Faton Mehmetaj

Faton Mehmetaj: Shërbimet ruse kanë një rrjet të perfeksionuar i cili ka vepruar në vazhdimësi edhe pas rënies së komunizmit

Këto ditë është bërë e ditur publike, që shërbimi rus është duke punuar për ta destabilizuar Kosovën por edhe më gjërë. Siç dihet, shërbimet ruse, duke përfshirë edhe ato diplomatike, ndikuan negativisht në proceset zhvillimore të Kosovës dhe të vendeve që u pavarësuan pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, shumica prej tyre u pavarësuan pas luftërave të përgjakshme.

Shërbimet ruse kanë një rrjet të perfeksionuar i cili ka vepruar në vazhdimësi edhe pas rënies së komunizmit. Ata kanë qenë të pranishëm edhe në periudha të mëhershme historike, duke luajtur rol dominant edhe në politikë bërjen e këtyre shteteve.

Pas shpërbërjes së komunizmit, shërbimet ruse kishin investuar fuqishëm në kuadro të reja, kishin ngritur parti politike të kamufluara si pro-perëndimore, por që ishin me orientim rus, blenë mediume të fuqishme në shtetet e rajonit, krijuan agjenci të reja mediale për t’i përdorur për propagandë dhe agjitacion, por edhe për krijimin e lajmeve të rrejshme (“fake news”) dhe në shumë vende fituan terren politik, duke ndikuar edhe në shumë vendime të spektrit ndërkombëtar. Shërbimet ruse arritën ta shtrijnë ndikimin e tyre edhe në disa media të shteteve të Ballkanit.

Shërbimet ruse nuk u ndalën më kaq, ato u ndërlidhën me spiunazhin ekonomik, por edhe me strukturat e mafies politike në këto shtete, investuan në krijimin e rrjeteve të ekstremizmit mysliman, të cilat shërbimi rus i ka përdorur për t’i destabilizuar disa vende të Ballkanit e më gjerë. Pos kësaj, shërbimet sekrete ruse përvetësuan diplomatë të ndryshëm të këtyre shteteve, dhe përmes tyre, e kishin instaluar strukturën e vet nëpër konsullata, ambasada e në trupën diplomatike.

Pavarësisht prej këtyre, shërbimet ruse, në bashkëveprim edhe me strukturën e biznesmenëve pro-rusë, që financoheshin me para të pista, ata përmes strukturës së tyre, shpërlarë miliarda paratë te Rusisë, dhe me ato para arritën t’i qesin para falimentimit dhjetëra e dhjetëra biznese dhe kompani të vendeve perëndimore që kishin investuar në shtetet e ish-jugosllavisë, por edhe falsifikuan qindra xhirollogari bankare për interesat e tyre.

Shërbimet ruse krijuan aleanca dhe bënë miq të fuqishëm për ta kundërshtuar praninë e Perëndimit në shtetet e krijuara pas shpërbërjes së bllokut komunist, duke u pajtuar me ta edhe për shumë probleme globale. Në saje të kësaj, përfituan kohë të mjaftueshme për ta përgatitur valën e veprimeve kundërsulmuese. Mafia politike e këtyre vendeve, që sigurisht qëndron mbi shtet, jo pak prej tyre ndërlidhen me shërbimet ruse e serbe, kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë për t’i futur këto vende nën influencën ruse.

Shërbimet ruse fillimisht i testuan njerëzit, biznesmenët e politikanët për të ardhur pastaj deri tek përzgjedhja e tyre në të gjitha hapësirat e shteteve të Ballkanit, me qëllim që ta përfitojnë shtresën e njerëzve të duhur pro Kremlinit.

Ka dhjetë vite që klasa politike pro perëndimore në shtetet e ish-Jugosllavisë po goditet nga shërbimet ruse. Madje, gjatë kësaj kohe ndërmjet këtyre dy shtresave është zhvilluar një luftë e ashpër për dominim. Duke e vërejtur intensitetin e veprimtarisë së shërbimeve ruse dhe ndikimin e tyre në këto hapësira, autoritetet në Kosovë, kohëve të fundit, tërheqin vërejtjen se ka sinjale që dëshmojnë për rrezikun e shtrirjes së ndikimit rus në Kosovë.

Mirëpo, kjo shtrirje u nënçmua dhe nuk u konsiderua e shkallës serioze. Shërbimet ruse e vërejtën këtë mangësi, prandaj me kalimin e kohës u kthyen në një gangrenë të shteteve me demokraci të re në Ballkan. Zakonisht, në këto vende, shërbimet ruse i kanë përdorur agjentët ilegalë, të cilët konsiderohen si lidhje të vlefshme të shërbimit, sepse kryejnë punë të mëdha pa rënë në sy. Në shumicën e rasteve, ata e kanë mbuluar spiunazhin (veprimtarinë e tyre) me aktivitete ekonomike, sportive, kishtare dhe të pajisur me dokumente të diplomatëve rusë, të cilët në rast të mossukseseve e përdorin diplomacinë imponuese dhe forcën.

Duke i përdorur këto struktura, shërbimet ruse, kanë ndërmarrë shumë operacione sabotimi, diversioni, mashtrimi etj., por nëpërmjet operacioneve dhe përgatitjeve të veçanta e lansuan luftën speciale si një mjet degradues ndaj njerëzve në pushtet me orientim properëndimor etj., duke i goditur në mënyrë të orkestruar nëpërmjet lansimeve mediatike strukturat pro-perëndimore të këtyre vendeve.

Shërbimet ruse bashkë me ato serbe, e organizuan komplotin në Mal të Zi, me qëllim që ta rimarrin pushtetin, me synimin për ta penguar Malin e Zi që t’i bashkohet NATO-s dhe pastaj që ta kthejnë ndikimin e tyre aty nëpërmjet strukturave politike proserbe në Mal të Zi.

Ato për ta shtrirë ndikimin e tyre në shtetet e Ballkanit e më gjerë kanë ndërmarrë një varg betejash dezinformative dhe informative, nëpërmjet të cilave kanë shpërndarë mesazhe përçarëse. Ky fenomen ka ndodhur për arsye se atyre u është dhënë mundësi propaganduese nga Bashkimi Europian.

Pasi që shërbimet ruse e konsoliduan sistemin e vet në shtetet e Ballkanit, e testuan atë disa herë në momente dhe rrethana të caktuara, duke filluar pastaj me operacione të karakterit të fshehtë. Pas kësaj, siç është thënë edhe nga analistë të ndryshëm të çështjeve të sigurisë, shërbimet ruse të spiunazhit e vendosën Kosovën dhe Malin e Zi, në objektivat e politikave të jashtme të këtyre shërbimeve si vende të rëndësisë së veçantë, për ta shtrirë ndikimin e tyre.

Shërbimet ruse, duke i përfshirë edhe ato diplomatike, por edhe të kundërzbulimit, kanë arritur të përqendrohen pothuajse në të gjitha shtetet e Ballkanit, diku më shumë e diku më pak, duke u treguar mjaft aktive në shtrirjen e ndikimit rus në këto hapësira. Këto shërbime, pos tjerash, një përqendrim të madh e kanë në Greqi, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë, Shqipëri, Kosovë, etj.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …