leoni

Fatmir Grajqevci: Tri tregime fascinuese për bukuritë e papërshkrueshme

Janë mbresëlënëse tregimet që na ofrohen nëpërmjet librave shenjtë, Bibla e Kuran, që bëjnë fjalë për bukuritë e papërshkrueshme. Mbase kjo është edhe një nga arsyet se përse histori të tilla i kanë mbijetuar kohës dhe kanë hyrë në përjetësi. Një tregim i tillë na vjen edhe nga historia jonë jo e largët por ja që ne shumë pak dimë për këtë ngjarje që bën fjalë për një bukuri të artit mahnitës të botës shqiptare! Përderisa në Bibël e Kuran flitet për një pallat me arkitekturë të jashtëzakonshme, që nuk e gjejmë në ditët e sotme, si dhe për një bukuri njerëzore që ende mbetet sfiduese për kirurgjinë estetike, tregimi për bukurinë shqiptare na dëfton për artin e vallëzimit të popullit shqiptar në krahinën e skajit jugor të Shqipërisë, Çamërinë. E përbashkëta e tri tregimeve është mënyra e vënies në pah vlerës së bukurisë. Kjo vlerë universale e njerëzimit, nuk është paraqitur nëpërmjet gjuhës përshkruese por në një mënyrë krejt tjetër, pra duke vër theksin te pasojat që kanë shkaktuar bukuria te perceptuesit dhe vlerësuesit e saj.

 

Tregimi i parë – Pallati i Solomonit / Sylejmanit

   Lexuesi i vëmendshëm do të fascinohet me bukurinë mahnitëse e mbi të gjitha iluzionin që shkakton te vizitorët kur hyjnë në brendi të pallatit të Solomonit, sipas Biblës, apo Sylejmanit, sipas Kuranit. Nga këto dy libra të shenjta, mësojmë se një delegacion i oborrtarëve të mbretërisë së Shebas  ( sipas Kuranin, Sebejës, mbretëreshës së Sebes apo Sebejve ) të udhëhequr nga mbretëresha Sheba shkojnë për ta vizituar dhe korruptuar mbretin Solomon, respektivisht Sylejman. Atyre iu organizohet një pritje madhështore në pallatin e tij dhe udhëzohen të ecin tutje në drejtim të fronit të mbretit. Anëtarët e delegacionit mahniten nga madhështia dhe bukuria e jashtëzakonshme dhe mahnitëse e pallatit. Në momentin kur gjinden në një distancë të konsiderueshme nga froni i mbretit, ata fillojnë t’i përvjelin veshmbathjet drejt gjunjëve që të mos iu lagën derisa përshkojnë hapësirën për të arritur te froni i tij. Pas këtij gjesti, reagon mbreti Solomon duke kërkuar sqarime nga mysafirët se përse po i përvilnin veshmbathjet drejt gjunjëve!? Mysafirët përgjigjen se po e bëjnë këtë sepse mes tyre dhe atij, gjendet një hapësirë në formë pishine e mbuluar me ujë prandaj për të mos ju lagur rrobat, ata po i përvjelin ato. Pasi dëgjon arsyetimin, profeti Sylejman ju sqaron se nuk ka asnjë hapësirë me ujë mes tyre por se ky është një iluzion! Pavarësisht se sot me apo pa të drejt pretendojmë se arkitetktura e teknologjia është zhvilluar si kurrë më parë, nuk di të ketë ndonjë pallat ndokund që të shkaktoj iluzione të tilla!!!

Tregimi i dytë – Bukuria e profetit Jozef \Jusuf

   Një bukuri tjetër mahnitëse për të cilën na tregon Bibla e Kuran është ajo e profetit Jozef apo Jusuf. As në këtë rast bukuria nuk tregohet me anë të gjuhës përshkruese por me anë të pasojave që shkaktohen nga tiparet e jashtëzakonshme të bukurisë së profetit Jozef alias Jusuf! Ngjarja zhvillohet mijëra vite me parë, rreth shekullit të 17 para erës sonë, në pallatin e një prej autoriteteve më të larta te Egjiptit të periudhës kur nuk drejtohej nga Faraonët por mbreti (!). Gruaja e një prej ministrave të tij, e quajtur Zyleha, e mahnitur nga tiparet e jashtëzakonshme të bukurisë të shërbëtorit të tyre Jusuf, pushtohet nga ndjenjat e dashurisë për shërbëtorin e tyre. Ndonëse për një periudhë ajo ia del t’i mban ndjenjat nën kontroll, me kalimin e kohës, ato sa vijnë e fuqizohen dhe një ditë pushtohet prej tyre. E ndikuar nga ndjenja të tilla, ajo i vërsulet shërbëtorit Jusuf dhe e kërcënon se nëse nuk pranon të bëjë dashuri me te, pra Zylehan, ai do të përballet me pasoja të dhimbshme. Përkundër këtij kërcënimi nga një zonjë që kishte pushtet dhe mund ta dërgonte në rrathët e ferrit këdo që nuk i nënshtrohej vullnetit të saj, shërbëtori Jozef vendos t’i qëndroj besnik zotëriut të vet dhe të mos ia plotëson dëshirën pasionante gruas së tij, Zylehas. Por pavarësisht rezistencës së tij, një ditë prej ditësh, ajo i vërsulet shërbëtorit Jusuf për ta detyruar forcërisht t’ia plotëson dëshirën e zjarrtë të saj për të bërë dashuri. Në momentin kritik të sulmit, në pallat hyn burri i saj me oborrtarët dhe e ndodhur në një situatë delikate, Zylehaja i ankohet burrit te saj se shërbëtori i tyre në mënyrë tê dhunshme donte të bënte dashuri me te ndonëse kjo e kundërshtonte! Por pas sheshimit të fakteve, kuptohet se e vërteta ishte e kundërta e asaj që pretendonte Zylehaja. Me kalimin e kohës, ngjarja e ndodhur në pallat merr dhenë dhe se emri i saj lakohet mes grave autoritative të cilat shprehin habi dhe nënçmim për te për shkak se ajo kishte tentuar të bëj dashuri me shërbëtorin e saj, gjë e padëgjuar dhe e paakceptueshme për mendësinë e asaj kohe! E ndodhur në një situatë të tillë nënçmuese e përjashtuese gjatë shoqërimit me gra autoritative, Zylehaja sajon një ngjarje për të komprometuar gratë që e gjykonin atë për dashurinë që ndjente për shërbëtorin e saj, Jusuf.

   Ajo fton aty në një aheng të begatshëm, me tryeza të stërmbushura me ushqime të shumta, të cilat ju shërbeheshin me radhë nga shërbëtore e shërbëtor të shumtë. Mes ushqimeve të ndryshme, ajo kishte ofruar edhe pemë që para se të konsumohen, duhej qëruar me thika. Ajo kishte urdhëruar shërbëtorin Jusuf që të mos hynte assesi në pallatin ku zonjat e klasës së lartë, pra bashkëshortet e burrave të pushtetshëm, t’i merrnin thikat për të qëruar pemët para se t’i konsumonin. Gjatë kohës kur të gjitha zonjat po qëronin pemët, Zylehaja jep sinjal që tani në mjedisin ku po mbahej ahengu, të hyjë shërbëtori Jusuf me tabaka me pije të ndryshme! Në momentin që ai arrin me pije, tiparet e bukurisë së tij, rrëmbejnë shikimet e të gjitha grave! Derisa vëmendja e tyre është magjepsur nga bukuria e tij, Zylehaja kërkon nga to që të shohin duart e tyre dhe gjakun që rrjedh nëpër to për shkak se derisa po shihnin shërbëtorin që po i shërbente me pije, ato përveç pemëve kishin prerë edhe duart dhe gishtërinjtë e tyre!

   Vetëm pas tërheqjes së vëmendjes nga Zylehaja, gratë fillojnë të ndjejnë dhimbjen e shkaktuar nga prerja e duarve por jo edhe më parë, derisa ishin të magjepsura nga tiparet e bukurisë së shërbëtorit Jusuf! Lexuesit të vëmendshëm, analitik e kureshtar dhe që lexon edhe ato që nuk shkruhen por janë të nënkuptuara mes rreshtave, nuk ka se si të mos i vije pyetja: Athua, çfarë tipare të bukurisë duhet të ketë poseduar profeti Jusuf, që kanë magjepsur ato zonja autoritative sa t’i prenë duart dhe të mos e ndjejnë dhimbjen për shkak se vëmendja e tyre është rrëmbyer nga bukuria e jashtëzakonshme? Athua çfarë bukurie duhet të ketë qenë ajo e cila ka bërë që në vend se ta ndjejnë dhimbjen, të pushtohen nga ndjenjat që shkaktohen nga mahnitja prej bukurisë së jashtëzakonshme, të papërshkrueshme ama jo edhe të paakceptueshme nga mendjet që e kanë të zhvilluar tej mase imagjinatën!

Tregimi i tretë – Vallja e Osman Takes

   Tregimi i tretë bënë fjalë për një ngjarje të ndodhur shekuj më parë, kur trojet shqiptare ishin të pushtuara nga Perandoria Osmane. Ajo ndodhë në dy vendbanime të krahinës së skajit jugor të Shqipërisë, në Çamëri. Ngjarja ndodhë në Filat e Konispol, ku luhej një valle e jashtëzakonshme, e cila ia kishte shpëtuar jetën trimit e valltarit të jashtëzakonshëm, Osman Takes.

   Shekuj më parë, kur vajzat dhe gratë ishin të mbuluara me ferexhe, motra dhe gruaja e Osman Takes, derisa po ecnin nëpër Konispol, një oficer osman i cili ishte i shoqëruar nga pesë sejmen, ua ngrit dhunshëm mbulojën e fytyrës dy grave dhe i mahnitur nga bukuria e tyre, fillon te ju bën lajka. Në atë kohë, zbulimi i fytyrës konsiderohej akt fyes, përbuzës dhe tallës. Gratë që ju ishte zbuluar fytyra ishin motra dhe gruaja e trimit Osman Taka. Me të mësuar se çfarë i kishte ndodhur motrës dhe gruas së tij, ai mbledhë burrat e gjakut e të fisit dhe marrin vendim për hakmarrje. Ai merr dy shok dhe iu zë prit dhe i vret sejmenët me përjashtim të njërit që e len të gjallë për t’ia dërguar një porosi komandantit të Janinës se kushdo që tallet, përbuzë dhe trajton në mënyrë të padinjitetshme vajzat dhe gratë shqiptare, do ta ketë fatin e njëjtë!

   Me të marr lajmin, komandanti i ushtarëve në Janinë, pasi merr leje nga kryeqendra e Perandorisë Osmane, Stambolli, ai shpall flet arrestin për trimin, Osman Taka dhe bashkëluftëtarët e tij. Për kokën e tyre, valiu i Janinës ofron 5 mijë lira për këdo që ofron të dhëna që mundësojnë vrasjen e shokëve të tij dhe nxënien me çdo kusht gjallë, Osman Takën! Një shpirtshitur shqipfolës denoncon te pashai vendndodhjen e Osman Takes dhe bashkëluftëtarëve të tij. Me të marr lajmin, shumë taborre me ushtarë, të udhëhequr nga komandantët e tyre rrethojnë vendqëndrimin e tyre. Kërkesës për dorëzim, trimat shqiptar iu përgjigjen me armë. Kështu fillon një betejë e pabarabartë gjatë së cilës u vranë shumë ushtarë dhe disa shokë të Osman Takes. Luftimet pushuan vetëm kur Osman Takës dhe bashkëluftëtarëve të tij iu mbaroi municioni! Ata u arrestuan dhe u dënuan me vdekje – varje në litar! Akti i ekzekutimit do të bëhej në sheshin e qytetit. Në ditën e ekzekutimit, trimi Osman Taka me trupin e tij te bëshëm e shtathedhur, ec krenar drejt podiumit ku do të varej. Të gjithë mahniteshin me krenarinë e tij, mungesën e frikës dhe stoicizmin e jashtëzakonshëm. Ashtu sikur e donte zakoni, Hasan Beu me gruan e tij Xhemile, po vëzhgonin ngjarjen dhe habiteshin me qëndrimin e Osman Takes. Pyetjes se kadiut, Mexhit Bei se cila është dëshira e tij e fundit, Osman Taka i përgjigjet se dëshira e tij e vetme është që t’i mundësohet ta luaj Vallen e Konispolit! Valiu, Hasan Beu, gruaja e tij, Xhemilja por edhe kadiu Mexhit beu por edhe të pranishmit e tjerë të shumtë, habiten me këtë kërkesë të çuditshme dhe vendosin t’ia plotësojnë. Pasi vijnë edhe instrumentistët që i kishte kërkuar Osman Taka për t’iu rënë instrumenteve me melodinë e Valles së Konispolit, ai ia nis vallëzimit. Lëvizjet e tij delikate, tejet të zhdërvjellta dhe me një virtuozitet të valltarit të jashtëzakonshëm, mahnitin të pranishmit. Me të përfunduar të vallëzimit, gruaja e valiut, Hasan beut, Xhemilja, niset drejt skenës dhe kërkon nga Osman Taka që ta ekzekutoj edhe njëherë Vallen e Konispolit. Herën e dytë, Osman Taka vallëzon edhe më me virtuozitete dhe vë edhe më shumë në pah artin e vallëzimit duke realizuar lëvizje të befta, përkulje te jashtëzakonshme e të ngadaltë të trupit drejt tokës, prekjen e lehte të saj dhe ngritjen mandej drejt qiellit me vrull e me shumë lehtësi, për të vazhduar më tutje me rrotullim të trupit për 360 shkallë disa herë me radhë në vazhdimësi, duke mbajtur mandej gjithë peshën dhe balancën e trupit në gishtin e madh të vetëm njërës këmbë dhe duke e bërë këtë pa shfaqur aspak vështirësi por me një lehtësi të papërshkrueshme!!! E mahnitur nga ky vallëzim i tij, Xhemilja kërkon nga burri i saj, Hasan beu që t’i falet jeta këtij valltari të jashtëzakonshëm. Ajo shton më tutje se është mëkat që jeta e një valltari të tillë, të përfundon me varje në litar dhe kërkon që Osman Taka ta vazhdoi jetën e tij që edhe të tjerë njerëz të kenë mundësi ta shohin ekzekutimin e Valles së Konispolit të luajtur prej tij! Valiu, Hasan beu dhe kadiu Mexhid beu, shqyejnë fermanin e Portës së Lartë që kërkonte varjen e Osman Takes dhe marrin vendim që ai ta vazhdoi jetën në liri. Nga ai moment, Vallja e Konispolit, pagëzohet me emrin e tij dhe nga ajo kohë e deri më tani, ajo valle quhet ” Vallja e Osman Takes”. Ndonëse nuk ka ndonjë incizim për virtuozitetin e kësaj valleje, kushdo që ka pak shije dhe potencial në vlerësimin e krijimtarisë artistike, mund ta imagjinon se për çfarë valle dhe valltari bëhet fjalë, fal të cilave dëshirën për ta parë të varur Osman Takën në litar, e alternon në dëshirën për t’ia fal jetën këtij artisti të jashtëzakonshëm për ta ekzekutuar vallen me lëvizje mahnitëse të Valles së Konispolit!!!???

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …