Fazli Maloku

Fazli Maloku: Ju dhe vetëm ju i qëndruat besnik, të pa lëkundur, me guxim Zgalemi, idealit të luftës së UÇK-së

Të dashur vëllezër e motra, drejtues të Radio Kosova e Lirë  dhe TV Dielli!

Në përvjetorin e 21-të të punës suaj në Radio Kosova e Lirë, nga thellësia e shpirtit uroj shëndet, lumturi dhe punë të begatë në të ardhmen gjithë stafit tuaj! Veprimtaria e juaj në çështjen shqiptare ende të pazgjidhur, për çlirim e bashkim kombëtar, shtrihet në tri periudha:

Periudha e Ilegales shqiptare, e cila ishte një luftë me dekada të tëra; demonstrata të fuqishme. Përleshje fytafyt me forcat gjakatare serbo-jugosllave. Lufta nëpër çelitë e burgjeve serbo-jugosllave. Lufta në sallat e gjykatave serbo-jugosllave. Të vrarë e të dënuar shqiptarë me shekuj me qellim të shuajtjes njëherë e përgjithmonë ndjenjat nacionaliste, atdhetariste, idenë për çlirim dhe bashkim kombëtar me Nënën Shqipëri. Vigajtë e kësaj lufte si Bacë Adem Demaçi, Metush Krasniqi, Ukshin Hoti, gjithmonë nën drejtimin dhe ndihmën e Nënlokës Shqipëri dhe të burrit të madh të kombit, xhaxhit Enver Hoxha, krijuan një armatë të tërë veprimtarësh, idealistë, të gatshëm në çdo kohë për sakrificë sublime. Pjesëtarë të kësaj armate jeni edhe shumica nga ju drejtues të Radio Kosova e Lirë e të TV-Dielli, përjashto moshat e reja. Dhe kjo luftë idesh të kundërta, ajo titiste që ne të konvertohemi në “jugosllavë”, si dhe ajo enveriane, që ne të mbetemi shqiptarë me të vetmen ide ÇLIRIMI DHE BASHKIMI KOMBËTAR me NËNËN SHQIPËRI. Dhe kjo luftë u fitua.

Periudha e Dytë, lufta e UÇK dhe çlirimi i Kosovës. Në këtë luftë për jetë a vdekje, ju i dhuruat Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, armën më të fuqishme që për kohën mund të kishte një ushtri, Radio Kosova e Lirë dhe agjencinë Kosova Pres. Rrethanat në të cilat punuat ju gjatë luftës ishin ndër ma të vështirat dhe duhej një fuqi njerëzore e cila të dukej “mbinjerëzore”. Zëri ëmblematik “ju flet Kosova e Lirë, ktheu shpresën e shqiptarëve dhe bindjen se UÇK-ja do ta fitojë luftën. Dhe kjo luftë u fitua.

Periudha e Tretë, ajo e pas luftës. Ju dhe vetëm ju i qëndruat besnik, të pa lëkundur, me guxim Zgalemi, idealit të luftës së UÇK-së, duke ju ofruar shqiptarëve kudo që jetojnë një program të pasur kombëtar dhe vetëm kombëtar. Jemi në dijeni për të gjitha furtunat, presionet si nga jashtë, për fat të keq edhe nga brenda, nga tradhtarë të idealit të luftës dhe sahanlëpirësat faqezi. Ju e fituat edhe këtë luftë burrërisht. Ndjehemi edhe ne krenarë që i takojmë këtij rreshtimi me drejtim kombëtar shqiptar. Jemi edhe më të guximshëm në veprimet tona kur kemi një Radio dhe një TV tërësisht kombëtar. Ju, iu përmbajtët me përkushtim porosisë së kolosit të kombit Sami Frashërit, i cili në kohën e tij i porosiste shqiptarët: ” Çdo kush që na del përpara, në rrugën tonë të shenjt, ta shtyjmë, ta rrëzojmë, ta shkelim dhe të ecim para”.

Shëndet, lumturi, bardhësi në rrugën tuaj e që është edhe rruga e kombit!

Me dashuri e respekt:

Prishtinë, 4 janar 2020.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …