Serbet e Loxhës përfituan kohë, derisa ishin duke e kërkuar komandantin e Loxhës, Shaban Shalën për të negocuar për tu dorzuar, rreth orës 6.45 minuta forcat serbe e fillojnë sulmin kah drejtimi i Pejës. Nga të gjitha drejtimet granatohej me artileri të rëndë, topa të kalibrave të mëdhenj, minahedhës pothuajse të të gjithë kalibrave, predhat e të cilëve vinin nga të gjitha drejtimet. Pastaj mitralohej me “pragë” e armë të rënda, gjithnjë duke tentuar që të depërton këmbësoria serbe. Njësitë serbe, me mjete të blinduara arrijnë të afrohen afër pozicioneve tona me ç’rast u zhvilluan luftime tepër të rrepta.
Në pikën e parë luftëtarët e lirisë nën drejtimin e komandantit Hashim Shala e pengojnë depërtimin e këmbësorisë serbe deri sa u vijnë në përforcim dhjetëra tanke e blinda. Në atë moment ata kalojnë në pozicionet anësore për të krijuar përshtypjen se janë tërhequr, ndërsa më poshtë kishin vendosur një pjesë tjetër të ushtarëve. Forcat serbe bien në grackën e forcave tona duke u futur në rreth, me ç’rast në fushëbetejë mbetën të vrarë rreth pesëdhjetë pjesëtarë të forcave serbe. Aty u dogj edhe një autoblindë dhe për orë të tëra u pengua depërtimi i forcave serbe.
Beteja siç u tha kishte zgjatur gjatë gjithë ditës, kurse në mbremje kishte rënë intenziteti i luftimeve dhe ushtarët e UÇK-së e kishin shfrytëzuar rastin ti tërheqin të plagosurit dhe të vrarët që nuk kishin mundur ti tërheqin gjatë ditës. Këtu duhet cekur se një grup ushtarësh me kërkesë të eprorëve në mënurë vullnetare ishin deklaruar për të shkuar me i tërheqë trupat e luftëtarëve të vrarë: Rrustem Bruçi nga Isniqi, Lumni Surdulli, nga Vushtria dhe Enver Alaj nga Drenoci. Tërheqja e trupave të tyre ishte shumë e vështirë. Në mesin e atyre që ishin të angazhuar për tërheqjen e trupave të tyre ka qenë edhe Bashkim Ahmetaj i cili kishte qenë i pozicionuar në lagjën e Morinëve në Loxhë bashkë me djalin e axhës së tij, Bekim Ahmetaj, dhe nipin Atëdhe Beken, Milaim Berishën e Kryshecit dhe disa luftëtar tjerë para se të vriteshin Rrustemi, Enveri dhe Lumniu. Për vrasjen e tyre kishin kuptuar, pasi ishin kthyer nga pika në Lagjën e Morinëve. Bashkim Ahmetaj pas kërkeses së eprorëve ishte paraqitur në këtë aksion vullnetar. Madje Lumni Surdulli kishte qenë komandant i Batalionit të parë, aty ku kishte qenë ushtar edhe Bashkimi. Bashkimi kishte shkuar për ti tërhequr trupat e tyre bashkë me Hagji Gashin e Kryshecit dhe me disa ushtarë të tjerë. Në tërheqjen e trupave të Rrustemit, Enverit e Lumniut kanë merita, Bardhyl Rexhepaj e Gëzim Ademaj nga Loxha, Sherif Gashi nga Çyshku i Pejës, Cufë Kurtulaj, Rexhë Osaj, Shaban Haklaj, Gani Gashi etj. Kurse nga oborri i shkollës tërheqjen e trupave të luftëtarëve të vrarë e ka mbuluar Skënder Rexhahmetaj me një grup ushtarësh. Madje Enver Alaj ishte tërhequr i gjallë por kishte vdekur rrugës për në spital. Në luftimet ku kishte rënë Rrustem Bruqi, Lumni Surdulli e Enver Alaj ishte plagosur edhe Sinan Shala nga Duboviku, pastaj Faruk Xhemajli, Imer Elezaj, Sadik Berisha etj. Të nesërmen me 7 korrik 1998 ishte bërë varrimi me nderime të larta ushtarake i Rrustem Bruçit, Lumni Surdullit dhe Enver Alajt, në varrezat e fshatit Isniq.
Me luftën e Loxhës kundër forcave ushtarako-policore dhe paramilitare serbe, lidhet ngushtë edhe emri i luftëtarit të devotshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneralit Skënder Çeku nga fshati Çyshk i Pejës, i cili përbën një kapitull më vete të luftës dhe qëndresës heroike në Loxhë, qëndroi stoikisht dhe u dallua në të tri betejat e rrepta të zhvilluara për mbrojtjen e Loxhës, sikurse edhe në organizimin e qëndresës së armatosur në këtë rajon. Në Betejen e tretë, Skënderi plagoset rëndë në vijën e parë të frontit në Loxhë dhe nga plagët e marra vdes në Spitalin Ushtarak në Bresanc të Suharekës pas operacionit të pasuksesshëm. Skënderi ishte përgjegjës për vijën e frontit duke filluar nga lagjja e Morinëve deri tek lagjja e Buçollëve të Raushiqit, buzë rrugës magjistrale Pejë-Deçan, pjesë që lidhte fshatrat Loxhë e Raushiq, në drejtim të objektit të “Fruktusit” në të hyrë të Pejës. Skënder Çeku kishte hyrë në Kosovë më 3 korrik 1998, kah Rrasa e Zogut bashkë me 22 ushtarë, të cilët, me të arritur në Shtabin e Dukagjinit në Gllogjan, me urdhër të komandantit të Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, sistemohen në Loxhë sepse ishte pika më e rrezikuar dhe nga dita në ditë pritej të sulmohej nga forcat serbe.
Njësia e Skënder Çekut përbëhej nga Binak Dinaj nga Raushiqi, i cili ishte edhe anëtar i Shtabit të Mbrojtjes së fshatit Raushiq, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare, ish i burgosur politik i vitit 1981 dhe burrë me karakter të fortë i cili në betejën e Loxhës më 6 korrik 1998, ndeshet në afërsi dhe lufton dhëmbë për dhëmbë me forcat serbe, të cilave u shkakton dëme të konsiderueshme në njerëz. Në këtë betejë Binaku plagoset rëndë dhe e humbë krahun e majtë.
Luftëtarë tjerë të spikatur të Njësisë Ushtarake të drejtuar nga Skënder Çeku ishin edhe Smajl Elezaj, Gani Elezaj, Besnik Shala, Fatos Çeku, Fatmir Zeka, Arben Nikqi, Naimi, Shpend Dreshaj, Sylë Muriqi, Kujtim Muriqi etj. Ushtarin Arben Nikqi, ditën e sulmit kundër Loxhës e largojnë nga vija e parë e frontit, për shkak të moshës fare të re. Kurse luftëtarët Sylë Muriqi, Shpend Dreshaj dhe Xhavit Dreshaj marrin plagë të rënda në betejën e 6 korrikut ’98 në Loxhë. Në frontin e Loxhës, më 6 korrik 1998, u shpërndanë edhe një pjesë e armëve të konvojit të parë të dedikuara për luftëtarët në Rugovë, të cilat sapo i sollën nga Shqipëria Sylë Muriqi, në bashkëpunim me Hysen e Xhavit Dreshajn, përmes Gllogjanit deri në Raushiq.
Urdhëri i komandantit të Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, për të shkuar në përforcim në vijën e frontit në Loxhë e Raushiq, u zbatua me përpikmëri nga komandantët e Shtabeve të UÇK-së të fshatrave Broliq, Kryshec, Dubovikë, Bohriqe, Baran, Rashiq, Jabllanicë (Shqiponjë), Vranoc, Gllogjan, Graboc, Lumbardh, Llukë e Poshtme, Pozhar, Maznikë, Zhebel etj, të cilët më se një javë para ndërmarrjes së ofensivës kundër Loxhës e Raushiqit vazhdimisht kanë shkuar përforcim në këtë vijë të frontit. Këtij urdhëri i janë përgjigjur edhe eprorët e Qeverisë që ishin stacionuar në Isniq. Ardhja e tyre ishte përkrahur nga të gjithë dhe Shtabin e Zonës Operative të Dukagjinit e kishin freskuar me oficer që kishin përvojë edhe në luftrat tjera të shkaktuara në ish-Jugosllavi.
Luftëtarët e parë që ua thyen turrin sulmeve të këmbësorisë serbe ishin Hashim Shala nga Broliqi, Hasan Ahmetajt, Demush Ahmetajn, Ramush Ahmetaj, Fadil Hysenaj, Sadri Ahmetaj, Bashkim Ahmetaj, Shaban Peqinoviqi nga Fusha e Thatë, Nazmi Gashi nga Broliqi dhe Rexhep Morina nga Loxha, Skënder Ahmetaj, Shaban Ahmetaj, Adem Beka, Xhavit Thaçi, Bekë.S.Shala, Ragip Shala, Shaban Gërvalla, Sejdi Gërvalla, Atëdhe Beka, Avdyl Shala, Xhavit Shala, Shefqet Krasniqi, Zymer Thaçi etj, të cilët qëndruan të pathyeshëm në vijën e parë të frontit. Qëndresa e luftëtarëve në këtë anë ishte tepër e fuqishme dhe sulmi i forcave serbe ka zgjatur deri në orën 10.30, kur armiku, duke parë se depërtimi në këtë anë është i pamundur, e fillojnë sulmin nga drejtimi i Gorozhdecit. Mirëpo deri në këtë kohë, në Loxhë kishin ardhur qindra vullnetarë nga gjithë rajoni i Dukagjinit dhe tentimet për të depërtuar në Loxhë ishin të kota.
Në pamundësi për të depërtuar në brendi të Loxhës nga drejtimi i Gorozhdecit, serbët e fillojnë sulmin edhe nga drejtimi i Raushiqit dhe Grabocit.
Deri në orën 11.30 armiku tenton me çdo kusht që me anë të sulmeve të kombinuara të depërton në fshat. Në këtë kohë ndërpriten sulmet e këmbësorisë dhe vazhdojnë granatimet edhe më të fuqishme nga Gorozhdeci, Zagerma dhe nga drejtimi i “Fruktusit”.
Sulmi i forcave serbe me intenzitet shumë të lartë ka qenë deri në orën 16.00 pasdite kur pushojnë granatimet. Atëherë vjen edhe një njësit nga Isniqi për të bërë pastrimin e terrenit.
Në afërsi të pozicioneve të UÇK-së, në shtëpitë e Loxhës të banuara me serbë ishin vendosur pjesëtarë të njësive paramilitare. Në shtëpinë e Zvonk Vujosheviqit, i cili siç u pa më vonë, ishte përgatitur herët për luftë dhe brenda në shtëpi kishte bërë hapjen e bunkerit, kanë qenë të barrikaduar një grup paramilitarësh dhe njësi elite të forcave policore serbe.
Forcat serbe gjatë tërë kohës hasën në një rezistencë të fuqishme të njësive tona. Edhe përkundër tentimeve të herëpashershme të forcave serbe, të cilat përdorën gjithë arsenalin që kishin, vijat e frontit nuk u thyen për asnjë çast.
Që nga mëngjesi deri në orët e pasditës vazhdimisht në Loxhë kanë arritur luftëtarë vullnetarë nga të gjitha fshatrat e Deçanit, të rajonit të Lugut të Baranit, të Pejës e të Gjakovës. Luftohej me vullnet të madh për të mbrojtur çdo ledh të frontit.
Në luftimet e rrepta të 6 korrikut 1998, kah drejtimi i fshatit Graboc, u inkuadrua në luftë edhe një grup djemsh nga Graboci, nën drejtimin e komandantit të Shtabit të këtij fshati, Rexhep Kelmendit, aktivist i njohur i lëvizjes kombëtare, ku bënin pjesë Halit Shala, Shaqir Haxhaj (i cili deri më tani konsiderohet i zhdukur), Aziz Hoxha, etj., të cilët bashkë me një grup të rinjësh që ishin kyqur në radhët e UÇK-së dhe ishin të armatosur. Ata ishin të pozicionuar bri rrugës që çonte nga Loxha në Gorozhdec. Rexhep Kelmendi ishte pjestar edhe i grupeve guerile të UÇK-së dhe luftëtar i dalluar në shumë beteja që u zhvilluan në Rrafshin e Dukagjinit. Bashkpunonte me Hasan Ahmetajn dhe grupin e familjës Ahmetaj.
Forcat serbe tentonin të depërtonin në Loxhë nga ana e Grabocit, sepse atë kohë si fshat ishte ende i pa armatosur në tërësi, me përjashtim të grupit të Rexhepit i cili, kur lufta kishte filluar të zgjerohej, kishte marrë një sasi armësh nga Shtabi Operativ i Rrafshit të Dukagjinit.
Në këto luftime merrte pjesë edhe njësia, e drejtuar nga Hasan Ahmetaj, e cila ishte e pozicionuar, përgjatë rrugës që shpie në drejtim të fshatit Graboc. Kjo njësi përbëhej nga 30 luftëtarë, të cilët me urdhër të Shtabit të Zonës së Dukagjinit në Loxhë kishin shkuar një ditë më parë. Atë ditë, ky njësit, forcave serbe arrin t’ua merr edhe një autoambulancë. Ky njësit me të arritur në Loxhë kishin bërë hapjen e istikameve dhe pozicionet i kishin dukshëm të siguruara.
Në Luftën e Loxhës morën pjesë edhe grupe të luftëtarëve që ishin të organizuar nga Shtabet lokale të UÇK-së së fshatrave Vranoc, Irzniq, Pozhar, Lumbardh, Llukë e Poshtme, Strellc, Isniq, Prapaçan etj.
Vlenë të theksohet se gjatë tërë ditës një qëndresë të pashoqe e ka bërë edhe Brahim Ali Ademaj me të birin Avdiun dhe vajzën e tij, të cilët, edhe pse shtëpia e tyre gjendej mbi 100 metra më lartë se vija e frontit, nuk e lëshojnë shtëpinë e tyre por luftojnë heroikisht deri në përfundim të betejës.
Gjatë kësaj lufte do të dallohen edhe luftëtarët loxhjanë: Bardhyl Rexhepaj, Naim Ademaj, Gëzim Ademaj, Shpend Ademaj, Zenun Shala, Lulzim Shala, Bekim Shala, Hysen Morina, Mustafë Shala, Ibër Shala me të birin etj.
Gjatë zhvillimit të luftimeve në Loxhë rreth orës 14.00 siç u tha edhe me lartë ishte plagosur rëndë Hashim Shala, luftëtar i dalluar në shumë beteja që ishin zhvilluar para luftës së Loxhës, i cili edhe pse i plagosur rëndë nuk pranon të tërhiqet menjëherë nga vija e frontit pa e ditur se si po zhvillohen luftimet më tutje. Bashkë me Hashimin plagoset rëndë edhe snajperisti Shaban Miqunoviq i cili luftoi heroikisht.
Në pikën e parë, plagoset edhe luftëtari Faruk Kelmendi. Duke bërë tërheqjen e tij plagoset edhe Rexhep Morina nga Loxha i cili kishte dhënë kontribut të çmuar në masovizimin e luftës në këtë fshat. Shtëpia e tij ishte shndërruar në një spital ushtarak të improvizuar ku shëroheshin të plagosurit. Rexhepi ishte edhe urë lidhëse për transferimin e mëtutjeshëm të të plagosurve. Këtë ditë në Loxhë janë plagosur edhe loxhjanët Rexhep Sadria, Haki Sali Rexhepaj, Isuf Hasan Shala etj. Isufi ishte plagosur nga snajperi, dhe është tërhequr nga vija e zjarrit nga Demush Ahmetaj, Hasan Ahmetaj dhe Fadil Hysenaj.
Që në orët e hershme të mëngjesit të 6 korrikut, në Loxhë kishte shkuar edhe një njësi intervenuese e luftëtarëve nga Gllogjani, në mesin e të cilëve Shpend Malaj, Agim Selmanaj, Shefqet Mustafaj (të tre tani dëshmorë të lirisë), Binak Vishaj etj., ndërsa nga vija e frontit në Carrabreg, komandanti Maliq Ndrecaj kishte dërguar një njësi në krye me luftëtarin Fatmir Nimanaj (dëshmor) nga Gllogjani. Në Betejën e Loxhës mori pjesë edhe njësia ushtarake e stacionuar në Jabllanicë (Shqiponjë) të Dushkajës e cila ishte në gjendje gatishmërie për intervenime të shpejta në vijat e rrezikuara të frontit, kur kishte rrezik që forcat armike të thyenin vijat tona mbrojtëse. Këtë njësit e komandonte luftëtari i paepur i luftës për liri, tani dëshmor i kombit, Naser Brahimaj, nga Jabllanica, i cili pos që ishte dalluar në të gjitha luftimet frontale, ishte edhe luftëtar i orëve të para të UÇK-së. Në këtë njësi bënin pjesë edhe luftëtarët Lahi Ibrahimaj, Xhevdet Ibrahimaj, Florim Zeneli, Nezir Neziri etj. Naseri me këtë njësit kishte shkuar edhe një ditë më parë ku kishte qëndruar disa orë, ndërsa të nesërmen, pra ditën e sulmit, herët në mëngjes ishte vendosur në pozicionet e luftës në Loxhë nga drejtimi i Çerhaneve, duke i mbrojtur me sukses këto pozicione deri në fund të betejës.
Gjatë zhvillimit të luftimeve në Loxhë në orën 10.30 minuta të paraditës në luftime merr pjesë drejtëpërdrejtë edhe vetë komandanti i Shtabit të Dukagjinit, Ramush Haradinaj. Ai me sukses të madh drejtoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe drejtoi të gjitha operacionet luftarake në rajonin e Dukagjinit. Shumica e luftëtarëve që e çuan luftën çlirimtare deri në fund ishin ata që morën pjesë edhe në Luftën e Loxhës. Në luftimet e Loxhës ka marrë pjesë edhe një njësit i UÇK-së i përbërë prej 30 ushtarësh, nën drejtimin e eprorëve të ardhur nga jashtë, Esat Ademaj nga Loxha, Nazif Ramabaja etj, të cilët luftimeve iu bashkangjiten diku rreth orës 11.30 minuta dhe ishin të pozicionuar në pikën e katërt tek shkolla e fshatit. Ky njësit në përbërje të tij kishte njerëz të zanatit, por kishte edhe djem nga fshatra të ndryshme të Deçanit, të cilët ishin dërguar nga formacionet e ndryshme për t’i ushtruar eprorët që kishin ardhur për t’ju bashkangjitur luftës. Edhe ky njësit bëri luftime të rrebta dhe mjaft të sukseshme duke i shkaktuar armikut dëme të mëdha. Në mesin e të vrarëve nga ana e forcave serbe dhe paramilitare më 6 korrik 1998 në Betejën e Loxhës janë edhe këta pjesëtar të MUP-it: Srđan Perović (1962), Mirko Radunović (1962), Dejan Prelević (1974), Milorad Rajković (1957), Dejan Prelević (1974), Goran Novaković (1969), Željko Novičević (1973), Dragan Kešljević (1954), Nenad Živković (1973), Vladan Krstović (1973), Nenad Milaić (1970), Borivoje Kuč (1960). Serbia e kishte pranuar zyrtarisht për humbjen e këtyre përsonave por ka edhe shumë të tjerë që nuk ju janë përmendur emrat. Në këtë betejë pjesëtarët e UÇK-së u kanë marrë forcave armike armë dhe municion.
Siç u tha edhe më lartë në Betejën e Loxhës kishin ardhur edhe disa eprorë, të cilët kishin ardhur nga mergimi dhe ishin vendosur në Kazermën “Jusuf Gërvalla” në Prapaçan. Faktikisht ata kanë qenë të ngarkuar nga Shtabi i Zonës të bëjnë edhe stërvitjen e ushtarëve të rinj dhe t’ua mësojnë bazat elementare të taktikës-doktrinës luftarake.
Nga kazerma e Prapaqanit marrin pjesë Rrustem Bruçi, veprimtar i dalluar i ilegalitetit dhe progresit në komunën e Deçanit, Enver Alaj, Lumni Surdulli, Faruk Xhemajli-ushtarak-i plagosur rëndë në betejën e loxhës, Esat Ademaj, Bajrush Stojkaj, Sali Çeku, veprimtar i hershëm i grupeve ilegale në Deçan, Faruk Thaçi, Fadil Hadërgjonaj që ishte komandant i një njësiti për intervenime të shpejta, Ukë Kurtulaj, Gani Gjukaj poashtu epror dhe luftëtar i dalluar, Skender Rexhahmetaj nga Isniqi epror i dalluar etj. Këtyre njësive më vonë u kishte ardhur ndihmë (përforcim) edhe Tahir Zemaj epror dhe konsiderohej përgjegjës i të gjithë oficerëve që kishin ardhur në Dukagjin në radhët e UÇK-së.
Në kuadër të njësisë së drejtuar nga eprori Fadil Hadërgjonaj kanë bërë pjesë edhe luftëtarët Demë Lulaj, Bajram Lataj, Xhevat Baçi, Burim Asllanaj, etj., të cilët ishin dërguar në stërvitje. Ata si luftëtarë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, nën drejtimin e komandantit Daut Haradinaj, do të marrin pjesë dhe do të dallohen në luftimet e zhvilluara deri në çlirimin e Kosovës nga forcat pushtuese serbe. Gjatë gjithë kohës sa kishte zgjatur lufta në Loxhë, ndër luftëtarët më të spikatur të kësaj beteja ka qenë edhe Demush Ahmetaj dhe Bashkim Ahmetaj nga Belleja me banim në Bohriqe.
Forcat serbe tentonin pandërprerë për ta çarë vijën e frontit nga drejtimi i Grabocit me qëllim depërtimi në brendi të Loxhës. Por, ato, gjatë luftimeve me luftëtarët e UÇK-së kishin pësuar fiasko. Pësuar humbje të mëdha në teknikë dhe në njerëz.
Falë qëndresës dinjitoze të luftëtarëve të UÇK-së të gjitha përpjekjet që i bënin forcat serbe për ta thyer frontin e Loxhës, ishin të kota. Nga radhët e armikut kishte shumë të vrarë e të plagosur, mbi 14 të vrarë i kanë pranuar vetë organet serbe, të cilët kishin arritur të depërtojnë brenda vijës së frontit dhe janë vrarë nga njësitë e UÇK-së. Por numri i të vrarëve në anën e forcave serbe ka qenë shumë më i madh, mbi pesëdhjetë sish. Njësitë paramilitare vetëm me tanke kanë arritur dikur vonë t’i tërheqin. Në mesin e të vrarëve kishte edhe katër eprorë të lartë të MUP-it serb, si Dragan Kisheleviq, kryeshef i MUP-it serb të Pejës, Mirko Radunoviq, inspektor i MUP-it, Serxhan Peroviq, inspektor i MUP-it serb të Pejës, etj. Luftës çlirimtare në Loxhë e më gjerë kontribut të madh i ka dhënë edhe ekipi i mjekëve nga Loxha i përbërë nga dr. Mustafë Shala, dr.Resmije Ademaj, absolvente e mjekësisë dhe motrat medicinale Sadije Ademaj, Xhejrone Ademaj e Lendita Morina, të cilët do ta vazhdojnë aktivitetin kudo që të jenë, edhe në Spitalin Ushtarak në Kryshec, në Rugovë, Istog, Koshare etj.
Beteja e Loxhës është treguar e suksesshme dhe është e njohur sepse këtu kanë luftuar bashkarisht të gjithë ata që e donin fitoren. Aty u bashkuan luftëtarët në shtatë e shtatëdhjetë në mbrojtje të Loxhës, nga gjithë rajoni i Dukagjinit e më gjerë.
Edhe pse në Loxhë nuk ishin të hapura transhetë dhe kanalet ndërlidhëse në shkallën e duhur, në pozicionet ku luftohej nën presionin e tmerrshëm të granatimeve të pandërprera, njësitë e UÇK-së të kësaj zone treguan heroizëm të rrallë si çdoherë në vijat e para të frontit. Treguan se janë të zotët t’u përballojnë falangave të ushtrisë serbe, madje edhe kur u prijnë paramilitarët e tipit të Sheshelit.
Në këtë betejë policia dhe ushtria serbe u zunë ngushtë, u thyen keq, duke lënë në fushëbetejë shumë të vrarë e të plagosur. Atyre iu shkatërruan disa mjete të blinduara, iu zunë dy automjete të policisë, sasi të konsiderueshme armatimi, municioni etj., dhe iu pamundësua depërtimi dhe përparimi në drejtim të pozicioneve tona. Radhët e UÇK-së u treguan të pathyeshme. Rezistenca e Loxhës dhe ngadhënjimi mbi forcat armike edhe pse beteja zgjati më se 11 orë pandërprerë e rrezikoi dhe e paaftësoi çdo sulm e lëvizje të forcave serbe në Pejë me rrethinë. Atë ditë në radhët e forcave ushtarako-policore serbe në qytetin e Pejës por edhe më gjerë, për shkak të humbjeve të mëdha, ishte shkaktuar panikë e madhe.
Forcat ushtarako-policore serbe, sërish më 11 korrik 1998 sulmuan për heë të dytë Loxhën. Sulmi i dytë filloi si zakonisht në orët e hershme të mëngjesit. Granatime me artileri të rëndë kishte nga Podi i Gështenjave, nga Zagerma, nga tanket, topat e kalibrave të mëdhenj, minahedhësit 120 mm, 80 mm etj., mitralohej me mitrolozë 30 mm (“pragë”). Me theks të veçantë, predhat ishin të drejtuara mbi pozicionet e UÇK-së, ambulancën e fshatit, kuzhinën etj.
Një natë më parë Skënder Çeku me disa shokë kishte shkuar në vendlindjen e tij, në fshatin Çyshk, për të marrë përforcime-vullnetarë të rinj. Ky sulm, Skënder Çekun e zë duke u kthyer në pozicionet mes Loxhës e Çyshkut, me ç’rast ndeshen me forcat serbe dhe fillojnë shkëmbime të rrepta zjarri dhe forcat serbe detyrohen të tërhiqen.
Skënderi me njësinë e tij ishte i vendosur në vendin e quajtur Tek Mrizet e Loxhës, prej nga herë pas here me disa shokë dilte dhe kryente aksione guerile kundër patrullave serbe në zonat e kontrolluara nga armiku.
Gjatë këtyre luftimeve u vranë Rexhë (Haxhi) Morina dhe Selmon (Zhujë) Morina nga Loxha, kurse u plagos Mustafë Emin Shala. Gjatë sulmit të dytë të forcave serbe kundër Loxhës përforcimet nga njësitë tjera të UÇK-së nuk e kishin masovitetin e Betejës së 6 korrikut. Vija e frontit në Loxhë është mbajtur fuqimisht e paprekur dhe e pathyer. Kështu që nga data 11 korrik deri më 15 gusht 1998, sulmet frontale të forcave serbe janë ndërprerë. Përveç të shtënave të herë pas hershme, luftime të drejtëpërdrejta nuk ka pasur. Gjatë gjithë kohës ka vazhduar mbajtja e pozicioneve luftarake dhe e rojeve të përforcuara përgjatë gjithë vijës së frontit.
Meqenëse Loxha ishte bërë bastion i pakalueshëm për forcat armike, dhe në të dy sulmet ishin thyer keq, më 15 gusht ’98 forcat serbe ndërmorën një sulm të fuqishëm ku përdorën edhe avionët luftarakë për bombardimin e Loxhës.
Sulmi i tretë në këtë vijë filloi rreth orës 6.00 të mëngjesit, pikërisht kur ishte duke u bërë ndërrimi i rojeve nëpër pika. Bombardimet janë bërë me aeroplanë dhe helikopterë luftarakë, duke zgjatur 15-20 minuta. Nga bombardimi i aeroplanëve plagosen edhe një grua dhe një vajzë. Edhe në këtë betejë kanë marrë pjesë luftëtarët nga Belleja, komplet grupi, me ndonjë përjashtim të vogël.
Pastaj, menjëherë kanë filluar granatimet me artileri të rëndë përgjatë gjithë vijës së frontit. Këtë ditë është granatuar fuqishëm edhe fshati Graboc. Sulmi ishte i përqëndruar më së tepërmi nga vendi i quajtur Krivaqet deri në Kryq të Loxhës. Njësitë e UÇK-së, në vijën e Grabocit kanë rezistuar mbi tetë orë. Në vijën e luftimeve në Graboc, është vrarë Ahmet (Bajram) Krasniqi (30) nga fshati Arrishtë, trupi i të cilit ka mbetur pa u tërhequr. Varri i tij nuk dihet ende. Gjatë luftimeve të zhvilluara në këtë vijë janë plagosur edhe njëmbëdhjetë pjesëtarë të UÇK-së. Gjatë një aksioni të kryer më 22 korrik, duke tentuar për t’i deportuar disa refugjatë në drejtim të Pejës vritet Demush Avdyl Shala nga Graboci si dhe djali i Ukë Komonit. Këta ndeshen me forcat serbe dhe hapin zjarr, me ç’rast arrijnë t’i vrasin dy policë serbë, vrasjen e të cilëve e kanë pranuar edhe përmes mjeteve të informimit serb. Ky rast ka ndodhur në udhëkryqin e fshatit Berzhenik. Rezistenca e këtyre djemve ka vazhduar deri në orën 18.00 të mbrëmjes.
Më 15 gusht, gjatë zhvillimit të luftimeve, në pikën e Morinëve nga një predhë e granatës plagoset rëndë Skënder Çeku, njëri ndër luftëtarët më të fuqishëm të Pejës me rrethinë. Njëkohësisht në atë betejë shumë të rreptë bashkë me Skënderin u plagos rëndë edhe Gani Elezaj nga Radavci, luftëtar i hershëm dhe njëri ndër luftëtarët më të vendosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shok dhe bashkëluftëtar i pandarë i Skënder Çekut. Skënder Çeku vdes pas pesë ditësh në Spitalin Ushtarak në Bresanc të Suharekës. Në këto luftime plagosen edhe luftëtarët Hasim Cacaj nga Deçani dhe Abedin (Haxhi) Morina nga Loxha.
Në mbrojtje të Loxhës kanë rënë edhe dëshmorët Ahmet Deli Shala dhe Valon Sokol Shala, të dy nga Loxha, dhe Xhavit Qufaj nga Peja.
Gjatë këtyre luftimeve komandanti Ramush Haradinaj, me Njësinë Speciale “Shqiponjat e Zeza” në krye me Idriz Balën, depërtojnë në anën e poshtme të Loxhës, duke bërë një rezistencë të pathyeshme. Në këtë betejë forcat serbe në shej hakmarrje në pamundësi në njerëz, shkatrruan 284 shtëpitë e shqiptarëve dhe xhamia e fshatit me bulldozerë.
Vlen të theksohet se Lufta e Loxhës dhe qëndresa heroike e djemve atje ishte shembull unikat se si luftohet e vdiset për atdhe, për çlirim kombëtar e për fitore. Ajo luftë ishte produkt i qëndresës dhe rezistencës së pakursyer të pjesëtarëve të UÇK-së në këtë vijë të frontit, të cilët e kryen me nderë një detyrë të shenjtë, një obligim që ishte i gjithsecilit prej nesh – luftuan për atdhe.