Janë disa njerëz që, me cilësitë e tyre të shumta, lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrat dhe mendjet tona! Nuk ka fat më të mirë për familjen, kombin e atdheun sesa të pasurit e njerëzve të tillë. Por për fat të keq, kur këta ndrrojnë jetë, aq e madhe është zbrazëtia që lënë pas, sa nuk ka asgjë që e kompenson, as për afërsisht!
I tillë është njeriu shembullor, në të gjitha aspektet, Ahmet Qeriqi, udhërrëfyesi im dhe i shumë të tjerëve, pa dyshim!
Cilësitë e tij janë aq të shumta dhe aq konkurruese me njëra-tjetrën, sa njeriu nuk di cilen ta renditë të parën! Idealizmin apo atdhetarizmin, humanizmin apo altruizmin, vetmohimin apo përkushtimin, dashurinë e pakufishme për kombin apo për heronjtë dhe dëshmorët e tij, maturinë apo guximin, mendjemprehtësinë apo largpamësinë, dashurinë për të vërtetën apo drejtësinë, stoicizmin apo karakterin e tij luftarak, modestinë apo mençurinë… dhe kështu me radhë!
Janë të shumta përshtypjet e mia për Bacën tonë, por është një që më ka lënë përshtypje të jashtëzakonshme, që nuk e kam hasur te askush tjetër! Fjala është për promovimin e librave që i shkruante me shumë përkushtim – Fenikset e Lirisë, 19 vëllime!!!
Është zakon që arritjet të kremtohen në forma të ndryshme, zakonisht duke organizuar koktej për të shënuar kurorëzimin e suksesit, por Baca asnjëherë nuk preferonte përfundime të tilla të përurimit të librave! Posa përfundonte promovimi i librit, ai nxitonte drejt Radios Kosova e Lirë dhe vazhdonte me punën e tij. Herë-herë më bëhej se, në vend që t’i gëzohej përjetësimit të biografive të dëshmorëve të kombit në librin e posa promovuar, Baca ndjente keqardhje për biografitë e dëshmorëve dhe heronjve të tjerë të kombit dhe atdheut, biografitë e të cilëve ende kishin mbetur të pashkruara! Dhe Baca, pavarësisht viteve të shumta mbi supe, shëndetit të rënduar nga jeta e vështirë dhe sëmundja shfrytëzuese, nuk ndalonte së shkruari për heronjtë dhe dëshmorët e Shqipërisë etnike gjatë gjithë historisë! Por jo vetëm kaq. Baca, edhe kur nuk mund të fliste, shkruante me shumë pasion e respekt për njerëzit që i këndonin dëshmorëve dhe atdhedashurisë, afirmonte dhe vlerësonte luftën liridashëse të kombeve anekënd botës, por edhe shpenzonte tërë energjinë që po i shteronte, për të kritikuar e kundërshtuar ligësitë!
Janë këto copëza kujtimesh që të bëjnë të ndjesh njëkohësisht dhimbje e pikëllim për mungesën e tij fizike, por edhe fat dhe krenari për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fusha të ndryshme, ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme që do të bëjnë të mos harrohet kurrë emri i tij – Ahmet Qeriqi!