Hipokrizia e partive politike dhe shefave të tyre në njërën anë dhe personalitet e jashtëzakonshme kombëtare në anën tjetër
Nuk duhet njohuri e madhe e as kujtesë e jashtëzakonshme për ta kuptuar hipokrizinë e partive politike dhe liderëve të tyre. Mjafton të mos jesh militant dogmatist i tyre dhe e sheh sa hipokritë janë. Ndryshe deklarojnë e zotohen para e gjatë fushatave para medieve e krejt ndryshe veprojnë posa vishen me petkun e pushtetit. Të gjithë, pa përjashtim, fatkeqësisht.
Jo rrallë i kemi dëgjuar të gjithë liderët e partive politike dhe oborrtarët e tyre teksa flasin në superlativ për personalitete të jashtëzakonshme kombëtare, Ukshin Hotin, Adem Demaçin, Adem Jasharin e personalitete të të tjera por të gjithë janë harruar e keqtrajtuar, posa nëpërmjet dashurisë e respektit të shtirur për ta ia kanë dale të ngjiten në majat e pushtetit!!!
Me dhjetëra herë i kemi dëgjuar të flasin me admirim të pashoq për kryetrimin e Kosovës, Adem Jasharin por ja që kryeqendra jonë, Prishtina, nuk ka vend për krye heroin që fal luftës së tij, Kosova sot frymon lirshëm e politikanët e saj gjezdisin lirshëm anekënd saj e bëhen milioner.
Por jo vetëm kaq. Shumë politikanë i kemi dëgjuar të flasim me admirim të pashoq edhe për Ukshin Hotin por ja që kurrë nuk e kanë trajtuar në mënyrë meritore, personalitetin tjetër jo më pak të rëndësishëm që deri vonë ishte në mesin tonë, Bacë Adem Demaçin. Nëse këta hipokrit vërtetë e kanë dashur kaq shumë Ukshin Hotin, ku ishte kjo dashuri e respekt i tyre për Adem Demaçin, sa ishte në mesin tone!?
Mbase edhe fakti që baca ishte gjallë, demaskonte më së miri hipokrizinë e tyre! Se njeriut edhe pa dashje i vije pyetja: A e duan dhe e çmojnë këta Ukshin Hotin me të vërtetë sikur thonë? Çdo të bënin sikur ai të ishte gjallë!? Dhe posa të vije një grime shpresë se do ta vendosnin në ndonjë pozitë meritore, sakaq të vije në mendje trajtimi që ia bënë Bacë Adem Demaçit dhe shpresa shuhej sakaq sepse po të ishte gjallë njëjtë do ta trajtonin edhe Ukshin Hotin!!!
Por jo vetëm kaq. Sepse avazi i hipokrizisë së tyre nuk përfundon me Bacë Adem Demaçin e Ukshin Hotin.
Pak kohë më pare, kur ndonjë parti politike dhe shefi i saj e ndjente se nuk kanë kandidatë për president që do ta mundte kandidatin e partisë dhe shefit rival të saj, propozonin që për kryetar të vendit të zgjidhet, Murat Jashari. Dhe normalisht se njeriu ndjehet mire kur për një anëtar të një familje emblematike të kombit që ka bërë luftë unike në mbarë botën për çlirim e pavarësi, flitet si personalitet më meritor për pozitën e kryetarit të vendit, pozitë e cila duhet të rrezatoj unitet. Por, shpresa shuhet sakaq posa kjo parti ndjen se në mesin e saj ka një kandidat apo kandidate që mund të zgjidhet kryetar i vendit. Por kjo nuk është më e keqja. Më e keqja është se ndonëse këta hipokritë dinë të flasin shumë mire për heronj, dëshmorë e personalitet të kombit, asnjë prej tyre nuk e konsiderojnë më të mirë se veten e tyre. Narcisoid tipik!
E emrin e Murat Jasharit, e kanë përmendur të gjithë si kandidatin më të mirë që do të përfaqësonte dhe mishëronte unitetin e popullit. Dhe besoj se ai është kandidati që mishëron e manifeston më së shumti unitet. Por ngjarjet që po zhvillohen për zgjedhjen e presidentit të vendit na dëshmojnë më së miri se këta hipokrit, nuk e kanë aspak problem t’i përdorin edhe heronjtë, dëshmorët dhe personalitetet më të mira të kombit si mjete për të fituar sa më shumë vota në njërën anë dhe për t’i përdorur emrat e tyre mandej kundër rivalëve politik. Makiavelizëm tipik.
Mbase edhe Makiaveli do të mahnitej me zhërvjelltësinë e politikanëve tonë për ta përdorur çdo mjet për të arritur qëllimet e tyre politike dhe duke e bërë politiken pa asnjë grime moral e me një hendek mes tyre që sa vjen e i largon nga njëra tjetra! Përderisa Makiaveli do të mahnitej me makiavelizmin e shefave të partive tona politike, filozofi gjerman, Imanuel Kant do të neveritej nga këta. Do të neveritej sepse kur ai shkruante për moralin, këshillonte: Njeriu nuk duhet të përdoret kurrë si mjet por vetëm si qëllim!
E këta politikanët tonë, nuk e kanë aspak problem t’i trajtojnë njerëzit si mjete, qofshin njerëzit e rëndomtë që i shohin dhe trajtojnë vetëm si vota, leva për pushtet, qoftë duke përdorur heronjtë, dëshmorët dhe personalitet më të larta të kombit si mjete për pushtet!
Uroj ta kem gabim.