Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Heroinat e margjinalizuara!

Në mesin e kategorive të margjinalizuara të shoqërisë sonë të margjinalizuara me pa të drejt, është edhe një e tillë që pa kontributin e saj, vështirë se do të ishim këtu ku jemi. Është kjo kategoria e NËNAVE që meriton një përmendore gjigande në kryeqendrën tonë sepse pa to nuk do t’i kishim as dëshmorët tonë, fal të cilëve ne sot jetojmë e frymojmë lirshëm.

Dhe posa përmendet kjo fjalë, nuk ka se si të mos kujtohen mijëra histori të heroizmit të tyre. Secila më epike se tjera. Në mesin e shumë të tillave, është edhe nëna e heroit Fehmi Kastrati dhe buja që bëri në mediet e ndryshme të botës fjalët e saj gjatë varrimit të birit të saj dëshmorë, Fehmi Kastratit. Derisa të gjithë po ndjenin dhimbje të papërshkrueshme gjatë varrimit të trupit të tij, nëna e tij mbledhë forcën dhe me dhimbje e stoicizëm e me një tonë sa lutës aq edhe urdhërues, ju drejtohet eprorëve dhe bashkëluftëtarëve të tij: Dëshiroj që pushkën e djalit tim Fehmiut, ta bart mbi supe biri im tjetër, Aliu. Unë edhe pesë djemtë tjerë ia kam falur lirisë së Kosovës! Ishte kjo deklaratë e saj që gazetarët ndërkombëtarë i kishte bërë të shkruajnë: Nuk do të ndalet lufta këtu derisa ky popull i vogël të arrijë lirinë. Është e habitshme se si gjatë varrimit të bijve, nënat e tyre duan që armët e tyre t’i bartin bijtë tjerë dhe të vazhdojnë luftën tutje, deri në çlirim!

 Por ku është katandisur bota shqiptare sot!? Sa ju jepet hapësirë nëpër medie këtyre heroinave!? Këtyre heroinave që dashurinë për Kosovën e lirinë nuk e kanë shfaqur nga kolltuqet e buta e konferencat për medie por nëpër vija të fronit të luftës çlirimtare. Këtyre që nuk kanë menduar t’i japin një grimë Kosovës për të gllabëruar sa më shumë privilegje më pastaj por t’i japin pa pritur asgjë për kompensim! Këto heroina kanë vepruar ashtu sikur porosiste shekuj më parë një nga filozofët më të mëdhenj gjerman, Imanuel Kanti kur fliste për dashurinë e pakushtëzuar!!! E tillë ishte dhe është dashuria e nënave tona për kombin e atdheun, për lirinë dhe pavarësinë e tij!

   Psikologët e njohin motivin amnor dhe me të drejtë e trajtojnë si një nga motivet më të fuqishme sepse ky motiv i nxitë nënat ta japin jetën për fëmijën e tyre. Por ja që për lirinë a vatanit ato janë të gatshme të japin edhe atë për të cilën janë të gatshme të flijohen. Pra japin diçka edhe më të shtrenjtë se jeta e tyre!!! Është aq e madhërishme kjo sa gjuha është e pafuqishme për ta përshkruar këtë madhështi e cila bënë që çdo gjë përballë saj të duket vogëlsi. Por ja që ne nuk e shohim këtë sepse mediet tona janë të mbushura me fytyra të njerëzve që dinë të duken bukur e ta aktrojnë mirë atdhedashurinë! Ka edhe raste kur të tillat quhen heroina ani pse kontributi i tyre, e as dhimbja nuk mund të krahasohet me atë të nënave heroina!!!

Sot të gjithë ua dimë emrat të ashtuquajturave heroinave e heronjve, që na flasin nga kolltuqet e buta, e të rregulluara deri në pispillosje, që gëzojnë privilegje të pafundme, liri të lëvizjes e gjezdisjes anekënd botës, por sa nga ne ia dimë emrin nënës së dëshmorit të kombit, Fehmi Kastratit!? Po nënës së Adem e Hamëz Jasharit, po grave të tyre, që po ashtu janë heroina!? Nuk ua dimë sepse termin, heroinë e kemi zhvlerësuar sa më s’ka, mandej ju japim hapësirë mediale anti vlerave e gjërave koti por jo edhe atyre që lindën dhe rritën me shumë sakrifica bijë e bija që i dolën zot kombit e atdheut dhe luftuan deri në rënien e tyre heroike!

Është interesant edhe me një fakt tjetër. Anekënd Kosovës ka lëvizje feministe dhe mirë që ka por as edhe njëherë nuk kam dëgjuar të kenë kërkuar ngritje të ndonjë lapidari për nënat tona dhe heroizmin e tyre mahnitës!!! Ose ndonjë kërkesë që në librat e historisë të pasqyrohet denjësisht kontributi i femrës shqiptare për komb e atdhe!

Por jo vetëm kaq. Kam lexuar për shqetësimin dhe frikën e Akademisë Serbe të Shkencave nga NËNA SHQIPTARE por jo edhe për shqetësimin e saj nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës apo kastat tona politike!!! Dhe kur njeriu e mendon më mirë e më thellë, e kupton se shqetësimi dhe frika e tyre ka qenë plotësisht e arsyeshme!!!

Janë të shumta planet shfarosëse e gjenocidale të Akademisë Serbe të Shkencave kundër popullit shqiptar por ishte nëna shqiptare që ua pamundësonte realizimin e plotë të tyre! Janë të shumta fushatat vrastare të ushtrisë së Serbisë e cila vriste e masakronte anekënd Kosovës dhe dëbonte popullin shqiptar me qëllim të shpopullimit nga kombi shqiptar dhe kolonizimin e serb e malazez. Herë herë, me vrasje të shumta e spastrime etnike masive, ia dilte që ta barazonte popullatën shqiptare me kolon por fal nënave tona, brenda pak dekadave, kombi ynë sërish rikthente dominimin demografik. Por kjo nuk zgjaste shumë pasi Akademia Serbe e Shkencave, nuk flinte por vazhdonte me planet tjera për depopullimin e Kosovës nga shqiptarët dhe rikolonizonte me serb. Por në këtë luftë të pandërprerë e brutale, ishte stoicizmi i nënës shqiptare që ua prishte planet e tyre ogurzeza. Ishte nëna shqiptare ajo që me shumë mund e sakrifica, rriste dhe edukonte shumë fëmijë dhe ishte kjo shumësi e fëmijëve që kompensonte tkurrjen e numrit të shqiptarëve nga vrasjet, masakrat e dëbimet e mirë organizuara nga Serbia.

Dhe kur kujton të gjitha këto, nuk ke se si të mos ndjesh dashuri e respekt të pa masë e të pafund për kategori të shoqërisë sonë, NËNEN SHQIPTARE, e cila është margjinalizuar dje e po margjinalizohet me pa të drejt e pa mëshirë edhe sot ndonëse kontributi i saj është shumë herë më i madh se sa disa të ashtuquajtura heroina të cilat për kontribut minimal marrin privilegje e shpërblime maksimale!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …