Fatmir Graiçevci

Fatmir Graiçevci: Plani për vrasjen e Dik Martit, fajësimin e shqiptarëve e vrasjet enigmatike për të cilat është akuzuar UÇK dhe SHIK-u!

   Ka kohë që opinion i Kosovës është duke u ballafaquar me lajmin mbi planin e Shërbimit Sekret të Serbisë për vrasjen e mikut të Serbisë, Dik Marti dhe fajësimin e shqiptarëve mandej për këtë vrasje. Kush e njeh historinë serbe, nuk besoj se do të habitej shumë për planifikimin e kësaj vrasje. Nga historia e Serbisë mund të mësohet se krime edhe më të mëdha kanë ndodhur atje , sikur janë vrasjet e prindërve nga bijtë dhe të bijve nga prindërit e tyre ( Millutini verbon birin  e tij Stefani e Dushani vret babën e tij – Stefanin!! ) me qëllim të rrëmbimit dhe ruajtjes së pushtetit.

Dy rastet më të fundit janë ai në Pejë kur shërbimi sekret serb vrau disa të rinj në kafiterinë “Panda” në Pejë dhe mandej akuzuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës se qëndron mbrapa kësaj vrasje, të cilen e përdoren për torturimin dhe burgosjen e shumë shqiptarëve me pretekst se ata janë realizues të këtij akti terrorist si dhe rasti i vrasjes po nga pjesëtarët e njësisë speciale serbe të kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq, në fillim të këtij shekulli. Serbia është treguar tejet e shkathët në kryerjen e veprave dhe akteve kriminale dhe akuzimin e të tjerëve më pastaj. Por nuk është për tu habitur me këtë djallëzi të saj por mënyrën e gëlltitjes së këtyre djallëzive nga një pjesë e konsiderueshme e jona, sidomos nga kastat politike dhe drejtues të disa medieve që gjatë gjithë kohës kanë shkruar e dezinformuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe Shërbimin Informativ të Kosovës, të cilat i kanë akuzuar thuaja për çdo vrasje të pandriçuar në Kosovë!!!

   Me të përfunduar të luftës çlirimtare, në Kosovë kanë ndodhur edhe shumë vrasje, pjesa dërmuese e të cilave kanë ngelur të pazbuluara dhe çuditërisht, të gjitha këto i janë atribuuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Shërbimit Informativ të Kosovës, të njohur si SHIK. Si u bë që as edhe njëherë nuk u drejtua gishti drejt Serbisë për këto vrasje por gjatë gjithë kohës, fajtori për këto vrasje është kërkuar në mesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Shërbimin Informativ të Kosovës!? Si u bë që për çdo vrasje enigmatike, të krijohet opinion se prapa saj qëndrojnë ushtar ose epror të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ose pjesëtar të SHIK-ut por asnjëherë nuk është ndërtuar ndonjë opinion se mbrapa tyre mund të qëndron dikush tjetër!? Pse as edhe njëherë të vetme, në vendin tonë nuk dominoj opinioni se mbrapa këtyre vrasjeve, mund të qëndroj edhe Shërbimi Sekret Serb për t’i paraqitur shqiptarët si vrasës, të pa emancipuar dhe njerëz pa vetëdije shtet formuese!?

Nuk është që nuk ka pasur zëra që kanë shfaqur dyshime të arsyeshme se këto vrasje mund të jenë realizuar nga ndonjë dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë, por këta zëra nuk janë dëgjuar nga jehona e lajmeve sipas të cilave këto janë vrasje politike dhe se mbrapa tyre qëndrojnë ushtarë apo eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëtar të SHIK-ut. (!)

Por këta shpifës kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë mjaftuar me kaq por kanë shkuar edhe më larg – duke akuzuar UÇK-në dhe kuadro e drejtues të saj se qëndrojnë edhe mbrapa vrasjeve të realizuara në Shqipëri sikur është vrasja e kolonelit, Ahmet Krasniqi, i emëruar si Ministër i Mbrojtjes nga kryeministri në ekzil i qeverisë po ashtu në ekzil, Bujar Bukoshi. Dhe tani kur analizon planin për vrasjen e Dik Martit në Zvicërr nga Shërbimi Sekret i Serbisë, nuk ka se si të mos vije në mendje se një vrasje e tillë ka mundur të planifikohet e madje edhe të realizohet edhe në Shqipëri e cila një vit më parë ( 1997 ) thuaja se ishte në luftë civile!

   Por jo vetëm kaq. Në përfundime të tilla kemi mundur të vijmë edhe nëse krahasojmë vrasje tjera. Dekada më parë, Shërbimi Sekret Serb një plan vrastar të trefishtë realizoi edhe në Gjermani ku në mënyrë tinëzare vrau vëllezërit, Jusuf e Bardhosh Gërvallen dhe bashkëveprimtarin e tyre të pandashëm, Kadri Zeka. Ishte kjo një vrasje që tronditi të gjitha shtresat liridashëse dhe shkaktoi dëme të jashtëzakonshme veprimtarëve të çështjes kombëtare që po vepronin në grupe të ndryshme brenda e jashtë Kosove, grupe të cilat ia kishin dal t’i bashkojnë e bashkërendojnë aktivitetet mes tyre duke krijuar një unitet që nuk e kishin pasur me herët para se ato t’i përafronin mes tyre, idealistët dhe liridashësit shembullor, vëllezërit, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Ishte kjo dora e Serbisë që nuk i duron dot shqiptarët e bashkuar, as para lufte, as gjatë lufte e as pas lufte. Kur kujton vrasje të tilla djallëzore, mbrapa shpine e të realizuara në një shtet të konsoliduar sikur ishte Gjermania në vitin 1982, e kupton shumë mirë se me sa lehtësi kanë mundur të realizohen atentate e vrasje të tilla edhe në Shqipëri gjatë viteve 1997 e 1998 kur Shqipëria ishte përfshirë në trazira e revolta të armatosura anekënd vendit. Por ja që disa kanë realizuar vrasje djallëzore dhe të tjerët kanë përdorë mandej në mënyrë djallëzore ato për t’i akuzuar rivalët politik si realizues të këtyre vrasjeve dhe për t’i komprometuar mandej para elektoratit se partitë e dala nga lufta, po realizojnë vrasje politike për ta marr pushtetin. Çudi se si asnjëherë nuk e kemi parashtruar pyetjen se kujt i i kanë interesuar më së shumti vrasjet brenda shqiptare, ose se kush ka përfituar më shumë nga këto vrasje, ata që akuzoheshin si realizues të tyre apo ata që vet viktimizoheshin!?

   Nuk është ideja që për çdo dukuri negative të pranishme në shoqërinë tonë, fajtori të gjendet ose sajohet jashtë nesh ama as nuk është mirë që të vazhdoj të mbretëroj ende mendësia e mbrapsht se pas çdo vrasje të pazbuluar të pasluftës në Kosovë, gishtin ta drejtojmë drejt ushtarëve ose eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, partive të ndala nga lufta apo Shërbimit Informativ të Kosovës. Fokusimi i krejt vëmendjes për ta gjetur fajtorin mes këtyre tri kategorive, i ka krijuar lehtësi të jashtëzakonshme qarqeve antishqiptare që të vazhdojnë lirshëm me realizimin e planeve të vrasjeve të radhës së shqiptarëve. Mbase rasti i planit të Shërbimit Sekret të Serbisë për vrasjen e mikut të tyre, Dik Marti dhe sajimi i narracionit se pas kësaj vrasje qëndrojnë shqiptarët, duhet të na nxisë të reflektojmë më qetë dhe më thellë se kush ka mundur të qëndroj mbrapa qindra vrasjeve enigmatike në Kosovë, vrasje për të cilat fajtori është kërkuar gjatë gjithë kohës mes nesh, ashtu sikur është planifikuar të kërkohet vrasësi brenda shqiptarëve nëse do ta vrisnin serbët mikun e tyre, Dik Marti, për të cilin do të fajësoheshin shqiptarët mandej. Dhe mirë që nuk ndodhi sepse ka mjaft shpirtshitur e miop në mesin tonë që do t’ia bënin shërbëtorin djallit për ta kërkuar autorin e kësaj vepre djallëzore në mesin e shqiptarëve, ashtu sikur e kanë paragjykuar dhe kërkuar dekada me radhë, për çdo vrasje enigmatike!!!

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …