Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar arrogancën e kësaj qeverie gjatë mandatit të saj. Sipas Limajt, Kurti nuk i trajton ministrat si profesionistë me kompetenca dhe përvojë, por më shumë si shërbëtorë që ndjekin urdhrat pa pavarësi apo ndikim të vetin në vendimmarrje. Limaj e përshkruan qeverisjen e Kurtit si të ndërtuar rreth një grupi njerëzish pa prapavijë të fortë profesionale. Ai, ka kritikuar qeverisjen e tanishme për përkeqësimin e situatës në shëndetësi dhe arsim. Limaj theksoi se çmimet janë rritur ndjeshëm, duke përmendur se çmimi i artikujve ushqimorë është rritur me 40% që nga viti 2019, duke i përshkruar premtimet për uljen e TVSH-së si dështim. Më tej, ai theksoi se për katër vjet, kjo qeverisje ka pasur 12 milionë euro në dispozicion, por nuk ka realizuar asnjë projekt ose investim të rëndësishëm që mund të konsiderohet si arritje.
