leoni

Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Kur të ledhatuarit e regjimit komunist aktrojnë viktimat

Ka kohë që emra të njohur nuk ndalojnë së dërdëllituri për të bindur të tjerët se njëherë e një kohë ishin heronj të shoqërisë, se kanë luftuar kundër sistemit apo regjimit të kohës! Por pavarësisht kësaj këmbëngulësie, njeriu posa gërmon pak në të kaluarën e tyre për të mësuar ndonjë episod të heroizmit të tyre mëson se këta rraha gjoksa të sotshëm, në të kaluarën kanë bërë strucin! Kur lexon deklaratat dhe intervistat e të tillëve të kujtohet Sanqo Panqoja i Servantesit dhe lufta e tij me mullit e erës!

Në mesin e të tillëve që nuk pushojnë së bëri deklarata dhe dhënë intervista për të na bindur se njëherë e një kohë edhe këta kanë luftuar regjimin komunist, është edhe shkrimtari me famë botërore, Ismail Kadare. Edhe Kadare, si qindra e mijëra të tjerë na hiqet se paska vepruar kundër regjimit dhe se regjimi ia paska përgatitur arkivolin.(!)

Është e pamoralshme të hiqesh si viktime dhe i rrezikuar me vdekje nga një regjim gjatë të cilit nuk të është prek as qimja e flokut!  Vetëm ndonjë adoleshent dhe naiv që ju beson përrallave mund ta bind ky se ka qenë shkrimtar disident.

Ismail Kadare ka pasur rast që dekada me radhë ta bëjë të tillin, sikur e bëri Millan Kundera, Vasllav Haveli, Solzhenicini ( të cilin Kadare në vitet ’80 e ka quajtur tradhtar të çështjes komuniste), por nuk e ka bërë me vepër shkrimtarin disident. Mbase nëpërmjet intervistave të tij të sotme ai po na tregon pa dashje se atë po e vret ndërgjegjja, pse nuk e bëri heroin në momentin e duhur, në vendin e duhur prandaj Kadareja sot mundohet të na bind se edhe ai ishte viktimë e regjimit të kohës kundër të cilit hedhë vrerë gjithë kohën! Por është e turpshme, hipokrite,… të pështysh diçka që e ke hyjnizuar me dekada. Kjo nuk i bën nder askujt, përkundrazi.

Gjatë përpjekjeve për të na bindur se sa i rrezikuar ishte gjatë kohës kur Shqipëria drejtohej nga Enver Hoxha, shumë i përvuajturi pse ende nuk e mori çmimin Nebe në letërsi, Ismail Kadare deklaron se regjimi i Shqipërisë ia ka përgatitë arkivolin. Normalisht se kur mëson copëza historie për të kaluarën e Kadaresë dhe shkrimet e tij afirmative për regjimin e Enver Hoxhës sa ky ishte gjallë, nuk ka se si të mos vijë në mendje pyetja: si ka mundësi që shteti ia paska përgatitur arkivolin dikujt që vazhdimisht ka shkruar në mënyrë afirmative për atë sistem!? Për më tepër, me ato shkrime afirmative, i ka bërë me qindra mijëra të dashurohen pas atij sistemi!!!

Është jo e ndershme të paraqitesh hero i një kohë gjatë së cilës ke bërë strucin! Është vështirë e kuptueshme, prej nga, kjo nevoja e tij për t’u paraqitur viktime e një regjimi të cilit i ka shërbyer me zellin më të madh të mundshëm.

Apologjetët e Kadaresë argumentojnë se po të shkruante kundër atij regjimi, Kadareja do të pësonte, mbase edhe me jetë. Mirë shumë, por çka e bënë njeriun hero dhe intelektual të vërtetë!? Heshtja dhe futja e kokës si struci nën dhe apo reagimi dhe kundërshtimi pavarësisht pasojat negative? Të përkujtojmë se afër një shekull më parë, Migjeni e bëri atë që Kadareja mundohet me tërë qenien të na bind se e ka bërë. Janë mbresëlënëse shumë tregime dhe poezi të Migjenit ( Recital i malësorit, Të bijtë e shekullit të ri, e poezi të tjera) që fshikullonin Mbretin satrap të Shqipërisë,  Ahmet Zogun. Migjeni nuk ndaloi asnjëherë duke nxitur mendimin kritik dhe revoltën kundër Ahmet Zogu i cili shumë herë dëshmoi se është i gatshëm të vras këdo që ngre zërin kundër sundimit të tij i cili u vendos në Shqipëri me ndihmën e Serbisë! Migjeni e dinte shumë mirë kundër kujt shkruante dhe se një ditë edhe ai mund ta ketë fatin e Avni Rrustemit, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin apo edhe të kryetrimit të Kosovës së asaj kohe, Azem Bejta, të cilin Ahmet Zogu në pamundësi për ta vrarë sikur patriot të shumtë të tjerë të dëshmuar, e dënoi me vdekje, por Migjeni asnjëherë nuk ndaloi së diskredituari, Ahmet Zogun.

Shkrimtari ynë me famë botërore që nuk po arrin dot t’ua mbush mendjen jurisë së çmimit Nobel se edhe ai meriton këtë çmim, sepse paska qenë një antikomunist, ndërsa dekada më parë, ishte lëçitur nga e motra për shkak se ajo kishte shfaqur mendimin e saj kritik ndaj regjimit! Në letrën që Ismail Kadare i kishte dërguar prijësit të Shqipërisë, Enver Hoxhës, në mes tjerash shkruante:

“Vitin e kaluar më thirrën në Komitetin e Partisë së Tiranës për të më njoftuar se motra ime flet keq politikisht dhe se është thirrur edhe në hetuesi për këtë gjë. Unë mbajta qëndrim menjëherë kundër saj, duke i thënë sekretarit të Partisë shokut Xhelil Gjoni se mirë do të bënin që ta trembnin ashtu siç do të bëjë dhe unë me të. E thashë këtë me bindje se më revoltoi sjellja e saj dhe nga ana tjetër e njihja motrën time. Fatkeqe në jetë nga pamartesia, maniake depresive dhe me nerva të çekuilibruara, prej saj mund të prisja çdo gjë. Fakti që siç më tregoi sekretari Partisë, midis atyre që shaheshin isha dhe unë, vëllai saj, bashkë me librat e mija, tregon esencën e saj. Megjithatë edhe pse e tillë, unë mbajta qëndrim jashtëzakonisht të ashpër me të. Njoftova gjithë fisin për ngjarjen dhe u ndalova qysh prej asaj dite të shkelte në shtëpinë time. (!)

Përveç kësaj, është interesant se si i rendit fjalët në tekstin e dërguar Enver Hoxhës, shkrimtari Ismail Kadare. Ai thotë se do të jetë në shërbim të partisë dhe popullit. (!) Kjo do të thotë se Kadareja, njëherë e një kohë më parë ishte në shërbim të partisë se sa popullit! Gjithnjë në përpjekje për të na bindur se edhe ai ka shkruar kundër regjimit të kohës, ai deklaron se ka shkruar në një mënyrë që nuk e kuptonin anëtarët e politik byrosë! Nëse kjo është e vërtetë, normalisht se na lind pyetja; Nëse nuk e paskësh kuptuar shtresa më e lartë e shoqërisë, atëherë për kend ka shkruar Kadare? Dhe fundja e fundit, njeriu a shkruan për t’u kuptuar,  apo mos u kuptuar nga të tjerët!?

Por jo vetëm kaq. Nëse gërmon edhe pak në të kaluarën e Kadaresë, gjenë edhe shkrime tjera të tij. Dekada më parë, i dashuruar në internacionalen socialiste, shkrimtari Kadare hidhte vrerë kundër krijimtarisë së intelektualit nacionalist, Gjergj Fishta, të cilin e quante konservator, njeri primitiv, mbrojtës i institucioneve mesjetare, armik i egër i çdo përparimi e etiketime tjera denigruese.

Është mirë që shkrimtari ynë i mirënjohur ta kuptojë se armikun më të madh ai sot e ka filozofinë ekzistencialiste, e cila këmbëngul se njeriu është i dënuar të jetoj i lirë. Edhe ai i lirë ishte kur bënte letërsinë e realizmit socialist, sikur që ishte i lirë të botonte shkrime, tregime apo romane kundër këtij sistemi, por në vend që ta kritikojë me qëllim për ta nxitur  të menduarit kritik, Kadare vendosi t’i shërbejë atij sistemi të cilin sot e baltos gjatë gjithë kohës!

Pavarësisht se ai e shanë dhe mallkon sot sistemin që nuk ekziston më, kjo nuk e ndihmon atë asnjë grimë për t’u trajtuar si shkrimtar disident, pasi shkrimtar të tillë që bënë veprimtari kritike kur sistemit ishin në ngritje, në zenit e jo sharjet e mallkimet ndaj regjimit kur ai nuk ekziston më.

Përplasja e së kaluarës së tij me të tashmen, të bënë ta parashtrosh pyetjen: Cili është Kadareja i vërtetë, ai i gjatë shumë dekadave kur afirmonte atë regjim apo ky i këtyre pak viteve që e shanë dhe mallkon sa askush tjetër, madje edhe më shumë se ata që hoqën të zinjtë e ullirit nga ai sistem gjatë kohës kur ti e afirmoje dhe shijoje frytet e tij?

Është normale që çdo shkrimtar ta ëndërroj çmimin Nobel në fushën e letërsisë dhe do të ishte mirë që kjo dëshirë t’i plotësohej edhe Kadaresë. Ama thënë të drejtën, ky çmim ka pas një peshë të jashtëzakonshme edhe për mua derisa e kam lexuar romanin “Çmimet” të shkrimtarit të jashtëzakonshëm, ligjëruesit në Universitetin e Harvardit, Erik Segal. Nga romani kam mësuar se për ta marr çmimi Nobel, nganjëherë më i rëndësishëm është lobimi se sa krijimi. Të mos flasim për çmimet që jepen në instanca tjera që dhënia e tyre krijon situata komike. Thënë të drejtën, më vjen keq kur shohë njerëzit që i gëzohen këtyre çmimeve dhe besojnë si fëmijët se me të vërtetë e kanë merituar edhe pse çmimi ju është dhënë për shkak se kanë dëshmuar se do të jenë besnik dhe shërbëtor deri në përulësi të partisë, klanit apo grupit të interesit!

Shkrimtari, Ismail Kadare ia doli si askush tjetër ta ketë shumë mirë me komunizmin dhe shkëlqyeshëm me demokracinë! Kjo e bëri të trajtohej si personalitet me vlera të jashtëzakonshme në kohën e regjimit komunist, për dikë personalitet me vlera të jashtëzakonshme edhe në botën antikomuniste!!!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …