Fatmir Grejqevci: Tregimi i Platonit 23 shekuj më parë për të ngujuarit në shpellë dhe “të ngujuarit” e sotëm në rrjetet sociale 

 Vlera e tregimeve të mendjeve të ndritura, nuk zvogëlohet me kalimin e kohës por përkundrazi, vetëm sa shtohet. Në mesin e tyre është edhe tregimi i filozofit Platon për njerëzit e ngujuar në shpellë. Kur analizon njeriu mirë e mirë këtë tregim dhe aludimet e tij, të bëhet se ai i referohet edhe realitetit të sotëm, edhe pse është shkruar afër 2 mijë e treqind vite më parë!!! Vështirë se mund të gjejë njeriu ndonjë tregim më të mirë që do të na ndihmonte ta kuptojmë kaq mirë realitetin e sotëm i cili po ndikohet tej mase nga rrjetet sociale, rrjete të cilat, për mendimin tim, ndikojnë tej mase në rritjen e depresionit dhe ndjesinë e të ndjerit njeri fatkeq!

   Në librin e tij të famshëm “Shteti” ( i cili në Shqipëri është quajtur “Republika” ndërsa universiteti i Harvardit e ka quajtur “Mbi drejtësinë” ), filozofi Platon mes tjerash tregon edhe për disa njerëz të ngujuar në shpellë. Fjala është për disa njerëz të mbërthyer me zinxhirë për të parë vetëm në fundin e shpellës. Ndërkohë, jashtë saj, gjendet bota reale e mbushur me qenie të gjalla, shpezë, kafshë e qenie tjera. Duke qenë se rrezet e diellit bëjnë që hija e tyre të manifestohet në fundin e shpellës, njerëzit e ngujuar aty, besojnë se janë duke parë qeniet reale. Qëndrimi për një kohë të gjatë në shpellë dhe mungesa e të menduarit krik mandej besimi i tyre se njohja vjen ekskluzivisht nga shqisat, bën që këta shpellar, të besojnë se ajo që shohin në fund të shpellës, është bota reale. Nëse ndonjë do të dilte jashtë saj dhe ta kuptonte se jeta reale zhvillohet jashtë shpellës ndërsa ajo që ndodhë në fund të saj është vetëm një kopje e dobët e realitetit, shpellarët do ta shpallnin këtë person të çmendur. Ky etiketim i tij, do ta zhvlerësonte tërësisht pohimin e tij të vërtetë. Të kota do të ishin përpjekjet e tij të shumta për t’i bindur të tjerët pasi shumica absolute e shpellarëve, këtë njeri që kishte përjetuar realitetin, tashmë e konsiderojnë të çmendur ndërsa pohimet e tij, marrëzi.

    Janë të dhimbshme dhe revoltuese përvojat e njerëzve të tillë, të cilët në vend se të dëgjohen dhe të mirëkuptohen, këta nga turmat e shpellarëve fishkëllehen dhe shpallen të çmendur ani pse pohimet e tyre janë të vërteta. Njerëz me përvoja të tilla të hidhura, fatkeqësisht kemi edhe në kulturën shqiptare!!!

    Tregimi i Platonit mbi shpellën, na ndihmon shumë për ta kuptuar realitetin e sotëm. Janë të shumtë njerëzit që ia dalin me shumë mjeshtri që me anë të rrjeteve sociale, të krijojnë përshtypje se bëjnë një jetë përrallore. Nëse analizon fotot që postojnë në adresat e tyre elektronike, të bëhet se në çdo çast të jetës së tyre dominon kënaqësia, gëzimi, hareja, lumturia, sukseset, jeta luksoze me dreka e darka pranë tryezave me ushqime të begatshme, pushime nëpër vende të ndryshme të botës, përgjatë çdo jave gjatë 12 muajve të vitit! Thjeshtë, jetë që edhe ata që jetojnë në parajsë do t’ua kishin zili. Nëse njeriu ju beson fotove të njëpasnjëshme që postojnë orë e çast, normalisht se do ta ndjej veten fatkeq që nuk ka as përafërsisht jetë të tillë por një jetë që a mundet apo nuk mundet të kaloj një javë në vit në pushime dhe në ndonjë fillim muaj të vitit ta shijon ndonjë drekë apo darkë të tillë, pasi në javën e dytë pas marrjes së pagës, do të detyrohet të numëroj qindarkat! Të kota do të jenë shpjegimet se jeta që na shfaqet nëpër rrjetet sociale nuk është e vërtetë ashtu sikur ishin të kota përpjekjet e ish shpellarit të tregimit të Platonit për të ju treguar shpellarëve të mbërthyer me zinxhir se ajo çka shohin në fund të shpellës nuk është e vërtetë por iluzion! Të kota do të jenë përpjekjet nëse iu thua se nëse të gjithë bëjnë jetë të tillë sikur na e paraqesin nëpër rrjetet sociale, përse ka kaq shitje të barnave antidepresive, përse ka çdo herë e më shumë raportime të dhunës në familje, shkurorëzimeve, vetvrasjeve, konsumimit enormë të substancave narkotike për t’u ndjerë mirë e shumë shembuj të tjerë. Nëse iu thua se ka njerëz që pushojnë vetëm pak ditë në javë por që gjatë gjithë kohës bëjnë foto për t’i postuar mandej gjatë gjithë vitit, të quajnë ziliqar e të marrë!!!

   Por jo vetëm kaq!

   Janë të shumtë njerëzit që dinë të aktrojnë role të ndryshme sidomos në skenën tonë politike. Aq mirë aktrojnë disa karaktere të caktuara sa duhet vite për ta kuptuar shpellarët se njerëzit nuk janë të tillë por kanë aktruar ato role. Disa shpellar nuk kanë për ta kuptuar kurrë dhe do të vdesin me bindje të tilla, se kanë parë jetën reale e jo iluzore. Të gjithë njohim njerëz të tillë, që janë aktor të jashtëzakonshëm ama edhe që urrejnë teje mase shumë, pafundësisht, njerëzit që ua çjerrin maskat. Sa e sa njeriu sot aktron patriotin ani pse asgjë s’kanë bërë për komb e vatan!? Sa e sa njerëz aktrojnë demokratin ani pse dikur e quanin veten më shumë se komunist duke përdorur terma sllav duke vet quajtur vetveten – prekokomunist, pra shumë më shumë se komunist. Ose të tillë që hiqen si tejet të moralshëm por që bëjnë vepra të tilla ndaj të cilave ndjejnë neveri edhe njerëzit e pamoralshëm. Ky soj i njerëzve, po të munden, do i zhduknin nga faqja e dheut të gjithë maskaçjerrësit e tyre ani pse hiqen si njerëz paqësor, të mëshirshëm dhe të pamëkate. Mbase në të tillë njerëz aludonte dy mijë vite më parë, Jezu Krishti kur porositste: “Kujdes nga ujqit me lëkurë deleje” ose Zigmund Fojdi kur konstatonte: Sa më engjëllor duket njeriu nga jashtë, aq më djallëzor është në brendi.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …