Faton Mehmetaj

Faton Mehmetaj: Reagim ndaj shkrimit të Eros K: “Përgjigjja nga Gjykata Speciale dhe rrëfimi i djalit të Smajl Hajdarajt

Reagim ndaj shkrimit të Eros Klaiqit, me titull: “Përgjigjja nga Gjykata Speciale dhe rrëfimi i djalit të Smajl Hajdarajt: “Babai e dinte se do ta vrisnin”, botuar në gazetën online “Insajderi”, të datës 29.4.2018, ku përmendet edhe emri im.

Sa për njoftim të opinionit dhe të familjes së Smajl Hajdarajt, e cila e ka tepruar me akuza të rreme, të sajuara dhe pa asnjë bazë ndaj meje, të lansuara në media tash e sa vite pa fije turpi e ndërgjegje, duke e atakuar emrin tim për të satën herë se kinse unë i paskam bërë ftesë Smajl Hajdarajt për të ardhur në Komandën e TMK-së në Pejë, siç e cekë djali i Smajlit, Shpëtim Hajdaraj.

E kam thënë edhe më herët në reagimet e mëparshme, po e ritheksoj edhe tash se kurrë në jetën time nuk kam folur, nuk kam biseduar as nuk i kam dërguar kurrfarë ftese Smajl Hajdarajt. Këtë të vërtetë e dini edhe ju, por nuk e thoni për shkak se jeni të instrumentalizuar politikisht dhe të tjerët po ju përdorin juve dhe prindin tuaj të ndjerë për t’i goditur e shkatërruar individët e grupet tjera të shoqërisë për shkak të rivalitetit e tendencave për dominim.

Është turp e mëkat ta përdorni prindin e vdekur për t’i fajësuar njerëzit e pafajshëm vetëm pse i konvenon dikujt tjetër. Sigurisht prindi juaj, Smajli të ka treguar se kush e ka kërcënuar pasi që keni deklaruar edhe publikisht se ai e dinte se do ta vrisnin. Së paku këto shqetësime ka qenë dashur t’i paraqitni në Policinë e Kosovës, në KFOR, apo në organet tjera të drejtësisë dhe mbase ka mundur të parandalohet vrasja. Mos manipuloni me fjalë të tutorëve, që fshihen pas shumë vrasjeve politike që kanë ndodhur gjatë e pas luftës në Kosovë, por, lufto e gjeje kush ta ka vrarë prindin me të vërtetë.

Askush (kushdo qoftë ai), nuk mund ta fshehë fytyrën e tij tërë jetën. Prandaj, vrasja e Smajl Hajdarajt është bërë nga strukturat antikombëtare, sepse Smajl Hajdaraj ishte njeri i ndershëm, ish-epror i UÇK-së, i biri i Arif Rekut të Rugovës, i dënuar për çështje politike me shumë vite burgim në burgun famëkeq të Goli Otokut. Ishte deputet i LDK-së, i cili i takonte grupit që brenda partisë së tij cilësohej si “më nacionalist”, i cili kurdoherë asistoi në aspektin pozitiv të bashkëqeverisjes së Kosovës.

Smajl Hajdaraj ka qenë personalitet i njohur në aspektin progresiv, prandaj edhe porositësit edhe vrasësit duhet kërkuar diku tjetër, tek vrasësit që marrin urdhra nga shërbimet sekrete serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre në Kosovë.

Jo rastësisht, vrasja e deputetit Hajdaraj kishte ndodhur në prag të marrëveshjes paraprake ndërmjet udhëheqësve politikë të Kosovës për krijimin e institucioneve të Kosovës, pikërisht më 17 janar 2002, ditën kur njëzet vjet më parë ishin vrarë edhe vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Është tendencioze të paragjykoni si familjar dhe të bini në nivelin e atyre që dezinformojnë me qëllime të caktuara, duke e cilësuar si “vrasje politike” të kryer nga ana e ish-pjesëtarëve të UÇK-së edhe pse ende nuk është zbardhur vrasja as motivet e saj.

Shtrohet pyetja: Çfarë përfitimi do të kishin ish-pjesëtarët e UÇK-së nga kjo vrasje?! Përkundrazi, pas kësaj vrasjeje edhe në anën e UÇK-së pasojat kanë qenë të mëdha, madje edhe në njerëz.

Në një mënyrë, ju përmes dezinformimit po e mbuloni krimin, që në gjuhën e shkencës quhet “asanim”. Janë të fuqishëm ata që po i sabotojnë zbardhjet e vrasjeve tash e njëzet vite. Ju i keni treguar njerëzit me gisht, duke i etiketuar me emër dhe mbiemër, me adresë, por nuk keni ofruar kurrfarë faktesh e provash, përveç etiketimeve të pabaza dhe tendencave për njollosje, të cilat ndoshta nuk janë as mendime tuajat. Nuk dua ta justifikoj askënd, por Smajl Hajdaraj, para se të vritej, sipas deklarimeve të publikuara kishte pasur një varg kërcënimesh, madje edhe thirrje telefonike, që janë prova të mjaftueshme për t’i lokalizuar kërcënuesit apo kryesit e kësaj vrasjeje.

Ka informacione se Smajl Hajdaraj ishte shantazhuar vazhdimisht në vendin e punës derisa ishte drejtor i Distribucionit të Elektro-Kosovës në Pejë, por që këto shqetësime nuk janë paraqitur në Policinë e Kosovës. Ai ka pasur konflikte të vazhdueshme edhe me qarqe të ndryshme brenda LDK-së, të cilat nuk e linin t’i afrohej kryetarit Rugova. Diçka e tillë kishte ndodhur në tubimin elektoral, në Pejë, gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale. Në një rast tjetër, z. Hajdaraj, të njëjtit nuk e kishin lënë të hynte në objektin e Komunës në Pejë, ditën kur u bë hapja e Zyrës Flamane në Pejë, ku ishte i pranishëm edhe kryetari Rugova.

Disa ditë para se të vritej, deputeti Hajdaraj, në një mbledhje të Kryesisë së LDK-së dhe të deputetëve të LDK-së, kishte deklaruar se “nëse shkoni me “Povratakun” unë do të dal publikisht kundër”. Ai nuk vuante nga paragjykimet dhe problemet e tij me kundërshtarët i kishte për shkak të parimeve dhe unifikimit të faktorit politik në Kosovë. Andaj, vrasja e tij ishte një vrasje nëpërmjet të cilës mendohej të goditej unifikimi i faktorëve shqiptarë në diasporë, por edhe në Kosovë. Nuk është mirë për ta përdorur vrasjen e prindit tënd për t’i kënaqur apetitet e pangopura të disa segmenteve politike, për të arritur qëllime të caktuara.

Injorimi i luftës dhe i pjesëtarëve të UÇK-së, po nxitet nga e njëjta shtresë njerëzish, të cilët e injoruan luftën që në fillim dhe ishin kundër saj gjatë gjithë kohës. Madje, një pjesë e tyre gjatë luftës ju kishte bashkuar edhe njësive paramilitare dhe militare të forcave serbe, të cilët luftuan me të gjitha mjetet kundër popullit të vet. Janë të tillët që vepruan përkrah forcave ushtarako-policore dhe paramilitare serbe në Masakrën e Mejës dhe në masakrat e tjera anekënd Kosovës.

Janë ata që organizuan me dhjetëra prita kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së gjatë luftës, në të cilën u vranë qindra ushtarë, me qëllim të shuarjes së luftës çlirimtare.

Janë njerëzit e Arkanit dhe të Sheshelit, të cilët i ndihmuan politikisht, ushtarakisht dhe financarisht.

Siç keni theksuar edhe ju, vrasësit e prindit tuaj, deputetit Smajl Hajdaraj nuk janë zbuluar ende. Prandaj, ju përmendni emra koti, i njollosni dhe i shënjoni njerëzit si kriminelë pa qenë. Jam i bindur se këtë nuk do ta dëshironte as Smajl Hajdaraj.

Për çdo gjë, është vetëm një e vërtetë, prandaj, lufto dhe puno për ta gjetur të vërtetën reale dhe vrasësit e vërtetë të prindit tënd. E keni thënë edhe vetë se ka kaluar kohë e gjatë pa u zbuluar vrasja e deputetit Smajl Hajdaraj dhe shumë vrasjeve të tjera që kanë ndodhur pas luftës. Fatkeqësisht, kjo është e vërtetë, por duhet kërkuar shkaktarët pse ka ndodhur kështu. A keni menduar ndonjëherë se kush mund të fshihet pas humbjes së gjurmëve dhe pas urdhrit për ekzekutimin e Smajl Hajdarajt?!

Vetëm tri ditë pasi që është vrarë Smajl Hajdaraj, njëkohësisht ka pasur edhe një tentim-vrasje me eksploziv kundër eprorit të UÇK-së, Idriz Balaj, emër i njohur në UÇK, si komandant i Njësisë Speciale për Intervenime të Shpejta “Shqiponjat e Zeza” të ZOD-it, i cili me punën dhe angazhimin e tij ishte dalluar edhe në TMK, një kohë edhe si zv/komandant i Batalionit Gardist “Shkëlzen Haradinaj” të Zonës së Tretë të Mbrojtjes, me ç’rast është sulmuar me eksploziv Familja Balaj, nga Gllareva e Klinës, me banim në Gjakovë. Në këtë rast që ndodhi në mbrëmjen e 20 janarit të vitit 2002, Idrizit ia kishin montuar eksplozivin para derës së hyrjes në shtëpinë e tij në Gjakovë, përderisa bashkë me gruan dhe djalin foshnjë gjendeshin te një mik i tyre në qytet. Kur kthehen sapo i afrohen derës së hyrjes, aktivizohet eksplozivi dhe nga shpërthimi i fuqishëm plagoset rëndë Idriz Balaj, e shoqja e tij Teuta Morina-Bala, po ashtu pjesëtare e TMK-së, e cila si pasojë e aborton foshnjën dy-muajshe, e humbë njërën këmbë dhe merr plagë të rënda në gjithë trupin (shpëton vetëm në saje të ndërhyrjes së mjekëve në Bondsteel), ndërsa djali i tyre në atë kohë16 muajsh pëson tronditje të brendshme.

Nga viti 2000 deri në vitin 2010 në Kosovë janë zënë disa vrasës me pagesë, të cilët janë vënë para organeve të drejtësisë në Kosovë, të cilët vinin nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia etj, të cilët në Kosovë kishin kryer vrasje të ndryshme sipas porosive, edhe kundër LDK-së, por edhe kundër UÇK-së, por në asnjë rast nuk ka dalë se kanë qenë të porositur nga strukturat drejtuese të UÇK-së.

S’do mend se vrasësit me pagesë në disa raste kanë qenë të lidhur me strukturat e “Klanit të Zemunit”, me të ashtuquajturën “polici lokale”, dhe strukturat tjera kriminale të shteteve të rajonit. Ata në të gjitha rastet kanë qenë eksponentë të besueshëm të shërbimeve të mëhershme serbe, që kanë bashkëpunuar me resorët e UDB-së dhe të KOS-it. Struktura të tilla kanë vepruar në Kosovë edhe me dijeninë e UNMIK-ut, por edhe të disa klaneve që ishin instaluar brenda disa partive në Kosovë, të cilave u konvenonte për të krijuar “mjegullnaja” në Kosovë me qëllim që të vepronin më lirshëm. Prandaj, nuk supozohet kot se ish-komandanti i policisë së UNMIK-ut për Rajonin e Dukagjinit në Pejë, ku ka vepruar që nga viti 1999, Valerij Corotenko (rus), ka qenë njëri prej koordinatorëve dhe mbështetësve të ” Klanit të Zemunit”, të cilët operonin në Kosovë, nëpërmjet kolegëve të tyre shqipfolës, i cili pos që ka përfituar miliona, ka ndikuar në krijimin e një gjendje kaotike, një gjendje identike të këtyre klaneve sikur të ishte në Beograd.

Pjesë e lojërave të ndyra dhe instrumentalizimit të disa njerëzve, të cilët u përdorën dhe po përdorën për qëllime të caktuara ishte edhe Ilir Selimaj, pjesëtar i Brigadës 136 dhe një kohë pjesëtar i Njësisë Speciale “Shqiponjat e Zeza”. Ai kishte dëshmuar rrejshëm në “Gjyqin e Dukagjinit”, për shkak të presioneve, shantazheve dhe kërcnimeve, por edhe për shkak se atë e përpunuan me forcë klanet e caktuara, duke e detyruar të bëhet dëshmitar, madje dëshmitar “kyq” në këtë proces. Shantazhimin dhe përpunimin e tij e pat lejuar në atë kohë edhe policia e UNMIK-ut, por edhe gjykata e asaj kohe, të cilët pasi e shfrytëzuan atë, nuk e mbrojtën më. Madje, policia e UNMIK-ut për të dëshmuar rrejshëm, Ilirit i kishin premtuar para të majme, të cilat nuk i pa kurrë me sy. Me kalimin e kohës, Iliri, dëshpërohet në të dyja palët dhe kishte filluar të flasë aty-këtu për të vërtetën dhe procesin që ndërlidhej me të.

Mirëpo, pas kësaj, persona të panjohur deri më tani e vranë bashkë me kunatën e tij Feride Selimaj, që të mos zbulohen porositësit e shumë vrasjeve, që sigurisht nuk janë nga radhët e UÇK-së. Për këtë arsye u likuiduan edhe disa dëshmitarë të tjerë të proceseve të montuara gjyqësore, nëpërmjet të cilëve kishin arritur t’i organizonin proceset gjyqësore kundër ish-eprorëve të UÇK-së. Fytyrat e kreatorëve të këtyre proceseve do të mbeten anonimë që nga ajo kohë dhe enigmë e pazbuluar, e mbështjellur me petkun e misterit dhe harresës. Me vrasjen e këtyre dëshmitarëve, në njërën anë e mbulonin vetveten dhe nuk i përmbushnin premtimet ndaj tyre, kurse në anën tjetër ua rëndonin barrën edhe më shumë dhe i akuzonin përsëri të akuzuarit apo të dënuarit në ato procese të montuara, tani edhe për vrasjen e dëshmitarëve (!).

Për shkak të përplasjes dhe rivalitetit që ishte një fenomen i improvizuar nga klanet e caktuara që e bënin punën e huaj u vra Avni (Smajl) Elezaj (1981) nga Alba (ish-Jabllanica e Vogël e Pejës), më 12 tetor 2002, në afërsi të Restorantit “Peja City”, bashkë me Bekim Mustafën (1975) nga Klina e Poshtme e Skënderajt, me banim në Arbëresh (ish-Vitomiricë) të Pejës, të dy ish-pjesëtarë të UÇK-së. Edhe kjo vrasje nuk u zbulua kurrë edhe pse ishte vetëm disa metra larg nga policia.

Nuk dua të hyj në detaje se kush i vrau Avni Elezajn dhe Bekim Mustafën, kush e urdhëroi vrasjen e tyre dhe cilët ishin kryesit e kësaj vrasje, e cila ka mbetur enigmë që nga ajo kohë, por edhe më enigmatike bëhet kjo situatë kur babai i Avniut, Smajl Elezaj, i hyn punës për ta zbardhur vrasjen e të birit, pasi që Policia e UNMIK-ut dhe SHPK-ja nuk kishin bërë asgjë për zbardhjen e këtij rasti. Por Smajl Elezaj vritet më 17 mars 2004, vetëm pak orë para shpërthimit të protestave të marsit në Pejë, afër vendit të tij të punës, mbase pasi u kishte rënë në gjurmë vrasësve të të birit.

Vargu i vrasjeve enigmatike, qoftë në radhët e LDK-së apo të UÇK-së është i gjatë, në mesin e të cilave tërhiqet një paralele më shumë e lansuar nga shtypi i kontrolluar i klaneve të caktuara për ta lënë që të kuptohet se kinse aktivistët e LDK-së qenkan vrarë nga UÇK e pjesëtarët e UÇK-së ose nuk përmenden fare ose thuhet se janë vrarë nga njerëzit e LDK-së në vetëmbrojtje, për ta krijuar përshtypjen se LDK është struktura e viktimizuar.

Duhet cekur se shumica e këtyre vrasjeve, përfshirë këtu edhe vrasjet e motivuara politikisht që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve, kanë ndodhur në prag të ndonjë procesi apo ngjarjeje politike, apo për të bërë ndonjë aferë të caktuar për ta fundosur dikë.

Është e kuptueshme, se mosndriqimi i krimeve dhe lënia e lirë e kriminelëve, u shkon për shtati më së shumti atyre që i kanë sponzorizuar krimet dhe kriminelët. Pavarësisht përqendrimit të madh të forcave të KFOR-it, të cilët janë përgjegjës për sigurinë në Kosovë, Policisë së UNMIKU-t, EULEX-it, SHPK-së më herët e tani Policisë së Kosovës, pranisë së madhe të shërbimeve inteligjente të shteteve të ndryshme të Europës e më gjërë, pastaj kontigjentit të hetuesve, prokurorëve ndërkombëtarë e vendorë, ndodhi që të gjitha këto vrasje të mos zbulohen apo të mbesin në harresë gjer më sot. Sido që të jetë në këtë botë ka drejtësi, por duhet kërkuar me këmbëngulje. Drejtësia nuk gjendet duke i akuzuar njerëzit, siç keni bërë ju, Shpëtim Hajdaraj në rastin tim. Mos u mashtro nga tutorët që po të shushurisin në vesh, por lufto për të vërtetën për ta zbuluar vrasjen dhe vrasësit e prindit tuaj, sepse jam i bindur se e vërteta megjithatë edhe në këtë rast do të triumfojë, por pa e ngatërruar me të pavërtetën. Është e pafalshme të akuzohen njerëzit e pafajshëm. Mos i kontribuoni këtij procesi sepse do të zhgënjeheni edhe më shumë.

Ditën e varrimit para mijëra të pranishmëve, zyrtarë të lartë të Kosovës, parlamentit dhe të partisë, por edhe të UNMIK-ut lexuan telegrame dhe jetëshkrime mbi veprimtarinë e bujshme politike-ushtarake të deputetit Hajdaraj. Ata u zotuan se nuk do të shkon larg dita kur para drejtësisë do të gjenden ata që ngrehën gishtin e krimit dhe e bënë këtë vrasje mizore por ajo nuk ndodhi gjerë më sot. Këtë vrasje vazhdojnë ta përdorin vetëm atëherë kur u duhet për përfitime politike. Ndërkaq, dhimbja për Smajl Hajdarajn i mbeti familjes dhe farefisit.

Këto vrasje dhe të tjerat si këto, janë bërë nga armiqtë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, të cilët e kanë pasur të vështirë ta pranonin fitoren e UÇK-së mbi forcat armike, të cilët mendonin se me vrasjen e çlirimtarëve mund ta kthenin përsëri Serbinë në Kosovë. Objektiv që duhet të jetë është – fajtorët në burg.

 

(Ky reagim është dërguar për botim në redaksinë e gazetës online Insajderi, më 4 maj 2018, por edhe pse janë obligativë, megjithatë nuk e kanë botuar)

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …