Faton KLINAKU: Koncepti i gabuar politik, aleati i shtyrjeve të vazhdueshme!

Jemi dëshmitarë të shtyrjeve të vazhdueshme të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, dhe kjo po bëhet jo për shkak të Serbisë dhe Rusisë apo mosmiratimit të Rezolutës por për shkakun se subjektet politike kudo në trojet shqiptare e përkrahin konceptin e gabuar politik, konceptin e parealizueshëm për rrethanat, atë të pavarësisë së Kosovës. 
Po ti referohemi akteve ndërkombëtare respektivisht kartës së OKB-së, Kosova nuk mund të bëhet shtet i pavarur e sovran përderisa populli shqiptar si shumicë, nuk konsiderohet popull por bashkësi etnike sikur pakicat. Pra, karta e OKB-së ka të bëjë me popujt apo kombet e jo me bashkësitë etnike. 
Janë edhe këto tri arsye që mendoj se Kosova nuk do të jetë shtet asnjëherë: 
1. Nuk është në interes të bashkësisë ndërkombëtare që Kosova të bëhet shtet i dytë shqiptar; 
2. Kosova shtet multietnik nuk mund të bëhet sepse do të sjellë konflikte të brendshme sepse nuk mund të jetë pakica serbe prej 4% e barabartë me shumicën shqiptare prej 92%;
3. Kosova shtet i kombit kosovar nuk bëhet sepse duhet kohë për tu krijuar kombi kosovar, 10 vjet, 20 vjet, 100 vjet e ndoshta asnjëherë. 
Pra politika e pavarësisë së Kosovës, e bërjes së Kosovës shtet, përveç kartës së OKB-së është e parealizuar edhe për këto tri arsye dhe kjo politikë gjithnjë do të na mbajë me statuskuo, dhe kjo statuskuo është në interes të Serbisë, e cila vazhdimisht po merr territore e prona shqiptare (edhe duke i blerë) dhe po i popullon me serbë me qëllim që në të ardhmen kur të shtrohet për zgjidhje çështja shqiptare në ballkan të ketë arsyen e fortë në vetëvendosjen e kombeve mbi bazën e parimit të njohur të shumicës dërrmuese të popullsisë ku jeton. 
Shpëtimi i asaj çka mund të shpëtojmë si popull shqiptar, është, që sa më parë të rreshtohemi drejt politikës së bashkimit të kombit shqiptar sepse çdo ditë e më shumë humbim derisa nuk fuqizohet kjo politikë. 
Zhvillimet e kohëve të fundit sikur po tregojnë se ne si shqiptarë duhet ti kthehemi origjinës sonë, për të na kuptuar bota se çfarë dëshirojmë. Pra, të gjitha subjektet politike duhet të kenë koncepte të qarta për botën, koncept të bashkimit të kombit shqiptar në një shtet të vetëm-Shqipërinë, koncept i cili na jep të drejtë në bazë të kartës së OKB-së dhe akteve tjera ndërkombëtare. 
Sa i përket konceptit të bashkimit të kombit shqiptar në një shtet, ky nuk është një mendim në hapësirë por një realitet që do të vijë sa më shpejt që ne të punojmë dhe veprojmë për formimin e këtij shteti të bashkuar. Mendoi se gabohet rëndë ai që mendon se shqiptarët nuk duan të bashkohen në një shtet të vetëm, por këtij koncepti politik nuk i jepet hapësirë nga politika aktuale e cila i ka okupuar edhe mediat e shkruara dhe elektronike, politikë e cila edhe e frikëson popullin pa arsye, duke i thënë se nëse kërkojmë bashkim të kombit e humbim edhe “Pavarësinë e Kosovës”. 
Për të ardhur deri te bashkimi i shqiptarëve në një shtet duhet që populli tu tërheqë vëmendjen “politikanëve” që të punojnë për këtë gjë e jo të jenë servilë duke punuar për interesat e të huajve. Nëse politikanët mendojnë se zgjidhja e çështjes shqiptare mund të bëhet mbi bazën e marrëveshjeve të Rambuje-së, Ohrit, Konçulit, gabojnë rëndë sepse këto marrëveshje janë të përkohshme e që e kanë stagnuar për një kohë por jo përfundimisht, çështjen. Iluzionet e mbjellura tek populli shqiptar nuk do të mbahen gjatë as nga pushtuesit dhe argatët e tij dhe edhe këtyre mashtrimeve do t’iu vjen fundi një ditë sepse po shihet dita ditës se populli shqiptar nuk mund të bashkëjetojë me pushtuesit. 
Klasa politike shqiptare, kudo në trojet shqiptare është vetë penguesi kryesor i realizimit të interesave tona kombëtare dhe zgjidhjes e cila është e realizuar për rrethanat. Prandaj, duhet që sa më parë të ndryshojnë konceptin e gabuar politik, atë të zgjidhjeve parciale të çështjes sonë të pazgjidhur kombëtare, e cila është një e jo disa, dhe të kërkojnë që të bashkohemi si komb me qëllim që edhe bashkësia ndërkombëtare ta ketë më të lehtë të na njohë këtë të drejtë të ligjshme, me aktet ndërkombëtare që i ka miratuar vetë ajo.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …