Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: NATO-ja dhe OKB-ja bëjnë humanistin, vetëm kur u preken interesat, jo për Sirinë e Halepin

Dhuna mizore, vrasjet, dëbimet, përdhunimet, bombardimet dhe tmerret e tjera në Siri me epiqendër Halepin, po shpërfaq më së miri moralin e botës së sotme. Lufta 5-vjeçare në Siri na përkujton fjalimin e famshëm të pastorit Martin Numeller, i cili si askush tjetër ja ka dal të na tregoj se si fitoi nazizmi. Duke shfaqur mendimet e tij se çka bëri të mundur pushtimin e shoqërisë nga nazizmi, ai në mes tjerash shprehet: Në Gjermani nazistët së pari u nisën kundër komunistëve dhe unë heshta, sepse nuk isha komunist. Pastaj ata u sulën kundër hebrenjve, dhe unë përsëri heshta sepse nuk isha hebre. Pas tyre, nazistët u sulën kundër sindikalistëve dhe unë heshta sërish, sepse nuk isha sindikalist. Mandej kundër katolikëve por unë heshta sepse isha protestant. Pastaj kundër meje, por deri atëherë askush nuk kishte mbetur për të protestuar për mua.

Fjalimi i Martin Numellerit mbase shpjegon më së miri se ku është katandisur bota sot. Ashtu si dikur bota bënte sehir ndaj ekspansionit te nazizmit të prirë nga Hitleri, sot bota po bënë sehir kundër ekspansionit perfid të Kremlinit të prirë nga Putini i cili qëndron haptas prapa Asadit. Ekspansioni i Putinit ka filluar nga viti 2008 me sulmin e armatosur kundër Gjeorgjisë së cilës ia pushtoi Osetinë jugore, për të vazhduar më vonë kundër Ukrainës ku ka vendosur kontroll mbi territorin e saj- Krimenë ndërkohë që për 5 vite me radhë qëndron prapa vrasësit, Bashar Al Asad. Martin Numelleri sot do të thoshte: Putini ne fillim iu sul Gjeorgjisë, por ne heshtëm sepse nuk ishim gjeorgjian, mandej Ukrainës, por ne heshtëm sepse nuk ishim ukrainas, mandej kundër qytetarëve liridashës të Sirisë, por ne heshtëm sepse nuk ishim sirian!!!

Derisa është kjo logjikë, ky opurtunizëm i skajshëm, të kota do të jenë thirrjet e fëmijëve, vajzave, grave e pleqve sirian drejtuar botës me mijëra ditë me radhë. Bota që heshtë dhe bënë sehir kur për 5 vite me radhë vriten, masakrohen, dhunohen, vriten, pushkatohen dhe dëbohen dhunshëm me mijëra e miliona fëmijë, vajza, gra e pleq, është botë në të cilën humanizmi është në shtratin e vdekjes.

Është botë e sunduar nga pragmatizmi i mbështjell me maskën e humanizmit. Siria dhe Halepi janë vendet që po na tregojnë më së miri që humanizmi po struket e pragmatizmi po lëshon shtat! Heshtja ndaj thirrjeve të vazhdueshme për ndihmë të sirianëve që po numërojnë ditët dhe orët e fundit të  jetës po tregon më së miri se vendet e fuqishme, NATO-ja, OKB-ja bëjnë humanizmin vetëm kur kanë dobi dhe interesa të caktuara ideologjike, ekonomike, fetare apo gjeostrategjike! Nuk ka se si mos të vije në mendje sot romani “Për kë bien kombanat” Të kota janë lutjet dhe thirrjet për ndihmë humanitare në një botë të udhëhequr nga pragmatizmi! Ata që sundojnë botën të prirë nga pragmatizmi nuk kanë vesh për të dëgjuar thirrjet për humanizëm! Athua do të bënte OKB-ja, NATO-ja, BE-ja, shurdhmemecen ndaj thirrjeve të Sirianëve liridashës po të jetonin ata në Libi, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe apo në ndonjë vend të pasur me ari të zi!?

Është dëshpëruese kur bindesh se po jeton në një botë kur çdo ditë poshtërohet qenia njerëzore. Kur njeriu vret njeriun, dy herë poshtërohet qenia njerëzore. Njëherë duke e paraqitur atë si qenie që vret, dhunon dhe shkatërron dhe njëkohësisht si qenie që nuk ia vlen të jetoi dhe që duhet vrarë, dhunuar dhe zhdukur nga faqja e dheut. Kjo është duke ndodhur që 5 vite me radhë në Siri, para syve të gjithë botës.

Lufta në Siri dhe qytetin e saj Halep ia çjerri maskën edhe institucioneve tona, Presidencës, Qeverisë, Kuvendit, Bashkësisë Islame të Kosovës e institucioneve tjera. Jo se këta mund të bëjnë diç por të paktën të ngrehnin zërin e protestës. Nga të gjitha këto institucione, më së shumti është për t’u habitur me Bashkësinë Islame të Kosovës. A do të heshtnin kështu sikur vrasjet të ndodhnin në Amerikë, Gjermani, Francë, Angli, Itali, Arabi apo Turqi!? Kjo mbase tregon më së miri për gatishmërinë e tyre për të reaguar kundër vrasjeve në vende të pasura dhe për ta bërë shurdhmemecin ndaj vrasjeve pakrahasimisht më të mëdha në vendet e varfra dhe të pafuqishme, sikur është Siria!

Shyqyr që drejtuesit e vendeve demokratike gjatë luftës çlirimtare në vendin tonë nuk ishin sikur drejtuesit e institucioneve tona më të larta, Presidencës, Qeverisë, Kuvendit, Bashkësisë Islame të Kosovës dhe institucioneve tjera sepse krimet e ushtrisë dhe policisë së Serbisë kundër fëmijëve, vajzave, grave e pleqve shqiptar do të vazhdonin edhe sot!!!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …