Ka kohë që qytetaret liridashës të Kosovës, familjarët që ju mungojnë më të dashurit e tyre të rënë në luftën çlirimtare, janë duke u ndjerë të indinjuar sa s’ka më me deklarata fyese, poshtëruese, provokuese dhe luftënxitëse të qeveritareve serb edhe me bërjen e shurdhmemecit të kryeministrit, Isa Mustafa dhe kabinetit të tij, (përjashtuar ministrin e Diasporës, Valon Murati) ndaj këtyre deklaratave. Me deklaratat e tyre fyese, poshtëruese, pretenduese,.. Jabllanoviqi, Vuçiqi e iqët tjerë duke i quajtur qytetarët shqiptar egërsira ndërsa Kosovën pjesë të Serbisë, na treguan se ne kemi një qeveri strucësh !!! Kemi një qeveri që guxon të bëjë ujkun kur gjendet në mesin e deleve, sikur bëri me arrestimin e dhjetëra të rinjve muaj më parë por jo edhe kur përballet me ujqit e vërtet, se kemi një kabinet qeveritar që guxojnë t’ia shtrëngojnë dhëmbët njëri tjetrit por jo edhe atyre që fyejnë, poshtërojnë e çka jo tjetër qytetarët e dinjitetshëm dhe liridashës shqiptar, prej taksave të të cilëve këta qeveritar kanë bërë pasuri përrallore! Tani edhe mund të shtrohet një pyetje shumë e thjesht: Cilit vend i duhet një qeveri që nuk është në gjendje të mbrojë dinjitetin e qytetarëve të tij !?, qytetarët e cilit vend do të lejonin të quhen egërsira nga një ministër që paguhet nga taksat e tyre?, cili vend do të lejonte të drejtohej nga një kryeministër dhe presidente që nuk guxon të ndërmerr asnjë veprim ndaj qeveritarëve serb që quajnë qytetarët shqiptar egërsira ndërsa Kosovën pjesë të pandashme të Serbisë! Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuqiq e tha këtë në mes të Kosovës se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë dhe derisa bënte deklarata të tilla për sigurinë e tij përkujdeseshin forca të shumta policore të cilat paguhen nga taksat e qytetarëve të Kosovës !!!
Deklaratat e tilla të qeveritarëve serb ua hoqën maskën e humanistit të gjithë pushtetarëve dhe humanistëve tonë të shtirur që ngritën zërin ndaj vrasjeve në Paris por që po bëjnë shurdhmemecin kur është në pyetje dinjiteti i qytetarëve të tyre dhe pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës! Nuk e besoj se Franca apo familjarët e viktimave kanë nevojë për humanizmin e hipokritëve që bëjnë strucin kur cenohet dinjiteti i qytetarëve të tyre dhe integriteti territorial i shtetit në të cilin jetojnë dhe e drejtojnë.
Pasi jemi në muajin janar, në muajin që na përkujton krimin kundër njerëzimit që bënë forcat ushtarake, policore e paraushtarake të Serbisë në Reçak, ia përkujtojmë kryeministrit, Isa Mustafa, kabinetit të tij qeveritar, kryetares Atifete Jahjaga dhe shpurës së saj, Kuvendit dhe gjithë pushtetarëve që po bëjnë strucin këto ditë, se pak vite më parë u zhvilluan luftimet e pashembullta dhe heroike të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Reçak. 16 vite më parë, pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftuan me vet mohim deri në rënien heroike për të mbrojtur dinjitetin e trupave të pajetë të dhjetëra civilëve shqiptar të vrarë dhe masakruar nga forcat shqiptar vrasëse serbe të cilat luftonin për t’i dhunuar edhe njëherë për së vdekuri të vrarët shqiptar në mënyrë mizore ndërsa sot, 16 pas luftës fitimtare, kryeministri, Isa Mustafa, kryetarja, Atifete Jahjaga dhe pushtetarët e tjerë nuk janë në gjendje të mbrojnë as qytetarët e gjallë nga fyerjet dhe poshtërimet që ju bënë një ministër arrogant serb sikur që nuk kanë guxim për të bërë as një notë proteste ndaj deklaratave të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuqiq, që Kosovën e trajton si pjesë të pandashme të Serbisë. Kryeministri, dhe kryetarja, kishin një rast ideal për ta bërë kryeministrin dhe kryetaren por që të dy bënë shurdhmemecin! Turp! Të gjithë tanimë jemi mësuar që në këto përkujtime, autoritetet më të larta të vendit të mbajnë fjalime të zjarrta dhe të mbushura me fjali lavdëruese për të rënët por edhe të gjithë e dimë se ku ka shumë fjalë, ka pak vepra, për të mos thënë nuk ka fare. Shpresoj që qytetarët t’i vlerësojnë pushtetarët në bazë të veprave e jo fjalive dhe fjalimeve hipokrite. Të shohim se a do të lejojnë qytetarët liridashës të kenë një kryeministër dhe kryetare të tillë, të presim se a do të bëjnë shurdhmemecin edhe qytetarët liridashës apo do ta ngrijnë lartë zërin e protestës ashtu sikur do të reagonin qytetarët e popujve të civilizuar anekënd botës kur ju cenohet dinjiteti i tyre nga kushdo qoftë.
Kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar së bashku me kryetaren. Jahjaga me shpurën e saj është mirë të reflektojnë se ata gëzojnë ato poste falë luftës dhe qëndresës deri në vet mohim të dhjetëra mijëra qytetarëve liridashës të Kosovës, prindërit e të cilëve u quajtën egërsira nga ministri arrogant, Aleksandër Jabllanoviq. Ata dhe pushtetarët tjerë, është mirë që para se të provojnë të na bindin me deklarata se ata kanë respekt për të rënët për çlirimin dhe bërjen e Kosovës shtet të pavarur, të ndërmarrin veprime konkrete ndaj kujt do që cenon dinjitetin e qytetarëve liridashës të Kosovës, të ndëshkojnë këdo që quan egërsira ato nëna, bijtë dhe bijat e të cilave qëndrojnë në themele të shtetësisë së Kosovës.
E kemi parasysh se sot kemi shumë pushtetarë që gjatë kohës së luftës kanë qenë të zënë në perëndim duke mbledhur të holla për nevojat e luftës çlirimtare dhe nuk kanë pasur kohë të shohin vrasjet dhe masakrimet barbare në Kosovë dhe kërkojmë nga të tillët t’ua hedhin një sy fotove te kufomave pa kokë e gjymtyrë, foshnjave të mbytura nëpër pellgje gjaku, femrave të dhunuara dhe mijëra nënave dhe baballarëve qe as sot e 16 vite nuk dinë se ju janë trupat e pajetë e më të dashurve të tyre të rrëmbyer nga forcat ushtarake e paraushtarake të Serbisë.
E kemi parasysh se pushtetarët tonë më parë mendojnë se me anë të cilave lajka dhe veprimeve mund të jenë më të suksesshëm në vardisjen para burokratëve ndërkombëtar por do të ishte mirë që këta më parë se të mendojnë se çfarë të bëjnë për të qenë vardisës të suksesshëm ta bëjnë njeriun edhe liderin e dinjitetshëm. Këta pushtetarët tonë bëjnë mirë të mos harrojnë për asnjë moment se jetën luksoze dhe pasurinë përrallore e kanë krijuar nga taksat e qytetarëve të Kosovës e jo nga paratë e burokratëve ndërkombëtar dhe se një ditë nga të tillët mund të hedhen si paçavure. Kryeministrit, Isa Mustafa dhe kabinetit qeveritar të drejtuar prej tij dhe kryetares Atifete Jahjaga nuk ju kanë mbetur edhe shumë mundësi dhe shumë kohë për të vazhduar të bëjnë shurdhmemecin ndaj deklaratave denigruese kundër qytetarëve liridashës të Kosovës dhe trajtimin e saj si pjesë e pandashme e Serbisë.
Ata ose duhet të ngritin zërin në mënyrë të dinjitetshme ose të ikin nga karriget e tyre në mënyrë të vullnetshme, sepse asnjëri nuk janë duke bërë detyrat e tyre qenësore – të reagojnë ndaj cenimit të integritetit të shtetit dhe cenimit të dinjitetit të qytetarëve të tij. Nëse nuk e bëjnë sot, është tejet e arsyeshme që nesër qytetarët liridashës që nuk lejojnë t’ua cenoj dinjitetin një ministër arrogant të kërkojnë dorëheqjen e tyre, se Kosova ka liridashës, ka burra dhe gra që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të mbrojtur integritetin e Kosovës dhe dinjitetin e qytetarëve të saj dhe këtë e kanë dëshmuar me qëndrimin heroik nëpër demonstrata, burgje e fushëbeteja për çlirimin dhe bërjen e Kosovës shtet. Kosovës nuk i duhen udhëheqës dhe pushtetar që mendjen dhe zemrën e kanë te karrigia, pushteti e vardisja, nuk i duhen pushtetar që bëjnë shurdhmemecin, nuk i duhen udhëheqës që bëjnë strucin por i duhen udhëheqës që janë të gatshëm për t’u vënë me tërë qenien e tyre në shërbim të Kosovës dhe qytetarëve të saj, e vendi ynë ka qytetar të tillë të cilët kanë dëshmuar se për këto ideale janë të gatshëm të japin edhe jetën!
Kryeministri, Mustafa dhe kryetarja, Jahjaga, nuk kanë dëshmuar asnjëherë se janë të gatshëm ta bëjnë këtë dhe askush nuk do t’ua kërkoj këtë por është absurde dhe e pamoralshme të kërkosh të jesh kryeministër e të mos bësh kryeministrin dhe të kërkosh të jesh kryetare e të mos bësh kryetaren e këta nuk po bëjnë as njërin e as tjetrin por po e bëjnë shurdhmemecin. Nëse këta nuk e bëjnë detyrat për të cilat janë zotuar se do t’i kryejnë me nder dhe përgjegjësi atëherë duhet të dëshmojnë se janë të gatshëm të heqin dorë nga privilegjet e tyre që ju ofrojnë, pozita e kryeministrit dhe e kryetarit të vendit, pasi asnjëri nuk po bënë atë për të cilin janë zotëruar botërisht se do ta bëjnë- mbrojtjen e integritetit të Kosovës dhe dinjitetin e qytetarëve të saj! Ata këtë duhet ta bëjnë sot sepse nesër mund të jenë të detyruar të ikin kokulur prej karrigeve të tyre nga presioni dhe protestat e arsyeshme të dhjetëra mijëra familjarëve të dëshmorëve, mijëra veteranëve të luftës çlirimtare dhe qindra mijëra qytetarëve liridashës që nuk do të lejojnë të poshtërohen, fyhen e denigrohen nga një ministër arrogant, sikur është ministri serb, Jabllanoviq.