Kryetarët e komisioneve parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar që faza e re e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të mos fillojë pa nxjerrjen e një rezolute të re nga Kuvendi i Kosovës. Një gjë të tillë e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e Institutit Demokratik të Kosovës, sipas të cilëve nuk duhet të ketë fazë tjetër të dialogut pa konsultën e Kuvendit. Këto u thanë në takimin e dytë koordinues, të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Instituti Demokratik i Kosovës, lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, ka thënë se ka nevojë për një rezolutë të re për dialogun mes Kosovës e Serbisë për të qartësuar pozicionin e presidentit, kryeministrit në këtë proces dhe të paraqiten vijat e kuqe në këtë dialog.