leoni

Fatmir Graiqevci: Gjatë luftës, e bombarduar, pas saj, e keqtrajtuar por asnjëherë nga misioni i saj fisnik, e dorëzuar – Radio Kosova e Lirë

Ngjarjet e këtyre ditëve në Ukrainë, luftëtarët dhe gazetarët që raportojnë nga vijat e frontit, për të cilët anekënd botës flitet me admirim, nuk ka se si të mos kujtojnë edhe heroizmin shumë herë më të madh të ushtarëve, gazetarëve tonë dhe medieve të luftës por ja që kontributi i tyre as nuk është afirmuar dhe as vlerësuar sikur e ka merituar! Dhe kur kujton luftën tonë çlirimtare, nuk ka se si të mos kujtohet edhe Radio Kosova e Lirë, e cila gjatë luftës me qindra herë është bombarduar ndërsa pas përfundimit të saj asnjëherë nuk është trajtuar sikur e ka merituar por përkundrazi, është keqtrajtuar nga të gjitha qeveritë, përfshirë edhe Qeverinë Kurti e cila nuk është mjaftuar vetëm me mos trajtimin e saj meritor por ka bërë edhe një hap tutje – anashkalimin dhe përjashtimin e saj nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë më të re kombëtare, sikur është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me 5, 6, e 7 mars dhe akademia kushtuar Masakrës së Reçakut, në janar!!!

   Ndonëse ishte një radio e vogël por e krijuar nga një staf me atdhedashuri të madhe, ajo shumë shpejt do të faktorizohet dhe do të luaj një rol qenësor për luftën tonë çlirimtare, pasqyrimin objektiv të saj duke raportuar nga vijat e frontit, me raste thuaja në kohë reale! Përveç kësaj, kishte një koncept militant i cili po i motivonte dhjetëra mijëra qytetar liridashës për të kontribuar në luftën çlirimtare, si dhe po e ushqente dhe fuqizonte bindjen se lufta çlirimtare do të përfundoj me sukses. Fryma e raportimeve të saj nga frontet e luftës, koncepti i saj luftarak dhe mos dorëzues përball asnjë vështirësie, ngjallja e shpresës së humbur si dhe krijimi i mendësisë tjetër se Kosova ka bijat e saj bijtë e vet që do të luftojnë për çlirimin e saj pavarësisht çmimit, kishte ushqyer edhe më fuqishëm motivin atdhetar te shtresat liridashëse të kombit. Kjo kishte bërë që Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t’i bashkohen edhe më shumë të rinj e të reja, burra e gra, nga të gjitha viset e Shqipërisë etnike. Kjo po bënte që lufta të merr tipare të luftës për çlirim kombëtar. Mbase kjo është vënë re shumë mirë nga regjimi i Serbisë prandaj ata organizojnë një aksion special për shkatërrimin dhe zhdukjen nga faqja e dheut të kësaj Radioje të vogël por që po jepte një kontribut të jashtëzakonshëm në fuqizimin e luftës çlirimtare. Pak ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet e forcave serbe, që nis me 24 mars, Serbia nis sulmin ajror për shkatërrimin dhe zhdukjen nga faqja e dheut të Radios Kosova e Lirë. Ky aksion do të fillon të zbatohet në agun e 27 marsit kur avionët luftarak të tipit MIG të ushtrisë së Serbisë do të hedhin bomba kasetë mbi vendndodhjen e kësaj Radioje, në fshatin Berishë, nga e cila do të shuhet jeta e 16 vjeçarit, Elbasan Berisha, djalë dëshiri.  Kohë më parë, edhe një nga kryekriminelët e Serbisë, Vojisllav Sheshel kishte paralajmëruar se së shpejti do ta zhbëjnë këtë radio, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në vendin ku operojnë këto institucione të Kosovës ai do ta pijë kafen e mëngjesit. Dhe ishte mëngjesi i 27 marsit kur aeroplanët ushtarak të Serbisë lëshojnë bomba të shumta mbi fshatin Berishë, ishte mesdita e kësaj dite kur mediet e Serbisë njoftonin për shkatërrimin e Radios Kosova e Lirë dhe disa orë më vonë, po nga Berisha, Radio Kosova e Lirë vazhdon të njofton opinionin liridashës për betejat e lavdishme të bijve dhe bijave më të mira të saj, për fitore nëpër beteja të shumta dhe në fuqizimin e mendësisë se pavarësisht çmimit, lufta për çlirim as nuk do të ndalohet e as nuk do të ketë kthim mbrapa, deri në çlirim. Lufta e saj të përkujton luftën e Davidit kundër Goliatit, e cila mijëra vite më parë ishte zhvilluar mijëra kilometra larg nesh ndërsa tani po zhvillohej në trojet e arbrit ku po ndesheshin forcat e dritës e të lirisë kundër forcave të errësirë, robërisë e barbarisë. Dhe askush nuk e pasqyronte këtë luftë më mirë se sa gazetarët dhe reporterët e kësaj Radioje, që nuk po raportonin larg nga vijat e frontit por nga istikamet e luftës duke qenë dëshmitar okular të ngjarjeve, betejave, vrasjeve, dhunës e masakrave barbare. Kjo kishte bërë që lajmet e saj të merrnin dhenë sepse ishin lajme të besueshme dhe që po pasqyronin si asnjë medium tjetër atë që po ndodhte në Kosovë, nga ku ishin larguar dhjetëra e qindra gazetar posa fushata shqiptar vrasëse ishte shtrirë anekënd Kosovës.

Por ja që sot askush nuk shfaq admirim sikur e meritojnë gazetarët e dy mediumeve të luftës sonë çlirimtare, Radios Kosova e Lirë dhe agjencisë së lajmeve “Kosovapres”. Mbase nuk flasin sepse nuk e përballojnë dot faktin se përderisa disa gazetar kishin zgjedhur të qëndronin larg e më larg zonave të luftës, një numër tjetër i vogël i tyre kishin zgjedhur të qëndronin brenda zonës së luftimeve dhe të hapëronin nëpër istikame të luftës dhe të informonin nga aty, duke iu dhënë jehonë krismave të armëve të çlirimtarëve të Kosovës nëpërmjet valëve të Radios Kosova e Lirë, e cila ishte bërë zë i shpresës dhe mosdorëzimit, jehonëdhënëse e kushtrimit të kryetrimit, Adem Jashari, se lufta për çlirimin e kombit e të atdheut, i obligon të gjithë dhe se kthim mbrapa s’ka. Ishin reporterët e luftës dhe gazetarët e kësaj Radioje që si asnjë medium tjetër po tregonte barbarinë që po bënte ushtria dhe policia e Serbisë anekënd Kosovës. Dhe ky kontribut fisnik i saj, për ta pasqyruar luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në njërën anë ndërsa në anën tjetër duke denoncuar krimet e masakrat e ushtrisë dhe policisë së Serbisë kundër grave e fëmijëve, pleqve e plakave, të rinjve e të rejave, kishte bërë që sulmet e ushtrisë së Serbisë të fuqizohen edhe më shumë kundër vendit ku ndodhej kjo Radio. Me qindra e mijëra predha, raketa e granata godasin hapësirën ku gjendej Radio Kosova e Lirë për ta ndal zërin e saj, por nuk ia dolën fal luftës heroike të bijve dhe bijave më të mira të kombit, luftë e cila bëri të pamundur pushtimin e hapësirës ku operonte kjo Radio, ndonëse granatimet dhe sulmet e armatosura për pushtimin e kësaj hapësire nuk u ndalën asnjë ditë, për muaj me radhë. Janë të shumtë ushtarët dhe eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë luftuar deri në rënien heroike në mbrojtje të zonës ku operonte Radio Kosova e Lirë, zëri i së cilës ishte bërë zë i shpresës në fitore dhe paralajmërues i agut të lirisë. Lufta a armatosur kundër këtij mediumi përfundoj vetëm atëherë kur Serbia u detyrua të largohet nga Kosova. Themi përfundoj lufta e armatosur kundër Radios Kosova e Lirë sepse me të përfunduar lufta çlirimtare, ajo filloi të ballafaqohet me vështirësi e pengesa të shumta, ndonëse misioni i saj ishte fisnik, human e liridashës – afirmimi i veprimtarisë liridashëse, atdhetare e humane e të gjithë dëshmorëve të kombit, të të gjithë brezave në njërën anë si dhe dokumentimin e krimeve serbe anekënd Kosovës, nga ana tjetër. Lufta e pa kompromis për realizimin e këtij misioni, duket se iu ka penguar qarqeve të caktuara prandaj bënin përpjekje të ndryshme për shuarjen e zërit të saj liridashës në njërën anë dhe kritik ndaj dukurive negative që po shfaqeshin e po lëshonin shtat në Kosovë!!!

   Se në çfarë kushte ka operuar kjo radio, e dinë më së miri punëtorët e saj dhe ata që e kanë vizituar herë pas here. Është për keqardhje por duhet thënë troç se për shumë vite me radhë, objekti ku është ajo, më shumë i ka përngjarë një burgu se sa një mediumi!!! Të gjitha dritaret me grila sikur ato të burgjeve, me mure me lagështi dhe myk nëpër qoshe të tyre ndërsa gjatë stinës së dimrit, ka pikuar ngado dhe më shumë i ka ngjarë një bunkeri primitiv të sajuar gjatë kohës së luftës se sa një godine normale ku mund të ulesh kudo, pa pasur nevojë me zgjedh një vend ku nuk pikon ujë nga pllaka!!! Mund të duket e ekzagjeruar, por nuk ka pasur asnjë dhomë në ndërtesën ku operon Radioja Kosova e Lirë në të cilën nuk ka pikuar uji! Asnjë!!! Por gjendja rëndohej edhe më shumë kur binte borë ose shi i rrëmbyeshëm dhe kjo bënte që në aq shumë vende të pikonte uji sa me raste duhej lëvizur edhe mikseta!!! Është edhe një fakt tjetër i dhimbshëm. Bërthama e stafit të Radios Kosova e Lirë ishin të burgosur politik dhe nuk e kanë merituar të tillët që edhe gjatë lirisë, vite e dekada me radhë të punojnë në ambiente që t’ua përkujtoj burgun, ku e kaluan rininë e tyre!!! Kjo është e pafalshme, për të gjitha Qeveritë, përfshirë edhe këtë të Kurtit e cila nuk mjaftohet me kaq por ka bërë edhe një hap tutje – duke anashkaluar Radion Kosova e Lirë nga përkujtimet e ngjarjeve që kanë hyrë në historinë më të re të Kosovës sikur është Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me 5,6 e 7 mars dhe akademia kushtuar Masakres së Reçakut, edhe pse askush sa Radio Kosova e Lirë nuk e ka afirmuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në njërën anë dhe pasqyrimin e krimeve e masakrave që ka bërë ushtria dhe policia e Serbisë anekënd Kosovës. 

  Por pavarësisht sulmeve të armatosura kundër saj gjatë luftës çlirimtare për zhdukjen e saj nga sipërfaqja e dheut dhe përpjekjeve djallëzore të pasluftës për shuarjen e zërit të saj, Radio Kosova e Lirë qëndroi dhe po qëndron vertikalisht dhe po vazhdon me misionin e saj fisnik – afirmimin e jetës dhe veprës së heronjve e dëshmorëve të kombit, të të gjitha gjeneratave, në njërën anë dhe ndriçimin e përkujtimin e masakrave të realizuara anekënd Kosovës, nga ana tjetër. Por jo vetëm kaq. Radio Kosova e Lirë vazhdon të jetë kritike ndaj çdo përpjekje a vendimi që është i dëmshëm dhe me pasoja për kombin e atdheun, pavarësisht se kush është në krye të Qeverisë. Këtë e ka bërë edhe gjatë kohës kur të tjerët bënin strucin, po e bën edhe sot e do ta bëj edhe nesër sepse asnjë medium tjetër nuk është i mëshiruar me luftën çlirimtare sikur është Radio Kosova e Lirë, ku jeta dhe veprimtaria liridashëse e heronjve dhe dëshmorëve të kombit, është ADN-ja e saj, duan apo nuk duan ta pranojnë, ata që duan të shuhet zëri i saj liridashës dhe afirmues i luftës së sa e sa gjeneratave për çlirim dhe bashkim kombëtar, ashtu sikur jetojnë kombet e qytetëruara anekënd botës. 

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …