Fatos Baxhaku: Bushatllinjtë e Shkodrës, ngritja dhe rënia e tyre

Kjo është një histori pak a shumë e njohur. Deri vonë në Shkodër të moshuarit rrëfenin bëmat e Bushatllinjve, dinastisë që u mundua t’i rikthente Shkodrës shkëlqimin e vjetër, njerëzve që pak nga pak, si pa e kuptuar as vetë, mbase të shtyrë nga etja për territore, mbase të ushqyer nga malësorët, me të cilët ishin aleatë e miq të vjetër, mbase ngaqë vetëdija e të qenët shqiptar dhe jo thjesht një shtetas osman nisi të ndihej pak nga pak kudo, i dhanë udhë një ëndrre, mbase të mjegullt, mbase utopike, atë të krijimit të të parit formacion shtetëror shqiptar. Bëmat e tyre do të frymëzonin thuajse një shekull më pas shqiptarë të tjerë që morën udhën e Rilindjes.

I pari i dinastisë së Bushatllinjve ishte Mehmet Pasha, ose sikurse njihet më fort, Mehmet Pashë Plaku. Ky ishte i pari nga një familje e vjetër fisnike, me shumë gjasë me origjinë të vjetër venedikase, që i shpërnguli sarajet e veta nga Bushati në Shkodër. Në mesin e shekullit XVIII, Shkodra ishte e përfshirë nga anarkia. Qyteti kishte kohë që përgjakej nga rivaliteti mes dy esnafeve terzive dhe tabakëve (rrobaqepësve dhe lëkurëpunuesve). Shkodra, qyteti i lakmuar ishte ndërkohë shumë larg qendrës së perandorisë së madhe, Stambollit. Dy familje të fuqishme, Begollajt dhe Çaushollajt, kishin vite që luftonin për zotërimin e saj. Mjeshtër i dredhisë, ambicioz i shkollës së vjetër, i egër, por edhe miklues, Mehmet bej Bushati, më vonë Mehmet Pasha, duke shfrytëzuar armën e tij më të fuqishme vuri në dorë qytetin. Thonë se vendimi i parë që mori ishte dënimi i një vrasësi që kishte marrë gjak. Në kohën e tij gjakmarrja u ndalua.

Mehmet Pashë Plaku sundoi në Shkodër për 20 vjet (1750-1775). Në kohën e tij Pashallakëu i Shkodrës përfshinte një pjesë të mirë të Malit të Zi të sotëm, Malësinë e Gjakovës deri në Pejë, Shkupin, dhe territoret e Shqipërisë së Mesme deri në Shkumbin. Ai njihet si njeriu që i dha fund anarkisë mesjetare, rregulloi tregtinë dhe i dha udhë të drejtave të barabarta mes besimeve të ndryshme. Ndërtoi ura, rrugë, të parën medrese në Shkodër. Në Shkodër ende janë në këmbë dy ndërtime të kohës së tij. Këto janë Ura e Mesit mbi lumin Kir dhe Xhamia e Plumbit në këmbë të Rozafës. Ishte një nga pashallarët e paktë të kohës që sfidoi sulltanin, aq sa nuk pranoi të merrte pjesë me malësorët e tij në luftën ruso-turke. Kishte një armik të përbetuar Kurt Pashën e Beratit, me të cilin u përball gjatë në luftime të përgjakshme shqiptaro-shqiptare. Pavarësia e tij, e pamenduar për kohën, pati një çmim të lartë. Ai u helmua nga njerëzit e sulltanit në “1189 Hixh. Xhemazul-evvel, me 9 ditën e Xhuma (e premte në mes të sallës së xhumasë e të mjesditës” (18 tetor 1775 me kalendarin e sotëm).

Mehmet Pashë Plaku për pak sa nuk u zëvendësua në postin e pashait të Shkodrës nga i biri, Mustafai. Ky njihej me nofkën Mustafa Pashë Qorri, kishte humbur njërin sy gjatë gjuetisë. Mustafai kishte qenë krahu i djathtë i të atit, sidomos kur vinte puna për ndonjë sherr të fortë. Kishte shërbyer gjithashtu nën urdhrat e Plakut edhe si sundimtar i Pejës e Dukagjinit. Ishte i njohur për trimërinë që kishte shfaqur ndër beteja deri në Rumani e Greqi. Mustafai me një sy pati një vdekje “të ëmbël”. Gjoja si shpërblim për meritat e tij luftarake sulltani i dërgoi si dhuratë dy skllave të bukura. Ato e helmuan ndërsa ai festonte lavdinë e tij. Kjo ndodhi në 1779.

Një vit para vdekjes së të vëllait kishte ardhur në fronin e Shkodrës Mahmud Pasha, i njohur në histori si Kara Mahmut Pasha, më i famshmi nga e gjithë dinastia e Bushatllinjve. Ky, një burrë i fortë e i hijshëm, u bë pasha që në moshën 20-vjeçare. U martua tri herë. Nuk la pas trashëgimtarë.

Më shumë se i ati, Kara Mahmuti nuk i përfilli urdhrat që vinin nga Stambolli. Ai i rifitoi zotërimet që kishte humbur vëllai i tij me një sy dhe synoi të shtrihej më në veri, drejt Malit të Zi. Në Cetinë, kryeqendrën historike të malazezëve, edhe sot një vend quhet “puset e Kara Mahmutit”. Pashai i ri, duke u ndeshur ashpër me Ahmet Kurt Pashën e Beratit e shtriu sundimin e tij deri në afërsi të Ohrit e Korçës. Veprimet e tij krejt në kundërshtim me Stambollin e acaruan keqas sulltanin. Në 1785 dërgoi kundër pashait të Shkodrës një ekspeditë të madhe ndëshkimore, por Kara Mahmuti u doli kundërshtarëve para, krejt larg Shkodrës, në Kosovë, ku doli fitimtar. Pashai shqiptar tashmë i kishte ndërprerë lidhjet me Stambollin dhe nisi kontaktet me fuqitë e mëdha të kohës. Austria dhe Rusia nisën ta konsideronin si sundimtar krejt të pavarur. Kara Mahmuti nisi të ushqente ëndrrën për një mbret shqiptar. Në 1786, me iniciativën e tij në Podgoricë u mblodhën krerë të krahinave rreth e rrotull, ku u vendos krijimi i “Konfederatës Ilirike”, e cila do të luftonte për arritjen e pavarësisë së plotë nga Perandoria Osmane. Vetë Jozefi II, i ngazëlluar, i dërgoi Kara Mahmutit një kryq të rëndë argjendi në shenjë përgëzimi. Krerët u betuan solemnisht mbi ungjill e kuran. Kishte shumë kohë që nuk kishte ndodhur një gjë e tillë.

Më pak se një vit më vonë, Porta e Lartë e deklaroi “fermanli” Kara Mahmutin. Kjo donte të thoshte se ishte i dënuar me vdekje. Zyrtarisht në vend të tij u emërua Mehmet Pashë Çausholli, një armik i betuar i Bushatllinjve. Në gusht të 1787, një ushtri prej 20 mijë vetash mbërriti në portat e Shkodrës. Pashai i Shkodrës u tradhtua sakaq nga njerëzit që dikur i kishin qëndruar pranë. Mbeti vetëm me një grusht njerëzish. Vëllai i tij, Ahmeti, u zu rob pas një beteje të përgjakshme dhe iu pre koka. Rrethimi i Shkodrës zgjati 80 ditë. Muret e kështjellës së vjetër u bombarduan rëndë nga të gjitha anët. Këtu hyn në skenë një tjetër pasha i njohur shqiptar, Ali Pashë Tepelena. Autorët e vjetër na bëjnë me dije se Aliu ishte asokohe i detyruar të bënte pjesë në anën e sulmuesve, por ai ishte marrë vesh fshehurazi me Kara Mahmutin dhe njerëzit e tij i spiunonin të gjitha planet e shtabit osman. Në kështjellën e tij Mahmuti nisi të ndihej më i qetë.

Pastaj u erdhi radha malësorëve, miqve të tij të vjetër. Këta, të ndihur edhe nga esnafet vendase, i dha udhë një përleshjeje të madhe. Aq e përgjakshme ka qenë kjo betejë sa deri vonë xhamia e Perashit në Shkodër njihej me emrin “Xhamia e Kuqe”. Mahmuti përdori edhe një dredhi tjetër. Deklaroi se do të dorëzohej dhe nisi të zbriste nga kalaja i shoqëruar nga 60 malësorë besnikë të përhershëm të tij. E pikërisht teksa osmanët e lehtësuar prisnin më në fund t’i prisnin kokën ai dhe njerëzit e tij u hodhën mbi topat e armikut dhe nisën të hapin zjarr. Rrethimi i Shkodrës ishte çarë. Thuhet se asokohe malësorët bënë plaçkë të madhe. Stambolli ndërkohë ishte i zënë me një tjetër luftë me Rusinë. Qetësia që mbërriti i dha kohë Pashait dhe Shkodrës që të shëronin plagët e luftës së përgjakshme.

Koha që vijon është edhe koha e relatave të ethshme mes përfaqësuesve të Austrisë dhe pashait të Shkodrës. Mbase për prishje pazaresh, mbase nga se e kuptoi se po e përdornin si mish për top, mbase… Mahmud Pasha befas bën një lëvizje të çuditshme: vret në anë të Liqenit të Shkodrës të dërguarit e Austrisë dhe i shpreh sërish besnikëri Sulltanit, madje edhe shkon në luftë në emër të osmanëve në Bosnjë dhe në Vidin. Pikërisht në këtë kohë sulltani e emëron vezir. Nga fushatat ushtarake Kara Mahmuti u kthye i mbuluar me thesare. Tani ndihej i sigurt, porse afrimi i tij me Stambollin e kishte prishur një herë e mirë ëndrrën e “Konfederatës Ilirike”.

Megjithatë pashai ndërkohë ishte bërë i famshëm edhe në skenën ndërkombëtare. Monarkistët francezë, të larguar nga vendi pas 1789-s, i kërkuan që të vinte në shërbim të tyre 4 mijë mercenarë. Kara Mahmuti pranoi, por kjo e acaroi sërish Stambollin. Në fund të vitit 1792 sulltani i ri Selimi III e shpalli sërish “fermanli” Kara Mahmutin. Këtij iu hoq titulli i Vezirit dhe u dënua me vdekje. Pashai e kaloi edhe këtë sfidë të rëndë, si gjithnjë i ndihmuar nga malësorët e tij besnikë. Vetë Papa ngarkoi mbretin e Spanjës që të ndërhynte për faljen e Kara Mahmutit. Selimi III pranoi: do mbetesh vezir, por nuk duhet t’i kalosh kufijtë e sanxhakut të Shkodrës. Kjo ndodhi në 1794.

Në 1796 mbërrijnë në Shkodër të dërguarit e Napoleon Bonapartit. Pashai kishte kërkuar që të ishte aleat i tij. Në të njëjtën kohë ai organizoi një fushatë të madhe ushtarake për shtrimin e zotërimeve në drejtim të Malit të Zi. Pikërisht në njërën prej këtyre betejave, më 22 shtator 1796, shqiptarët pësuan disfatë. Pashai mbeti i vrarë dhe iu pre koka. Armët dhe maska e tij mortore ruhen në muzeun e Cetinës. Pashai i pavarur nuk ishte më veçse një kujtim i ngulitur thellë.

Vendin e tij e zuri i vëllai, Ibrahim Pasha. Ky sundoi deri në 1809. Historia e tij është ajo e një shërbëtori të urtë të Stambollit. Në histori ka mbetur i njohur, sepse në 1801 i shkoi mendja që të sulmonte Ali Pashë Tepelenën, madje mbërriti edhe deri në Elbasan. Porta e Lartë ndërhyri dhe dy pashallarët nuk u panë kurrë me njëri-tjetrin. Ibrahim Pasha njihet gjithashtu si nismëtari i ndërtimit të njërës prej godinave më të njohura të Shkodrës së vjetër: bexhistanit (pazarit të mbyllur), të cilin e hodhën në erë në 1969.

I fundit sundimtar i dinastisë së Bushatllinjve ishte Mustafa Pasha. Ky sundoi nga 1810 deri në 1831. U martua me mbesën e Ali Pashë Tepelenës, të bijën e Veli Pashës. Thuhet se karvani që solli nusen në Shkodër përbëhej nga 800 kalorës. Mustafai njihet në histori si organizator i vrasjes së dy nipave të tij, djemve të Ibrahimit, dhe si njeriu, që pas një konflikti të gjatë me mirditorët u njohu Gjonmarkajve të drejtën e “shtëpisë së parë në Mirditë”. Në 1830 udhëhoqi të fundmen kryengritje të Bushatllinjve kundër osmanëve, i ndihmuar edhe nga mirditorët e komanduar nga i famshmi Lleshi i Zi dhe nga malësorët. Pas faljes nga sulltani shërbeu disa kohë si vali në Adana, Konja, Izmir dhe Bosnjë. Vdiq si vali i Mekës, vendit të shenjtë të myslimanëve. Thonë se vdiq i lumtur në 1860. Ishte besimtar i madh.

Nipi i Mustafa Pashës ishte Xhelal Pasha, dhëndër i Abdyl Hamitit. Ky vdiq në Francë në 1938, i dëbuar në Francë nga Mustafa Qemal Ataturku. Së bashku me dy hallat e tij ishte trashëgimtari i pasurisë kolosale të grumbulluar nga të parët e tij.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …