Eprori dhe luftëtari i lirisë, Fatmir Humolli, me rastin e 30 dhjetorit Ditës së Veteranit ka shkruar: Më shumë ka nevojë shteti t’i respektoj veteranët, se sa veteranët të respektohen nga shteti.
Deri më sot, shteti ynë nuk i ka ofruar mundësi punësimi veteranit, e ka pasivizuar atë, duke e lënë në cep të mbijetesës me një pension minimal, të cilin po tentojnë t’ia minojnë edhe më tej.
Ajo që sot po i mungon më së shumti veteranit është respekti nga shteti. E duke i mohuar respektin veteranit, i dobësohet vullneti për të mbrojtur Kosovën ushtarit të FSK-së, i dobësohet dëshira për të qenë në krye të detyrës policit, i dobësohet guximi për të gjykuar drejt gjykatësit… e kështu po krijohet një armiqësi e brendshme me secilën kategori te shoqërisë duke i dhënë mesazh se shteti ynë nuk i respekton vlerat.
Me respektim të veteranëve shteti respekton veten dhe inkurajon secilin pjesëtar të shoqërisë sonë të punoj e ta doj vendin e vet. Njëkohësisht, armiku merr mesazhin se këtij vendi i del zot populli.
Sot, i uroj Ditën e Veteranit të gjithë popullit me shpresën se vlerat e shoqërisë sonë do të respektohen në vazhdimësi!