leoni

Faton Mehmetaj: Më 21 gusht bëhet rivarrimi i eshtrave të Demë Ali Pozharit

Faton Mehmetaj: Më 21 gusht bëhet rivarrimi i eshtrave të Demë Ali Pozharit

Demë Ali Pozhari (15.4.1905 – 26.4.1975).

Me datën 21 gusht 2021, në ora 12-të bëhet rivarrimi i eshtrave të Demë Ali Pozharit që preheshin në Stamboll të Turqisë. Ai e dinte se do të varrosej në dhe të huaj, por ishte i bindur se pas vdekjes një ditë do të kthehej në Atdhe.

Dhe kjo ditë është më 21 gusht 2021, ku do të pushoj përgjithmonë i qetë në Pozharin e tij të cilit dikur i dha emër e sot po ja kthen lavdinë. Demë Ali Pozhari tërë jetën e tij, pasurinë, familjen e gjithë çka pati e vuri në shërbim të kombit e të lirisë dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një Shqipëri të vetme.

Në kullën e tij shkollë e cila u dogj katër herë nga pushtuesit e ndryshëm serbo-malazez gjatë shek.XX, u rrit dhe edukua Demë Ali Pozhari, në një familje me tradita patriotike, që kishte sakrifikuar shumë gjatë historisë për çlirimin e trojeve shqiptare nga pushtuesit e shumtë, të hershëm dhe të vonshëm, kundër Perandorisë Osmane dhe kundër Serbisë e Malit të Zi.

Demë Ali Pozhari ishte dhe mbeti burrështetas i përmasave gjithkombëtare. Për shkak të veprimtarisë së panderprerë atdhetare, familja e Demë Ali Pozharit u godit rëndë duke filluar para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878 dhe duke vazhduar me pas nga pushteti serbo-malazez. Presekutimet e kësaj e familje do të vazhdojnë nga i njëjti regjim, edhe në vitet 30-ta të shekullit të kaluar; dhe vitet 40-a e 50-a, e deri në luftën e fundit në Kosovë.

Vëllai i Demës, Metë Alia, u vra nga organizata famëkeqe serbe “Crna Ruka”, në vitin 1920, djali i mixhës së Demës, Rizë Rama vdiq nga plagët e marra në një betejë që u zhvillua në vitin 1923, në Krumë, kundër forcave të Prend Jakut, të cilat ishin të manipuluara dhe të financuara nga qarqet serbe të kohës. Vëllai tjetër i Demës, Rexhë Ali Pozhari, një ndër prijësit e njohur të çetave kaçake në Kosovë, u likuidua nga organizata serbe “Crna Ruka” (“Dora e Zezë”), në vitin 1928.

Brigadat partizane dhe regjimi komunist për shkak të veprimtarisë së tij patriotike u hakmor rëndë kundër familjes së tij. Në vitin 1946 ia vranë djalin e madh Miftarin, kurse dy djemt më të vegjël: Brahimin dhe Afrimin ia helmuan në vitin 1950. Këso kohe pos që ia dogjën kullën dhe ia konfiskuan tërë pasurinë, gjatë viteve (1946-1948) e tërë familja e Demë Ali Pozharit (20-anëtarëshe) arrestohet dhe për tri vjet mbahen të burgosur në burgun e improvizuar në Gjakovë, që ishte i vendosur në “Rrugën e Shkijeve”.

Edhe përkundër torturave, leçitjeve, burgosjeve, vrasjeve e izolimeve Demë Alinë e mbajtën dhe e strehuan pa hezitim fshati Pozhar, dhe fshatrat për rreth, shokët e dashamirët e kësaj familje. Familja e Demë Ali Pozharit e vazhduan rrugën e tij luftarake për çlirimin e vendit, duke marrë pjesë aktivisht edhe në luftën e fundit në Kosovë, të organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (1998-1999). Gjatë kësaj lufte nga kjo familje kanë rënë dëshmorë luftëtarët e UÇK-së Kadri Muhamet Berisha dhe Shkëlzen Gani Berisha nga Pozhari si dhe nipi i Demë Alisë, Armend Tafil Kukleci nga Isniqi dhe Besart Kadrija nga Peja.

Jeta politiko ushtarake e Demë Ali Pozharit është e mbushur me lavdi, prandaj presidenti i Shqipërisë Bamir Topi e ka nderuar Demë Ali Pozharin me Urdhërin “Nderi i Kombit” pas vdekjes. Kurse presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga me “Urdhërin e Lirisë”. Kthimi i eshtrave në vendlindje në fshatin Pozhar, ishte amaneti i tijë. Kurse porosinë e tijë që ishte edhe përkushtimi dhe programi politik jetsor i tijë për bashkimin e trojeve shqiptare, siç thoshte edhe vet, “Vetëm bashkimi krijon forcën dhe forca është ajo që garanton paqen dhe prospperitetin”, i mbetet brezit të ri për ta përmbushur këtë porosi.

Kontrolloni gjithashtu

Tetë vjet më parë, Televizioni Dielli ka filluar transmetimin e programit kulturor, informativ, edukativ e arsimor

Sot TV Dielli shënon tetë-vjetorin e fillimit të transmetimit. Tetë vjet më parë,  më 11 …