Faton Mehmetaj

Faton Mehmetaj: Pse po shndërrohet në fuqi baroti çështja e kufirit me Malin e Zi?!

Popullsia e Malit të Zi që nga lashtësia 70 përqind e territorit të tij është banuar me ilirë e që edhe sot e kësaj dite 50 për qind e territorit të tij banohet me shqiptarë, që janë populli më autokton dhe më i vjetër në Mal të Zi. Pjesa dërmuese e këtyre territoreve i janë dhënë padrejtësisht Malit të Zi si kompromis i Fuqive të Mëdha nën presionet e Rusisë, pas luftës Ruso-Turke. Në atë kohë kur filluan të shfaqeshin këto padrejtësi, sipas dëshmive të kohës, nën emrin Shqipëri përfshiheshin katër vilajetet e vjetra të Turqisë Evropiane: Shkodër, Shkup, Manastir e Janinë, përveç kazave dhe sanxhaqeve të vjetra Serfixhe, Radovisht, Koçana e Karatovë, të banuara kryesisht me grekë, bullgarë ose turq.

Brenda këtij rregullimi shoqëror, 85 për qind e banorëve ishin shqiptarë autoktonë që nga periudhat antike, në shumicën prej tyre janë edhe sot. Njëri cep i kufirit fillonte nga qyteti i Tivarit (Antibar), të cilin diplomacia evropiane ia dha Malit të Zi më 1880 dhe shkon deri në Prevezë. Siç na e mëson historia, në kërë rast po i referohemi studimit të Mit’hat Frashërit, Kufijtë e Shqiptarëve, Tivari, pra e formonte pikën veriore të kufijve perëndimorë, ndërkaq Preveza pikën jugore të tyre. Nga Preveza kufiri është shënuar në mëngën e detit (mëngën e Nartës) dhe pastaj prej lumit me këtë emër dhe prej maleve të Pindit deri në Mecovë, duke e përcaktuar skajin jugor të vendit tonë. Nga Mecova ngjitemi drejt veriut, duke marrë krehërin e maleve të Avdellës dhe të Samarinës, duke arritur në bishtin jugor të vargut të Gramozit, për të zbritur në fushën e Devollit. Nga këtu kufijtë vazhdojnë përgjatë qytetit Bilisht, duke vazhduar gjerë tek maja që i thonë Viç. Nga Maja e Viçit kufijtë e popullit shqiptar vazhdonin afër Belkamenit dhe binin në fushën e Fllarinës. Nga kjo fushë vija e kufirit vazhdonte me vargun e maleve të Morihovës, të cilat ngrihen prej lindjes së fushës së Manastirit. Nga vargu i Morihovës kufiri vazhdonte në Përlep, qytet i vjetër shqiptar dhe nga këtu kufiri ngjitej tek maja e Babunës, prej të cilës kufiri vazhdonte në malet e Golenicës për të arritur në fushën Ofqe Pole mbi Qyprili. Nga fusha Ofqe kufiri shqiptar gjarpëronte skaj brigjeve që janë në lindje të Kumanovës, në të cilën përfshihet e tërë fusha Ofqe, fusha e Shkupit si dhe Kumanova, për të arritur në kufirin që e kishte Serbia me Turqinë para vitit 1913, në lindje të stacionit të rrugës hekurudhore Zibefqe. Nga këtu vija e kufirit do të kalojë mbi Mitrovicë në fshatin Belloçicë, ku mbaron skaji lindor i kufirit në mënyrë që Mecova gjendet në majën jugore të kësaj vije dhe Belloçica në majën veriore të saj. Nga Belloçica kufiri shqiptar vazhdon në mes të Mitrovicës dhe Jeni Pazarit (Pazarit të Ri), i cili ishte i populluar me 90 për qind me popullsi shqiptare, duke vazhduar nëpër vargun e maleve të Tregovishtës (Rozhajës), duke kaluar në Beranë, ku ishin kufijtë tanë para 1912-tës. Prej këtu kufiri vazhdon në Liqenin e Shkodrës duke shkuar përmbi Grudë e Hot. Nga liqeni në det kufiri pret vendin më të ngushtë në tokë dhe del në Tivar.

Ky përcaktim i kufijve tanë u dha në detale edhe prej Qeverisë Provizore të Vlorës më 1912, përkatësisht delegatëve të saj që ishin në Londër e Paris. Siç dihet, kufiri me këtë vijë të shënuar është botuar në të gjitha gazetat evropiane e më gjerë të kohës, por është botuar edhe në formë të broshurave të veçanta nga Shoqëria Anglo-Shqiptare e njohur me emrin Albanian Committee, e themeluar më 1913 në Londër prej politikanësh, gazetarësh dhe filantropësh anglezë.

Këtë kufi edhe në atë kohë dikush e ka mohuar dhe që nga ajo kohë kufijtë e popullit shqiptar kanë filluar të tkurren si rezultat e si derivat i pazarllëqeve. (Sa i përket çështjes së kufijve të hapësirës së trojeve shqiptare vite më parë e kam përgatitur ekspozitën hartografike me rreth 500 harta të rralla, me titull: “Trojet shqiptare në harta që nga lashtësia deri më sot”, në të cilat pasqyrohet qartë trungu iliro-arbëror-shqiptar, prania fizike e tyre në kohë dhe hapësirë, por disa prej tyre paraqesin bindshëm edhe copëtimin dhe tkurrjen graduale të këtij territori dhe gllabërimin nga shtetet fqinje, e ekspozuar në Prishtinë (2008), dhe në Pejë e Deçan (2012) me rastin e shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Po ashtu, më herët, jam larguar nga TMK-ja me arsyetimin për tejkalim të kompetencave për shkak të përpilimit të një raporti ku tregohej në detaje se pika kufitare me Malin e Zi është zhvendosur në dëm të Kosovës, pra ka ra në Savinovodë).

Po t’u referohemi fakteve historike, mësojmë se hapësira e trojeve arbërore-shqiptare ka ardhur duke u tkurrur dhe atë veçanërisht nga shekulli XV deri në shek. XX, sepse po të shikohet periudha antike në këtë kontekst gjysma e Ballkanit banohej nga Ilirët, duke pasur në jug grekët dhe në lindje thrakët. Trojet tona në shek. XV përfshinin mbi 100 mijë km2, derisa në mesin e shek. XIX kjo hapësirë zvogëlohet në 75 mijë km2, më vonë nga viti 1850 deri më 1912 trojet shqiptare zbritën në 55 mijë km2 nga të cilat brenda territorit të Shtetit të Pavarur Shqiptar fuqitë e mëdha më 1913 caktuan vetëm 28.749 km2.

Pra, nuk është çështja se nuk i dijmë kah i kemi kufijtë, sepse kufijtë dhe përkufizimet e shtetit dhe kilometrat në katrorë të shteteve përkatëse mësohen të paktën që nga klasa e pestë fillore e deri në fakultet, por dikujt nuk po i konvenojnë këta kufij. Sa u përket kufijve e dimë ne, por e di edhe bota se kufijtë e popullit shqiptar ishin ata që i përmendëm më lartë. Po ashtu, e di secili prej nesh, e dinë fqinjët tanë që i kanë gllabëruar tokat tona, dhe popullatës shqiptare që jeton në pjesët e shkëputura nga trungu amë, iu kanë mohuar dhe vazhdojnë t’i mohohen të drejtat kombëtare, por ka arritur të mbijetojë edhe përkundër ashpërsisë dhe sjelljeve jonjerëzore të grekëve, maqedonasve, serbëve e malaziasve, për shkak se kufijtë e tyre kanë qenë mijëvjeçar se ata aty kanë qenë autoktonë, se kufijtë e tyre janë kufij të pandërprerë etnografikë, gjeografikë e historikë. Populli i këtyre trevave ka bërë çmos gjatë historisë për t’i ruajtur këta kufij. Në disa pjesë të këtyre hapësirave për 100 vjet nuk është ndalur lufta në mbrojtje të tyre. E drejta jonë nuk mund të fshihet as të mohohet prej askujt, sepse janë troje tonat, të trashëguara brez pas brezi, nga gjyshërit e stërgjyshërit tanë.

Është fakt i pamohueshëm se politika e ka dëmtuar popullin tonë, fqinjët gjithmonë kanë treguar përralla e gjëegjëza për të ashtuquajturën Serbi e Madhe apo simotrat e saj. Fqinjët tanë kanë paguar njerëz nga bota e qytetëruar për t’i trumbetuar këto përralla, kanë paguar njerëz të tjerë të lapsit e të diplomacisë për të treguar se këto përralla janë të vërteta! Ç’është më keq, fqinjët tanë kanë paguar edhe ndonjërin nga radhët tona për t’i treguar botës se Serbia ka të drejtë! Dihet se diplomacia serbe postulat të zhvillimit politik të saj e ka maksimën “gënjeshtrën përsërite shpesh” e pastaj ajo bëhet e vërtetë.

Siç dihet, kufiri shtetëror është vija që i ndanë territoret e shteteve fqinje, përbrenda të cilave shtrihet sovraniteti i tyre, përderisa, territori shtetëror përbrenda vijave kufitare përcakton integritetin shtetëror, ushtrimi i pushtetit shtetëror në atë territor reflekton dhe krijon sovranitet shtetëror.

Qytetarëve të vendit nuk ju intereson problemi mes pozitës dhe opozitës lidhur me opsionet e definimit të kufirit, ku faktikisht me sa kemi parë qe një vit nuk po dominon arsyeja por inatet ndërmjet veti, të cilat po i dëmtojnë rëndë interesat e shtetit dhe të qytetarëve, ata pyesin me të drejtë se ku mbesin Bjeshkët e Shtedimit, pastaj Bjeshkët në Qafë të Kurorës, Bjeshkët e Thata, Reka e Allagës, Qafa e Hajles, Maja e Rusolisë, livadhet në Mokna, Bjelluha, ku mbetet Liqenati, liqenet e Liqenatit, Milishevci, Roshkodoli, e pjesë të tjera që ndoshta i kam harruar pa i përmendur.

Të gjitha hartat që nga koha e Turqisë, tapitë e atyre tokave, shkresat e ndryshme, aktet, shkrimet e ndryshme që nga viti 1912 e deri në ditët e sotme, hartat e Serbisë e të Malit të Zi të periudhave të ndryshme, atlaset shkollore në Kosovë e në Mal të Zi, njohësit dhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, gjeografët, hartografët, historianët etj., dëshmojnë se me përcaktimin e fundit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, vija kufitare ka devijuar në dëm të Kosovës.

Në periudha të ndryshme historike, deri në ditët e sotme aparati shtetëror i Malit të Zi i ka asimiluar dhe i ka detyruar me dhunë shqiptarët në Mal të Zi t’i lëshojnë trojet e veta. Edhe përkundër dhunës, shtypjes e spastrimit etnik gjatë shekujve, shqiptarët në Mal të Zi edhe pse pa kurrfarë të drejtash, madje shpeshherë nuk e kanë gëzuar as të drejtën për jetë, kanë rezistuar gjerë në ditët e sotme. Madje, aparati shtetëror malazez ka shkuar aq larg me teoritë e tyre asimiluese sa që në disa etapa gjatë historisë kanë qenë pushtues e kolonizues edhe të një pjese të Kosovës edhe përkundër faktit se Mali i Zi që nga viti 1878 nuk ka pas kurrë më shumë se gjysmë milioni njerëz, prej tyre rreth 50 për qind shqiptarë. Edhe përkundër sjelljeve të padrejta ndaj shqiptarëve gjatë historisë, shqiptarët i kanë dalë në krah dhe në ndihmë Malit të Zi në të gjitha kohërat kur është sulmuar nga armiqtë e ndryshëm. Nuk duhet harruar se shqiptarët në Mal të Zi ishin dhe janë faktori vendimtar për shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi nga Unioni Serbi-Mali i Zi, si dhe për ekzistencën e mëtutjeshme të tij si shtet.

Për këtë arsye dhe arsyet e zhvillimeve globale, shqiptarëve në Mali të Zi duhet t’u njihen të drejtat dhe t’u jepet autonomi në përputhje me të drejtat e minoritetit serb në Kosovë. Shqiptarët janë autoktonë në Mal të Zi, por megjithatë përballen me mungesën e të drejtave elementare kombëtare e njerëzore. Nuk kanë tekste në gjuhën amtare, nuk u lejohet të përmenden emrat e toponimeve në gjuhën shqipe, etj., duke i detyruar t’i nënshtrohen procesit të asimilimit. Shqiptarët në Mal të Zi nuk i gëzojnë as të drejtat e pakicave, të cilat janë të garantuara me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. (Mbetet të shihen rezultatet pas ndryshimit të paradokohshëm të ligjit mbi të drejtat dhe liritë e pakicave në Mal të Zi, i cili parashikon zyrtarizimin e gjuhës së pakicave në të gjitha komunat ku ato përbëjnë 5 përqind të popullsisë. Me ligjin e ri, gjuha shqipe përveç në Ulqin, Tuz dhe në Plavë, zyrtarizohet edhe në Rozhajë, Podgoricë dhe Tivar). Ata duhet të kenë lidhje të fuqishme me Kosovën dhe me Shqipërinë, sikurse që e kanë serbët e Kosovës me Serbinë.

Duhet përmendur se për 100 vjet me radhë populli shqiptar në Mal të Zi, Rugova, Peja e Rrafshi i Dukagjinit kanë luftuar kundër sulmeve të Malit të Zi, për t’i mbrojtur trojet e veta nga aneksimet e padrejta dhe kundër vendimeve të fuqive të mëdha, që padrejtësisht ia dhanë tokat shqiptare Malit të Zi si pjesë e kompromiseve dhe pazareve të diplomacisë së kohës.Historia e tkurrjes së kufijve të Kosovës nga fqinjët është histori e njohur, por se kjo tkurrje do të tentohet të vazhdon edhe pas luftës së fundit për liri, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e ndihmuar edhe nga aleatët e NATO-s në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, triumfuan mbi forcat okupuese serbe-jugosllave, këtë nuk e ka besuar askush.

UNMIK-u në vitin 2000 e ka zbritur kufirin tek Uji i Ftohtë (Savinovoda), dhe që nga kjo kohë është ditur se pjesa e lokalitetit Kulla te Rozhaja, dhe hapësira e Rugovës nën Çakorr në komunën e Plavës i mbeten Malit të Zi. Është heshtur gjatë pesëmbëdhjetë viteve nga të gjithë. Është heshtur edhe kur janë shkatërruar me ekskavatorë në Kullë mbi 60 varreza të shqiptarëve, të cilat e përcaktonin në një mënyrë kufirin ndërmjet Kosovës e Malit të Zi. Në vitin 2009, Mali i Zi e vendosi tabelën lajmëruese me mbishkrimin “Mirë se vini në Malin e Zi” gjashtë kilometra në brendi të territorit të Kosovës dhe atëbotë u diskutua fare pak për këtë çështje.

Populli shqiptar është ndër popujt që iu kanë bërë pothuajse më së shumti padrejtësi gjatë historisë. Është ndër popujt që ka derdhur më së shumti gjak për t’i mbrojtur territoret e veta. Prandaj është alogjike dhe e turpshme për ne të paraqitemi publikisht me teza aq demode se kufiri me Malin e Zi ka qenë këtu apo aty, sepse secili prej nesh e di fare mirë, e di komisioni shtetëror, ekspertët, e dinë historianët, e di Mali i Zi, e di secili qytetar i Kosovës se Mali i Zi i ka marrë Kosovës territore të mëdha dhe me logjikën e vjetër prapë po pretendohet t’i jepen territore të Kosovës.

Problemi i kufirit me Malin e Zi ka marrë konotacione të mëdha, sepse sipas maksimës popullore ka ndodhur që djali t’ia tregojë babait kufijtë e tokave të tij. Shtrohet pyetja se deri kur duhet të shtiremi të paditur, të bëhemi servilë ndaj të tjerëve në dëm të vetvetes, në dëm të popullit shqiptar?! Liderët shkojnë e vijnë, por mbesin veprat e tyre të mira apo të këqija. P.sh.: Haxhi Zeka i Pejës e ka shkrirë tërë pasurinë e vet në organizimin e luftës për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë.

Dilemat e ngritura rreth vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi janë qesharake, ngase kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi dihen që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, të përcaktuara gjatë vitit 1945/1946. Lidhur me këtë proces, hartat janë përpiluar dhe botuar për herë të parë në vitin 1949, nga Instituti Ushtarak Gjeografik i Jugosllavisë, i cili ka qenë ndër institutet më të njohura në gjithë Evropën. Aty është e përcaktuar qartë edhe vija ndarëve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Çështja e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është paraqitur saktësisht edhe në hartat ushtarake të ish-Jugosllavisë. Këto harta topografike janë punuar posaçërisht për Enciklopedinë e ish-Jugosllavisë, dhe janë botuar në vitin 1962. Me faktografinë e paraqitur në këto harta është pajtuar edhe Prof. Dr. Muharrem Cërabregu, gjeograf, ekspert ndërkombëtar i aerografisë dhe autor i shumë librave.

Edhe sipas dispozitave kushtetuese të Kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974, kufijtë administrativë të tetë njësive federale ishin të paprekshëm dhe të pacenuar pa dëshirën dhe dakordimin e tetë njësite konstituive federale. Këto dispozita kanë vlejtur për demarkacionin e të gjitha njësite të tjera federale, prandaj duhet të vlejnë edhe për demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi dhe me Serbinë.

Mendimit se gjatë procesit të përcaktimit të demarkacionit me Malin e Zi, kufiri ka devijuar në dëm të territorit të Kosovës nga ana e Malit të Zi, iu kanë bashkangjitur shumica e ekspertëve më të mirë të Kosovës, pastaj profesorët e historisë e të gjeografisë, banorët e fshatrave shqiptare që jetojnë në hapësirat e dëmtuara nga procesi i demarkacionit, harta dhe dëshmi të shumta të botuara gjatë 70 vjetëve të kaluara, etj. Njëkohësisht edhe anëtarët e Komisionit Shtetëror të Kosovës, të caktuar për përcaktimin e vijës kufitare e dinë fare mirë se ka lëvizur kufiri me Malin e Zi në dëm të Kosovës.

Pasi që Mali i Zi dhe Kosova kishin arritur marrëveshje për demarkacionin pse nuk u bë transparent procesi, pse nuk u paraqit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës para nënshtrimit, për çka obligoheshin edhe me anë të një rezolute të miratuar paraprakisht nga Kuvendi, pse u mbajt e fshehtë ujdia apo pse nuk u shprush nga askush, kur dihet se kufiri ka zbritur në brendi të territorit të Kosovës.

Marrëveshja e dëmshme për Kosovën, ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës po del të jetë arritur para se Kuvendi i Kosovës të mblidhej më 25 qershor 2015, kur e ftoi në interpelancë Ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçin, dhe e miratoi një rezolutë me të cilën do të insistonte që vija e kufirit të mbetet ajo e Kushtetutës së vitit 1974. Në këtë seancë nuk është përmendur arritja e një marrëveshje paraprake ndërmjet dy shteteve.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi, zyrtarisht është nënshkruar më 25 gusht 2015, marrëveshje kjo që ngjalli debate dhe pakënaqësi të shuma rreth shënjimit të vijës kufitare.

Siç dihet, nga dokumentacioni i Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, e cila u nënshkrua nga ana e NATO-s dhe Serbisë në Kumanovë, më 9 qershor të vitit 1999, e cila parashihte tërheqjen e trupave serbe-jugosllave nga Kosova, kufirin e Kosovës e përcakton në bazë të kufijve që i ka pasur Kosova me Kushtetutën e vitit 1974. Edhe sipas Planit të Ahtisarit, mbi bazën e të cilit është themeluar shteti i Kosovës, çështja e kufijve me vendet fqinje, përveç me Maqedoninë, parashihej të zgjidhet duke marrë parasysh “vijat e dikurshme kufitare” në kuadër të ish-Jugosllavisë, më saktësisht ashtu siç kanë qenë më 31 dhjetor 1988. Këtu duhet përmendur edhe përmbajtjen e Marrëveshjes për bashkëpunim policor, ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe të Malit të Zi, e nënshkruar në Prishtinë në vitin 2014, nga dy Ministrat e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Malit të Zi, ku pos tjerash është trajtuar edhe për vijën e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Në këtë marrëveshje përfshihej edhe hapja e pikës kufitare në Kotllovë-Kuqishtë për trafikun rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve. Edhe kjo marrëveshje u konsiderua e dëmshme nga banorët e Pejës, të zonës kufitare dhe përfaqësuesit e 36 fshatrave të zonës së Podgurit.

Komisioni Shtetëror i Kosovës, i caktuar për definimin e vijës së kufirit me Malin e Zi duket të jenë ndikuar nga varianti i përpunuar për këto çështje në Kroaci në vitin 2002. Kryetari i Komisionit Shtetëror për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi nuk ka mundur në asnjë rast ta mbrojë opsionin e tij, pos një retorike të përsëritur në formë refreni në të gjitha ballafaqimet. Që nga koha kur e ka marrë detyrën e kryetarit të Komisionit, Murat Meha, siç është bërë publike edhe në media, është pasuruar shumë, nuk paragjykoj se është shitur apo është blerë, por çështjen e pasurisë duhet sqaruar më bindshëm për opinionin publik, sepse deri më tani nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Një pjesë e pushtetarëve gjatë periudhave të ndryshme të historisë kanë manipuluar me popull, me votën e tij dhe në emër të tij. Sa për ilustrim po kthehemi në vitin 1989 për të risjellë në vëmendje abrogimin e Kushtetutës së vitit 1974 nga aparati i dhunshëm i Serbisë dhe i ish-Jugosllavisë. Populli në mbarë Kosovën doli kundër ndërrimeve kushtetuese, mirëpo shumica e liderëve tanë të asaj kohe, me fare pak përjashtime, i thoshin popullit se nuk ka nevojë për shqetësim se me ndërrimet kushtetuese shqiptarët nuk humbin asgjë! Ndryshimet  kushtetuese me zor a pa të i miratuan pothuajse të gjithë deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, e një javë më vonë rrugët dhe sheshet e Kosovës u lanë me gjakun e dhjetëra protestuesve, që protestonin kundër atyre ndryshimeve të bëra në dëm të Kosovës, dëmet e të cilave u desh t’i lajmë me gjakun e mijëra dëshmorëve e martirëve të luftës, me spastrimin etnik dhe me dëbimin e një milion shqiptarëve nga Kosova.

Pas fitores së luftës mbi forcat okupuese serbe-jugosllave dhe tërheqjes së forcave serbe nga Kosova në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës (1999), hyri në fuqi Rezoluta 1244, e miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, e cila u bazua kryekëput në Marrëveshjen e Rambujesë, sipas të cilës ruhej sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës Federative të Jugosllavisë, edhe pse një gjë e tillë ishte absurde, për shkak se po ky Këshill i Sigurimit të OKB-së, me Rezolutën 777 (1992) e kishte shpallur joekzistente ish-Jugosllavinë. Kjo rezolutë erdhi si rezultat i mposhtjes së forcave ushtarako-policore të Serbisë nga forcat e armatosura të NATO-s dhe UÇK-së. OKB-ja më herët ishte kundër vendosjes së trupave ushtarake të NATO-s në Kosovë, edhe pse Serbia nuk e respektoi asnjërën nga rezolutat mëparshme të OKB-së, nëpërmjet të cilave asaj i bëhej thirrje të ndërpresë terrorin dhe gjenocidin mbi popullin shqiptar të Kosovës. Që nga ajo kohë, edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, Serbia ka vazhduar me funksionalizimin e pushtetit paralel të Serbisë në Kosovë. Edhe përkundër negociatave dhe bisedimeve të gjata dhe shumë pak frytdhënëse të zhvilluara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim ndërkombëtar, qeveria e Serbisë për asnjë çast nuk e ka ndalur veprimtarinë shumë të dendur të strukturave shtetërore të saj në Kosovë.

Në anën tjetër, liderët kosovarë, të zgjedhur nga populli, bënin lojëra politike në dëm të Kosovës, të sovranitetit, integritetit, ekonomisë, zhvillimit të vendit, sigurisë, lëvizjes së lirë e shumë segmenteve të tjera shtetformuese si p.sh.:, eksterritorialiteti që iu dha kishave ortodokse në Kosovë, mbi të cilat iu dha ekskluziviteti i menaxhimit pakicës serbe që jeton në Kosovë; pranimi dhe jetësimi i decentralizimit etnik (të propozuar nga Serbia); themelimi i të ashtuquajturit Asociacion i Komunave me shumicë serbe etj.; pranimi i fusnotës; ndarja e veriut të Kosovës; ndarja e qytetit të Mitrovicës; problemi me Liqenin e Ujmanit (Gazivodën); gjashtë pikat e Ban Ki Munit; moszbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në disa pjesë të vendit; themelimi i Gjykatës Speciale njëetnike; kufizimi i mundësive për kontrollin e gjithë territorit të Kosovës; mosnjohja e Republikës së Kosovës nga ministra minoritarë serbë në Qeverinë e Kosovës dhe deputetë nga radhët e minoritetit serb në Kuvendin e Kosovës; financimi i strukturave paralele serbe edhe nga buxheti i Republikës së Kosovës e çështje të tjera të kësaj natyre, të miratuara me shumicën e votave të deputetëve tanë, ka bërë që të zbehet funksionaliteti i shtetit të Kosovës.

Kosova ka humbur mijëra hektarë tokë edhe me përcaktimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, mirëpo ky problem është heshtur. Është heshtur në vazhdimësi edhe për problemin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, për të cilin dikujt i ra ndërmend të merret me të 15 vjet pas përfundimit të luftës, pas një procesi jotransparent të përcaktimit të kësaj vije kufitare. Edhe pse me vonesë, ky proces tash i ka marrë konotacionet e duhura dhe me këtë rast është bërë publike një e vërtetë e ditur. Madje, për ta aktualizuar këtë çështje u mblodhën mbi 200 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës, të cilët përmes një peticioni e kundërshtuan marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, u kundërshtua edhe me një varg protestash të organizuara nga opozita, shoqëria civile e qytetarët e Rugovës, të Pejës, Istogut e Deçanit, pronat e të cilëve u dëmtuan rëndë me këtë proces.

Meqenëse, ky problem ka marrë përmasa shtetërore dhe devijimet e kufirit në dëm të Kosovës edhe pse ishin të ditura nuk ishin kundërshtuar deri para një viti kur u bë publike marrëveshja, tani pasi që kundërshtimet kanë marrë përmasa të gjera, për problemin e demarkacionit me Malin e Zi duhet të gjendet  zgjidhja e duhur dhe e drejtë.

Që nga viti 2011 deri në vitin 2015 është thënë se janë mbajtur 16 takime ndërkufitare të përfaqësuesve të Kosovës me ata të Malit të Zi për përcaktimin e vijës së demarkacionit mes dy vendeve fqinje, sipas kushteve të përcaktuara nga Bashkimi Europian.

Edhe tash edhe në të kaluarën gjatë historisë një pjesë e lidershipit shqiptar e zvogëluan vetveten duke u treguar të papërgjegjshëm kur iu ra të përballeshin me çështjen e caktimit të kufijve. Në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), Sanxhaku i Pejës, pos tjerash, përfshinte edhe Rugovën, Plavën, Gucinë, etj. Po ashtu edhe në rregullimin administrativ të vitit 1939-1944, Prefektura e Pejës, pos tjerash, përfshinte edhe nënprefekturën e Plavës, të Rozhajës dhe atë të Tutinit. Ata që i devijojnë kufijtë me vetëdije, ata që bëjnë pazare me vendin e vet e me kufijtë e shtetit të vet populli i ka quajtur tradhtarë. Tek populli shqiptar çështja e kufirit është kushtrim nëse preket a cenohet.

Në rastin e problemit të demarkacionit me Malin e Zi, të gjitha faktet tregojnë se Kosova është dëmtuar rëndë me këtë proces. Malin e Zi edhe pse e kanë bërë shtet fuqitë e mëdha, është konsideruar e konsiderohet një vend me një grusht fshatrash shqiptare, mbi pronat e të cilëve është ndërtuar Mali i Zi, me të cilët shqiptarët kanë një gjak për nga lashtësia, por edhe për nga shpërndarja e elementit shqiptar në këtë vend.

Nëse e krahasojmë hartën e Faik Konicës të vitit 1902 me Hartën e Shqipërisë natyrale të vitit 1867, hartuar nga F. Milone më 1942, shohim se nuk ka ndonjë ndryshim lidhur me trojet shqiptare që sot ndodhen përtej kufijve fizikë, të përcaktuar nga fuqitë e mëdha më 1913 dhe 1920. Kufijtë e shqiptarëve u dëmtuan dhe u zvogëluan si përgjigje politike e historike, duke ua lënë duart e lira fqinjëve t’i masakrojnë e spastrojnë fshatrat dhe trevat e banuara me shqiptarë edhe përkundër konventave të nënshkruara mes palëve. Edhe përkundër të gjitha këtyre padrejtësive që u bënë në kurriz të popullit shqiptar, shqiptarët kufizohen me shqiptarë, të cilët nëse vetëdijesohen, kufijtë një ditë do të mbesin kujtim në hartat e ndryshme nga viti 1913 e këndej.

Nëse Mali i Zi pretendon ta merr atë pjesë me çdo kusht, gjë që nuk janë vërejtur pretendime ttë tilla, do të ketë probleme në vazhdimësi dhe do të jenë të pariparueshme. Në anën tjetër, të habitë fakti se si Qeveria e Kosovës insiston me çdo kusht që t’i japë tokë të Kosovës Malit të Zi, duke sajuar harta e dokumente të paqena e krejtësisht të panevojshme. Madje, Qeveria e Malit të Zi, me pak kundërshtime të disa individëve, ka pranuar për t’u ulur e për ta rishikuar këtë çështje, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për dy palët. Disa herë gjatë vitit 2015 por edhe 2016, zyrtarë të lartë të Malit të Zi shprehën gatishmëri për rishikimin miqësor të këtij procesi dhe përmirësimin e gabimeve eventuale, por kjo gatishmëri hasi në vesh të shurdhër të Prishtinës zyrtare. Disi problemi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi me të cilën së tepërmi është dëmtuar Kosova, më shumë është duke u përdorur dhe duke u trajtuar si mosmarrëveshje midis opozitës dhe pozitës në Kosovë, se sa si problem me Malin e Zi.

Edhe kur janë copëtuar trojet shqiptare një strukturë e liderëve tanë të kohës kanë trumbetuar se nuk humbasim asgjë, por katër vilajetet shqiptare në të cilat dominojnë edhe sot shqiptarët me pak përjashtime, janë tkurrur dhe kanë mbetur sa një bahçe. Lidhur me raste të tilla, rapsodi popullor ka thurur qindra vargje, prej tyre sa për ilustrim po i përmendim dy vargje me mjaft domethënie: “Shumë e paret po i hanë paria / me qat dit’ u shit Shipnija”.

Nëse kërkohet të lëshohet pe në kushtëzim të liberalizimit të vizave, siç po thuhet, atëherë duhet treguar se për hir të plotësimit të kërkesës për liberalizimin e vizave, Kosova e kompenson Malin e Zi me 8 mijë hektar tokë, por jo të bëhen improvizime mashtruese të situatave kinse 8 mijë hektarët në fjalë kanë qenë të Malit të Zi. Apo dilemat që u hodhën rreth Ujmanit (Gazivodës), kinse liqeni qenka i Serbisë, apo se Trepça, Brezovica apo Mitrovica që qëndron e ndarë qe sa e sa vite na paskan qenë të Serbisë! Madje, për Mitrovicën ka qenë vendim obligues i paraparë edhe me marrëveshjet Kosovë-Serbi që të zhbllokohet ura që e ndanë veriun me jugun e qytetit, por një gjë e tillë realisht nuk ka ndodhur gjer më sot.

Është mirë të shmangen vendimet që merren në Kuvendin e Kosovës, të cilat e dëmtojnë Kosovën, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Kjo është kërkesë e popullit, prandaj duhet respektuar, duhet respektuar njëri-tjetrin dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, të cilët janë edhe sponsorizues të integrimeve dhe të pavarësisë së Kosovës. Kushdo qofshin ata, nëse kërkojnë dhe investojnë në shkatërrimin dhe zhbërjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës, i cili u ndërtua me mund, gjak e sakrifica të mëdha shekullore, atëherë nuk janë miq të sinqertë.

Dihet se përmbyllja e çështjes së kufirit është standard ndërkombëtar që duhet përmbushur, por nuk është standard ndërkombëtare përcaktimi i kufirit në dëm të tjetrit apo në dëm të vetvetes. Kosova nuk e ka sulmuar askënd, ajo është sulmuar dhe pushtuar nga forcat e ish-RFJ-së (ku bënte pjesë edhe Mali i Zi), të cilat kanë qenë të komanduara nga Sllobodan Millosheviqi, president i RFJ-së. Ushtria Çlirimtare e Kosovës në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë e kanë fituar luftën mbi forcat okupuese serbe-jugusllave. Kjo do të thotë se Kosova nuk ka luftuar për territore, por për liri e pavarësi, ka bërë luftë mbrojtëse, prandaj kufijtë e Republikës së Kosovës duhet të mbesin të pandryshuar, ata që realisht ishin.

Në anën tjetër, Mali i Zi është një vend i vogël por me ndikim të madh gjeostrategjik. Edhe pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, mosekzistenca e të cilës u konfirmua edhe nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, me Rezolutën Nr. 777 (19 shtator 1992), disa vite së bashku me Serbinë ishte pjesë e RFJ-së së Millosheviqit, edhe gjatë kohës së luftës në Kosovë (1998-1999), pastaj një kohë po ashtu bashkë me Serbinë ishte pjesë e Unionit Serbi-Mal i Zi dhe pro Rusisë në politikën e jashtme. Në muajin maj të vitit 2006, nëpërmjet referendumit u nda nga bashkësia shtetërore me Serbinë, duke u përcaktuar për shtetësi të pavarur.

Në procesin e ndarjes, përkatësisht të pavarësimit të Malit të Zi, popullsia shqiptare në Mal të Zi, u rreshtua dhe votoi për pavarësinë e Malit të Zi nga Serbia. Në anën tjetër, edhe Qeveria e Malit të Zi, e drejtuar nga Milo Gjukanoviq, në tetor të vitit 2008, unanimisht e njohu pavarësinë e Kosovës.

Lëkundjet e para në marrëdhëniet e Malit të Zi me Rusinë u bënë të dukshme pasi që Mali i Zi avancoi drejt anëtarësimit në NATO. Marrëdhëniet e Malit të Zi me Rusinë u përkeqësuan pasi që Podgorica zyrtare i filloi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian në vitin 2012. Dy vite më vonë Mali i Zi e bëri hapin tjetër të rëndësishëm, mori ofertën për anëtarësim në NATO. Që nga 2 dhjetori i vitit 2015, kur Malit të Zi iu bë ftesa për anëtarësim në NATO, dhe pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësim në NATO (19 maj 2016), ky shtet është shumë afër realizimit të këtij qëllimi. Nënshkrimi i këtij protokolli ia mundëson pjesëmarrjen në të gjitha takimet e Aleancës, si vend vëzhgues ose i ftuar, ndërkaq pas ratifikimit të protokollit nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s, Mali i Zi do të bëhet anëtari i 29-të i Aleancës Ushtarake.

Duhet përmendur se rrugëtimi Malit të Zi për anëtarësim në NATO nuk ka qenë i qetë as i lehtë. Opozita në Mal të Zi, elementi serb dhe pro-serb, gjatë vitit të kaluar nën ndikimin rus, organizoi dhjetëra demonstrata të dhunshme për rrëzimin e qeverisë së Malit të Zi, ka qenë dhe vazhdon të jetë kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, kundër përcaktimeve euro-atlantike të tij. Në këtë drejtim nuk duhet lënë anash as kërcënimet e vazhdueshme të Moskës zyrtare kundër Malit të Zi. Ministria e Jashtme e Rusisë e quajti propozimin për anëtarësim në NATO, “një hap të qartë konfrontues”. Zëdhënësi i Vladimir Putinit, Dimitri Peskov, bashkë me kreun e mbrojtjes së Dumës ruse dhe Komitetin e Sigurisë, menjëherë njoftuan anulimin e të gjitha projekteve të përbashkëta ekonomike dhe ushtarake me Malin e Zi.

Përcaktimi i Malit të Zi për të hyrë në NATO do të përcaktojë tutje nëse Rusia do ta ruajë qasjen në Mesdhe nëpërmjet Detit Adriatik në jug dhe nëse ajo mund ta mbajë ndikimin e një korridori në mes dy anëtarëve të NATO-s, Kroacisë dhe Shqipërisë (që të dyja të pranuara në NATO në vitin 2009). Nga 27 shtatori deri më 15 nëntor 2015, në Mal të Zi u organizuan tri protesta të mëdha dhe të dhunshme në kryeqytetin e Malit të Zi kryesisht nga serbët etnikë, të influencuara dhe të financuara nga Rusia. Protestat e organizuara në Podgoricë me qëllim të rrëzimit të pushtetit korresponduan me organizimin e disa protestave në Kosovë e në Maqedoni, përmes të cilave Rusia dhe Serbia pretendonin ta zgjeronin dhe thellonin krizën në mbarë rajonin e Ballkanit. Këtë e tregon më së miri edhe një fakt tjetër. Më 2 dhjetor 2015, kur po mbahej takimi i ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, Rusia u dërgoi letër të gjithë anëtarëve të Aleancës duke iu bërë thirrje që të votojnë kundër ftesës për Malin e Zi, mirëpo NATO nuk i mori parasysh thirrjet e Moskës, ndonëse kjo e fundit publikisht ka kërcënuar se në rast të anëtarësimit në NATO, Podgorica hyn në kategorinë e caqeve potenciale të Rusisë. (Shih për këtë gjerësisht deklaratën e Andrej Klimov, anëtar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë i Dumës ruse, botuar nga Radio Evropa e Lirë, më 21 maj 2016).

Drejtuesi i Frontit Demokratik opozitar në Mal të Zi, deputeti Andrija Mandiq, kryetar i Partisë Demokracia e Re Serbe, një zgjatim i strukturave radikale të Sheshelit, organizoi edhe disa demonstrata kundër pavarësisë së Kosovës. Po ashtu përfaqësues të këtyre segmenteve (pro)serbe dhe pro ruse në Mal të Zi, në muajin qershor 2016, nënshkruan në Moskë një deklaratë “për formimin e një territori neutral ushtarak në Ballkan” (ku do të bënin pjesë Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnjë e Hercegovina), me të cilën drejtpërdrejt i kundërvihen zgjerimit të NATO-s në rajon. Këtë deklaratë nga partia ruse në pushtet, Rusia e Bashkuar, e nënshkroi Nënkryetari i Dumës Ruse dhe njëri ndër bashkëpunëtorët e afërt të Putinit, Sergej Zheleznjak. Për Serbinë deklaratën e nënshkroi Marko Gjuriq, nënkryetar i Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandër Vuçiqit. Paraprakisht përfaqësuesit e opozitës (pro)serbe në Mal të Zi, Andrija Mandiq, Millan Knezheviq dhe Predrag Bullatoviq, që në muajin shkurt të këtij viti, gjatë një vizitë që i bënë Moskës kishin rënë dakord me Nënkryetarin e Dumës Ruse, Zheleznjak, për formimin e “territorit neutral ushtrak”, ku, sipas tyre, do të bënte pjesë edhe Mali i Zi.

Me gjithë pengesat, Mali i Zi është në radhë për t’u bërë anëtari i tretë i Aleancës nga ish-Jugosllavia (pas Sllovenisë dhe Kroacisë). Shumica dërmuese e serbëve në Mal të Zi janë kundërshtarë të hyrjes së Malit të Zi në NATO, në anën tjetër presionet ekonomike dhe diplomatike të Rusisë ndaj Podgoricës për ta penguar procesin e hyrjes së Malit të Zi në NATO janë në rritje. Këtij procesi i shtohen edhe dy probleme të tjera, njëra është se pas kërkesës zyrtare të Moskës, liderët prorusë nga radhët e Frontit Demokratik në Mal të Zi, kanë kërkuar referendum për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, dhe e dyta problemi i kufirit të Malit të Zi me Kosovën, që nuk janë procese lehtë të kalueshme.

Tani në krizën që e ka kapluar Ballkanin dhe disa vende të ish-Jugosllavisë, liderët e shteteve të ndryshme dhe klanet me ndikim politik kanë filluar qartë të prononcohen dhe të identifikohen dikush me SHBA-të, dikush me Putinin e disa të tjerë me Erdoganin. Kjo ndarje është vërejtur edhe tek liderët e Kosovës. Qëndrimet e tilla qojnë drejt përçarjeve të hapëta, nxitjes së urrejtjes ndaj segmentëve të caktuar politikë, prodhimit të krizave të brendshme politike e deri tek përplasjet më të mëdha që mund të kenë pasoja të pariparueshme për shtetin e ri të Kosovës, madje jo vetëm për të. Duhet pasur parasysh se nëse Mali i Zi nuk arrin të hyjë në NATO, Deti Adriatik mund të bëhet bazë e fuqishme e Rusisë, sikurse baza e Cepotinit në Serbi. Një pjesë e politikanëve tanë, në intervistat dhe në prononcimet e tyre kanë theksuar se demarkacioni dhe asociacioni po e mbajnë peng liberalizimin e vizave. Mirëpo, demarkacioni dhe asociacioni i komunave serbe e dëmtojnë Kosovën, kurse është i padrejtë vazhdimi i kushtëzimit të liberalizimit të vizave dhe vazhdimi i getoizimit të qytetarëve të Kosovës, i vetmi rast në rajon, sepse po të shikohen zhvillimet globale kufijtë janë duke u forcuar e jo duke u zhdukur. Shih për këtë daljen e Britanisë së Madhe nga BE, dhe parashikimet për daljen e Italisë nga BE, gjë që e bën pothuajse të pavlefshëm procesin e liberalizimit të vizave, në të cilin aq shumë po thirren.

Është mirë që problemi i demarkacionit me Malin e Zi të rishqyrtohet dhe të përcaktohet në bazë të fakteve relevante, në fund të fundit të mbetet si çështje e hapur për trajtim me Malin e Zi, siç ka qenë çështja e Prevllakës mes Kroacisë dhe Malit të Zi. Ne jemi çliruar nga robëria serbe, por jemi okupuar politikisht nga klanet e caktuara politike, të cilat, fatkeqësisht, nganjëherë po harrojnë të mendojnë shqip.

Duke insistuar me çdo kusht që të ratifikohet ky variant i demarkacionit, është e dëmshme dhe e rrezikshme. Veçanërisht pas debatit të 3 gushtit, mbajtur në Kuvendin e Kosovës (edhe pse me vonesë) dërgimi me urgjencë nga Qeveria e Kosovës për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, pa i marrë parasysh asnjë nga faktet e paraqitura nga ekspertët, pa asnjë koncenzues nacional, por duke vepruar me cinizëm, nuk përkon me veprime të drejta të përfaqësuesve të zgjedhur me votën e popullit. Në këtë rast, me shndërrimin e kësaj çështjeje nga një problem i paqenë në një problem që pritet të shpërthejë, nuk i bën dobi as Malit të Zi, as Kosovës, as NATO-s, as aleatëve tanë ndërkombëtarë, as përpjekjeve tona të përbashkëta për integrim në mekanizmat euro-atlantikë, por kryekëput shkon në dobi të realizmit të interesave dhe të pretendimeve ruso-serbe, të cilat çdo ditë e më shumë janë duke e rritur influencimin në rajon.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …