kishin arritur zenitin apo thënë saktësisht pikën më të lart të një bregoreje dhe trajtoheshin gati si gjysmë perëndi, si në kohën e paganizmit!

  

Thonë se njeriut të ditur i mjafton emri i tij, i padituri ndjen nevojë për epitete dhe ne do ta përfillim këtë konstatim pasi janë të shumtë njerëzit që po ndjejnë nevojë për epitete. Akademiku ynë i madh dhe me nam, Mehmet Kraja, ditë më parë, duke provuar të na tregoj se sa është i mençur, human, vizionar, protestues dhe luftues i së keqes, na u drejtua me një artikull të titulluar: Ku ishe ti Adam? Aty ai provoi të na tregojë se cili është niveli i tij intelektual, human e protestues ndaj së keqes por duket se e tradhtoi pavetëdija dhe na tregoi më shumë se kaq! Nuk thuhet më kot: Mos e vet se tregon vet! Akademiku ynë i madh e me nam, në mes tjerash shkruan: Të gjithë gënjejmë dhe të gjithë jemi viktima të gënjeshtrës; të gjithë mashtrojmë dhe njëkohësisht jemi viktima mashtrimit,… Gënjejnë dhe mashtrojnë kolegët e mi.

                                         

Më parë mendoja se janë naivët ata që bien në kurthin e kundër thënieve por nga shkrimi i akademikut, Mehmet Kraja, mësova se edhe akademikët kurthohen dhe janë te kundërthënshëm. Ai shkruan: Të gjithë gënjejmë”, e pasi edhe ai bënë pjesë në këtë “TË GJITHË”, kjo do të thotë se edhe ai gënjen, e pasi ai gënjen, kur ka thënë se të gjithë gënjejnë ai ka provuar të na gënjejë! Kjo është kundërthënia në të cilën ka rënë akademiku ynë që në kohën e Jugosllavisë kishte ‘xhematlinj’ të shumtë por që për fatin e tij të keq, sot thuaja se askush nuk po dëgjon më atë kur po mbanë ders nëpër medie të ndryshme.

 

Është mirë ta kuptojë ai sa më parë se nuk ka më ‘xhematë’ sikur kishte dikur në kohën e Jugosllavisë e komunizmit, në kohën kur intelektualët, akademikët dhe shkrimtarët me nam shkruanin libra me porosi partiake. Akademiku, Mehmet Kraja më tutje shkruan: Të gjithë mashtrojmë dhe njëkohësisht jemi viktima mashtrimit,… Gënjejnë dhe mashtrojnë kolegët e mi. Këtu mbase deri diku ka të drejt. Por fjalia do të ishte më afër së vërtetës nëse në vend se të shkruhej: Të gjithë mashtrojmë, të shkruhej: Të gjithë bëjmë përpjekje të mashtrojmë. E themi këtë sepse se bëni përpjekje për të mashtruar, këtë nuk e vë në dyshim por kur mendoni se edhe po ia dilni mbanë që të na mashtroni, këtu gaboheni i nderuar akademik sepse për fatin tuaj të keq, ka kohë që nuk keni më ‘xhemat’ që i beson verbërisht dogmave tuaja dhe të akademikëve të tjerë që mendojnë, propagandojnë dhe bashkë ndjejnë me Ty!

 

 

Nga shkrimi i tij mësova se për të ardhur deri te e vërteta ai ka përdorur  deduksionin, nga e përgjithshmja deri te e veçanta, ashtu sikur ka porositur Aristoteli mijëra vite më pare, por nëse je trim, sikur hiqesh, do të bënit mirë të përdornit induksionin, sikur na porosiste mendjendrituri, filozofi anglez, Xhon Stjuart Milli, pra nga e veçanta të arrijë te e përgjithshmja. Kur shkruan: Vetë çlirimtarët, me sjelljen e tyre arriviste, krijuan modelin më të shëmtuar të liberatorit, do të ishte mirë që përdorje induksionin dhe të përmendje me emër dhe mbiemër këta liberator të shëmtuar, sikur i quan ti, dhe mandej të arrijë te e vërteta e përgjithshme që do të vlente për të gjithë liberatorët. Por jo vetëm kaq. Është për keqardhje se ku e ka katandisur akademikun tonë të madh urrejtja për shtresën e fshatarësisë.

Duke përmendur të këqijat e stërmëdha që sipas tij na i paskan ndodhur Kosovës, ai në mes tjerash shkruan: Nëpër institucione vërshoi edhe një proveniencë rurale, me këmbët me bajga, që deri para pak kohësh e bënin nevojën pas gardhit. Më vije keq që akademiku ynë përveç tjerash na u paska marrë edhe me atë se si e ku i kryejnë njerëzit nevojat fiziologjike nëpër fshatra! Është e paedukatë dhe e pështirë t’i përgjosh njerëzit se si e ku e kryejnë nevojën fiziologjike, akademiku ynë, Mehmet Kraja dhe përveç kësaj unë do të neveritesha vetëm po të mendoja të bëja vëzhgime të tilla, po ja që ti i paske futur hundët kudo, ashtu sikur po i fut edhe tani.

 

 

Vite më parë, gjatë realizmit të anketave, intervistave dhe hulumtimeve të ndryshme, kryesisht të fushës së shëndetit mendor, më ka rastisur që të takohem me shumë persona që kishin këmbët me bajga por që ishin prind të dëshmorëve të kombit, pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo që ishin anëtarë të familjeve që për çlirimin e Kosovës kishin dhënë deri në 13 anëtar të familjes! Habitesha me kurajën e tyre për të vazhduar edhe më tutje për të dhënë kontributin e tyre për shtet ndërtimin e Kosovës, mahnitesha derisa i dëgjoja që atdheu ende ka nevojë për ndihmën e tyre dhe se nuk është turp të merresh me bujqësi apo blegtori apo ndonjë punë tjetër por turp është të jetosh si parazit dhe të marrësh nga shteti, pa i dhënë asgjë më parë! Sa më mahniste dhe mahnit ai edukim i atyre fshatarëve me këmbët me bajga. Ndoshta është mirë të reflektojmë se pse pjesa dërmuese e dëshmorëve të luftërave të fundit çlirimtare janë fshatar por që asnjëherë nuk kanë shfaqur averzion ndaj qytetarëve, ashtu sikur shfaq ndaj fshatarëve akademiku, Mehmet Kraja!

  

Ende i kam në kujtesë këmbët dhe lëkuren e tyre me për plotë të qara që nga puna fizike i ngjante lëvores së drunjve. Edhe sot mahnitem me zgjuarsinë e tyre dhe habitem se si ndonëse jo të arsimuar sa duhet, ia kanë dalë që të prodhojnë kultura të caktuara bujqësore të një cilësie të admirueshme sa që kanë depërtuar edhe në tregun e Bashkimit Evropian, ku konkurrenca është tejet e ashpër. Ata që kanë pak njohuri nga bujqësia dhe niveli i saj në BE, e dinë se sa ekspert dhe institucione angazhohen për të ju ndihmuar bujqve për të krijuar një kulturë bujqësore për të depërtuar në atë treg. Disa nga banorët tonë që kanë këmbët me bajga ia kanë dal që pa ndihmën e askujt të prodhojnë diçka me të cilën depërtojnë edhe në tregun e Bashkimit Evropian. Po ti Mehmet Kraja dhe bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët tuaj çka keni krijuar gjatë këtyre viteve në Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Kosovës? A keni krijuar diçka për të cilin ka shfaqur interesim për ta blerë ose shijuar ndonjë vend i Bashkimit Evropian!? Po nëse nuk ia ke dal të krijosh diçka vet, çfarë ka bërë institucioni nga i cili merrni pagë ti dhe dhjetëra ti tillë të tjerë si ti? Ata fshatarët që kam njohur kanë prodhuar kultura bujqësore pa marrë asnjë cent nga shteti po ju akademikët që merrni paga marramendëse, si i arsyetoni ato, cili është produkti i Juaj. E unë tani pyes: Kush po prodhon gjëra më me vlerë, bujqit e Kosovës me këmbët e tyre me bajga që me prodhimet e tyre kanë depërtuar në tregjet e Bashkimit Evropian apo akademikët tanë që mrizojnë tërë kohën dhe defilojnë nëpër medie!? Mbase bënë mirë ti akademiku ynë i madh, Mehmet Kraja kur pyet: Ku ishe ti Adam? por do të bëje mirë të na tregoje si ku ishe ti në ’68, në ’81 në ’89 e kështu me radhë? Ku ishe ti atëherë?, a e ke bërë edhe atëherë trimin, a e ke bërë edhe atëherë protestuesin, humanistin, sikur hiqesh sot se je!?

 

  Por nuk është këtu më e keqja. Nuk do të duhej shqetësuar njeriu nëse ti do të bëje një përjashtim nga akademikët tjerë por të tillë si ti janë të shumtë. Kohë më parë, akademik, Mark Krasniqi, shprehte keqardhje se pse simboli jonë i rezistencës, Adem Demaçi është ende gjallë dhe vazhdonte tutje se më mirë do t’i kishim punët sikur Mandela i Evropës, Adem Demaçi të kishte vdekur! Pak javë më parë, akademiku tjetër, tani kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa shpërbleu sabotuesit e shtetësisë së Kosovës! Ku ishe ti akademik, Mehmet Kraja, kur akademiku dhe kryeministri i Kosovës, Isa Muatafa mori vendim që të ju falen borxhet të gjithë atyre që kanë sabotuar Kosovën nga viti 1999 deri më 31 dhjetor të vitit 2008!

Mirë që ke shkruar për këtë vendim të paarsyeshëm por a ke biseduar ndonjëherë me bashkë partiakun, akademikun dhe tani kryeministrin, se çfarë do të ndodhte në Kosovë nëse asnjë qytetar nuk do të paguante KEK-un, nëse asnjë qytetar nuk do të paguante shërbimet publike sikur janë uji, mbeturinat mandej doganat, e kështu me radhë!? Athua kush përfitoj nga kjo falje e borxheve, ata fshatarët me këmbët me bajga apo ata me kravata e biznese milionëshe!? Të mos harrojmë se po të mos i kishin kryer kontributet shtetërore pjesa tjetër e qytetarëve të Kosovës, sot nuk do të kishim mijëra rrugë të asfaltuara, qindra objekte shkollore, qindra shtëpi shëndetësore, paga për qindra mijëra punëtor e posaçërisht privilegje dhe paga të shumëfishta dhe të larta për akademik, kryeministra, ministra e deputet.

Po të sabotonin Kosovën të gjithë qytetarët e saj sikur e kanë sabotuar ata që i shpërbleu bashkë partiaku yt, kryeministri, Isa Mustafa, Kosova sot do t’i ngjante Eritresë, Sudanit, Etiopisë apo ndonjë vendi tjetër që për nga infrastruktura të ngjanë me kohën e mesjetës, vende ku mungesa e ujit të pijshëm po bënë kërdi. Dhe ti Mehmet Kraja, merresh edhe me nevojat fiziologjike të njerëzve do të bëje mirë të vrisje mendjen se ku do t’i kryeje ti nevojat fiziologjike nëse asnjë qytetar nuk do të paguante ujin dhe për pasojë Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” nuk do të mund të funksiononte dhe do të ngeleshim pa ujë!? Vështirë se do të mund te jetohej nëpër banesa 24 orë me maska në kokë.  E ku ishte ti Mehmet Kraja kur bënte Adamin, Mandela i Kosovës, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, e shumë bashkëmendimtar dhe bashkëveprimtar të tyre të tjerë, nga fshati apo qyteti!?

 

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Avdullah Hoti: Dialogu të zhvillohet në Bruksel dhe Uashington dhe jo nëpër skuta e hotele të plazheve siç po dialogon Kurti

Avdullah Hoti: Qeveria Kurti është më e dobëta që nga pavarësia, pa rezultate dhe me degradim për vendin

Ish-kryeministri dhe kandidati për deputet nga LDK, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Albin …