Selman Bekë Lajçi (9.2.1954 - 19.4.1999)

Faton Mehmetaj: Figura kombëtare e intelektualit dhe luftëtarit të shquar, heroit të kombit, Selman Bekë Lajçi

Selman Lajçi për një dekadë ishte projektuesi dhe drejtuesi kryesor rugovas i idesë për çlirim

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një formacion unikat i formimit të ushtrive çlirimtare në botë. Ajo përbëhej nga shtresat më të spikatura të shoqërisë sonë, nga intelektualë në zë, nga shtresa të caktuara studentore, nga ish-ushtarakë të Shqipërisë, por edhe ish-ushtarakë shqiptarë të ish-armatës jugosllave, shqiptarë nga e gjithë diaspora shqiptare anekënd botës, shqiptarë nga të gjitha trojet e Shqipërisë së vjetër, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova Lindore e Çamëria, pra nga hapësirat mbarëshqiptare, por edhe nga liridashës të kombeve të tjera. UÇK-ja përbëhej nga shqiptarët e tri konfesioneve fetare. Ajo doli nga prushi mijëvjeçar, që u ruajt ndër breza në gjerdanin e heronjve që ranë në mbrojtje të vendit, të flamurit, kufijve e dinjitetit kombëtar. Është ushtria më e suksesshme e të gjitha ushtrive çlirimtare. UÇK-ja kishte unitet e barazi ngase i kishte tubuar shqiptarët anekënd botës, edhe pse thirrja për mobilizim ishte e konceptuar mbi baza vullnetare. Është ushtria që u masivizua dhe i dëboi forcat pushtuese ushtarako-policore serbe më së shpejti, për më pak se një vit e gjysmë luftë frontale.

Me luftën e saj të drejtë arriti që ta fitojë simpatinë dhe mbështetjen e Aleancës Veriatlantike (NATO-s), e cila me 19 shtetet demokratike të botës, në krye me SHBA-të do të vihen në anën e të drejtës, në anën tonë.

Qëndresa në frontet e luftës e luftëtarëve të UÇK-së, jo vetëm që e ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare, por atë e legalizoi ndërkombëtarisht. Pjesë e kësaj ushtrie të lavdishme ishte edhe Brigada 136 “Rugova” e Zonës Operative të Dukagjinit, me përqendrim në krahinën e Rugovës, në vendin e trimave, në logun e betejave, aty ku rugovasit me “qefin mbi kokë” qëndruan në luftë në mbrojtje të kufirit për 100 vjet rrjesht.

Mu në këtë regjion ku u formua dhe veproi Brigada 136 “Rugova”, u rrit heroi Selman Bekë Lajçi, nga fshati Pepaj i Rugovës, në prehrin e qindra luftëtarëve, në sofrën e burrave që i sollën nder e lavdi Rugovës e Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte vula vendimtare në fund të një shekulli përpjekjesh të pandërprera të popullit tonë për liri, pavarësi, sovranitet dhe dinjitet kombëtar e qytetar. Ajo u bë gurthemel i shtetit të ri të Kosovës, por njëkohësisht ishte edhe kurorëzim i përpjekjeve të brezave të tërë, që luftuan dhe u sakrifikuan për lirinë e vendit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte dhe mbeti monumenti më i lartë që brezat e ngritën në vetëdijen kombëtare. Prandaj, jo rastësisht ishte pjesëtar i kësaj ushtrie, Selman Lajçi.

Selmani u lind në fshatin Ugëll të Peshterit, më 9 shkurt 1954. Rrita e tij mbikëqyrej me një dashuri të jashtëzakonshme familjare. Ishte fëmijë shumë i zgjuar dhe i zhdërvjelltë. Në moshën 14-të vjeçare u kthye në Kosovë. Shkollën fillore e kishte mbaruar në një fshat të Prilepit në Maqedoni ndërsa të mesmen e mbaroi me sukses të lartë në Pejë, më 1976. Studioi me gjeneratën e parë të studentëve në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë. Ishte ndër studentët më të dalluar prej të cilit pritej shumë. Diplomoi më 1980. Pas një viti filloi të punojë si inxhinier i bujqësisë në Arbnesh (ish-Vitomiricë) të Pejës. E çmonin dhe e përkrahnin të gjithë banorët e atjeshëm. Ndërsa në anën tjetër, serbët, që s’ishin të pakët në këtë rajon dhe veglat e tyre, e shikonin me zili përparimin e tij profesional dhe e kishin halë në sy atdhedashurinë që ai tregonte kudo. Prindërit Bekë e Zylfije Lajçi kishin gjashtë fëmijë: katër vajza dhe dy djem. Edhe Selmani ishte i martuar dhe la pas vetes gjashtë fëmijë, katër djem e dy vajza. Biografia e tij prej ushtaraku dhe një strategu të vërtetë ishte plotësuar me kalimin e kohës, figura e tij po e shndrit atdheun si një yll drita e të cilit nuk shuhet kurrë.

Biografia e Selman Lajçit, nuk fillon thjeshtë me ditëlindjen e tij. Në familjen e tij pritej prej kohësh lindja e një djali. Në rrënjën e kësaj familje djemtë kishin qenë të rrallë. E të rrallë jo vetëm në vijën e trashëgimisë për krah pushke por rrallë iu gjendej shoku edhe për kah karakteri i fortë e burrëror. Xhaxhai i Selmanit, Islam Syla, ishte një luftëtar i shquar, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori pjesë në betejat e njohura të zhvilluara kundër pushtuesve serbë në Pazar të Ri dhe në Kacuberr, ku edhe ishte plagosur. I ati i Selmanit ishte burrë i mençur dhe i vendosur. Ai diti t’i përballojë vështirësitë e jetës pa u përkulur kurrë. Ai bëri çmos që të kthehej me familje në Kosovë, pas shumë vitesh jete jashtë saj, në rrugën e gjatë për në Turqi.

Në fillim të viteve të tetëdhjeta, në biografinë e Selman Lajçit dhe të familjes së tij shënohet një etapë më vete. Këtu zë fill përndjekja që i bëri pushteti kësaj familje për t’ia ndërprerë veprimtarinë atdhetare. Selmani qysh si student kishte për qëllim formimin e një organizate ilegale, e cila qëllim kryesor do të kishte lirinë dhe pavarësinë e plotë të Kosovës. Më 1981, filloi veprimtarinë grupi ilegal “Pavarësia”, anëtarët e të cilit u kalitën në zjarrin e pranverës historike të demonstratave studentore. Të gjithë ishin djem të zgjedhur, të cilët, më vonë, me qëndresën e tyre dinjitoze në burgjet serbe, bënë që SPB-ja e atëhershme të mos ketë fakte për arrestimin e Selmanit dhe të disa shokëve të tjerë. Burgosja e të vëllait të Selmanit, Salihut, si anëtar i këtij grupi, e vështirësoi mundësinë e veprimit të tij.

Disa vite më vonë, Selman Lajçi bashkë me disa aktivistë të tjerë të partive politike të asaj kohe ishte ndër nismëtarët e parë të mbajtjes dhe mbledhjes së nënshkrimeve për Referendumin që kishte të bëjë me përkatësinë e shtetit ku Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran në shtator të vitit 1991. Ky referendum u mbajt në kohën kur kishte filluar një valë e re e zhvillimeve ndërkombëtare, jo vetëm në ish-Jugosllavi, por edhe në Europën Juglindore në tërësi.

Më 1985, ai e filloi punën në Bankën e Bashkuar të Kosovës, në Prishtinë, në cilësinë e shefit të Sektorit të Bujqësisë për Kosovë. Kreu studimet pasuniversitare në Zagreb, ku magjistroi më 1990, dhe mori titullin Magjistër i Shkencave Agronomike. Po në këtë universitet pritej të mbronte edhe tezën e doktoratës. Qëndrimi i tij në Prishtinë bëri që Selmani të ishte më afër rrjedhave ilegale të kohës, si dhe më afër rretheve intelektuale. Në Zagreb, e takonte gjeneralin Tomë Berisha, përvoja ushtarake e të cilit u dëshmua në veprimtarinë e mëvonshme ushtarake, të rrethit që e udhëhiqte Selmani, i cili kishte veti t’i shfrytëzonte momentet dhe situatat gjithnjë në shërbim të çështjes kombëtare.

Pas grevës së 3 shtatorit të vitit 1990, fati i mijëra punëtorëve shqiptarë dihet. Selmani pasi u pushua nga puna në mënyrë të dhunshme, pati kohë më shumë t’i kthehet Rugovës dhe Pejës. Hendeku që e ndante pushtuesin me të pushtuarin thellohej çdo ditë e më shumë. Koha kërkonte dinamizëm të veprimeve edhe përmes formave të mundshme që për momentin mund të sillnin rezultate në ato rrethana të pushtimit serb. Selmani ishte përcaktuar të bënte çdo gjë që ishte e mundur, të jepte maksimumin e potencialit të vet intelektual, të përgatitjes shpirtërore e fizike, të tërë qenies personale e familjare që Rugova e kryetrimave në zë, të ecte në hap me krahinat e tjera shqiptare në shërbim të çështjes kombëtare. Që nga vitet e ‘90-ta e këndej u bë projektuesi dhe drejtuesi kryesor rugovas i idesë për çlirim. Ishte themelues i Degës së Lëvizjes së të Gjelbërve për rajonin e Rugovës, ishte ndër themeluesit e Degës së Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, me seli në Drelaj, ishte veprimtar i shquar i Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, njëri ndër themeluesit e revistës “Gurra”, njëri ndër themeluesit e Shoqatës Sanxhako-Kosovare, me seli në Prishtinë më 1994. Është marrë me krijimtari shkencore, ka qenë i përkushtuar në shkrimet e tij më shumë në lëminë e arkeologjisë dhe të ekonomisë.

Selman Lajçi ishte ndër themeluesit e Forumit të Intelektualëve të Rugovës më 1990. Asnjëherë nuk ka menduar se Kosova çlirohet pa luftë, prandaj qysh herët filloi organizimin për luftën. Disa vite më vonë fillojnë aktivitetet e grupeve guerile të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat u përballën denjësisht me forcat pushtuese ushtarako-policore serbe. Në këtë kohë, UÇK-ja i tregoi popullit dhe botës se fitorja nuk i takon vetëm të fortit, aq më pak atij që s’ka të drejtë.

Selman Lajçi ka pasur kontakte dhe ka mbajtur lidhje të vazhdueshme me heronjtë e kombit, Adrian Krasniqi dhe Bahri Fazliu, pastaj me Hysen Dreshajn etj., me të cilët i formuan disa celula dhe baza të UÇK-së, në mesin e të cilave edhe bazën e UÇK-së për Rugovë dhe Lugun e Drinit, e formuar në nëntor të vitit 1997, kur edhe ishte inkuadruar direkt edhe Selman Lajçi.

Pra, njëri ndër veprimtarët e dalluar të Lëvizjes Kombëtare, i cili tërë jetën ia kushtoi organizimit ilegal për lirinë e atdheut të robëruar ishte edhe mr. Selman Bekë Lajçi. Kah fundi i vitit 1997 dhe fillimi i vitit 1998 Selman Lajçi u mor me organizimin e luftës së UÇK-së në Rugovë. Ai është themeluesi kryesor i Brigadës 136 “Rugova” të UÇK-së së ZOD-it dhe drejtuesi i luftës çlirimtare në këtë rajon. Ishte ndër organizatorët kryesorë për pajisjen me armatim të luftëtarëve të Brigadës 136 “Rugova”.

Në korrik të vitit 1998, nga pjesëtarët e kësaj celule u formua edhe Shtabi rajonal i Rugovës me seli në Pepaj, ku Selmani mori detyrën e përgjegjësit për informim. Këtë detyrë e kishte më pas edhe në kuadër të komandës së Brigadës 136 “Rugova” të UÇK-së. Kjo tregon qartë se lufta e UÇK-së u drejtua nga njërz të ditur, të zotët dhe largpamës, që kishin mendim intelektual dhe ushtarak të klasifikuar dhe të strukturuar lartë, që UÇK-në e sollën prej fitores në fitore. Lufta e UÇK-së filloi në kohën e duhur dhe mbaroi në kohën e duhur, për herë të parë si popull ditëm të pozicionohemi drejt. Për këtë arsye udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të kësaj ushtrie me të drejtë meritojnë të quhen strategë dhe vizionarë që e fituan luftën dhe e parashikuan të ardhmen. Prandaj, luftëtarët e shquar, heronjtë si Selman Bekë Lajçi me bashkëluftëtarë, me punë të paepur, me luftë të pakompromis, me vetëmohim e sakrifica mbinjerëzore arritën ta thyejnë mitin e pathyeshmërisë së forcave serbe.

Selmani e respektonte shumë traditën trimërore e atdhetare të Rugovës e të rugovasve. Kryetrimat e Rugovës i çmonte si Altarin e shenjtë të Lirisë, të cilit do t’i përkushtohej edhe vetë me tërë qenien. Familja e Selman Bekë Lajçit lidhet historikisht dhe familjarisht me dy luftëtarë të dalluar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), me Adem Isufin dhe Rexhë Avdinë, të cilët u dalluan në Luftën e Nokshiqit më 1879. Selmani u rrit i frymëzuar me trimëritë e Adem Isufit, stërgjyshit të tij, të cilin e përkujtonte shumë shpesh dhe planifikonte t’ia sjellte eshtrat në Shkrel. Mirëpo, amaneti i Selmanit u përmbush 12 vjet pas rënies së tij, më 10 qershor 2011, kur një grusht dhé u mor nga varri i Adem Isufit në fshatin Grace afër Tutinit dhe u vendos në Kompleksin Memorial në Shkrel. Ai ndjente frymëzim të zjarrtë për këtë patriot të anatemuar nga regjimi i kohës, fatin e të cilit do ta përjetonte edhe vet. Këngët për të ua mësonte edhe fëmijëve në djep. S’e duronte dot ngulfatjen që pushteti sllav i bënte qenies sonë. Shprehej shpesh për domosdoshmërinë e ruajtjes së brezit të ri që është në formim, për të mos u infektuar me ideologjizma të dëmshme që ia zgjasin jetën pushtetit okupator. I rilindi, dhe për disa vjet me radhë i mbajti të gjalla Lojërat Tradicionale të Rugovës, të cilat kishin karakter të shumëfishtë: kulturor, sportiv, të shpirtit kryengritës popullor, e mbi të gjitha të njohjes së potencialit djaloshar të gatshëm për ta bërë luftën në një të ardhme shumë të afërt.

Me Selman Lajçin dhe me familjen e tij personifikohet mosdurimi ndaj zgjedhës së pushtuesve të huaj. Shtëpia e tij gjithmonë ishte vatër e gjallimit të lëvizjeve kombëtare. Një harmonizim i përkryer ideor, e një dashuri e madhe vëllazërore që e lidhte fort me të vëllain Salihun, bënte që ta kishin më të lehtë përballjen me armikun. Serbia kishte aktivizuar spiunë që vazhdimisht e përgjonin aktivitetin e tyre. Aktiviteti i dendur luftarak i Selmanit, zë faqe të shumta në historikun e organizimit ushtarak të Rugovës. Që nga celula e parë e deri tek formimi i Brigadës 136 “Rugova”, emri i tij lidhet pashkëputshëm me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Detyra e zëdhënësit për Informim Publik, të cilën e kryente si anëtar i Shtabit Rajonal të Rugovës dhe Komandës së Brigadës 136 “Rugova”, në vazhdim, ishte vetëm njëra ndër detyrat e shumta që ai kryente. Ai u bë oficeri më i lartë i mendimit ushtarak të rugovasve të organizuar në vijën e luftës për liri. Në hapësirën e veprimeve të tij nuk kishte vakuume. E merrte përsipër një detyrë, e kryente me korrektësi dhe përgatitej për detyrën e re. Të gjithë kishin përshtypjen se ai vepronte me lehtësi, ngase ai kurrë nuk ankohej, as nga lodhja, as nga pengesat e çfarëdo natyre qofshin, as nuk trembej nga të papriturat. Guximi i tij u bë frymëzim i veçantë për ushtarët e Brigadës 136 dhe për të gjithë ata që patën rastin ta takojnë në luftë. Gjithnjë shpreheshin se dëshironin të ishin në aksione aty ku ishte Selmani, sepse aty ishte fitorja. Nisej i pari në aksion, e kthehej i fundit.

Ndjenja e sakrificës në shpirtin e Selman Lajçit ishte e vjetër. Personaliteti i tij lidhet me rrymat përparimtare e kombëtare në kyçet e ngjarjeve të mëdha historike që nga vitet pesëdhjeta, kur familja e tij u bë shembull i shqyerjes së “vasikave” që mundësonin realizimin e planeve serbomëdha për përzënien e shqiptarëve për Turqi. Shtëpia e tij, që ishte ndër bazat e para ilegale në vitin 1980, u bë edhe shkolla e parë e pavarur shqipe më 1990, u bë selia e parë e organizimit ushtarak të Rugovës. Selman Lajçi ishte i gatshëm të sakrifikohej me tërë familjen, që nga nëna 80-të vjeçare e deri te fëmija në djep. Më 1990 kundër Selmanit ngritet aktpadi në bazë të asaj se donte të hapte shkollë shqipe të pavarur në Arbnesh (ish-Vitomiricë).

Pas sulmit të forcave serbe në Shtupeq të Madh, pushka e Selmanit u dëgjua e para, në kushtrim për mbrojtjen e Rugovës. Pra, më 24 gusht 1998 iu priu luftëtarëve në mbrojtje të fshatit Shtupeç i Madh nga ekspeditat serbe. Qysh nga tentimi i parë që bënë forcat serbe, në shtator të vitit 1998, të hynin në Pepaj, ku ishte selia e organizimit ushtarak, pushkëmitralozi i Selmanit gjëmoi nga fronti në front, deri në Shqiponjë të Gjakovës në prill të vitit 1999.

Selmani ishte shumë objektiv. Merrte qëndrime të prera të cilat nuk lejonte t’ia thyente askush. Nuk i hiperbolizonte gjërat në asnjërën kahje. I çmonte shumë bëmat e bashkëluftëtarëve, duke qenë njëkohësisht modest ndaj veprimtarisë së vet. Duke luftuar përkrah trimave të Dukagjinit, ishte kthyer në Rugovë i pasuruar me heroizmin e tyre. E kishte çmuar shumë karakterin dhe gatishmërinë për sakrificë të atdhetarit dhe luftëtarit të denjë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës heroit të kombit, Shkëlzen Haradinaj. Rrëfimet e tij për vëllezërit, Shkëlzenin dhe Ramushin, u bënë frymëzim i zjarrtë për luftëtarët e Brigadës 136 “Rugova”.

Selmani në shtatorin e vështirë të ‘98-tës e organizoi dhe udhëhoqi pritjen e mijëra dukagjinasve të zhvendosur nga lufta, të cilët në Rugovë gjatë tërë kohës u pritën me bukë e strehim. Udhëhoqi të gjitha aksionet e marrjes së armëve nga Bosnja dhe Shqipëria përmes territorit të Malit të Zi. I priu operacionit për bartjen e mbi 40 të plagosurve nga Jabllanica deri në Rugovë, operacion ky që ishte bërë me urdhër të komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj. Ky operacion konsiderohej i rëndësisë së veçantë i cili u krye me sukses.

Selmani, me laps e pushkë i bënte dëshmitë për histori duke e bërë vetë një pjesë të saj. Sot për sot nuk dihet çfarë kanë pësuar shkrimet e tij. Në ato faqe të ditarit të tij luftarak, që i janë gjetur në xhep me rastin e rivarrimit, lexojmë për rrugën e tij luftarake disa ditë para rënies. Ai kishte shkruar:

Më 2 prill 1999: “Sot rreth orës 14.00 shkova në Shtabin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”. Pasi që u takova me Azemin, Agimin dhe Naimin biseduam për armatim dhe transportimin e armatimit për këtë zonë. Unë me dëshmi dhe regjistër ua shpjegova se kush i ka marrë armët dhe në ç’sasi.”

Po këtë ditë u kërkua që të përforcohet një pikë. Atje shkuan Adriani, Emrimi, Xhevdeti, Vetëtima etj. Misioni ynë ishte që t’i tërhiqnim të plagosurit. Kjo zonë ishte e rrethuar nga të gjitha anët. Me interes ishte tërheqja e atyre që ishin të shtrirë në spital.”

Ndërsa më 17 prill, dy ditë para rënies, ndër të tjera shkruante:

“Me eprorët Naim Maloku, major Muratin, Ruzhdiun, Salihun dhe Ujkanin shkuam në shtab për ta bërë një konsultë për një punë të mëtutjeshme. Ishte me interes për përgjegjësit e Brigadës 136 “Rugova”, që të konsultohen me eprorë të lartshënuar përkitazi me pozicionimin e forcave tona varësisht nga potenciali njerëzor dhe armatimi.” Selman Lajçi mori pjesë aktive në këto beteja, si në: Grykë të Rugovës në mars të vitit 1999, në Jabllanicë të Vogël më 1 prill; në Baran më 3 prill; në Jabllanicë të Dushkajës më 4 prill; në Ozdrim më 7 prill; në Jabllanicë të Vogël më 8 prill; në Qafë të Hajlës më 18 e 19 prill 1999, ku edhe ra heroikisht.

Pikërisht 13 vjet më parë, u zhvillua betejat e lavdishme në Rugovë të Pejës, ku ranë heroikisht eprorët dhe luftëtarët e Brigadës 136 “Rugova”: magjistër Selman Bekë Lajçi, Komandant për Informim i Brigadës 136 “Rugova”, njëri ndër themeluesit e kësaj brigade dhe njëri ndër luftëtarët më të denjë të çështjes kombëtare i cili luftoi me armë në dorë deri në rënien e lavdishme; profesor Besnik Musë Lajçi, komandant i njësitit vëzhgues dhe njëri ndër themeluesit e Brigadës 136 “Rugova”, pastaj dëshmorët Xhavit Lajçi, Ramush Lajçi, Asllan Nikçi, Faton Nikçi, Rifat Shala, Sokol Nikçi e dëshmorë të tjerë, ku secili prej tyre ishte Leonidë më vete.

Si shumë herë në histori edhe kësaj radhe Qafa e Hajles, Pepajt, Guri i Drenikës, Qafa e Qyqes, Shtupeçi i Madh e Qafa e Dasmorëve, u bënë barrikadë e pakalueshme për forcat serbe, të cilave iu shkaktuan humbje të mëdha. Aty luftuan e qëndruan luftëtarët trima të UÇK-së, të cilët kurrë nuk iu nënshtruan robërisë dhe vdekjes së padenjë, por edhe iu falën lirisë së atdheut. Dëshmorët e kombit me rënien për atdhe kanë kryer misionin e shenjtë i kanë ngritur vetes lapidarin më jetëgjatë, lapidarin e përjetësisë që nuk e mposhtin kurrë tallazet e kohës. Ata u bënë flamur, që valëvitet në guri të kufirit, mbeten viganë të kësaj toke për lirin e të cilës u dashtën flijime të pafund. Rënia e tyre në kufi në mbrojtje të vendit ishte vazhdimësi e qindra mijëra rugovasve, që e lanë me gjak vijën kufitare, duke mos u zmbrapsur kurrë. Kjo betejë dhe betejat si kjo janë epope që nuk harrohen lehtë, kujtim që nuk shlyhet kurrë, është një vulë që i mbylli proceset, duke sjellë me vete agun e lirisë.

Selman Lajçi ra në Betejën e Qafës së Hajles, më 19 prill 1999, pas luftimeve shumë të rrepta. Aty një ditë më parë kishte rënë dëshmor Xhavit Lajçi. Ndërsa po atë ditë ranë dëshmorët Besnik Lajçi dhe Ramush Lajçi. Pasi forcat serbe kishin filluar të tërhiqeshin me humbje, Selmani e kishte organizuar një grup ushtarësh për bartjen e Ramush Lajçit, të cilin ai vetë e kishte tërhequr nga vija e frontit, ndërsa tërheqja e Besnikut kishte qenë e pamundur. Por, fatkeqësisht, syrit të vëzhguesve të armikut nuk i kishin shpëtuar lëvizjet e Selmanit, ngase tërë ditën luftimet ishin zhvilluar në distanca relativisht të afërta. Ata ishin koncentruar përballë Brisë së Nicajve, ku ndodheshin luftëtarët tanë me trupin e pajetë të Ramush Lajçit, prej nga i rifilluan granatimet.

Selmani, u qëllua në momentin kur u përkulën si grup të kapnin trupin e Ramushit, ndërsa katër luftëtarët tjerë u plagosën. Ishte qëlluar në gjoks në anën e majtë. Fjala e tij e fundit që ua drejtoi shokëve kur u dëgjua një fishkëllimë e fortë predhe ishte “Kujdes”. Ai kishte mbetur në vend, ndërsa bashkëluftëtarët e plagosur kishin arritur të tërhiqeshin në pikën e Hajles. Ata edhe pse e kishin parë me sytë e tyre rënien e Selmanit, aty pranë Ramushit, askujt nuk ia thanë këtë, sepse nuk e besonin as vetë. Atë natë në Pepaj, ushtarë e fshatarë, me zor përshpërisnin: “Ndoshta edhe Selmani vetëm është plagosur, por nuk don të tërhiqet.” Dy nga luftëtarët që më së shumti e kishin dashur Selmanin, tërë natën e kishin kërkuar nëpër ato maja e gryka. Të nesërmen kishin shkuar në një front tjetër, duke besuar se ai do të ringjallej si feniks e do ta mbronte Hajlen që këmba e shkaut kurrë të mos shkelte andej.

Dëshmorët e lirisë Selman Lajçi, Besnik Lajçi dhe Ramush Lajçi u varrosën pas dy javësh mu në vendin e rënies, nga Njësiti i UÇK-së së fshatit Buxhov dhe nga disa bashkëfshatarë. Rivarrimi i tyre dhe i Xhavit Lajçit u bë më 29 gusht 1999, në Qafën e Pepajve me nderime të larta ushtarake e në prani të mijëra qytetarëve të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare.

Selmani me forcën e vet intelektuale dëshmoi se intelektualët që e udhëhoqën këtë luftë (edhe pse jo të shumtë në numër), kësaj radhe do të lidheshin në zinxhirin e rilindësve me moton: “Në njërën dorë lapsin – në tjetrën pushkën.”

Ai ia ktheu Rugovës krenarinë e ngritur aq lartë nga kryetrimat Çelë Shabani e Ker Sadria, Adem Isufi e Rexhë Avdia, Salih Jaha e Zhujë Selmani, Sak Faslia e Zhuk Haxhia, etj. Beteja e tij e fundit ishte më heroikja. Aty Selmani e mbrojti Rugovën, i mbrojti Pepajt, e mbrojti Hajlen. Aty e shtroi Pas–Hajlen me shkije të zi, aty mori gjak për Xhavitin, për Ramushin, për Besnikun e për vete. Aty Selmani u bë përmendore që i ruan zemrat e Rugovës së ndarë, të Kosovës së ndarë. Aty Selmani i rrënoi gurët e kufirit. Bashkëluftëtarët e quajtën kolos, faraon krenarie, udhëheqës shpirtëror, orë malesh, trim si zana, legjendë e gjallë, Oso Kukë, hero i kombit. Selman Bekë Lajçi detyrimisht meriton të dekorohet me urdhrin HERO I KOSOVËS.

Prishtinë, më 26 prill 2012

Kontrolloni gjithashtu

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Luigj Bumçi (1872 -1945) klerik, ipeshkëv, atdhetar

Kleriku atdhetar, Luigj Bumçi u lind në Shkodër, në vitin 1872 në një familje të …