leoni

Faton Mehmetaj: Deri kur do të tolerohet veprimtaria e strukturave paralele serbe në Kosovë? II

 

(Strukturat paralele serbe në Policinë e Kosovës, shkaqet dhe pasojat)

Nga të dhënat e proklamuara në media, por edhe nga burimet e SHPK-së, konstatohet se gjatë vitit të kaluar në rajonin e Gjilanit, por edhe në pjesët tjera të Kosovës, kanë hyrë forca të konsiderueshme të pjesëtarëve të MUP-it të Serbisë, të cilët janë takuar vazhdimisht me lidhjet e tyre, që kanë qenë në cilësinë e bashkëpunëtorëve, disa prej të cilëve figurojnë në listat e pagave të MUP-it serb. Kjo mbase nuk është ndonjë befasi sepse që nga paslufta e këndej, me pak ndryshime Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, në rregulloren e miratuar të këtij shërbimi, mbi parimet e rregullimit të brendshëm të Serbisë, ka pasur edhe të ashtuquajturin “Sekretariatin për Kosovën”, brenda të cilit funksionon “Drejtoria Koordinuese për Kosovën”. (Shih për këtë faqen zyrtare të MUP-it të Serbisë).
Policët serbë në pikën kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, u përgjigjen vetëm zyrtarëve të EULEX-it. Policët e komunitetit serb, që punojnë në këto dy pika kufitare, nuk i përgjigjen sistemit të komandës së unifikuar të Policisë së Kosovës, por i përgjigjen policisë së EULEX-it. Kjo gjendje ishte aktuale edhe para djegies së dy pikave kufitare, kur u raportonin strukturave të UNMIK-ut. Qeveria e Kosovës, në kornizën e shpenzimeve për vitin 2009, e ka futur si prioritet edhe shpenzimin e 420 mijë eurove për rindërtimin e dy pikave kufitare 1 dhe 31 në kufirin me Serbinë, por kjo çështje duket se nuk do të rregullohet shpejt. Është fakt i ditur botërisht dhe është raportuar qindra herë se strukturat paralele serbe, të dirigjuara nga Beogradi zyrtar, gjatë tërë periudhës së pasluftës i kanë shantazhuar dhe kërcënuar të gjithë qytetarët serbë që e pranojnë realitetin në Kosovë, në raste të caktuara duke marrë edhe masa radikale ndaj tyre. Atëherë bie fjala, pse tolerohen këto struktura dhe pse lejohet funksionimi i pushtetit paralel?!
Të gjitha strukturat paralele serbe në Kosovë gjatë gjithë kohës janë formuar, financuar dhe drejtuar nga Beogradi zyrtar. Strukturat paralele serbe në veri por edhe në pjesët tjera të Kosovës, kanë punuar në dy drejtime:
– në ndarjen e serbëve prej institucioneve të Kosovë dhe,
– në rritjen e varësisë së tyre prej Serbisë.
Për strukturat paralele serbë të sigurisë flet edhe “Raporti për strukturat paralele 2006-2007” i OSBE-së. Veprimet e tilla po nxiten, sponsorizohen, organizohen dhe kryhen nga ekstremistë, militantë, zyrtarë qeveritarë nga Beogradi etj. dhe mund të sfidojnë sigurinë edhe përmes formave të ndryshme të sulmeve dhe inkursioneve kufitare të ushtrisë, policisë apo forcave paramilitare nga Serbia me pretekst të mbrojtjes së minoritetit serb. Radiot, televizioni lokal në gjuhën serbe si dhe mjetet tjera të informimit, janë pothuajse tërësisht nën ndikim të Beogradit. Një politikë të tillë kanë mbajtur edhe përfaqësuesit e minoritetit serb në Kosovë. Sllavisha Petkoviq, ish-ministër në Qeverinë e Kosovës, i cili qe shkarkuar për shkak të skandaleve të shumta, në një intervistë dhënë gazetës beogradase “Svedok”, tregonte se sa është i angazhuar për destabilizimin dhe ndarjen e Kosovës. Në atë intervistë, Petkoviq paraqitet madje edhe si lider dhe shpëtimtar i serbëve të Kosovës (!). Më tutje, në intervistën dhënë “Svedok”-ut ai kishte cekur se “serbët e Kosovës janë mbështetur për muri, se ata nuk dëshirojnë të jetojnë në një Kosovë të pavarur, se ata dëshirojnë të shkëputen nga Kosova përmes organizimit të një referendumi” etj. Shikuar nga aspekti i sigurisë, paraqitjet e tilla janë nxitje, reflektime që shkaktojnë pakënaqësi, tendenca për ta krijuar një terren të pasigurt.
Më 15 tetor 2007, ish PSSP-ja i atëhershëm, Joachim Ruecker, i kishte dërguar një letër selisë së OKB-së në Nju Jork por edhe ish-ndërmjetësit për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaarit, nëpërmjet të cilës ankohej në një mënyrë për strukturat e Serbisë që veprojnë gjithandej Kosovës. Letra përmbante afërsisht 30 faqe, përfshirë edhe fotografi të objekteve e ndërtesave të uzurpuara nga Serbia, ku veprojnë strukturat e saj prej agjencive pyjore e deri te zyrat e ministrave të Serbisë. Pjesë të këtij dokumenti i pati botuar “Koha Ditore”.
Edhe ashtu ka të dhëna të prekshme për ekzistimin e forcave të MUP-it serb në Kosovë, për veprimtarinë e njësive të Brigadës së 58 serbe të Këmbësorisë, të cilat operojnë në disa pjesë të vendit, si p.sh, në Zveçan, Zubin Potok, në veri të Mitrovicës, në disa pjesë të Gjilanit, Kamenicës, Vitisë, Novobërdës, Ranillugut dhe Shtërpcës. Pos kësaj, në Kosovë operojnë rreth 7-8 organizata ilegale serbe, të cilat duket se dirigjohen nga shërbimet sekrete ushtarake, të cilat aktivizohen herë pas here në momente të caktuara. Një kohë qendrën e policisë paralele serbe në Zubin Potok e drejtonte kapiteni Zhivojin Gjuriq, bashkë me asistentin e tij Zvezdan Mihajloviq. Brenda kësaj qendre përfshihej edhe Departamenti i Gazivodës që numëronte rreth 35 policë, duke përfshirë këtu qendrën operative, një patrullë në terren dhe një patrullë në Gazivodë. Këto pika të policisë paralele serbe kanë pas mjetet për qarkullim dhe komunikim. Policia paralele, apo siç është quajtur “policia komunale”, ka funksionuar edhe në Leposaviq. Komandant ka qenë Dushan Ivanoviq, ndërsa zëvendës i tij, Zhivan Nestoroviq. Ata janë ndihmuar edhe nga Radenko Nedelkoviq dhe Sasha Arsiq. Në mesin e tyre dyshohet të ketë edhe pjesëtarë të BIA-s. Kjo bazë ka pas një Departament në Soçanicë dhe në Leshak, dhe ka numëruar rreth 90 policë.
Autoritetet e Republikës së Kosovës dhe ato ndërkombëtare kishin shpallur të pavlefshme zgjedhjet ilegale serbe të 11 majit 2008 në Kosovë, në të cilat banorët serbë të komunave me shumicë serbe zgjodhën përfaqësuesit e tyre. Këto zgjedhje i forcuan strukturat paralele serbe, të cilat vazhdojnë të mbeten sfidë për Kosovën edhe pas shpalljes së pavarësisë.
Nën drejtimin e strukturave të shërbimeve sekrete serbe, sidomos të ish-strukturave të vjetra të ish-punëtorëve të MUP-it, SUP-it, KOS-it, DB-së etj, në dhjetor të vitit të kaluar mbi 1 000 veteranë serbë të luftës, pjesëmarrës edhe në luftën e Kosovës, i kishin mësyer pikat kufitare Serbi-Kosovë, konkretisht pikën kufitare në Mendar, me kërkesën që Qeveria e Beogradit t’ua paguajë nga 500 mijë dinarë të mbetura borxh për shërbimin që kanë bërë gjatë luftës në Kosovë. Në një rast të tillë pati edhe disa policë shqiptarë të plagosur në pikën kufitare me Serbinë. Analistë të ndryshëm të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se gjendja në veri tash e dhjetë vite është një “konflikt i ngrirë” me pak gjasa të integrimit të plotë në sistemin qeverisës të Kosovës.

Strukturat paralele serbe që si të tilla edhe më tutje vazhdojnë të funksionojnë në veri të Mitrovicës, të cilat i përfaqësojnë institucionet e shtetit serb, vazhdimisht e provokojnë elementin shqiptar që jeton në veri. Vitin e kaluar këto struktura e kanë bërë regjistrimin e popullatës së atjeshme, për ta paraqitur se Serbia është funksionale në atë pjesë. S’do koment se serbët e veriut të Mitrovicës, por edhe të pjesëve tjera të Kosovës, janë të ndikuar dhe të shantazhuar nga politika e Beogradit. Por u bënë dhjetë vite që shkaktojnë trazira, pasiguri dhe tensione ndëretnike.
Dihet botërisht se në pjesën veriore të Mitrovicës, kanë gjetur strehë shumë kriminelë serb e shqiptarë që kërkohen nga drejtësia. Disa prej tyre japin dokumente false, duke filluar nga patentshoferët, letërnjoftimet, dëftesat shkollore, fletkurorizimet, kontratat për shitblerje të ndryshme të pronave të serbëve dhe shqiptarëve, vizat por edhe të një varg manipulimeve rreth regjistrimit të automjeteve në veriun e Mitrovicës. Sipas burimeve të hapëta shumica e automjeteve që numrin e parë e kanë 519-KS janë të regjistruara fals në atë qendër. Rreth këtyre rasteve policia në Mitrovicë, ka hasur në shumë parregullsi rreth regjistrimit të veturave me targa KS dhe shumica e këtyre veturave regjistrohen pa proces të verifikimit me libreza të falsifikuara në Beli Manastir, Vukovar, Zvornik etj. Atje me pak euro mund të regjistrosh çfarëdo lloj të veturës në atë qendër dhe të lëvizësh nëpër territorin e Kosovës.
Pos kësaj, për pesë vite në Fakultetin Filozofik që funksionon në kuadër të “Universitetit të Prishtinës”, me seli në veri të Mitrovicës, gjatë periudhës 1999-2004 janë dhënë 1 000 diploma të falsifikuara. Kështu u ka deklaruar mediave dekani i këtij fakulteti, Dragi Malinkoviq. Për lëshimin e këtyre diplomave janë ngritur mbi 54 akuza penale ndaj pesë personave të këtij fakulteti. Me diploma false të lëshuara në këtë fakultet janë punësuar një numër i caktuar njerëzish nëpër institucionet e ndryshme.
Zyrtarët e doganave në Mitrovicë, pos që i kanë dhënë hapësirë krimit të organizuar dhe kontrabandës në atë pjesë, strukturat paralele serbe nuk i lejojnë mallrat kosovare që të eksportohen në Serbi me dokumente që lëshohen nga Doganat e Republikës së Kosovës. Lidhur me këtë, në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, funksionon një zyrë e Serbisë, e cila lëshon dokumente për mallrat kosovare që eksportohen në Serbi. Veçanërisht që nga vitet ‘90-të e këndej, minoriteti serb në Kosovë po e luan rolin e shumicës dhe po e dikton ligjin. Edhe ky element ka shkaktuar tensionime të vazhdueshme në fushën e sigurisë. Drejtuesit post-millosheviqianë, me përjashtim të të ndjerit Gjingjiq, jo vetëm që de facto nuk e kanë pranuar realitetin e ri të Kosovës, por në mënyrë makiaveliste kanë përdorur serbët e Kosovës për të penguar çdo hap të këtij vendi në drejtim të rimëkëmbjes dhe vënies së tij në rrugën e progresit dhe të integrimit. Radikalizmi serb dhe mbështetja e tij nga institucionet qeveritare, të cilët vazhdojnë të mbështesin programet shtetërore antishqiptare, kanë për qëllim t’i kthejnë shqiptarët në një “bombë njerëzore” për ta destabilizuar rajonin, kuptohet duke vënë në lëvizje edhe elementin e vet të instrumentalizuar me kohë. Origjina e këtyre organizatave apo grupacioneve strukturohet nga ish-strukturat e segmenteve të caktuara të MUP-it serb, disa sish të kërkuar për krime edhe në Serbi por edhe më gjerë, nga ish-ushtarakë të ushtrisë serbe të cilët kanë marrë pjesë në luftërat në hapësirat e ish-Jugosllavisë, nga ish-paramilitarë dhe ultranacionalistë serbë, të cilët në shumicën e rasteve kontrollohen nga segmente të caktuara të strukturave të inteligjencës civile e ushtarake por edhe të sektorëve tjerë të sigurisë në Serbi. Sipas burimeve serbe, qysh nga muaj maj i vitit të kaluar, 385 shërbyes të ish-Ushtrisë Jugosllave janë paguar që të organizojnë forcat serbe të mbrojtjes qytetare në veri të Kosovës. Në anën tjetër, Dragan Mihajlloviq, kryetar i Komunës, strukturave paralele në Zveçan, kishte deklaruar se ne edhe ashtu funksionojmë si pjesë e Serbisë. Zyrtarë të Serbisë e kanë pranuar madje edhe publikisht se në Graçanicë vepron Sigurimi Shtetëror i Serbisë, i cili monitoron të gjitha lëvizjet e serbëve të kësaj pjese të Kosovës dhe çdo gjë që ka lidhje me shqiptarët, është e dyshimtë për ta. Nga kjo strukturë në biseda informative thirren shpesh edhe serbët e dyshimtë, madje ata thirren edhe në zyrat e Sigurimit Shtetëror në Nish, zëvendëskryeshef i të cilit është Nikolla Iliç, ish-kryeshef i Stacionit policor në Lipjan. Lidhur me këto situata, vitin e kaluar, komandanti i NATO-s, Harry Ulrich, është alarmuar pasi që kryetari i komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiç, e kishte njoftuar atë se uniforma të zeza ushtrojnë në veri të Kosovës.
Në janar të këtij viti, pasi tensionimet ishin rritur në masë të madhe nga provokimet dhe sulmet e shpeshtuara të serbëve, banorët shqiptarë në veri të Mitrovicës u detyruan të vetorganizohen dhe të bënin rojë gjatë natës për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme. Për shkak të paraqitjeve dhe veprimeve të njëanshme dhe joefikase, banorët shqiptarë të pjesës veriore të Mitrovicës, deklaruan se nuk kanë besim te policët e stacionit verior në Mitrovicë, sepse, sipas tyre, policia e këtij stacioni e bën politikën e Beogradit në Kosovë.
Gjatë problemeve të fundit në veriun e Mitrovicës, të ndërlidhura veçanërisht me kthimin e banorëve shqiptarë në lagjen Kroi i Vitakut, për të rindërtuar shtëpitë e tyre të djegura nga forcat serbe para dhjetë vjetësh, u pa qartë se pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, pos që nuk e respektojnë vijën e zinxhirit komandues, u pozicionuan në anën e demonstruesve të dhunshëm serbë për të penguar kthimin e banorëve shqiptarë në pronat e tyre, me ç’rast pati edhe disa banorë shqiptarë të lënduar. Lidhur me këtë, Policia e Kosovës ka filluar hetimin ndaj komandantit të stacionit policor në veri të Mitrovicës, Milija Millosheviq, ish-pjesëtar i MUP-it serb, me dyshimin e bazuar se ka bërë shkelje të zinxhirit komandues në lagjen Kroi i Vitakut, ku tash sa ditë janë bllokuar punimet e shqiptarëve për rindërtimin e shtëpive, me pretekst se ka pasë urdhër nga EULEX-i, për të mos lejuar vazhdimin e punimeve të shqiptarëve në lagjen e Kroit të Vitakut. Pos Milija Millosheviqit, janë duke u hetuar edhe disa policë të tjerë për mosrespektimin e zinxhirit komandues në veri të Mitrovicës, sidomos policë të stacionit policor në veri të Mitrovicës.
Po ashtu, serbët dhe shqiptarët, kohë pas kohe kanë kërkuar largimin e rreshterit Tadisha Tomasheviq nga posti i komandantit të nënstacionit të policisë në Syriganë. Kjo kërkesë u bë edhe në mbledhjen për komunitete të Banjës dhe Syriganës, ngase në kohën kur policët serbë kishin lëshuar radhët e SHPK-së, Tadisha Tomasheviq kishte shkuar me punë në Zubin Potok. Gjatë punës në terren SHPK-ja, në rajone të ndryshme të Kosovës ka hasur në një varg rastesh ku të ndaluarit kanë qenë pjesëtarë të MUP-it serb. Në një rast, pjesëtarët e SHPK-së gjatë një kontrolli rutinor kishin ndaluar Novica Ristiqin (1970), nga fshati Bratillovc i Dardanës, bashkë me dy kolegë tjerë, të cilët kishin pranuar se janë pjesëtarë të MUP-it serb në Vranjë.
Herë pas here xhandarmëria serbe ka hyrë në territorin e Kosovës duke i provokuar banorët e fshatrave përreth vijës kufitare, veçanërisht në komunën e Dardanës dhe Gjilanit. Kundër provokimeve të xhandarmërisë serbe, disa herë ka pasur protesta nga banorët lokalë. Ndoshta ky problem është paksa më kompleks ngase kontrolli i mbikëqyrjes së vijës së gjelbër edhe më tej është përgjegjësi e KFOR-it. Këtë kompetencë KFOR-i ende nuk e ka dorëzuar tek autoritetet e sigurisë vendore. Në të gjitha këto aktivitete, pjesëtarët e policisë nga radhët e komunitetit serb, sigurisht, janë të përfshirë nën ndikimin e politikës së Beogradit, e cila domosdoshmërisht mbështetet në strukturat e MUP-it dhe shërbimeve sekrete serbe. Kjo situatë ngjallë pasiguri tek banorët shqiptarë, krijon ndarje dhe provokon konflikte ndëretnike, të cilat fillimisht duket se mund të kenë përmasa të izoluara, por në raste më të volitshme mund të përhapen, duke marrë përmasa më të gjëra.
Për vendosjen e rendit, të sigurisë dhe kushtetutshmërisë në gjithë territorin e vendit, rrezik të përhershëm paraqesin strukturat paralele – grupet ekstreme serbe që dirigjohen nga Beogradi. Sipas të dhënave dhe burimeve të hapëta, nga Beogradi dirigjohen edhe një pjesë e konsiderueshme e pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilët paralelisht kanë vepruar në kuadër të MUP-it serb, nga i cili edhe janë paguar. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Qeveria e Serbisë ka ndikuar drejtpërdrejt te pjesa e minoritarëve serbë – pjesëtarë të SHPK-së, për bojkotimin e punës në Policinë e Kosovës. Ka zëra që thonë se përkeqësimi i gjendjes materiale të policëve që vijnë nga radhët e minoritetit serb, ka bërë që këta të futen edhe në strukturat paralele të MUP-it serb me veprim në Kosovë. Por faktikisht një pjesë e madhe e tyre paraprakisht u kanë takuar strukturave të MUP-it serb, e prej andej janë futur në radhët e SHPK-së, por nuk janë larguar fare nga MUP-i. Disa zyrtarë të lartë serbë del se kanë qenë të implikuar në veprime kriminale së bashku me strukturat e krimit të organizuar, të manipuluar nga MUP-i serb. Kjo situatë ceket si e tillë edhe në raportin e ministrit të brendshëm të Kosovës, Pajaziti, dërguar Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, në shkurt të vitit 2009. Në shkurt të këtij viti, mbi 300 protestues serbë kishin shprehur kundërshtimet e tyre kundër formimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Ndërsa i ashtuquajturi “Shtab i Krizës” në Graçanicë, i përfaqësuar nga Sllavisha Nikoliq, në një takim me përfaqësuesit e UNMIK-ut, kishte kërkuar që “policët e nacionalitetit serb të SHPK-së, në jug të lumit Ibër të kenë të njëjtin status sikurse policët në veri të Kosovës qendrore”. Në fakt kjo ishte si një lloj marrëveshjeje mes këtij “shtabi” dhe UNMIK-ut. Po ashtu, brenda kësaj marrëveshjeje përfshihej edhe hapja e nënstacioneve të reja policore nëpër enklavat serbe, që do të udhëhiqen nga policët serbë, të cilët do ta kenë uniformën e SHPK-së, por do të komandohen nga policia e UNMIK-ut dhe do t’i referojnë Beogradit dhe UNMIK-ut. Në këtë marrëveshje është kërkuar edhe rritja e numrit të policëve në këto vendbanime. Ky takim qe deklaruar i pasuksesshëm nga zyrtarët e policisë, mirëpo ata së paku ashtu mendonin, vepronin dhe deklaroheshin, madje publikisht. Kjo lloj marrëveshje ishte proklamuar edhe nga Sllavisha Nikoliqi në radion serbe “KiM”.
Një pjesë e minoritarëve serbë në Kosovë, SHPK-në e konsiderojnë shërbim armik. Së paku kështu janë prononcuar disa herë në media e prononcime tjera publike. Shumica e minoritarëve serbë – policë të SHPK-së, të cilët i lëshuan vendet e punës, nuk i patën kthyer mjetet, uniformat, radiolidhjet etj. Ka pasë të tillë që para mediave kanë thënë se ne nuk njohim dhe nuk kemi takuar asnjë serb ta njohë pavarësinë e Kosovës. Në një mënyrë, Qeveria e Serbisë largimin e pjesëtarëve të komunitetit serb nga SHPK-ja e shfrytëzonte në terren edhe për shkëputje, e cila, sipas tyre, duhej të funksiononte nën komandën e policisë ndërkombëtare. Ata më vonë kishin planifikuar që të kërkonin të jenë më ndryshe uniformat e SHPK-së që do të vishnin policët e komunitetit serb. Në SHPK një kohë të gjatë ka pasë një situatë specifike, me realitete të ndryshme. Stacionet policore në veriun e Mitrovicës, në Gjilan dhe Shtërpcë kanë dallime dhe ngjashmëri. Tri realitete në pjesë të ndryshme të Kosovës që ndërlidheshin me reagimet e rreth 700 policëve serbë të SHPK-së.

Realiteti i parë ka të bëjë me veriun e Kosovës, ku policët serbë arritën të inaugurojnë idenë “me uniforma të SHPK-së, por jashtë SHPK-së”, veprim ky që u kalua në heshtje nga instancat përkatëse të institucioneve vendore e ndërkombëtare. Realiteti i dytë paraqitet në Anamoravë, përkatësisht në rajonin policor të Gjilanit, atë të Graçanicës dhe në rajonin policor të Prishtinës, në të cilat u tentua të bartet modeli i Mitrovicës, por që nuk u realizua krejtësisht. Mirëpo, ata që refuzuan komandën e policisë së shtetit të Kosovës, kërkuan të kthehen nën autoritetin e policisë së UNMIK-ut, edhe pse policia ndërkombëtare që moti ia ka kaluar kompetencat policisë vendore. Realiteti i tretë paraqitet në rajonin e Ferizajit, ku rreth pesëdhjetë policë serbë të stacionit policor të Shtërpcës, që mbulonin edhe qendrën e skijimit në Brezovicë, nuk ishin rebeluar në masë të madhe. Ata pas disa takimeve me oficerë të SHPK-së dhe të UNMIK-ut vazhduan punën.
Në rajonin e Mitrovicës (në veri të vendit) mbi 270 policë serbë të SHPK-së, kanë vazhduar punën nën autoritetin e policisë së UNMIK-ut, që edhe ashtu ka në kompetencën e vet rajonin e Mitrovicës, si i vetmi rajon që nuk është bartur në kompetencë të SHPK-së.
Zhvillimet e deritanishme tregojnë qartë se Ballkanit nuk i nevojitet krijimi i një “konflikti të ngrirë”. Deshëm apo jo, Kosova është në procesin e formësimit të elitave. Ato sapo janë ndërtuar dhe, në fund të fundit, po sendërtojnë atë që quhet balancë e shqiptarëve me të tjerët. Serbët nëse nuk e kanë kuptuar se çdo të thotë bashkëjetesa me shqiptarët dhe të tjerët, janë të dënuar të mbesin epruveta e Ballkanit. Instancat e Serbisë vazhdojnë të mbeten kundërshtarë të përhershëm të Kosovës. Serbia dhe Qiproja ishin të vetmet kundër anëtarësimit të Sindikatës së Policisë së Kosovës në Konfederatën Ndërkombëtare Sindikale të Policisë.
Gjatë kohës sa ish-zëdhënësi i Millosheviqit, ministri i brendshëm serb Ivica Daçiq, ishte në Bruksel, edhe përfaqësuesi i lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme i BE-së, Javier Solana, kishte biseduar me të për rëndësinë e kthimit të pjesëtarëve serbë në Policinë e Kosovës. Rreth këtij problemi ka qenë i angazhuar edhe shefi i EULEX-it Yves de Kermabon. Po ashtu, përfaqësuesi i lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme i BE-së, Javier Solana, pasi kishte vizituar Beogradin në mars të këtij viti, kishte kërkuar nga zyrtarët e Qeverisë së Serbisë që të dërgojnë sinjale pozitive për kthimin e policëve e gjykatësve në vendet e tyre të punës. Në anën tjetër, zyrtarë serbë, në mesin të të cilëve edhe i ashtuquajturi ministër serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, kishte thënë se janë duke u zhvilluar bisedime me EULEX-in, në mënyrë që ky mision ta marrë zinxhirin komandues dhe të sigurojë prani të përhershme të pjesëtarëve të vet në të gjitha stacionet dhe nënstacionet në mjediset serbe në Kosovë.
Që nga shpallja e pavarësisë, policët serbë të SHPK-së, në tri komunat e veriut të Kosovës haptazi refuzuan t’i marrin urdhrat nga Prishtina. Ata filluan t’i përgjigjen vijës së tyre komanduese, të ndërtuar mbi baza të sistemit paralel dhe shefit të policisë serbe në Mitrovicë, i cili i koordinonte aktivitetet e kësaj strukture me Policinë e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s. Madje komandant i vetëshpallur i këtyre policëve serbë të SHPK-së në veri ishte Goran Stojanoviqi, i cili qysh disa ditë para shpalljes së pavarësisë nuk ishte paraqitur në vendin e tij të punës si komandant i Drejtorisë së Trafikut të SHPK-së në Shtabin Kryesor në Prishtinë. Mirëpo, situata ndryshoi me ndërhyrjen e kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq, i cili i dha sinjalin paralajmërues të ashtuquajturit ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, për ta proklamuar lajmin për kthimin në radhët e Policisë së Kosovës të pothuajse të gjithë policëve serbë, të cilët ishin suspenduar prej 1 marsit të vitit 2008, sepse refuzuan të vazhdojnë shërbimin në SHPK për shkak të pavarësimit të Kosovës. Ky veprim i Tadiqit është një sinjal i qartë se Beogradi zyrtar, më nuk mund të vazhdojë të mbajë pezull gjendjen e policëve të vetlarguar serbë të SHPK-së, prandaj, ashtu siç u urdhëruan ta lëshojnë punën, u dha urdhri për kthimin e tyre në punë. Në vendimin për kthimin në punë të policëve të minoritetit serb, të cilët me urdhër të Beogradit i lëshuan vendet e punës në të gjitha rajonet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për shkak të shpalljes së pavarësisë thuhet se “të gjithë oficerët, të cilët do të vendosin të kthehen në radhët e Policisë së Kosovës deri me datën 30 qershor 2009, ora 16, nuk do t’i nënshtrohen asnjë lloji të procedurave disiplinore si rezultat i vendimit të tyre subjektiv, i vendimit Nr.405/08”.
Kthimi i policëve serbë në punë, duket të jetë bërë sipas një marrëveshje interne ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë. Madje, rreth 350 pjesëtarë serbë të SHPK-së që pas ultimatumit të Beogradit e kishin braktisur demonstrativisht SHPK-në, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kërkesat për t’u kthyer këta policë në punë, Qeveria e Serbisë i kishte kushtëzuar me kërkesën që policët serbë të Kosovës të jenë nën komandën e UNMIK-ut. Ky ishte qëndrimi zyrtar i Serbisë.
Në mes tjerash, duhet përmendur se kriza globale financiare që e ka goditur shumë Serbinë, ka bërë që Beogradi të ketë gjithnjë e më pak mundësi për t’i financuar strukturat e tij paralele në Kosovë, të cilat kërkojnë afërsisht deri në 120 milionë euro në vit, siç ka ndodhur vitet e kaluara. Edhe përkundër kësaj, deshëm apo jo, gjendja në pjesën veriore të Mitrovicës tash dhjetë vite është një “konflikt i ngrirë”, dhe kërkon kohë e angazhim të madh për integrimin e plotë në sistemin qeverisës të Kosovës. Këtë e ka bërë në një mënyrë, legalizimi i BIA-s në Kosovë, i cili është bërë nëpërmjet Komitetit për Bashkëpunim mes Policisë së UNMIK-ut dhe MUP-it të Serbisë, madje jo vetëm i BIA-s por edhe i shërbimeve të tjera. Shërbimet në fjalë dhe veprimet që po ndodhin muajve të fundit në veriun e Mitrovicës, e kanë sfiduar në masë të madhe punën e EULEX-it si autoritet që në letër e ka përkrahjen serbe, por jo edhe në terren.
Beogradi e ka luajtur një lojë të dyfishtë sa i përket kthimit të policëve serbë në vendet e punës. E para, është ndikimi i krizës ekonomike në Serbi, e cila është shoqëruar edhe me presione të shtuara ndërkombëtare, që në radhë të parë vijnë nga Bashkësia Evropiane, gjë që e ka detyruar Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë të merr masa graduale, duke sjellë edhe vendime të prera për ndaljen e mbështetjes financiare për strukturat e saj në Kosovë. Këtë e tregon edhe fakti i refuzimit të futjes në listat e rrogave të pjesëtarëve serbë nga ana e MUP-it të Serbisë. Ky ka qenë një presion që ka bërë që policët e minoritetit serb, të cilët e kishin braktisur punën për shkak të shpalljes së pavarësisë të kthehen në vendet e tyre të punës. Nuk kanë qenë as paralajmërimet për shpalljen e konkursit të ri për këto vende, as largimi pa pagesë. Pas presioneve të lartpërmendura, MUP-i serb në njëfarë mënyre ka filluar të tregojë se do të refuzojë që t’i fusë në listën e rrogave serbët që kanë shërbyer në Policinë e Kosovës, të cilëve deri në këtë kohë, paralelisht u ka dhënë edhe nga një pagë shtesë, pos pagës që e kanë marrë nga policia e Kosovës.
Për pagesat e dyfishta të minoritarëve serbë në Policinë e Kosovës tregon edhe Bratisllav Kragoviq, njëri nga policët që shërben në veri të Mitrovicës, i cili thotë se më herët ka punuar në MPB-në e Serbisë, prej nga është pensionuar dy-tri vite më parë. Ai e merr pensionin nga Serbia dhe rrogën nga Shërbimi Policor i Kosovës. Sido që të jetë, Policia e Kosovës është e paraparë të jetë multietnike. Për këtë arsye duket se i nevojiten serbët ashtu si janë, të rebeluar, terroristë, pjesëmarrës në krime lufte, që i raportojnë Beogradit, që nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe Kushtetutën, që janë pjesë e strukturave paralele, njerëz që krijojnë probleme etj. Tek e fundit ky është realiteti. Kurse, integrimi i komunitetit pesëpërqindësh serb si pjesë e një shoqërie shumetnike në Kosovë vazhdon të qëndrojë mbi të gjitha prioritetet. Mirëpo, kjo nuk varet nga institucionet e Kosovës, as nga vullneti i popullatës serbe që jeton në Kosovë (që vazhdon të jetë e dirigjuar dhe shantazhuar nga Beogradi), por nga udhëheqja serbe në Beograd.
Sigurisht ky proces shkon pak më ngadalë për shkak se është i ndërlidhur ngushtë me efikasitetin e misionit më të madh evropian EULEX, me ç’rast BE-ja nuk dëshiron komprometimin e saj shkaku i përpjekjeve minuese të deritanishme të institucioneve serbe.
Shumëkush pyet se si është e mundur që EULEX-i dhe Kosova të bashkëpunojnë me Serbinë, kur organet dhe institucionet e saj policore, të sigurisë, gjykatave, jurisprudencës, të qeverisë dhe të parlamentit etj., janë të stërmbushura me udbashë të Sllobodan Millosheviqit, të cilët nuk kanë pësuar kurrfarë metamorfoze mendore as politike, as të pikëpamjeve dhe të qëndrimeve të tyre negative, kur është fjala jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë rendin e brendshëm shoqëror dhe politik në Serbi. Vuk Drashkoviqi, kryetar LPS-së dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, në një intervistë të publikuar më 13 shtator 2009, në “BLIC”, ndër të tjera thotë se “pa reformimin e thellë dhe të gjithanshëm demokratik të Serbisë, BE-ja, as EULEX-i nuk duhet të bashkëpunojnë e as ta favorizojnë regjimin e Beogradit, qoftë në liberalizimin e regjimit të vizave për shtetasit e saj, qoftë në fushën ekonomike, politike, qoftë në atë policore, ushtarake etj., sepse ende nuk është distancuar, as nuk është spastruar nga recidivat politiko-propagandistikë, policorë, medialë, diplomatikë dhe ushtarakë etj. të Serbisë së Sllobodan Millosheviqit”, për të vazhduar se “rrjeti i policisë sekrete paralele të Sllobodan Millosheviqit, të Radomir Markoviqit dhe të Millan Radonjiqit edhe sot është më i fuqishëm sesa vetë shteti serb. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohet fakti se pesë vjet pas vrasjes së Zoran Gjingjiqit, shumica e pjesëtarëve të shërbimeve sekrete, që kanë marrë pjesë dhe, edhe sot marrin pjesë në krimet e tyre kanë ngelur të paprekur nga policia serbe dhe nga shërbimi zyrtar sekret i BIA-s”.
Si pjesë të këtij mentaliteti, po përmendim deputetin e Kuvendit të Kosovës, Dragan Dimiq, i cili për shtatë vite rresht kishte ra në kundërshtim me ligjin dhe kishte bërë vepra penale. Madje ai ishte përfshirë edhe në aktivitete kriminale, vjedhje të veturave, mashtrim, falsifikim të dokumenteve. Kishte penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave, kishte falsifikuar patentë-shoferë, kishte dëmtuar pronën, e vepra tjera. Ky është mentaliteti serb i krijuar në relacion me Kosovën, është një edukim qytetar në raport me Kosovën. Sido që të jetë dhe sido që të sillen ata, ne kemi nevojë për minoritete, por edhe shpresojmë se do të integrohen në hap me kohën dhe në dimension me zhvillimet në rajon. Lidhur me këtë, në Beograd mendojnë dhe veprojnë ndryshe. Sipas observimit faktografik të ish-ministrit të jashtëm serb, Vuk Drashkoviq, “rrjeti i shërbimeve sekrete paralele policore, nuk ka karakter periferik, por thelbësor, janë më të fuqishme sesa vetë shteti serb, sepse ato janë të pranishme dhe veprojnë në gjykata, në avokaturë, në parlament, në qeveri, në media, në kryemafi…, që përbëjnë fuqinë qendrore” (“Blic”, Beograd, 13 shtator 2009).

Në këtë periudhë problemet mes Kosovës dhe Serbisë filluan të shtohen me theks të veçantë pas arrestimit në flagrancë të tre oficerëve të BIA-s në Kosovë: Igor Juçinac (1976), serb nga Kosova, ish-pjesëtar i SHPK-së deri në vitin 2007, Millutin Radanoviq (1957) dhe Predrag Zhelkoviq (1976) shtetas të Serbisë, të cilët Policia e Kosovës i arrestoi në Çagllavicë, në qershor të këtij viti. Ata akuzohen të kenë nxitur familjarë të serbëve të zhdukur, por edhe qytetarë shqiptarë, për të bërë dëshmi të rrejshme me qëllim të trillimit të aferës për gjoja trafikimin (transplantimin) e organeve njerëzore gjatë luftës nga UÇK-ja, duke u ofruar të paktën prej 100 deri në 300 mijë euro për një deklaratë të tillë.
Lidhur me personat e arrestuar, janë publikuar prova në media edhe përmes televizionit publik të Kosovës – RTK, ku të arrestuarit janë shfaqur duke biseduar rreth blerjes së dëshmitarëve të rrejshëm, duke ju premtuar të holla dhe të mira tjera materiale për të deklaruar dhe dëshmuar rrejshëm se ata qenë viktima të transplantimit të organeve njerëzore gjatë kohës së luftës në Kosovë. Agjentët e shërbimit sekret serb BIA, kanë deklaruar se shumat e premtuara për dëshmitarët e tillë i paguan shteti. Ditë më parë është arrestuar edhe vëllai i njërit nga tre të arrestuarit e lartcekur për shkak se e kishte kërcënuar me vdekje njërin nga dëshmitarët e këtij rasti. I arrestuari i fundit në këtë proces, Gligor Juçinac, është zyrtar i lartë i stacionit policor të Shtimes. Situata e krijuar pas bojkotimit të punës nga policët serbë ishte mjaft delikate dhe kërkonte maturi të madhe për ta tejkaluar këtë gjendje, madje kërkonte kohë, tolerancë dhe bindje të anës tjetër për koncepte të gabuara. Megjithatë, tejkalimi i kësaj gjendje është kontribut i pjekurisë së Ministrisë së Brendshme të Kosovës, Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin, EULEX-in dhe ndihmën direkte të instancave tjera ndërkombëtare, të cilat për një kohë të shkurtër e kanë sensibilizuar masën e frustruar të policëve nga radhët e minoritetit serb në Kosovë, të cilët, të ndikuar nga politika e Beogradit e kanë lëshuar punën në shenjë proteste me pretekst se nuk punojnë në Kosovën e pavarur.
Tolerime të kësaj natyre ishin bërë edhe më herët me pranimin e oponentëve të “Rojeve të Urës” në radhët e SHPK-së. Faktikisht, ky tolerim ishte bërë përmes një lloj kushtëzimi që e kishte bërë Qeveria e Serbisë në bashkëpunim me përgjegjësit e njësisë së “Rojeve të Urës” si kushtëzim për ta shpërbërë këtë formacion. Ky problem ishte trajtuar nga analistë të ndryshëm, gazetarë e politikanë, duke hedhur kritika të rrepta ndaj UNMIK-ut dhe organeve tjera kompetente për tolerime të tilla. Mirëpo ata ishin arsyetuar se disa ish-policë serbë nga Kosova, por edhe nga radhët e të ashtuquajturës “Roje të Urës” kanë filluar trajnimin për policë të Kosovës në Akademinë Policore në Vushtrri, citonin mediet lokale burimet e UNMIK-ut. Në atë kohë, në njërën anë, zëdhënësi i UNMIK-ut në Mitrovicë, Xhorxhi Kakuk, thoshte se nuk është në dijeni rreth kësaj çështjeje dhe nuk e di nëse ish-pjesëtarët e “Rojeve të Urës” janë duke u aftësuar për policë në Vushtrri. Ai theksonte se nuk mund të aftësohen për policë ata që kanë histori kriminale, por faktikisht kjo po ndodhte. Në anën tjetër, një zëdhënës tjetër i policisë ndërkombëtare në Mitrovicë, Soxhi Dou, kishte konfirmuar se në Akademinë Policore në Vushtrri kanë filluar aftësimin disa ish-policë serbë. “Është e vërtetë se aktualisht ne kemi disa rekrutë për aftësim në Vushtrri, të cilët kanë eksperiencë policore”, tha Dou, por ata që verifikohen se kanë histori kriminale, duhet të largohen menjëherë nga ky aftësim për policë. Ndërkaq, Vlladimir Rakiq, përfaqësues politik i “Rojeve të Urës” i kishte konfirmuar një radioje lokale se disa pjesëtarë të këtij formacioni kanë filluar aftësimin në Vushtrri. Pra, një pjesë e formacionit të “Rojeve të Urës” janë pranuar si pjesë e minoritetit serb në SHPK dhe në asnjë rast nuk është trajtuar biografia e tyre kriminale. Aktiviteti i “Rojeve të Urës” në Mitrovicë është i lidhur me strukturat e politikës së Beogradit, të clat veprojnë sipas direktivave që ka Beogradi për Kosovën. Ky grup është i dyshuar për kryerjen e shumë vrasjeve në atë pjesë, si të shqiptarëve, si të serbëve. Iniciativa për formimin e njësisë së “Rojeve të Urës” ka rrjedhur nga njerëzit që mbajnë pozita të larta në linjat e përfaqësimit politik të minoritetit serb të Kosovës.
Shërbimet sekrete serbe edhe më tutje i mbajnë në lidhje strukturat e caktuara të ish-pjesëtarëve të policisë serbe, të cilët ishin pjesë e policisë së sistemit të Millosheviqit dhe punuan derisa u tërhoqën në qershor 1999, pas fushatës ajrore të NATO-s. Kjo strukturë me besueshmëri të plotë në sistemin e Millosheviqit, më vonë u instaluan-kthyen në policinë e Kosovës, përmes zinxhirit komandues të UNMIK-ut, i cili, nëpërmjet oponentëve të caktuar proserbë, të ngarkuar me detyra të rëndësisë së veçantë, ka bërë përpjekje për ta instaluar komplet strukturën e administratës serbe në Kosovë. Kjo shtresë, me sa është parë deri më tani, punuan dhe vazhdojnë të punojnë kundër progresit të Kosovës dhe integrimit të saj drejt Evropës. Një numër i caktuar i kësaj strukture vazhdojnë të jenë pjesë e policisë së Kosovës, të cilët në momente të caktuara janë treguar më labilë në qëndrime dhe kanë qenë më pranë strukturave të BIA-s, duke ndihmuar në shumicën e rasteve konceptin e pushtetit paralel në Kosovë. Kjo është brengë, të cilën shoqëria jonë duhet ta shërojë me kalimin e kohës, duke i zbutur antagonizmat me qëllim të afrisë drejt një jete të përbashkët pa dallime të mëdha nacionale e racore, duke krijuar kushte të sigurisë dhe një jete normale. Në rastin konkret, duhet të pengohet ndikimi destruktiv dhe eksportimi i dhunës nga Beogradi në Kosovë. Minoriteti serb duhet të marrë përgjegjësinë për veprimet e veta dhe të integrohet në institucionet e vendit.
Ditë më parë është marrë vendim që pasaportat serbe të mos lëshohen më në Kosovë. Si pasojë e presionit të Komisionit Evropian ndaj Beogradit, ky i fundit është detyruar që t’i mbyllë të gjitha qendrat serbe për lëshimin e letërnjoftimeve dhe pasaportave në Kosovë, që kanë funksionuar që nga viti 1999. Duhet kujtuar se shqiptarët e Kosovës kishin marrë mbi 300 mijë pasaporta, nënshtetësi, fletëkurorizime, diploma, patentë-shoferë, kontrata të shitblerjes etj. Nga ky projekt Serbia kishte fituar miliona euro nga shqiptarët e Kosovës. Pasiqë dokumentet e udhëtimit dhe dokumentet tjera serbe nuk lëshohen më në Kosovë, edhe më tutje nuk dihet se si do të trajtohen njerëzit që më herët kanë marrë nënshtetësinë serbe dhe posedojnë dokumente të tilla. Ky problem sigurisht do të trajtohet nga Komisioni Evropian. Për nëntë vite këto linja kanë funksionuar të papenguara në Kosovë. Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë trysni te bashkësia ndërkombëtare për ndërprerjen e gjithanshme të veprimtarisë së strukturave paralele serbe në Kosovë, të cilat si të tilla po shkaktojnë pengesa tepër të mëdha në zhvillimin e vendit dhe paraqesin rrezik të përhershëm për destabilizimin e vendit. Përderisa në Beograd nuk ka ndryshuar fare mentaliteti që nga koha e Millosheviqit dhe është në rritje disponimi nazist serbomadh, gjë që e tregojnë ngjarjet e fundit të zhvilluara në Beograd, rrahjet dhe keqtrajtimet deri të vdekje të të huajve, siç ndodhi me tifozin francez; përderisa Serbia hapë “fabrika” për prodhim çetnikësh në Bosnjë (kujto shkollat çetnike që do të nxjerrin nga 10 mijë çetnikë brenda vitit) dhe ofrojnë publikisht miliona dollarë për kokën e këtij apo atij personi, bashkësia ndërkombëtare duhet të trajtojë me kujdes të shtuar lëshimet politike që po i bën Serbisë, sepse dikur mund të jetë vonë.
(Autori është drejtor i OJQ-së për Hulumtime dhe Ndriçime Historike “ANATEMA”. Ka vijuar studimet postdiplomike për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci)

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …