Dërgesa me mbi 12 kilogramë eksploziv nga çarqet e shërbimeve sekrete serbe, që ditë më parë u zu në Kosovë, me qëllime terroriste ishte një mesazh i Qeverisë së Serbisë i vazhdimit të dhunës dhe destabilizimit të mëtutjeshëm në territorin e Kosovës, e motivuar politikisht kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Megjithatë dërgesa e tillë nga ana e Qeverisë së Serbisë nuk është e re për Kosovën.
Rasti i fundit kur serbi Slobodan Gavriq (1968), u zu në mes të Prishtinës me eksploziv C4, është tregues i qartë se është pjesë e mekanizmave zbatues të programeve të Serbisë për ta shantazhuar dhe destabilizuar Kosovën. Qëllimi ishte i qartë, por nuk ishte i ri: të ndizet konflikti ndërfetar mes shqiptarëve, në të cilin Serbia ka më shumë se njëzet vite që është duke investuar intensivisht.
Sipas cilësimeve të medieve, çka është edhe logjike, Slobodan Gavriq kishte patur në plan ta hidhte në erë Katedralen Shqiptare “Nënë Tereza” në Prishtinë. Po të ndodhte ky akt i rëndë terrorist, për të cilin do të fajësoheshin shqiptarët, në aspektin politik do ta paraqiste Kosovën të paaftë në mbrojtjen e rendit e të sigurisë publike dhe përveç pasojave të paevitueshme në njerëz, do ta godiste rëndë gjithashtu edhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Edhe pse ky rast duhet shikuar dhe trajtuar me kujdes, ngase forma e zënies dhe komplet rasti është i mjegullt, megjithatë, shërbimet sekrete serbe nëpërmjet këtij rasti kanë luajtur lojëra të shumëfishta dhe kanë bërë testime në fushat e sigurisë së brendshme dhe të asaj ndërkombëtare. Pos kësaj, rasti lë për të dyshuar se si Ministri i Brendshëm i Serbisë u tregua aq i gatshëm që të “bashkëpunojë” me EULEX-in, kur Serbia nuk e njeh Kosovën dhe sovranitetin e saj. Ata po bëjnë çmos për ta rikthyer Kosovën në pikën zero.
Vetura e tipit “Renault Clio” në të cilën u gjetën mbi 12 kilogramë eksploziv ushtarak ishte me targa të Beogradit (BG-479-GC), ndërsa personi Slobodan Gavriq, tek i cili u gjet eksplozivi është shtetas i Serbisë, i lindur, i rritur e me banim në Beograd, i martuar, baba i dy fëmijëve, punëtor i Ministrisë së Bujqësisë në detyrën e inspektorit të veterinarisë. Siç u tha, ai bashkë me gruan e tij, e cila punon në Ministrinë e Brendshme në Beograd, dhe fëmijët, jetojnë në një banesë në Beogradin e Ri, kurse fillimisht mediet Gavriqin e paraqitën si person nga Rashka dhe me banim në Rashkë, ku policia serbe kishte urdhëruar për t’ia bastisur shtëpinë e tij po ashtu në Rashkë.
Një gjë dihet hapur, kur operacionet e sigurisë së lartë të Serbisë dështojnë, siç ndodhi edhe në rastin konkret, atëherë shërbimet sekrete të kundërzbulimit lansojnë lloj-lloj tezash e pista të rreme për ta tërhequr vëmendjen e opinionit për të krijuar opinione të rreme. Në të kundërtën përgatitja për akte terroriste të përmasave të tilla nuk ka kurrfarë shanse të jetë bërë pa dijeninë dhe organizimin e organeve më të larta të shtetit serb. Materia e dyshuar është testuar me skaner elektronik nga sigurimi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe ka rezultuar të jetë Eksploziv RDX (eksploziv i fuqishëm ushtarak plastik) me sasi 12 kilogramë e 219 gramë. Sipas njoftimeve zyrtare të publikuara në mediat tona, “gjatë ekzaminimit është vërejtur se në brendi të materies gjendeshin bulona të metalit të cilët përdoren në eksplozive për fragmentim”. Ky eksploziv, si u tha më lartë, është eksploziv plastik me fuqi tejet të madhe shkatërruese, prandaj për tërheqjen e tij nga magazinat ushtarake duhet kaluar një varg procedurash nga persona kompetentë me leje të veçanta. Pra, sasia e këtij lloji të eksplozivit ka mundur të tërhiqet vetëm pas kalimit të një varg procedurave verifikuese zyrtare. Slobodan Gavriq jo rastësisht kishte me vete edhe hartën dhe skicën e planit të largimit nga vendi i ngjarjes. Në hartë paraqitet qartë rruga nëpër të cilën duhet të kalojë, e cila është rruga më e shkurtër për t’u larguar nga territori i Kosovës. Nuk është rastësi as zgjedhja e kohës për ta kryer këtë vepër terroriste. Gavriqi kishte ardhur për ta kryer ketë vepër terroriste në një kohë të veçantë, në prag të festave të fundvitit ku secili prej nesh ka qenë i preokupuar me përmbylljen e vitit dhe me përgatitjen për kremten e festës se ndërrimit të moteve. Së dyti, serbi në fjalë, u vendos në Hotel “Grand”, pra mu në qendër të kryeqytetit ku dendësia e popullatës gjithherë është më e madhe. Është për t’u habitur pse Gavriq pasi ishte akomoduar në hotel “Grand”, lëvizi në afërsi të Ambasadës së SHBA-ve, ku edhe u zu nga Policia e Kosovës në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, ku përveç selisë së Ambasadës Amerikane gjenden edhe disa përfaqësi të tjera diplomatike. Pas zënies është thënë se Gavriq është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me hetuesinë.
Se Gavriqi kishte ardhur në Kosovë me qëllim për të kryer punën e tij të ngarkuar nga qarqe të larta të sigurisë në Serbi tregon edhe fakti se më 24 dhjetor kishte marrë një dhomë me qira në hotelin “Grand”. Pikërisht aty, para se të hynte në hotel, ku e kishte kaluar natën, Gavriqi kishte parkuar makinën në një parking shumë afër Grandit. Pasi ishte akomoduar aty, kishte shkuar në Serbi ku ishte ngarkuar me eksploziv dhe përmes veriut ilegalisht dhe në forma të planifikuara përmes pikës kufitare në Rudnicë kishte hyrë në Kosovë. Pas zbulimit të rastit, për një kohë mbizotëroi heshtje e plotë jo vetëm nga qeveria serbe por edhe nga mediet e atjeshme. Disa ditë më vonë, mediet e Beogradit tërhoqën disa paralele, kinse Gavriq është zbuluar nga një tregtar i drogës nga Novi Pazari, e plasime të tjera kinse eksplozivi ka pasur për t’u shitur në Shqipëri, gjë që s’mund të jetë e qëndrueshme. Arrestimi i mëvonshëm në Beograd i Zhelko Todoroviqit (42 vjeçar) lidhur me rastin, apo deklarimet e tij se Gavriq ishte futur në borxhe dhe paska dashur të bëjë tregti me eksploziv, apo se informacionet e zbulimit të Gavriqit kanë rrjedhë nga një qytetar bullgar, i cili dyshohet se është pjesëtar i shërbimit informativ bullgar, i cili e paska dekonspiruar rastin, nuk janë asgjë tjetër veçse pjesë e makinacioneve të shërbimit sekret serb për ta zhvendosur rastin në një rrafsh tjetër.
Dëshmitë që lidhen me rastin duhet parë dhe trajtuar me kujdes, për të zbardhur kush qëndron nën hijen e këtij rasti. Sidoqoftë, nga ekspertë të sigurisë së brendshme, por edhe ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë, rasti është cilësuar si akt terrorist.
Pos ekspertëve të fushave të sigurisë, sipas deklarimeve të zyrtarëve të lartë shtetërorë të Republikës së Kosovës, përfshirë Presidenten Atifete Jahjaga dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, i dyshuari po përgatiste një sulm terrorist në Kosovë. Ka pasë zëra nga burime brenda institucioneve të sigurisë, se objektiv i mundshëm sulmit mund të ketë qenë hoteli “Grand” ku pritej të qëndronte gjatë vizitës në Kosovë, Kryeministri Edi Rama. Kjo mbetet të verifikohet por megjithatë agjenda e kryeministrit shqiptar kishte ndryshuar, sepse ai nuk erdhi në mbrëmje në Prishtinë, sipas agjendës së paraparë, por erdhi të nesërmen.
Sipas të dhënave policore eksplozivi ka qenë i ndarë në dhjetë njësi të veçanta, dhe i njëjti, do të mund të hidhej në erë me telekomandë në pikat të cilat kanë qenë në shënjestër të sulmuesit.
Sulmuesi në Kosovë kishte ardhur nga Serbia përmes veriut të Kosovës, pa hasur në asnjë pengesë, sepse edhe më tutje kjo pjesë kontrollohet nga strukturat paralele legale e ilegale të kontrabandës dhe krimit të organizuar. Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare për zbardhjen e këtij komploti terrorist dhe njëkohësisht e ka përgëzuar policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe punën e mirë në pengimin e këtij veprimi terrorist dhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ky operacion u bë, siç u bë e ditur, ishte drejtuar direkt nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, për shkak të ndjeshmërisë së rastit edhe pse këtë operacion ka mundur ta udhëheqë drejtori i Drejtorisë Kundër Terrorizmit apo ngjashëm. Sidoqoftë, është fatbardhësi që është zbuluar rasti dhe është kapur personi në vepër.
Padyshim, Serbia është ndër vendet më të militarizuara në Ballkan dhe në Europë, me një ushtri të pa reformuar, diku me një personel prej 37 mijë pjesëtarëve profesionistë dhe mbi 100 mijë rezervistë, me një buxhet prej afro 700 milionë euro në vit. Është fakt i pamohueshëm se mafia politike dhe ushtarake në Serbi i kontrollon pothuajse të gjitha strukturat dhe bizneset e shtetit serb. Ndërkaq, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), del se policia e Serbisë i numëron 45 mijë punonjës. Edhe më tutje, për çdo vit Serbia i shpenzon mbi 500 milionë euro në mbështetje të strukturave paralele që veprojnë jashtëligjshëm në Kosovë. Shërbimi sekret serb mbanë të angazhuar në Kosovë mbi 150 anëtarë të BIA-s dhe mbi 50 organizata sekrete serbe të cilat e përbëjnë pushtetin paralel serb në Kosovë dhe përdoren nga shërbimi sekret i Serbisë për ta mbajtur peng sigurinë në Kosovë.
Armët e Serbisë, eksplozivi i Serbisë i nxjerrë nga magazinat ushtarake të sigurisë tepër të lartë është përdorur edhe me rastin e sulmit terrorist të “Al Kaeda”-s që ndodhi në metrotë e Londrës, në korrik të vitit 2005, kur Britania e Madhe u godit pikërisht në ditën kur vendet e zhvilluara mbanin një konferencë për t’i ndihmuar vendet e pazhvilluara, ku humbën jetën dhjetëra njerëz të pafajshëm dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Eksplozivi i përdorur nga “Al Kaeda” në këtë sulm vinte nga Beogradi. Menjëherë pas aktit terrorist, ekspertja e njohur kundër terrorizmit, Giora Shamis, kryeredaktore e gazetës “Debka” të Izraelit, deklaroi se materiali i përdorur në këtë sulm, kishte prejardhje nga Serbia dhe kjo nuk ishte hera e parë që përpjekjet për prishjen e paqes në botë i provokon shteti serb. “Eksplozivi i përdorur nga “Al Kaeda” gjatë sulmeve në Londër rrjedhë nga Beogradi. Bëhet fjalë për kanal të organizuar mirë për tregti me armë”, kishte thënë Shamis.
Sipas burimeve të hapëta, të publikuara edhe në vija mediale, eksplozivi plastik ushtarak, i prodhuar në Serbi, është verifikuar se është përdorur edhe në Irak dhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme nga organizatat terroriste të lidhura me “Al Kaedan”. Kjo është verifikuar edhe nga ekspertë të SHBA-ve, nëpërmjet ekzaminimit të eksplozivëve dhe të armëve të kapura në Irak.
Po ashtu Serbia e ka ndihmuar regjimin e Sadam Hyseinit, me armë dhe me ekspertë ushtarakë, ashtu siç e ka ndihmuar edhe Gadafin.
Mercenarët e parë të huaj në Libi qenë serbët që iu bashkuan regjimit të Gadafit. Legjionarët serbë që morën pjesë në mbështetjen e Gadafit ishin veteranë nga luftërat e ish-Jugosllavisë. Përpos ish-pjesëtarëve të ushtrisë dhe të policisë, pjesa më e madhe kanë qenë pjesëtarë të “Beretave të Kuqe”, që tashmë janë shpërndarë nëpër botë. Njësitë paramilitare serbe qëndruan përkrah Gadafit deri sa është rrëzuar regjimi i tij. Nga të bëmat e ushtarakëve serbë dhe programet shoviniste serbomëdha të Akademisë së Shkencave të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve u frymëzua dhe u motivua edhe terroristi, Anders Behring Breivik. Është me rëndësi të theksohet se në traktin e shpërndarë të të ashtuquajturës “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës” paralajmërohej ekzistenca e “kalorësve serbë” me të cilët ndërlidhej monstrumi norvegjez, Anders Behring Breivik, i cili më 22 korrik të vitit 2011, në dy sulme të ndara në Norvegji (në sulmin me bombë në Oslo dhe atë me armë në ishullin Utoja), vrau 77 persona dhe plagosi 242 të tjerë. Për sulmet e tij masive, Breivik, ka thënë se është frymëzuar nga nacionalistët serbë dhe se i ka takuar organizatës djathtiste “Kalorësit Tempullarë”.
Edhe sot Serbia është në mesin e vendeve kryesore për nga prejardhja e municionit që e përdorin ekstremistët e Shtetit Islamik (ISIS) në Irak dhe në Siri, thuhet në hulumtimin e Conflict Armament Reasearch. Po ashtu në listën e re ku janë publikuar rreth 82 organizata terroriste në botë, në mesin e tyre është edhe organizata “Otpor” nga Serbia, e cila krahasohet me organizatat Boko Haram dhe ISIS-in.
Rrezikimi i sigurisë në Kosovë ka të bëjë edhe me zhvillimin e politikave globale.
Qysh në vitet 2004-2005, Serbia kishte nënshkruar disa marrëveshje interne me Iranin për ta goditur Kosovën ushtarakisht. Në përmbajtjen e njërës prej këtyre marrëveshjeve thuhej se “forcat serbe do të hyjnë në Kosovë, në rast se SHBA-të sulmojnë Iranin”. Në kuadër të angazhimeve të ndërsjella të Serbisë dhe të Iranit në fushën e sigurisë, në një kohë kritike për Iranin por edhe për Serbinë, mbetet e paditur se a do të kenë vetëm këmbime informacionesh, pajisjesh armatimi apo edhe aleancë të fortë ushtarake.
Situatat e tilla tregojnë qartë se sa është e përgatitur Serbia për të ndërhyrë në Kosovë. Në fakt, sipas burimeve të ndryshme, Irani ka një rrjet të garantuar të agjentëve të vet në Kosovë, të cilët edhe janë të gatshëm të provokojnë luftëra në rajon, të karakterit lokal. Këto struktura janë të lidhura me elementin serb, si në vija diplomatike si në ato ushtarake dhe të sigurisë, nëpërmjet të cilave i mundësohet konsolidimi, organizimi dhe veprimi elementit ekstremist mysliman në hapësirat e ish-Jugosllavisë e më gjerë. Problemet tjera nxitëse deri në shkallën e pasigurisë janë edhe disponimi antishqiptar që do të nxisë pakënaqësi në rajon.
Serbia nëpërmjet shërbimeve sekrete, e mbështetur edhe nga aleati i saj i përhershëm Rusia, ka investuar në ngritjen e strukturave të ekstremizmit mysliman në Ballkan e më gjerë, veçmas në trojet shqiptare, duke krijuar edhe një opinion tek popullata nëpërmjet propagandës, medieve dhe mekanizmave të shërbimit sekret serb.
Kur flitet për militarizimin e Serbisë duhet përmendur edhe baza ushtarake ruse në Nish, e formuar më 20 tetor 2009, me rastin e vizitës së ish-kryetarit të Rusisë, Dimitrije Medvedev, në Serbi, ku temë e bisedimeve ndërmjet Medvedevit dhe udhëheqjes së lartë serbe ka qenë arkitektura e hapësirës euroaziatike dhe krijimi i bazës ushtarake ruse në Nish, mbase si kundërvënie ndaj bazës ushtarake amerikane në Bonstill. Baza ruse në Nish po merr përmasa të mëdha si bazë ushtarake, e cila është edhe baza e parë ushtarake jashtë territorit të ish-Bashkimit Sovjetik, e cila Serbinë e bën edhe më të fortë ushtarakisht dhe më kërcënuese të sigurisë në rajon.
Duhet përmendur se pas fitores së Putinit, ndër planet e tij ushtarake afatmesme ka qenë edhe prania ushtarake ruse në Ballkan. Vendosja e kësaj baze ushtarake në Serbi nga ana e Rusisë është një shqetësim i brendshëm ndërkombëtar, sepse kjo përkon me një lëvizje të re strategjike të Moskës në Ballkan.
Për militarizimin e Serbisë tregojnë edhe faktet e industrisë së armatimit në Serbi, duke pasur një qarkullim rekord. Gjatë vitit 2008 Serbia ka eksportuar armatim në vlerë prej 520 milionë dollarësh, kurse në vitin 2009 kjo shumë është ngritur në 650 milionë dollarë. Rreth 90 për qind e prodhimit të armatimit në Serbi është e paraparë për eksport. Kjo tempo ka vazhduar edhe në vitin 2010, 2011, 2012 e tutje. Duhet theksuar se vetëm kontrata me Irakun kapte vlerën prej 350 milionë dollarësh.
Serbia i shet armë legalisht dhe ilegalisht Irakut, Libisë, Indisë, Indonezisë, Pakistanit, Afganistanit e vendeve të tjera që kanë konflikte të brendshme, apo me shtetet fqinje, apo me NATO-n.
Aktet terroriste apo përgatitjet e tilla për akte terroriste si kjo e Slobodan Gavriqit kanë të bëjnë me grupe ekstremiste, radikale politike, nacionaliste apo fetare të kontrolluara direkt nga shteti serb, i cili i përdorë struktura e tilla në pamundësi për ta zotëruar mundësinë reale të sundimit të Kosovës, pas dëbimit të forcave ushtarako-policore serbe dhe shpalljes së Kosovës shtet i pavarur. Po në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, grupet e tilla i dogjën pikat kufitare me Serbinë dhe kanë vazhduar me akte terroriste dhe akte të dhunës, që janë të evidentuara në raportet e strukturave të sigurisë së Kosovës dhe atyre ndërkombëtare. Rreth 350 policë serbë të Shërbimit Policor të Kosovës bashkë me stafin civil e lëshuan punën në shenjë solidariteti me grupet ekstremiste në mars të vitit 2008. Kurse për praninë e strukturave paralele ushtarako-policore të Serbisë në Kosovë flet edhe “Raporti për strukturat paralele 2006-2007” i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE). Shumica prej këtyre strukturave janë aktuale edhe sot e kësaj dite. Disa prej tyre vitin e kaluar kanë hyrë pa kaluar nëpër testin e sigurisë në departamente të sigurisë në Kosovë edhe pse nuk e njohin shtetin e Kosovës.
Aktet terroriste të kryera në Kosovë, ku është përdorur eksplozivi nuk janë risi. Rasti Gavriq ishte atakimi i radhës, që fatmirësisht u parandalua. Jemi dëshmitarë të një varg sulmesh me lëndë plasëse, në të cilat përveç dëmeve materiale kanë humbur jetën edhe disa njerëz, madje edhe nga radhët e policisë ndërkombëtare. Jo rrallë herë, sulmet me lëndë plasëse ishin të drejtuara edhe ndaj institucioneve të vendit, pjesëtarëve të sigurisë etj. Që nga viti 1999 e gjerë më sot në Kosovë kanë ndodhur mbi dy mijë eksplodime. Çuditërisht, që nga ajo periudhë e deri më sot nuk u identifikuan kryesit e pothuajse asnjë vepre të kësaj natyre edhe pse pistat hulumtuese në disa raste janë përafërsisht të ditura. Në këtë lojë politike u viktimizuan shumë njerëz të pafajshëm. Loja me eksplodime po vazhdon edhe sot.
Një shpërthim i fuqishëm në Termocentralin Kosova A, mu në kohën e përfundimit të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare në qershor të vitit 2014, që la pas vetes të vdekur dhe të plagosur mund të klasifikohet pjesë e zinxhirit të sabotimeve të përgatitura nga Qeveria e Serbisë, e cila minoritetin serb të Kosovës në pjesën veriore të vendit e ka shkëputur nga rrjeti elektrik i Kosovës. Serbia ka krijuar një varg lidhjesh për ta rrëzuar pushtetin në Kosovë, për ta paraqitur të paaftë për udhëheqje dhe për ta pasur nën kontroll. Vitin e kaluar u hodh një bombë në pjesën veriore të Mitrovicës, me ç’rast u plagosën nëntë persona. Një rast i ngjashëm ndodhi edhe në Klinë, ku u hodh në erë shtëpia e një malazezi, e ndërtuar në kuadër të projektit për kthim.
Të kësaj natyre ishin edhe disa eksplodime që ndodhën në Dragash, të cilat kishin në shënjestër disa shtëpi të goranëve, me qëllim të iritimit të popullatës. Me këtë lloj eksplozivi qe vrarë edhe Selver Haradinaj në shtëpinë e tij në Mitrovicë, e dhjetëra raste të tjera. Në të gjitha rastet eksplozivi kishte origjinën nga Serbia. Edhe eksplozivi me telekomandë, sidomos eksplozivi C4 që është përdorur në shumë raste, e kishte origjinën nga Serbia. Eksplodime në seri kanë ndodhur prej 14 vitesh në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në vendbanime të banuara me serbë, që më shumë ishin një fushatë politike për ta diskredituar gjendjen e sigurisë në vend. Por akti i fundit i zënies së Slobodan Gavriqit në vepër me mbi 12 kilogramë eksploziv, e zbardhë dhe e ndryshon qasjen e natyrës së presioneve me lëndë plasëse. Ky akt merr përmasa të terrorizmit rajonal, i motivuar nga kriminaliteti politik dhe i përkrahur nga strukturat e sigurisë së Serbisë. Ky akt është vazhdimësi e akteve tjera që e përbëjnë tërësinë e problemit të quajtur luftë speciale e Serbisë në Kosovë nëpërmjet të cilës Serbia mendon ta kthejë sovranitetin e Kosovës në njësi të mëhershme administrative, meqenëse Kosova konsiderohet shtet në ndërtim e sipër dhe si çdo shtet i ri edhe Kosova i ka problemet e veta. Kosova edhe pas gati shtatë vitesh pavarësi, edhe më tutje në Kushtetutën e Serbisë rezulton si pjesë integrale e saj!
Xhandarmëria serbe me qindra herë gjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve ka hyrë në brendi të territorit të Kosovës, ka ndaluar e arrestuar njerëz, ka keqtrajtuar, ka kryer operacione të ndryshme, etj. Për një periudhë të shkurtër nga fshati Karaçevë, në kufi me Serbinë, janë shpërngulur mbi 125 persona nga presionet e xhandarmërisë serbe. Kjo po ndodhë para syve të qeverisë dhe organeve të rendit. Mbi 30 protesta i kanë bërë banorët e këtij fshati kundër presioneve të xhandarmërisë serbe, duke kërkuar mbrojtje dhe siguri, por askush nuk e ka dëgjuar zërin e tyre.
Pos tjerash, duhet përmendur rasti i kidnapimit të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, derisa ishin në detyrë në brezin kufitar me Serbinë, më 31 shkurt të vitit 2012, më saktësisht në fshatin Dumnicë të Podujevës. Sipas video-incizimeve të publikuara edhe në mediet elektronike nga pala serbe shihen dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të shtrirë përtokë, të lidhur dhe të poshtëruar. Kurse pjesëtarët e xhandarmërisë serbe, sipas fotove dhe postimeve të tjera i takojnë njësisë speciale të xhandarmërisë (ish JSO-së famëkeqe), pjesëtarët e të cilës kanë marrë pjesë edhe në disa operacione të tjera në brendi të territorit të Kosovës.
Sipas raporteve të portalit beogradas B/92, të datës 24 nëntor 2011, Daçiqi kishte kërcënuar se “për Kosovën mund të shkojmë deri në luftë”. Prononcime të kësaj natyre kohë më parë bëri edhe udhëheqësi i organit ilegal të përkohshëm të Mitrovicës, Aleksandar Spiriq, i cili deklaroi se shteti serb është i vendosur që të qëndrojë në Kosovë.
Sa për ilustrim po përmendi rastin kur në natën ndërmjet 3 e 4 shkurtit të vitit 2000, forcat serbe i vranë 11 shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe gra e fëmijë, i plagosën mbi 40 të tjerë në prani të ushtarëve francezë të KFOR-it, dhe brenda 24 orëve i dëbuan 1 564 familje shqiptare me 11 364 anëtarë nga pjesa veriore e Mitrovicës. Është e ditur publike se ekspeditën për dëbimin e mbi 12 mijë shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës e kanë udhëhequr strukturat e MUP-it serb në krye me ish-komandantin Dragan Delibashiq.
Si pasojë e kësaj, Kosova është bërë ndër vendet më të blinduara në aspektin e sigurisë. Sipas të dhënave, misioni i KFOR-it ka në Kosovë përafërsisht 5 mijë pjesëtarë nga 29 shtete, që shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, pastaj Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), AKI-në, MPB-në, Policinë e Kosovës, që ka afërsisht 8 mijë pjesëtarë të uniformuar, 1 100 staf civil të angazhuar në shërbimet mbështetëse, administrative dhe teknike me një sistem të organizimit unik dhe të centralizuar në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Me të gjitha këto blindime të sigurisë dhe shpenzime marramendëse për ta siguruar sigurinë në Kosovë, ajo u mungon qytetarëve të Kosovës, si pasojë e ndërhyrjeje të jashtëligjshme të Serbisë, të cilat u toleruan dhe u minimizuan. Në këtë kontest duhet përmendur edhe misionin e EULEX-it, i cili u themelua në vitin 2008, kur Kosova e shpalli zyrtarisht pavarësinë e vet. Ky mision i Unionit Europian, veç tjerash, kishte premtuar që të ndihmojë në zhdukjen e korrupsionit dhe në “kapjen e peshqve të mëdhenj”, mirëpo me kalimin e kohës doli se edhe vet EULEX-i ishte pjesë e “peshqve të mëdhenj”, e marrjes së ryshfetit dhe korrupsionit të nivelit të lartë, duke prolonguar e shkatërruar shumë prova të një varg proceseve të krimit të organizuar në Kosovë.
Duhet përmendur se për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të luftës, shtetet anëtare të Unionit Europian e financojnë EULEX-in me shumën prej 165 milionë eurosh në vit. EULEX-i i ka të punësuar rreth 3 mijë punonjës. Një numër i konsiderueshëm i tyre, madje edhe në pozitat kyçe në këtë mision, vijnë nga shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Gjatë gjithë kohës ky mision është kritikuar, veçanërisht se ka dështuar në fuqizimin e sistemit ligjor në Kosovë, në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në shkallë të lartë, si dhe për koston me të cilën po e drejton organizatën. Një reportazh i transmetuar kohë më parë nga televizioni gjerman “Deutsche Welle”, tregonte për shpenzimet marramendëse të këtij misioni dhe punën e policëve të tij në veri të Kosovës. Gjithashtu, tregoheshin edhe kalimet ilegale të kufijve nga serbët që nuk i njohin pikat kufitare të Kosovës. Një ndërrim doganierësh e policësh me helikopter, kushtonte 4 mijë euro, thuhej në reportazh. Deri tash vetëm për këtë llogaritet të jenë harxhuar rreth 400 mijë euro, kurse krejt misioni deri tashti ka kushtuar rreth 400 milionë euro. Me gjithë shpenzimet marramendëse për këtë pjesë (veriun e Kosovës) ende nuk ka një zgjidhje. Edhe ashtu veturat zyrtare të EULEX-it dhe personeli i tij dhjetëra herë janë sulmuar, por edhe shkatërruar nga grupet ekstremiste serbe në veri, të organizuara dhe të orkestruara nga Beogradi zyrtar.
Me të gjitha këto vështirësi, institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që Kosova të mos bëhet vatër dhe shënjestër e aktiviteteve terroriste. Mirëpo, provokimet janë të vazhdueshme dhe të padurueshme nga ana e palës serbe. Me rastin e festës së Krishtlindjeve Ortodokse këtë vit, njëri nga ministrat e Qeverisë së Isa Mustafës, Aleksandar Jabllanoviqi, përdor fjalor fyes e shovinist, duke i quajtur nënat tona “egërsira” (kujto Vulinin që vitin e kaluar në të njëjtin rast i quajti “jo njerëz”), fjalor ky i elaborateve shfarosëse të akademikëve dhe Akademisë së Shkencave të Serbisë, të cilin jemi mësuar ta dëgjojmë vazhdimisht nga zyrtarë të Serbisë, por është i papranueshëm kur vjen nga një ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Është sinjal i keq dhe veprim antikushtetues kur ministrat nuk e njohin shtetin në të cilin ushtrojnë detyra të ekzekutivit, është e papranueshme dhe antikushtetuese kur deputetët e Parlamentit të Kosovës, nuk e njohin Kosovën si shtet!
Sjelljet e tilla shprehin haptazi urrejtje të papërmbajtur ndaj palës shqiptare, sikurse edhe eksplozivi i gjetur tek Slobodan Gavriqi, që është dëshmi e shprehjes së urrejtjes dhe tendencë e vrasjes në masë të njerëzve të pafajshëm. Është shumë me rëndësi të theksohet se akti terrorist i mbetur në tentativë në rastin Gavriq, për kryerjen e të cilit domosdoshmërisht do të fajësoheshin shqiptarët, do të ishte “mesazh” që do t’i paraprinte presidentit serb Tomislav Nikoliqi, në shpalljen “planit të përhershëm” për zgjedhjen e çështjes së Kosovës! Ky plan nuk është as i pari, as i rastit. Të tilla pranprograme antishqiptare kanë përpiluar vite më parë, por atëherë së bashku në emër të Partisë Radikale Serbe: Vojisllav Shesheli, Tomislav Nikoliqi, Aleksandër Vuçiqi…, për të mos i përmendur të gjithë të tjerët.
Rasti Gavriq është atakim direkt i drejtuar kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. “Qeveria e Republikës së Kosovës e ka dënuar fuqishëm këtë akt të dyshuar terrorist, ajo mbetet shumë e përkushtuar që Kosova të jetë vend i paqes dhe tolerancës, dhe kërkon nga organet përkatëse të hetojnë në tërësi këtë akt të dyshuar terrorist, dhe përgjegjësit të vendosen para drejtësisë”. Megjithatë, struktura të caktuara duhet të vihen para përgjegjësisë me theks policia dhe dogana në Mitrovicë, e cila pothuajse është nën kontrollin e strukturave paralele që veprojnë në këtë pjesë.
Kosova nëpërmjet bisedimeve ka rënë në lajthitje diplomatike dhe nëpërmjet këtyre bisedimeve ka krijuar varshmëri politike nga Serbia, nga ky ndikim që është i dukshëm duhet liruar me kalimin e kohës.
Trevat shqiptare (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni) importojnë nga Serbia mallra në vlerë prej një miliard euro në vit! Serbia në bashkëpunim me miqtë dhe përkrahësit e saj është duke i përdorur teoritë e komplotit nëpërmjet strukturave të saj të instaluara gjithandej Kosovës për ta paraqitur Kosovën të paaftë para qarqeve ndërkombëtare dhe qendrave vendosëse. UNMIK-u më herët dhe tani EULEX-i e kanë mbajtur dhe po e mbajnë direkt anën e Serbisë.
Duhet përmendur edhe rastin e para dy vjetëve kur më 7 janar 2013, Aleksandër Vulini, Drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili e kishte të lëshuar një fletarrest nga Qeveria e Kosovës (urdhër ky që u tërhoq më vonë) dhe pas kësaj ai e kishte vizituar Graçanicën, në mënyrë provokative i veshur me rroba të njësisë së ashtuquajtur “Mbrojtja Civile Serbe”, bashkë me truprojat e tij po ashtu të veshur me të njëjtën uniformë, për çka disa prej këtyre truprojave të Vulinit u arrestuan nga Policia e Kosovës në Graçanicë, pasi që të njëjtit si të tillë kanë paraqitur rrezik për sigurinë. Për arrestimin e truprojave të Vulinit me uniforma të të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”, zyrtarët serbë bënë shumë zhurmë, duke e konsideruar këtë arrestim si “provokim të rëndë”. Pas gjithë kësaj, pas presionit të Serbisë, Prokuroria e EULEX-it i akuzoi njëmbëdhjetë pjesëtarë të Njësisë Speciale Operative (ROSU): Gani Konjuhi, Sabit Sadiku, Naim Durmishi, Sevdaim Avdullahu, Nexhmedin Zahiti, Jeton Ramadani, Nexhat Shabani, Xhafer Hyseni, Vesel Keriqi, Zenel Salihu dhe Ilmi Rexhepi, duke i akuzuar se i paskan maltretuar truprojat e ministrit serb Vulin, i cili kishte hyrë ilegalisht në Kosovë. Që nga ajo kohë e gjerë më sot pjesëtarët e ROSU-së, pas presioneve të Serbisë, u suspenduan dhe u nxorën para gjyqit vetëm pse e kanë kryer detyrën konform ligjit. Edhe më tej ata gjenden duke u përplasur me sistemin e drejtësisë që për ta deri më tani është treguar i njëanshëm dhe shumë i padrejtë. Barazo me atë që e bëjnë Policët e Kosovës nga radhët e minoritetit serb, për të cilën askush flet asgjë.
Këto probleme me të cilat po ballafaqohet Kosova janë të zgjidhshme dhe kanë rrugëdalje. Interesat e vendit nuk duhet t’i kenë dy kuptime, por një, dhe ne duhet t’i zgjidhim.