Fatmir Hajdar Hyseni (10.4.1976 - 9.5.1999)

Fatmir Hajdar Hyseni (10.4.1976 – 9.5.1999)

Dëshmori 23-vjeçar, Fatmir Hyseni, lindur në fshatin Mavri (ish-Sllatinë), i biri i Hajdarit dhe i Zahasë, rrjedh nga një familje e shtresës së mesme. Shkollën 8-vjeçare e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmen e la përgjysmë, të cilën e vazhdonte në qytetin e Besianës (ish-Podujevë).
Familja e Fatmirit ka dëftuar atdhedashuri jo vetëm gjatë luftës së fundit për çlirimin e Kosovës, por edhe më herët. Gjyshi i tij, Hajzir Hyseni, ka qënë pjesëmarrës i forcave nacionaliste gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ka luftuar si kundër pushtuesve fashistë ashtu edhe kundër titistëve. Pas asaj lufte, familja e tij është marrë kryesisht me bujqësi. Në vitin 1987 ata zhvendosen nga Sllatina dhe zbresin si familje në fshatin fushor të Ballofcit, ku, përveç shtëpisë, blejnë edhe rreth 10 hektarë tokë buke, ku edhe jetojnë më vete, si familje e ngushtë, pas vitit 1990. Në këtë vit, Fatmiri fillon studimet në shkollën e mesme, por për shkak se sëmuret, shtrohet në spital për një kohë të gjatë. Dalja e tij nga spitali përkoi me arrestimin e vëllait të tij të madh, Hajredinit, për herë të dytë, si rrjedhojë e aktivitetit politik ilegal. Ai në këtë periudhë pat qenë kryetar i Organizatës së LPK-së për zonën e Llapit dhe dënohet me 10 vjet burg, ku gjithsej ka vuajtur 10 vjet. Burgosja e vëllait të madh, vdekja e parakohshme e nënës së tij, shkëputja disamujore nga shkolla për arsye shëndetësore, si dhe largimi në emigracion i vëllait tjetër, për shkak të mospranimit të shkonte të kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në ushtrinë jugosllave, të gjitha këto e detyruan Fatmirin që ta ndërpriste përkohësishtë shkollën dhe t’i dilte krah babait të tij dhe familjes së vëllait që ishte në burg.
Aktiviteti atdhetar i Fatmirit i ka fillesat e veta gjatë viteve 1987-1988, në kohën e ilegalitetit më të thellë në Kosovë. Ai filloi ta ndihmonte atë, duke i fshehur edhe nga pjesëtarët e tjerë të familjes, në vende edhe më të sigurta, armët që Hajredini i sillte fshehtas në shtëpi dhe më vonë, duke i çuar ato edhe në destinacion, pasi fitoi besimin e vëllait dhe të shokëve të tij. Kjo lloj veprimtarie e bëri atë më serioz, tepër konspirativ dhe shumë të vendosur për çështjen shqiptare. Burgosjen e vëllait ai e mori si porosi të vazhdimit të rrugës së tij, si dhe filloi të lexonte literaturë politiko-patriotike, edhe pse e dinte që ishte nën survejimin e pushtetit armik. Si rrjedhojë, familja e tyre iu është nënshtruar kontrolleve të shpeshta të policisë serbe, deri edhe në sekuestrime të pasurisë familjare, në kundërshtim me ligjet e vetë pushtetit të atij regjimi. Të gjitha këto ia rrisnin urrejtjen Fatmirit për pushtuesin e egër serb.
Shpërthimi i luftës së armatosur në Kosovë për çlirimin e saj, Fatmirin jo vetëm që e entuziazmoi, por në kohën kur i kish premtuar të vëllait t’i shkonte për ta takuar në burg, atij, me t’iu paraqitur rasti, më 10 korrik 1998, parapëlqeu që më mirë të rrëmbente armët dhe shkoi në radhët e UÇK-së, duke u paraqitur në bazën e parë të saj, e cila ish krijuar në zonën e Lllapit, në Zabërgjë. Vëllai tjetër në emigracion vazhdonte të ndihmonte fondin “Vendlindja thërret” bashkë me të shoqen e tij.
Në dhjetëditëshin e fundit të atij muaji, Fatmiri, së bashku me disa shokë të tjerë, urdhërohet që të transferohen në fshatin Bajgorë, ku ishte vendosur Komanda e Zonës së ardhshme Operative për Llapin. Fillimisht ajo pikë u shndërrua në qendër stërvitore, ku Fatmiri iu nënshtrua stërvitjes si ushtar i thjeshtë dhe më vonë ndihmonte të rinjtë për ta mësuar sa më shpejt e më mirë artin e të luftuarit. Në ato ditë krijohen edhe dy brigadat e para të asaj zone, Brigada 151 dhe 152 si dhe Nënreparti i Veprimeve Zbuluso- Diversioniste i Brigadës 152, në të cilin u inkuadrua edhe Fatmir Hyseni. Ai njësit përbëhej nga 25 djem, ku më i moshuari ishte komandanti i atij njësiti, Fatmir Sfishta, 25 vjeç. Fatmir Hyseni ishte në përbërje të skuadrës së tretë të këtij njësiti. Ky njësit, duke qenë se u krijua për veprime luftarake në shpinë të armikut, i ka takuar të marrë pjesë në të gjitha luftimet që ka zhvilluar jo vetëm Brigada 152, por edhe të brigadave të tjera. Ai njësit, detyrat më të shumta i ka kryer si rezervë e komandës së brigadës. Në të gjitha luftimet, në front dhe në shpinë të armikut, që ka zhvilluar ai njësit, Fatmir Hyseni nuk ka munguar as edhe një orë në ato luftime, duke mbajtur, përveç automatikut, edhe armën kundërtanke, zolën. Pagëzimin e parë me luftën Fatmiri dhe shokët e tij e bëjnë më 15 shtator të vitit 1998, në Pikën e Kaçandollit, ku njësiti shkoi në përforcim të forcave të tjera për thyerjen e sulmit të armikut, duke e goditur atë në pikën më të fortë të tij dhe ia dolën me sukses.
Dihet se, në rast se fitohet beteja e parë, rritet shumë morali në luftë. Kështu ndodhi edhe me këtë njësit special. Pas fitores së Kaçandollit, djemtë e njësitit nuk kish formacion serb që t’i thyente. Shkathtësinë dhe trimërinë e tyre ata e treguan edhe më 24 dhjetor në luftimet e Peranit, kur u shkuan në përforcim forcave të kompanisë së komanduar nga Refik Jashari. Ato forca ishin pozicionuar në vijën Peran-Obrançë-Duriqët, duke plotësuar boshllëkun midis Duriqëve dhe Tabeve të Llapashticës, me qëllim që të mos e linin armikun t’u merrte krahët si, togës së Isa Kastratit, e cila mbante me këmbëngulje pikën strategjike të Tabeve, ashtu edhe kompanisë së komanduar nga Refiku. Skuadra ku bënte pjesë Fatmir Hyseni, meqenëse ishte e pajisur edhe me antitankun e tij, e vendos në qendër të formacionit të Njësitit Special, atje ku pritjej edhe sulmi i tankeve të armikut, duke krijuar pengesën kundërtanke. Pas mbi 12 orë luftimesh, ushtria serbe u detyrua të tërhiqej në bazën e nisjes dhe pasi bëri rigrupimin e forcave, më 27 dhjetor rifillojnë përsëri sulmin, por tashti, duke e ndryshuar drejtimin e goditjes kryesore, sulmon në drejtim të Peranit. Kompania u detyrua që të bënte ngjeshjen e forcave për përballimin e atij sulmi, kështu që secilës skuadër të Njësitit Special iu ngarkua detyrë të mbronte secila nga një rajon toge. Skuadra, ku bënte pjesë Fatmiri, duke kaluar shpeshherë në sulm dhe duke e goditur në befasi armikun, ua lehtësoi forcave të tjera përballimin e sulmit të forcave armike dhe kështu serbët nuk mundën t’i përmirësonin pozitat.
Më 15 janar 1999, armiku, pa aguar mirë, fillon lëvizjet për të depërtuar në drejtim të Peranit. Komanda e Brigadës urdhëron Njësitin Special që t’u dalë përpara sa më parë forcave serbe dhe t’i ndalojnë ato, derisa forcat e tjera të Brigadës të mund të përhapeshin në formacion luftimi, dhe këtë detyrë Njësiti Special, ku bënte pjesë Fatmir Hyseni, e kreu me sukses.
Edhe në luftimet te Pishat e Dobërdollit, më 24 mars 1999, ishte skuadra e Fatmirit, e cila iu shkoi në përforcim forcave të Mbrojtjes Territoriale, që komandoheshin nga Bajram Gashi. Shkuarja e Njësitit Special në këtë pikë ishte vendimtare për të mbrojtur shpinën e Brigadës, e cila ishte e angazhuar në luftime kundër armikut që sulmonte me forca të shumta, që vinin nga Besjana. Pas dy ditë luftimesh, forcat serbe, që sulmuan nga shpina e Brigadës, duke mos pasur sukses, u detyruan ta ndryshojnë drejtimin e sulmit, duke sulmuar më në jug të Pishave të Dobërdollit, me qëllim që të kapnin fshatin Bajçinë. Edhe Njësiti Special e ndërron rajonin e mbrojtjes dhe vendoset përballë sulmit kryesor të armikut, derisa e detyroi atë që të heqë dorë nga luftimi, pas dy ditë luftimesh. Si rrjedhojë e një jave luftimesh, ditën dhe natën, komanda e Brigadës urdhëron që Njësiti Special të kalojë në skalion të dytë, që të mund të çlodhej dhe të ishte i gatshëm për veprime të tjera luftarake të papritura, duke u bazuar në fshatin Dobratin. Pas disa ditësh, Njësiti Special kalon në shpinë të forcave serbe, me bazë në Potërkovë. Ditën, Njësiti maskohej në këtë fshat dhe natën kryente sulme kundër forcave serbe, që shfrytëzonin për pushim shtëpitë e boshatisura të shqiptarëve në Dumnicë të Epërme, në Llaushë dhe në Dumnicë të Poshtme. Këto luftime vazhduan gati një javë rresht, pandërprerë. Në këto luftime Fatmir Hyseni emërohet komandat skuadre, ku tashti Njësiti Special kishte vetëm dy të tilla, pasi një pjesë e tyre ishin larguar duke u ngarkuar me detyra të tjera nëpër repartet e Brigadës.
Më 9 maj 1999, Njësiti Special ndodhej në fshatin Potok. Forcat serbe ishin përqendruar në Kaçandoll. Qafa e Gurit të Bardhë, që ndodhet midis Potokut dhe Kaçandollit, mbahej nga forcat tona. Duke qenë pikë strategjike, pasi prej andej kontrollohen të gjitha lëvizjet e mundshme të kundërshtarit, si në drejtim të Vushtrisë, të Mitrovicës dhe në atë të Besjanës, armiku vendos ta marrë me sulm të fuqishëm. Forcat tona patën nxjerrë vëzhgues në atë pikë, i cili i dikton me vonesë lëvizjet e forcave serbe, dhe pa diktuar një grup të tyre zbulues diversionist, që kish mundur të afrohej gjatë natës në fshehtësi dhe të pozicionohej, një pjesë në afërsi të Gurit të Bardhë, nga ana jugore, dhe disa të tjerë te Plepat, për t’i mbrojtur ata nga shpina dhe për t’i mbështetur me zjarr.
U dha sinjali i alarmit. Dy skuadrat e Njësitit Special lëvizin me shpejtësi rrufeje, duke iu ngjitur pjerrtësisë së malit, në formacion paraluftimi. Skuadra nën komandën e Fatmir Hysenit u nis për në krahun e majtë të Gurit të Bardhë, ndërsa skuadra tjetër, nën komandën e komandantit të Njësitit, sulmon në krahun tjetër. Fatmir Hyseni, duke qenë në qendër të formacionit të paraluftimit të skuadrës, sulmonte në vijë të parë, duke e thyer rregullin, për të komanduar skuadrën nga një pozicion më i prapmë. Ai pat marrë me vete edhe murtajën e Njësitit. Vraponte me shpejtësi, pasi e vlerësoi drejt rrezikun. Luftohej se kush do të kapte i pari kreshtën e Gurit të Bardhë, ne apo armiku. Kur u afruan në afërsi të kreshtës, Fatmiri urdhëroi skuardën të hapej në formacion luftimi dhe ta merrnin kreshtën me sulm. Vetë ishte më përpara se shokët, me qëllim që të arrinte në kreshtë sa më shpejt e të vendoste në përdorim mortajën. Ai mbërrin në kreshtë më shpejt se skuadra e tij. U doli ushtarëve të maskuar serbë disa metra përballë, të cilët, të befasuar nga dalja e tij, hapin zjarr të befasishëm dhe qëllojnë të gjithë njëherësh kundër Fatmirit. Shokët e tjerë ranë barkas dhe hapën zjarr andej nga qëllohej. U lidhën në radio me komandantin e Njësitit. Ai dha urdhër që të afroheshin me zvarritje, drejt pozicionit ku qe goditur Fatmiri dhe, me forcat që komandonte, kur doli në faqen tjetër të kreshtës, i drejtoi forcat për rrethimin dhe kapjen e ushtarëve serbë që ndodheshin në anën tjetër të Gurit të Bardhë. Goditet nga forcat serbe që ndodheshin te Plepat, të cilat bënin mbulimin me zjarr të tërheqjes së grupit serb, që kishte qëlluar kundër Fatmir Hysenit, gjë që ua vështirësoi lëvizjen forcave që komandoheshin nga Fatmir Sfishta. Armiku e pa se nuk mund ta mbante me ato forca Gurin e Bardhë, pasi forcat kryesore të tij ndodheshin shumë larg Gurit të Bardhë, në raport me forcat tona, ndaj dhe u tërhoq grupi i ushtarëve serbë.
Edhe pse sulmi ynë ishte i shpejtë dhe i fuqishëm, nuk mundën ta shpëtonin Fatmirin, pasi ai ishte goditur qysh në breshëritë e para për vdekje dhe nuk kishte mundur as edhe të kundërpërgjigjej me zjarr. Kështu, pas 303 ditë luftë, bie në fushën e nderit Fatmir Hyseni, dëshmori i tretë i Njësitit Special të Brigadës 152, duke mos pasur mundësi të takohej me vëllanë e burgosur, të cilit i pat premtuar t’i shkonte në takim. Ndoshta kish menduar ta gëzonte atë me dhuratën më të madhe, lirinë e Kosovës.
Të nesërmen, më 10 maj, shokët e përcollën për herë të fundit me krisma armësh te lëndina në afërsi të shkollës së Potokut dhe më 4 korrik 1999 i bëjnë rivarrosjen e tij në varrezat e fshatit Ballofc, ndërsa në vendin e rënies është ngritur lapidari, i cili u bën roje tri komunave veriore të Kosovës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …