Sa herë vjen marsi, shqiptar anekënd viseve tona etnike, marrin rrugën drejt Drenicës, për në Prekazin heroik, aty ku lindi dhe u rrit Ushtria Çlirimtare e Kosovës, aty ku u bë beteja si në tregimet biblike, e Goliatit gjigand, pushtues e të dhunshëm, kundër Davudit liridashës e stoik. Nuk ka se të mos ndjehet mirë njeriu kur mëson për trimërinë e pashoqe të njerëzve të gjakut e kombit tënd, por krenaria e ndjenja e mirë, fillon të zbehet e të venitet kur kupton se gjysma e akterëve të asaj beteje titanike, as nuk është vlerësuar e as afirmuar sikur e kanë merituar! Fjala është për botën femërore shqiptare. Për nënë Zahiden, trimëreshën Salë, luftëtaret e lirisë, Feriden, Adilen, Fatimen, Selveten, Hamiden, Hidajeten,.. e dhjetëra luftëtare të paepura të lirisë, që për tri ditë me radhë, luftuan dhe qëndruan stoikisht, pranë prindërve, vëllezërve, fëmijëve e burrave të tyre që po luftonin me një heroizëm të paparë kundër një force policore – ushtarake shumë herë më të fuqishme, që po mundoheshin ta vrisnin dhe varrosnin përgjithmonë shqiptarin kryengritës e liridashës dhe kështu të merrte fund përgjithnjë, ideja për kryengritje të përgjithshme të armatosur kundër robërisë shekullore.
Askush nuk mund ta mohoj rolin vendimtar që ka pasur beteja e 5, 6, e 7 marsit në masivizimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës por duhet thënë qartë, pa ekuivokë dhe me shumë krenari se përveç burrave të prirë nga Adem, Shaban e Hamëz Jashari, një meritë të pakontestueshme kanë edhe Adile, Zahide, Feride e Sala Jashari dhe dhjetëra gra e vajza tjera që qëndruan dhe luftuan ato ditë deri në frymën e fundit. Është i dhimbshëm fakti sot se jemi miliona që njohim burra e gra që janë në pozitat më të larta të pushtetit, madje edhe gra e burra të pushtetshëm që nuk kanë bërë asgjë për shtet e komb pa u shpërblyer shumë fish më pastaj por shumë pak dimë për dhjetëra vajza e gra, që kanë dhënë gjithçka për lirinë e kombit e të atdheut, pa marrë asgjë për kompensim. Ndonëse nuk është afirmuar sa duhet e as është vlerësuar sikur e kanë merituar, duhet thënë se atdhedashuria e tyre është shembullore, e jo ajo e pushtetarëve që për angazhimin e tyre minimal për komb e vatan, kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin shpërblime maksimale, paga të majme, punësime familjare e farefisnore dhe privilegje të pafundme!
Përderisa gratë e vajzat heroina që luftonin në fushëbeteja ku jeta dhe vdekja qëndronin pranë njëra tjetrës, bënë atdhedashurinë sipas imperativit kategorik të Kantit, pushtetarët e sotëm bëjnë atdhetarin ama shumë më ndryshe, sipas imperativit hipotetik të Kantit. Është mbresëlënës atdhetarizmi i tyre, nëse e vlerësojmë sipas filozofisë kantiane. Shekuj më parë, një nga filozofët më të mëdhenj gjerman, Imanuel Kanti, fliste për dy lloje të moralit, atë që buronte nga imperativi kategorik dhe atë që vinte nga imperativi hipotetik. I pari na mëson, për një dashuri të pakushtëzuar, për një dashuri që na shtynë të bëjmë diçka por pa pritur asgjë për kompensim në këmbim të atij angazhimi tonë, i dyti, pra morali që vinte nga imperativi hipotetik, është ndryshe. Angazhimi që bëhet i nxitur nga ky imperativ, bëhet me qëllim të arritjes së ndonjë objektivi të mirë por për të cilin do të shpërblehemi edhe vet më pastaj. Pra përderisa për gratë dhe vajzat pjesëmarrëse të betejës së 5, 6, dhe 7 marsit, ( por edhe i betejave tjera ) alfa dhe omega e atdhetarizmit të tyre ishte lufta mbrojtëse dhe çlirimtare, për pushtetarët e sotëm, atdhetarizmi është krejt ndryshe, angazhim minimal që mandej të marrësh shpërblim maksimal, jo vetëm për veten e tyre për edhe për familjar, miq e farefis. Dhe çuditërisht, derisa të gjithë njohim këta që atdhedashurinë e përdorin si mjet për të arritur në pushtet, tepër pak dimë për gratë dhe vajzat atdhetare të njëmendta, që nuk e përdorën atdhedashurinë si mjet për pushtet por si një ideal që dhanë gjithçka për çlirimin dhe mirëqenien e kombit e vatanit. Është e pafalshme se sa pak kemi afirmuar dhe vlerësuar jetën dhe veprën e tyre shembullore të atdhedashurisë.
Por jo vetëm kaq. Atdhedashuria e botës femërore shqiptare ka edhe një dimension tjetër të jashtëzakonshëm, shembullor e mbresëlënës por ja që as nuk është afirmuar e as vlerësuar sikur e ka merituar. Nga psikologjia mësojmë se një nga motivet më të rëndësishme që e shtynë njeriun të bëjë vepra të jashtëzakonshme deri në vet sakrifikim, është motivi amnor. Ky motiv bënë që nëna të sakrifikon jetën e saj për ta shpëtuar jetën e fëmiut apo për hirë të mirëqenies së tij. E gratë e Jasharëve më 5, 6, e 7 mars, atdhedashuria i shtyri të bëjnë diçka sublime, përtej dhënies së jetës së tyre për lirinë e kombit e mëmëdheut. E themi këtë, sepse ato ishin plotësisht të vetëdijshme se gjatë pjesëmarrjes në luftën çlirimtare, në altarin e atdheut do të bijnë edhe qeniet për të cilat ato ishin të gatshme ta jepnin edhe jetën e tyre – fëmijët e tyre. Është ndjenjë e jashtëzakonshme, e papërshkrueshme kur e kujton se Zahidja, Feridja, Adilja, Sala e shumë gra të tjera, më 5, 6, e 7 mars, për lirinë e kombit e të atdheut, dhanë diçka më të shtrenjtë se sa jeta e tyre, dhanë edhe fëmijët e tyre, për të cilët ishin të gatshme të flijohen!!!
Prandaj atdhedashuria e tyre është madhështore, e jashtëzakonshme, shembullore, e papërshkrueshme. Por atdhedashuria e tillë, as nuk nisi e as nuk përfundoj me 5, 6, e shtatë mars. Dekada më parë, nëna Nazifja i tregonte birit të saj se ai kishte dy nëna. Nënën Nazife, që një ditë do ta linte, kur do të nisej për botën tjetër, dhe nënën Shqipëri, që do të jetonte përgjithmonë. Ajo e këshillonte birin e saj, Ademin, që jetën e tij t’ia kushtonte nënës Shqipëri dhe popullit shqiptar sepse nëna Nazife është vetëm e tij ndërsa Shqipëria është nënë e gjithë shqiptarëve. Ishin këto fjalë që te biri i saj e baca ynë, Adem Demaçi, ndezën një zjarr e dashuri të jashtëzakonshme për Shqipërinë e kombin shqiptar, që nuk ju shuan kurrë, deri në frymën e fundit. Kjo dashuri e Bacë Adem Demaçit dhe angazhimi i tij për komb e atdhe, frymëzoi dekada me radhë mijëra djem e vajza, burra e gra, të rinj, të vjetër e fëmijë, anekënd trojeve etnike. Ishte kjo dashuri që frymëzoi edhe Shabanin, Hamzën, Ademin, Zahiden, Salen, Feriden, Adilen, e shumë të tjerë dhe për tri ditë me radhë, me 5, 6 e 7 mars, qëndruan stoikisht, dhe për lirinë e kombit e të atdheut, luftuan si një trup i vetëm, deri në frymën e fundit, derisa ranë në altarin e lirisë, një nga një, bashkërisht, heroikisht!
Çuditërisht, në betejën shqiptarvrasëse treditore, do të mbijeton vetëm një vajzë, Besarta Hamëz Jashari. Nga ajo do të mësojmë se gjatë luftimeve me 5, 6 e 7 mars, e para që do të bije në altarin e lirisë, ishte një grua – Adile Jashari, derisa po furnizonte me armë e municion burrin e saj, komandantin legjendar, Adem Jashari. Pak muaj më vonë, mediet anekënd botës, do të mahniten me atdhedashurinë e një nëne tjetër. Medie anekënd botës do të njoftojnë se gjatë varrimit të trupit të dëshmorit të kombit, Fehmi Kastratit, derisa të gjithë po ndjenin dhimbje të papërshkrueshme gjatë varrimit të trupit të tij, nëna e dëshmorit të kombit, Fehmi Kastrati, mbledhë forcën dhe me dhimbje e stoicizëm e me një tonë sa lutës aq edhe urdhërues, ju drejtohet eprorëve dhe bashkëluftëtarëve të tij: Dëshiroj që pushkën e djalit tim Fehmiut, ta bart mbi supe biri im tjetër, Aliu. Unë edhe pesë djemtë tjerë ia kam falur lirisë së Kosovës! Ishte kjo deklaratë e saj që gazetarët ndërkombëtarë i kishte bërë të shkruajnë: Nuk do të ndalet lufta këtu derisa ky popull i vogël të arrijë lirinë. Është e habitshme se si gjatë varrimit të bijve, nënat e tyre duan që armët e tyre t’i bartin bijtë tjerë dhe të vazhdojnë luftën tutje, deri në çlirim! Dhe liria u arrit edhe falë nënave, grave e vajzave por ja që pa fajin e tyre, roli dhe kontributi i tyre as nuk është afirmuar e as vlerësuar sikur e kanë merituar. Dhe ky margjinalizim duhet të marr fund sa më parë dhe roli i femrës e gruas shqiptare, ta zë vendin e saj aty ku e ka dhe e ka pas, në faqet më të ndritura të historisë sonë, në luftën për çlirim e bashkim kombëtar.